Foshnjat e gjirit nuk rriten vetëm në mënyrë graduale, por edhe sipas të disa “shpërthimeve”. (Lampl, Veid’hus & Johnson 1992). Gjatë “shpërthimit”, ata shtojnë menjëherë përmasat dhe peshën e tyre. Ndryshime të rëndësishme në këtë hop cilësor të rritjes vihen re edhe në kërkesat që ata kanë për ushqim. Nëse më parë foshnja kishte një ritëm sistematik dhe të rregullt ushqyerje, gjatë “shpërthimit” ai shfaq shenja padurimi, duke kërkuar të hajë më shpesh dhe më shumë. Kësaj kërkese të shtuar për ushqim nga ana e fëmijës, nëna e plotëson në mënyrë natyrale. Sa më shumë t’i japë qumësht fëmijës, aq më shumë gjendrat e qumështit do të prodhojnë, duke balancuar kështu kërkesën me prodhimin. Pasi kalon periudha e “shpërthimit”, foshnja do t’i kthehet sërish ritmit të vet natyral të të ushqyerit.
Zakonisht faza e “shpërthimit” përkon me javën 5-6 të jetës së fëmijës, e cila pasohet me muajin e tretë. Megjithatë “shpërthimi” mund të përkojë edhe më herët, qysh në javën e tretë.
Gjatë vitit të parë të jetës, fëmija mesatar zgjatet 25 cm. Pasi shton 4 kg në afro katër muaj, pesha e tij është dyfishuar në krahasim me peshën e lindjes. Kur mbush vitin, pesha e tij është trefishuar.
Ky zhvillim nuk është i njëjtë gjatë vitit të dytë. Rritja e fëmijës gjatë këtij viti ngadalësohet shumë. Të ngadalshme janë edhe ritmet e rritjes dhe shtimit në peshë deri në adoleshencë kur ndodh “shpërthimi i madh”.
Fëmijët kanë karakteristika anatomike të ndryshme nga të rriturit. Gjatë dy viteve të para, fëmijët e kanë kokën relativisht më të madhe, krahasuar me trupin, pasi truri pëson zhvillim më të shpejtë. Truri i fëmijës kur shkon dy vjeç, arrin tri të katërtat e masës së trurit të të rriturit dhe më pas rritja ngadalësohet. Rritja e kokës plotësohet rreth moshës 10 vjeç, kurse trupi vazhdon të zgjatet edhe për disa vjet të tjera.
Referencat
Anne Deans; “Your Pregnancy Bible”; web: www.carrollandbrown.co.uk
Charles G. Morris, Albert A.Maisto; “Understanding Psychology”