Maskë me Mjaltë dhe Qumësht kundër tharjes së Lëkurës

Maska e fytyrës me mjaltë dhe qumësht është një maskë e cila ndikon mjaft në rigjenerimin, zbardhimin e lëkurës dhe vitalizimin e saj, veçanërisht për lëkurën e thatë. Për shkak të përbërësve të saj, mjalti dhe qumështi, kjo maskë përdoret në rastet e tharjeve të lëkurës, dëmtimeve nga dielli, kur lëkura e fytyrës fillon të heqë nxirjen e saj të plazhit (pasi ajo mund të dalë në formë hartash), nga dëmtimet e lëkurës prej të ftohtët, veçanërisht kundër plasaritjeve të lëkurës dhe për heqjen e luspave (kur lëkura e fytyrës bëhet si luspa peshku të imëta dhe me ngjyrë të bardhë).

Mjalti shquhet për vetitë e tij të mëdha terapeutike në lëkurë, duke u bërë kështu një nga përbërësit kryesorë në industrinë e kozmetikës.  Ai rigjeneron lëkurën, e zbut atë, e ushqen dhe e shëron atë nga plasaritjet e saj, kryesisht në duar dhe fytyrë.  Mjalti është i pasur me karbohidrate, vitamina dhe minerale, duke e furnizuar lëkurën me këto elementë, si: vitamina A, vitamina B1, vitamina B2, vitamina B5, vitamina C, acid nikotinik (niacina), hekur, fosfor, kalcium, bakër, kalium, etj.
Po kështu, vlera të mëdha terapeutike ka edhe qumështi. Qumështi është shumë i pasur me karbohidrate, yndyra, vitamina dhe minerale, si vitamina A, vitamina D, vitamina E, vitamina K, bakër, hekur, klor, natrium, etj. Përveçse e ushqen lëkurën me shumë ushqyes, ai ndikon mjaft në zbardhimin e saj.

Përgatitja

Në një filxhan me qumësht hidhni 3 lugë mjaltë. I trazoni mirë derisa të krijohet një masë homogjene.

Përdorimi

Përhapeni maskën në të gjithë fytyrën dhe lëreni të veprojë për 15-20 minuta. Më pas, lani fytyrën me ujë të ngrohtë dhe të bollshëm dhe me sapun.

Kjo maskë rekomandohet të bëhet 1 herë në 2-3 ditë deri sa lëkura të bëhet elastike, të rigjenerohet si dhe të marrë një ngjyrë të bukur trëndafili.