Stresi është një nga faktorët kryesorë të riskut për sëmundjet kardiovaskulare. Stresi çliron hormonin kortisol, i cili ndikon në rritjen e tensionit të gjakut duke dëmtuar muret e arterieve, shkakton aritmi dhe shtim të nivelit të kolesterolit. Në një numër të madh studimesh që janë bërë, është vërtetuar se njerëzit që reagojnë ndaj ndodhive të jetës me padurim, armiqësi, inat, hakmarrje, garë, urgjencë dhe me përpjekje të vazhdueshme e të parreshtura kanë një shkallë më të lartë të sëmundjeve kardiovaskulare. Nga studimet e shkencëtarëve (Lynes, 1993; Grifiths & Dancaster, 1995) personat tepër sensibël dhe emocionalë, me karakteristikat e mësipërme të emërtuar gjithashtu edhe si personalitetet e tipit A, është evidentuar se të ekspozuar ndaj ngacmimeve të ndryshme, presioneve, dhe kritikave gjatë situatave të tilla si lojërat video, ritmi i rrahjeve të zemrës dhe tensioni i gjakut ishin shumë më të larta se personat që bënin pjesë në personalitetin e tipit B, të cilët karakterizohen prej qetësisë, durimit dhe vetëpërmbajtjes. Hulumtimet shkencore të dr. J.C. Williams gjatë vitit 2000 vërtetuan se njerëzit me personalitet të tipit A kishin dy herë më shumë atake kardiakë apo vdekje të papritura se bashkëmoshatarët e tyre me personalitet të tipit B.
Rruga e dytë e ndikimit negativ të stresit në shëndetin tonë është qëndrimi ynë negativ ndaj tij. Njerëzit me stres prirjen drejt sjelljeve dhe zakoneve jo të shëndetshme si mbingrënia, konsumi i alkoolit, duhanit, drogave, braktisja e vetvetes, etj. Të gjitha këto janë faktorë risku për shumë sëmundje si dhe aksidente, ku sëmundjet kardiovaskulare janë një nga kërcënimet më të mëdha.
Edhe depresioni duket se e shton rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe vdekjeve të parakohshme (Mc-Cabe, Schneiderman, Field & Welles, 2000; Schwartzman & Glaus 2000; Rugulies, 2002; Habra, Linden & Andersen, 2003; Sher 2004; Denollet, 2005). Të sëmurët me depresion, të identifikuar ndryshe edhe si njerëzit me personalitet të tipit D, ose “Personaliteti i Dëshpëruar”, të cilët karakterizohen nga depresioni, emocionet negative dhe frenimi social, kanë një incidencë të madhe për sëmundjet kardiovaskulare. Ashtu sikurse personat me stres të vazhdueshëm, organizmi i tyre prodhon me shumicë hormonin kortisol, të cilat dëmtojnë zemrën dhe enët e gjakut.
Meqënëse stresi afatgjatë shton mundësinë e zhvillimit të sëmundjeve kardiovaskulare, pakësimi i stresit është bërë pjesë e trajtimit mjekësor të përdorur për të frenuar përparimin e ngurtësimit të arterieve që mund të çojnë në atak kardiak dhe hemorragji cerebrale. Një dietë me yndyrë të pakët dhe teknikat e kontrollit të stresit kanë qenë efektive në këto lloj sëmundje.
Referencat
American Psychiatric Association; web: www.psych.org
Charles G. Morris, Albert A.Maisto; “Understanding Psychology”
National Institutes of Health; web: www.nih.gov