Njohuri të Përgjithshme
Cefalètë nga Faktorë të Jashtëm
- Cefalè Psiko-nervore
- Alkoolizmi
Cefalètë nga Faktorë Patogjenë
- Cefalè Cirkulatore
- Cefalè Otolaringologjike
- Cefalè Okulistike
- Cefalè Reumatike
- Cefalè Digjestive
- Mungesa e Sheqerit në Gjak
Trajtimi Klinik
Këshilla Mjekësore
Njohuri të Përgjithshme
Dhimbja e kokës është simptomë dhe jo sëmundje; shumicën e rasteve maskon një gjendje të sëmurë që s’ka lidhje të drejtpërdrejtë me kokën, por që nis në një pjesë tjetër të trupit. Dhimbja e kokës është shqetësimi më i përhapur që në shumicën e rasteve nuk është tregues i ndonjë sëmundjeje të rëndësishme, por që mund të jetë në pak raste edhe tregues i një sëmundje shumë serioze dhe me pasoja për jetën nëse nuk kapet në kohën e duhur. Sipas studiuesve dhe shkencëtarëve të Universitetit të Harvardit, 50% e njerëzve preken nga dhimbja e kokës të paktën një herë në muaj.
Cefalètë nga Faktorë të Jashtëm
Egziston cefale’ me origjinë të përgjithshme që vjen nga faktorë të jashtëm që kanë të bëjnë me sjellje dhe zakone të caktuara jo të shëndetshme, dieta ushqimore, çrregullime emocionale, etj. Në këtë rast, i gjithë organizmi është klinikisht i shëndoshë, por që nuk funksionon në mënyrën e duhur për shkak të faktorëve të jashtëm që ndikojnë në organizëm. Kjo lloj cefaleje është e zakonshme dhe kërkon një trajtim simptomatik, d.m.th. trajtim të lidhur drejtpërdrejtë me simptomën për shkak se nuk ka lidhje me asnjë sëmundje patologjike.
Cefalè Psiko – Nervore. Aktivitetet intelektuale të mbingarkuara, emocionet e forta dhe të gjitha gjendjet e tensionit psiqik mund të shoqërohen me dhimbje koke të herëpashershme. Kemi të bëjmë me dhimbje koke që lehtësohen nga veprimi i barnave qetësuese, antidepresivëve dhe substancave antiaminike – kjo për shkak se gradualisht në sistemin nervor depozitohen substanca të dëmshme të quajtura “amina biogjene”, të cilat janë përgjegjëse për dhimbjen e kokës në këto raste.
Alkoolizmi. Konsumi i tepërt i alkoolit shkakton dehidratim të një shkalle të lartë në organizëm. Sasia e ujit në një organizëm, i cili ka marrë alkool në një dozë të madhe, ulet rreth katër herë nga normat e zakonshme. Është pikërisht dehidratimi arsyeja e dhimbjes së kokës tek alkoolikët. Në këto raste rekomandohen që nga glikanxo, e deri tek marrja e zinkut.
Një pjesë e dhimbjes së kokës mund të vijnë edhe nga faktorë të tjerë. Dhimbje të forta dhe të papritura të kokës mund të vijnë edhe nga orgazma. Sipas kërkimeve të Universitetit të Mançesterit, Një në 100 persona rrezikon ta ketë dhimbje koke kur kalon orgazëm. Megjithëse ende nuk është gjetur shkaku u kësaj dhimbje, shkencëtarët besojnë se kjo mund të jetë nga ndryshimi i menjëhershëm i fluksit të qarkullimit të gjakut.
Edhe veprimi toksik i lëndëve kimike mund të shkaktojë dhimbje koke, ashtu sikurse edhe lodhja e syve nga një aktivitet i gjatë dhe i vështirë si leximi, apo puna në kompjuter, muzika me zë të lartë, mjekimi dhe mbushja e dhëmbëve, ekspozimi i gjatë në diell, si dhe faktorë të tjerë me natyrë subjektive dhe të panjohura.
Cefalètë nga Faktorë Patogjenë
Një formë e veçantë e dhimbjes së kokës është ajo që ka të bëjë me “qendrat e dhimbjes” – sistemin nociceptiv që na njofton kur një dhimbje (në rastin konkret dhimbja e kokës) është sinjal për një sëmundje që dëmton gjendjen e përgjithshme të organizmit. Kur sistemi nociceptiv çrregullohet për shkak të një ngacmuesi të jashtëm ose një patologjie, dhimbja e kokës bëhet e zakonshme, e përditshme dhe shumë bezdisëse. Këto forma luftohen me sukses me cinarizinë dhe triptofan.
Sipas sëmundjes që ato “fshehin”, dhimbjet e kokës mund ti kategorizojmë në: cefalè cirkulatore, cefalè psiko-nervore, cefalè otolaringologjike, cefalè okulistike, cefalè reumatike dhe cefalè digjestive.
Cefalè Cirkulatore. Një dhembje koke, afërsisht e zakonshme, e përditshme, në gjysmën e dytë të ditës ndodh shpesh në individët me tension gjaku të lartë (hipertension). Kjo dhimbje koke mund të forcohet periodikisht dhe në përgjithësi nuk zhduket, përveç kur merr mjekimin për hipertensionin. Dhimbja mund të kalojë në një fazë që quhet hemikrani – një dhimbje koke në trajtë krizash, me pulsime, shkëndija dhe xixa nga sytë si dhe zhuzhurima apo fishkëllima nga veshët. Kriza kalon duke u shtrirë në heshtje dhe errësirë me barna me bazë kafeine, ergotamine, acidi acetilsalicilik dhe substanca të tipit antiaminik. Të njëjtat barna nëse merren në sasi të konsiderueshme dhe për një kohë të shkurtër, mund të ushtrojnë një veprim parandalues.
Cefalè Otolaringologjike. Sëmundjet e ndryshme të hundës, veshëve dhe fytit mund të jenë shkak i dhembjeve të kokës. Mbi të gjitha, kemi sinozitet që janë inflamacionet e gropave të kafkës (në kockat ballore dhe atë të nofullave), në të cilat vazhdon mukoza që vesh nga ana e brendshme hundën. Therëse është në veçanti dhimbja e kokës që provokohet nga sinoziti ballor; më e fortë nga fundi i mëngjesit dhe fillimi i pasdites. Shpesh dhimbja është pulsuese dhe shoqërohet me sekretim nazal purulent. Kjo ndeshet më shpesh në individët me hundë të ngushtë, që janë të detyruar të marrin frymë me gojë, që ftohen shpesh dhe si pasojë me dhembje të shpeshta fyti.
Disa forma të dhimbjes së kokës me origjinë otorinolaringologjike i dedikohen dhe otiteve kronike -inflamacionet e veshit që rezultojnë kryesisht në uljen e dëgjimit të shoqëruara me dhimbje.
Migrena është një nga sëmundjet që ka si simptomë kryesore dhimbjen e kokës. Këto dhimbje shkaktohen nga çrregullimi i funksionit të arterieve të kokës. Ato zgjerohen dhe shkaktojnë dhimbje. Dhimbjet e forta në njërën apo të dyja anët e kokës, dobësi në gjymtyrë, vështirësi në të folur, konfuzion, vjellje dhe ndjeshmëri janë simptomat shoqëruese të migrenës. Në migrenën me aurë, e cila është një lloj i veçantë migrene me incidencë 10 deri 20% të të prekurve nga migrena, shfaqen edhe simptoma të çrregullimit të të parit, si vija zig-zage dhe zbardhje të shikimit.
Për kurimin e sëmundjeve otolaringologjike kërkohet një terapi me antibiotikë, me thithje e ujë të nxehtë, kurim me rrezatim (radar dhe ultratinguj) dhe në raste të veçanta kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale.
Cefalè Okulistike. Ndriçimi i keq i mjediseve favorizon dhembjen e kokës ndaj të cilës janë të ekspozuar kryesisht astigmatikët, miopët dhe hipermetropët, të cilët nuk kanë bërë korrigjimin me lentet e përshtatshme. Në përgjithësi, në këto raste kemi të bëjmë me dhimbje koke që shtohen me afrimin e darkës. Ndryshe ndodh në rastin e glaukomës. Dhimbja e kokës është e fortë dhe e padurueshme. Si kurë fillestare është marrja e barnave me pika në sy me bazë polikarpinë ose substanca të ngjashme. Okulisti është ai që duhet të vendosë për trajtim të mëtejshëm medikamentoz apo kirurgjikal.
Cefalè Reumatike. Një strukturë shumë e qëndrueshme si këllëf, “galea capitis”, mbështjell kafkën poshtë lëkurës me flokë. Kjo është një strukturë muskulore-tendinore që preket nga kriza reumatike që shoqërohen nga dhimbje koke të tipit “helmetë”, e cila mbështjell kokën. Artroza cervikale mund të provokojë dhimbje prapa qafës, që vijnë nga irritimi, shtypja apo tërheqja e nervave oksipitalë. Por forma më serioze dhe më këmbëngulëse e dhimbjes së kokës me bazë reumatike është nevralgjia e trigeminit; ky është një nerv me tri degëzime, që shpërndahen në nofullën e sipërme, mollëzat e duarve dhe në ballë. Kur preket rrënja ballore e sipërme, krizat e dhimbjes së kokës janë shumë të ashpra dhe të padurueshme. Ndërsa për format e tjera reumatike japin rezultat barnat antireumatikë të kohëve të fundit (që rrjedhin nga indeni dhe indoprofeni) dhe vitaminat e grupit B, si dhe terapitë fizike dhe termale. Për nevralgjinë e trigeminit kura më e efektshme është trajtimi me etanol i nervit.
Cefalè Digjestive. Shumë shpesh dhimbja e kokës shoqëron tretjen e keqe të ushqimeve – sidomos në personat me sëmundjet e stomakut, mëlçisë, apendecitit kronik, kolitit, insufiçensa pankreatike apo konstipacioni. Në përgjithësi, kemi të bëjmë me forma toksike, sepse tretja e keqe e ushqimeve, ose grumbullimi i mbeturinave në rastin e konstipacionit, i transformon lëndët ushqyese në lëndë toksike.
Në këto raste, duhen bërë rast pas rasti analiza gjaku, analiza radiologjike, analiza endoskopike (gastroduodenoskopi) për t’u siguruar për shkaqet e shqetësimit. Analizat e gjakut mund të zbulojnë ndonjëherë edhe gjendjen anemike shoqëruese, që ndodh në rastin e ulçerave, koliteve hemorragjike, etj. Trajtimet medikamentoze apo kirurgjikale zgjidhin plotësisht si problemet e tretjes, ashtu edhe dhimbjen e kokës.
Mungesa e Sheqerit në Gjak. Sheqeri i pakët në gjak mund të shkaktojë dhimbje koke. Ata që zgjohen në mëngjes me dhimbje koke mund ta kenë si reagim ndaj sasisë së pakët të sheqerit në gjak, të shkaktuar nga mungesa e ushqimit në stomak gjatë natës.
Egzistojnë ëdhe një sërë faktorësh të tjerë patologjikë që mund të shkaktojnë dhimbje koke. Jo rrallë hemikrania mund të ketë origjinë alergjike, ose tek gratë, origjinë endokrine.
Trajtimi Klinik
Dhimbja e kokës kërkon kurim të drejtpërdrejtë (simptomatik) dhe të tërthortë (diagnostik), vetëm pas egzaminimeve diagnostike. Kur mjekut i thuhet “dhimbje koke”, mjekut i komunikohet një e dhënë krejtësisht e pamjaftueshme, e cila lejon interpretime diagnostike nga më të ndryshmet. Në rastin e dhimbjes së kokës, mjeku duhet të ecë me mjaft kujdes dhe shumë sistematikisht, duke mos u kënaqur me zgjidhje të thjeshtëzuara, thjesht me një kurim simptomatik – të rekomandojë një nga analgjezikët. Pilulat kundër dhimbjes nga njëra anë lehtësojnë apo largojnë krejt dhimbjen, por nga ana tjetër ato mund të maskojnë shkaqet e një dhimbje koke të herëpashershme ose sistematike.
Trajtimi simptomatik për dhimbjet e kokës bëhet me një sërë ilaçesh. Aspirina është një ilaç i mirë për të lehtësuar dhimbjet; triptanët funksionojnë duke ngushtuar enët e gjakut në kokë; betabllokuesit gjithashtu mendohet se ndalojnë zgjerimin e enëve të gjakut; antikonvulsantët bllokojnë sinjalin e dhimbjes në tru.
Në kushtet e shtëpisë, lëhtësim të simptomave mund të japë pirja e kafes si dhe një dietë e reduktuar.
Këshilla Mjekësore
Pak njerëz që vuajnë nga dhimbja e kokës janë të aftë të gjejnë mënyra apo barna për të zvogëluar apo eleminuar shqetësimet e tyre. Gjëja më e vlefshme që mund të bëni është t’i drejtoheni një mjeku që të diagnostikojë njëherë e mirë sëmundjen.
Gjatë kohës së diagnostikimit, mos harroni:
- Pozicioni i shtrirë, errësira dhe heshtja i bëjnë mirë shumicës së dhimbjeve të kokës.
- Kompresat e ftohta mbi ballë, akulli mbi kokë, zhytja e duarve dhe e parakrahëve në ujë të akullt ose të nxehtë (derisa mund të durohet) përmirësojnë cefaletë me bazë cirkulatore.
- Acetil – salicilati i lizinës, i marrë nga goja ose nëpërmjet injeksionit, i eleminon shpejt dhimbjet e kokës me bazë reumatike.
- Mosngrënia e ushqimit dhe dietat alkalinizuese (dietat me bazë qumështi dhe vegjetariane) ndihmojnë pothuajse në të gjitha rastet për të kaluar krizat e cefalesë me bazë digjestive. Nëse është e nevojshme, luftoni konstipacionin me ngjitës intestinalë.
- Në çdo rast cefaleje dhe veçanërisht në format psiko-nervore mund të kenë efekt pozitiv barnat nga goja ose supost me bazë floktafeninë; në format e hemikranisë mund të rekomandohet konsumi i kafes ekspres. Janë gjithashtu të dobishëm edhe sprait hundor me bazë ergotaminike.
- Në rast se nuk preferoni mjekimin me barna qetësuese, mund të lehtësoni dhimbjet e kokës duke shtypur energjikisht me mollëzat e gishtit tregues dhe atij të madh një pikë të parakrahut që ndodhet rreth tri gishta mbi vendin ku matet pulsi. Ky presion, i quajtur “mikromasazhi i Dalet” sipas literaturës së akupunkturës, duhet të vazhdojë për dy deri në pesë minuta.
Referencat
Pier Gildo Bianchi; “Il Medico in Casa”
Maxine A. Papadakis; Stephen J. McPhee; “Current Medical Diagnosis & Treatment – Fifty Second Edition”)
US National Library of Medicine; web: www.nlm.nih.gov