Hemorragjia nga Hundët (Epistaksis)

Njohuri të Përgjithshme
Epistaksis nga Faktorë të Jashtëm
Epistaksis nga Faktorë Anatomo-Fiziologjikë
Epistaksis nga Faktorë Patogjenë
Këshilla Mjekësore

Njohuri të Përgjithshme

Hemorragjia nga hundët është një dukuri që haset shpesh, sidomos gjatë stinës së pranverës. Shpesh, kjo simptomë nuk mbart ndonjë domethënie të madhe, por ka raste që duhet të vlerësohet si psh. hemorragjia nga hundët e shkaktuar nga hipertensioni arterial të paegzaminuar. Një epistaksis mund të zgjasë nga pak minuta deri në një apo më shumë orë. Nganjëherë kemi të bëjmë me një epistaksis të pafrenueshëm, kur gjaku nuk koagulohet dhe ndërhyrja e specializuar mjekësore është e paevitueshme.

Epistaksis ndodh nga një zonë në pjesën e përparme dhe të poshtme të septumit, që ndan nga njëra-tjetra vrimat e hundës dhe që quhet “locus valsalvae”. Në këtë zonë ndodhin fryrje variçesh tepër delikate.

Çdo epistaksis mund të ketë shkaqe nga faktorë të jashtëm, nga faktorë anatomo-fiziologjikë, ose shkaqe nga faktorë patogjenë (të pavarura nga gjendja anatomo-fiziologjike dhe patologjike e hundës por nga sëmundje të ndryshme).

Epistaksis nga Faktorë të Jashtëm

Epistaksis nga faktorë të jashtëm përfshijnë ato të cilat ndodhin nga gjendjet traumatike, rrëzime, gjuajtje me grusht, kruajtje e hundës, etj. Ndalimi i hemorragjisë zakonisht bëhet duke shtypur me gisht në anë të hundës mbi septum. Gjithashtu, në vrimën e hundës mund të futet pambuk me perklorur hekuri për koagulimin e gjakut.

Epistaksis nga Faktorë Anatomo-Fiziologjikë

Epistaksis nga faktorë anatomo-fiziologjikë janë ato epistaksis që ndodhin për shkaqe të veçorive anatomo-fiziologjike të organizmit.

Epistaksis në Adoleshencë. Shembulli tipik i  epistaksis nga faktorë anatomo-fiziologjikë është epistaksis në adoleshencë. Tek djemtë, por edhe më shpesh tek vajzat e moshës së adoleshencës, epistaksisi është i shpeshtë, por i padëmshëm. Ende ky fenomen nuk ka një shpjegim të përcaktuar qartë: flitet për ndryshime hormonale për shkak të rritjes së organizmit, për limfatizëm dhe dobësi të strukturave kapilare, por këto shpjegime nuk janë plotësisht të kënaqshme.

Epistaksis nga  Angiomat. Epistaksis nga faktorë anatomo-fiziologjikë kemi edhe në rastin kur në brendësi të hundës mund të ketë një nishan i formuar nga një rrjetë enësh të vogla gjaku, të ngjashme me ato që mund të dalin në lëkurën e fytyrës apo në pjesë të tjera të trupit. Në këtë rast kemi të bëjmë me angioma të vogla, grumbullime venolesh, arteriolesh dhe kapilarësh mjaft delikatë, të cilat kur ato çahen qoftë edhe nga ngacmime të vogla, lind hemorragjia.

Epistaksis nga Faktorë Patogjenë

Epistaksis nga faktorë patogjene konsiderohet ai, i cili është simptomë e një sëmundje tjetër.

Epistaksis me bazë ulçerative. Në raste të rralla kemi të bëjmë me një ulçerim të indit hundor dhe zbulimi i enëve të gjakut, të cilat në këtë rast janë lehtësisht të dëmtueshme.

Epistaksis me bazë Infektive. Shumë sëmundje infektive, veçanërisht pediatrike paralajmërohen ose shoqërohen me epistaksis si psh. skarlatina, lija e dhenve, difteria, salmoneloza dhe tifoja. Gjaku nga hundët hap dhe shoqëron kuadrin klinik dhe nganjëherë është kaq  karakteristik, saqë përbën një nga simptomat  çelës.

Epistaksis nga Intoksikimet. Edhe disa helmime profesionale – si ai nga ipriti – zbulohen nga epistaksis.

Epistaksis nga Hipertensioni. Në origjinë, epistaksis i hipertensivëve është i dobishëm. Nëse njerëzit vuajnë nga hipertensioni, por nuk e kanë egzaminuar atë, mund të rrezikohen nga komplikacione të rënda, si hemorragjia cerebrale dhe okulare. Fatmirësisht, organizmi në këto raste mbrohet vetë. Një humbje e ndjeshme gjaku në rrugë hemorroidale ose një epistaksis i bollshëm garantojnë të njëjtat efekte terapeutike si trajtimi medikamentoz; njëkohësisht epistaksisi tërheq vëmendjen e pacientit për patologjinë.

Epistaksis me bazë Hepatopatike. Të sëmurët rëndë të mëlçisë, (psh. Cirrhotikët) kanë ndër të tjera edhe probleme me gjakun, i cili nuk koagulon mirë. Në gjakun e tyre mungon një substancë – protrombina – që e përpunuar pikërisht nga mëlçia, i jep kësaj aftësinë për t’u mpiksur në rastin e plagëve dhe hemorragjive të tyre. Mjekimi në këto raste është:

  1. Marrja me shumicë e vitaminës K. Kjo sepse mëlçia përdor edhe vitaminën K për të prodhuar protrombinën. Shpesh marrja e vitaminës K nga një hepatik e eleminon epistaksisin.
  2. Terapia lokale e hundës: dizinfektim i hundëve që nxjerrin gjak; tamponim i tyre (përdorim i garzave hemostatike me forcë në vrimat e hundës); tamponim nëpërmjet sondës, e cila bllokon hemorragjinë që në dalje.

Epistaksis me bazë Hematopatike. Përveç mugesës së protrobinës, gjaku mund të mos koagulojë edhe për shkak të mungesës së disa lëndëve të tjera që bëjnë të mundur koagulimin e tij kur kjo është e nevojshme. Ky është rasti i hemofilisë, sëmundjes Ëerloff, sëmundjes Rendu-Osler, në të cilat, defektit koagulues të gjakut në vetvete i shtohet një dobësi e theksuar e enëve të gjakut që çahen lehtë dhe krijojnë hemorragji. Përveç epistaksis, hemorragjitë shfaqen kudo e veçanërisht në lëkurë me hematoma dhe njolla tipike për trauma fare të vogla. Provat homogjenike që kryhen në laborator konfirmojnë diagnozën dhe sugjerojnë kurat më të përshtatshme rast pas rasti.

Epistaksis me bazë Gjinekologjike. Në vajzat që kanë çrregullime menstruacionesh, gjaku nuk eleminohet në rrugë gjenitale, por në rrugë nazale, ashtu siç mund të jenë hemoptizi – hemorragji nga rrugët respiratore.

Në këto raste, kurat me bazë vitaminat C, P dhe K zakonisht e shërojnë këtë gjendje në rastin e parë; një kurë me bazë hormonet ovarianë mund të jetë e nevojshme kur ripërsëritet epistaksia.

Këshilla Mjekësore

Në rastet e epistaksis janë të domosdoshme masat e mëposhtme:

  • Shtypja e anës së hundës në kockën (septumin) e saj ku konstatohet hemorragjia; shtytja e fortë e menjëhershme e kokës prapa dhe hedhja në pikën që nxjerr gjak e pluhurit të antipirinës ose e ujit të oksigjenuar ose e pikave të një solucioni adrenaline në masën 1:1000.
  • Nëse hemorragjia vazhdon ose tenton të përsëritet, shumë shpejt në pritje të mjekut tampononi vrimat e hundës duke futur (psh, nëpërmjet një lapsi) një shirit garze sterile,mundësisht të ngopur me perklorur hekuri. Për të njëjtin qëllim mund të shërbejë edhe pambuku hemostatik (pambuku i verdhë).
  • Mjeku kur mbërrin vazhdon nëse është e nevojshme me tamponimin e prapëm, mat tensionin, viziton pacientin dhe i këshillon të gjitha analizat laboratorike për këtë rast. Kurat e nevojshme për këtë epistaksis janë vitaminat C, P dhe K; substancat koaguluese të tipit të acidit tranekzamik të marra lokalisht dhe me rrugë të brendshme (nga goja ose me injeksion intramuskular ose endovenoz).
  • Është gjithnjë e dobishme që i sëmuri me epistaksis të vizitohet nga një specialist otorinolaringolog (ORL) për të përjashtuar shkaqet lokale për hemorragjinë dhe për të kryer nëse është e nevojshme kauterizimin e zonës valsalva, në të cilën lehtësisht formohen variçe që nxjerrin gjak. Nëse hemorragjia nuk ndalet, duhet konsultuar një mjek i sëmundjeve të brendshme për t’u diagnostikuar për problemet me gjakun.

Referencat
Pier Gildo Bianchi; “Il Medico in Casa”
Maxine A. Papadakis; Stephen J. McPhee; “Current Medical Diagnosis & Treatment – Fifty  Second Edition”)
US National Library of Medicine; web: www.nlm.nih.gov