Angioplastika koronare, e quajtur ndryshe si ndërhyrja perkutane koronare (PCI), është një procedurë që përdoret për të hapur arteriet e bllokuara të zemrës.
Njohuri të Përgjithshme
Angioplastika realizohet nëpërmjet futjes së një baloni në arterie dhe fryrjes së tij, duke mundësuar zhbllokimin e saj si pasojë e zgjerimit. Angioplastika shpesh kombinohet me vendosjen në mënyrë të përhershme në muret e brendshme të arteries të një tubi të përbërë prej një rrjete teli, të quajtur stent, e cila e siguron arterien që të mos ngushtohet dhe bllokohet përsëri. Disa stente janë të veshura me një lloj medikamenti që nuk lejon ngushtimin e arteries, kurse të tjerat janë thjesht konstruksione metalike.
Angioplastika mund të përmirësojë disa nga simptomat e arterieve të bllokuara, të tilla si dhimbje gjoksi dhe vështirësi në frymëmarrje. Ajo mund të përdoret edhe gjatë një ataku kardiak për të hapur një arterie të bllokuar, duke minimizuar rreziqet për shëndetin e pacientit.
Rekomandimet
Angioplastika përdoret për të trajtuar arteriosklerozën në arteriet e zemrës. Nëse trajtimet e tjera mjekësore për arteriosklerozën nuk kanë dhënë rezultat, atëherë angioplastika është një nga dy alternativat e fundit. Aplikimet e tjera të angioplastikës janë në rastet e atakut të zemrës, dhimbjeve të gjoksit nga angina pektoris, si dhe simptomave të tjera që mjeku specialist e gjykon të arsyeshme si opsion.
Megjithatë, angioplastika nuk është zgjidhje e mundshme për çdo rast dhe çdo pacient. Nëse arteria kryesore që furnizon anën e majtë të zemrës është e ngushtuar, nëse muskuli i zemrës është dobësuar, ose nëse keni probleme në enët e vogla të gjakut, atëherë operacioni by-pass mund të ishte zgjidhja më e mirë. Përveç kësaj, në rastet e pacientëve me sëmundje të diabetit dhe me bllokime të shumta të enëve të gjakut, mjeku mund të këshillojë operacionin by-pass. Vendimi për angioplastikë apo për operacion by-pass është shumë i kushtëzuar nga shkalla e sëmundjes së zemrës si dhe nga gjendja e përgjithshme shëndetësore e pacientit.
Niveli i Riskut
Edhe pse angioplastika është një ndërhyrje më pak invazive se ndërhyrjet e tjera, ajo përmban disa risqe. Disa nga risqet më të shpeshta janë:
- Ringushtim i Arteries (Ristenoza). Nëse aplikohet vetëm angioplastika pa vendosjen e stenteve, mundësia që arteria e zgjeruar të ngushtohet përsëri është mjaft e lartë – në rreth 30-40 % të rasteve. Stentet vendosen për të reduktuar ristenozën. Në stentet e thjeshta risku për ristenozë reduktohet në më pak se 20%, kurse në stentet e veshura me medikament, risku është më i ulët se 10%.
- Mpiksje Gjaku. Gjaku mund të mpikset brenda stenteve për disa javë ose muaj pas angioplastikës. Këto mpiksje gjaku janë të rrezikshme, sepse mund të shkaktojnë atak kardiak. Për këtë arsye, është e nevojshme që pacienti të marrë ilaçe për hollimin e gjakut, si aspirinë apo medikamente të tjera. Konsultohuni me mjekun për marrjen e këtyre medikamenteve dhe kur ato duhet të ndërpriten, nëse keni nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.
- Hemorragji. Në vendin ku është futur kateteri mund të ketë hemorragji. Normalisht, në këtë vend rezultati është thjesht një mavijosje, por në disa raste të rralla mund të ketë hemorragji, e cila kërkon transfuzion gjaku ose ndërhyrje kirurgjikale.
Rastet më të rralla të riskut përfshijnë:
- Atak Kardiak. Edhe pse i rrallë, janë evidentuar rastet me atak kardiak gjatë procedurës së angioplastikës.
- Dëmtim i Arterieve Koronare. Gjatë procedurës mund të ndodhë çarja e arterieve koronare. Ky komplikim kërkon ndërhyrje emergjente by-passi.
- Reaksione alergjike. Nga nga injektimi i lëndës së kontrastit në enët e gjakut, organizmi mund të ketë reaksione alergjike.
- Probleme me Veshkat. Lënda e kontrastit e përdorur gjatë angioplastikës, si dhe vendosja e stenteve mund të shkaktojë probleme me veshkat, sidomos tek pacientët që vuajnë nga patologjitë e veshkave. Nëse pacienti ka faktorë të lartë risku për veshkat, mjeku do të rekomandojë një trajtim mjekësor për këtë qëllim.
- Hemorragji Cerebrale. Gjatë angioplastikës, copat e gjakut të mpiksur mund të shkojnë në tru, duke shkaktuar hemorragji cerebrale. Ilaçet që merren për hollimin e gjakut janë edhe për të reduktuar riskun e hemorragjisë cerebrale.
- Ritëm jonormal i Zemrës. Gjatë procedurës ndodh që ritmi i punës së zemrës të jetë më i shpejtë ose më i ngadalshëm. Këto probleme shpesh janë për një kohë të shkurtër. Nëse këto probleme vazhdojnë të zgjaten në kohë, rekomandohet vendosja e një pacemakeri për një periudhë të përkohshme kohore.
- Infeksion. Në vendin ku është futur kateteri, mund të shfaqet infeksion.
Përgatitja
Përpara se të rregjistrohet për një angioplastikë, mjeku do të analizojë historinë mjekësore të pacientit dhe do të kryejë një test fizik të tij. Pacienti, gjithshtu, do të kryejë një test imazherik të quajtur angiograma koronare për të parë nëse problemi i koronares mund të trajtohet me angioplastikë si dhe të përcaktojë nëse arteriet kryesore të zemrës janë ngushtuar apo bllokuar. Një ngjyrues i lëngshëm injektohet në arteriet e zemrës nëpërmjet një kateteri – një tub i gjatë dhe i hollë që ushqehet nga një arterie, zakonisht nga një arterie e ijës. Pasi lënda e kontrastit depërton në arterie, ato bëhen të dukshme nga rrezet X , kështu që mjeku mund të egzaminojë përmes imazheve në monitor aty ku arteriet janë ngushtuar apo bllokuar. Vetëm pas këtij egzaminimi mjeku vendos për të kryer angioplastikën dhe vendosjen e stenteve menjëherë pas angiogramës.
Përpara se të kryhet angioplastika, mjeku rekomandon pacientin që të ndërpresë ngrënien dhe pirjen që prej darkës.
Përpara angioplastikës duhen kryer disa teste egzaminuese, si skopi të gjoksit, elektrokardiogramë dhe analizat e gjakut.
Pacienti duhet të ketë parasysh:
- Të marrë të gjitha ilaçet që përdor aktualisht me vete në spital për t’ia prezantuar mjekut.
- Të ndjekë udhëzimet e mjekut në lidhje me përdorimin e medikamenteve që pacienti ka në përdorim. Mjeku mund të rekomandojë për të pezulluar marrjen e tyre, veçanërisht të medikamenteve për diabetin si dhe holluesve të gjakut.
- Të marrë aprovimin e mjekut për pirjen e ilaçeve vetëm me një gllënjkë ujë.
- Të organizojë kthimin në shtëpi. Angioplastika zakonisht kërkon një natë qëndrimi në spital. Pas plotësimit të këtij afati, pacienti nuk është aftësuar për të lëvizur pa shoqërues.
Përpara procesit, pacienti vishet vetëm me një pelerinë. Ai duhet të ketë të zbrazur fshikëzën e urinës dhe duhet të dorëzojë paraprakisht syzet, lentet e kontaktit, bizhuteritë, kapëset e flokëve dhe çdo send tjetër që mund të ketë bashkangjitur trupit.
Procesi
Procesi i angioplastikës zgjat nga 30 minuta në disa orë, në varësi të numrit të bllokimeve dhe komplikacioneve që mund të ndodhin. Angioplastika zakonisht kryhet duke ndërhyrë në një arterie të ijës (arterien femorale) dhe më rrallë në krah apo kyçin e dorës. Ndërhyrja invazive është mjaft e vogël; një prerje në një enë gjaku në këmbë, krah apo kyçin e dorës, në të cilën futet një kateter (tub i hollë). Para procedurës, zona ku do të kryhet ndërhyrja është trajtuar me preparate antiseptike dhe me një mbulesë sterile. Gjithashtu, procesi kryhet me mpirje lokale. Nuk është e nevojshme që procesi i angioplastikës të kryhet me anestezi të përgjithshme. Në këtë mënyrë, pacienti është zgjuar gjatë gjithë kohës. Gjatë kësaj kohe, mbi gjoks vendosen elektrodat për të kontrolluar aktivitetin e zemrës nëpërmjet monitorit gjatë procedurës. Pas këtyre procedurave, nëpërmjet kateterit injektohen lëngje dhe medikamente për qetësim si dhe hollues gjaku për të reduktuar paraprakisht mundësinë e koagulimit të gjakut.
Pas mpirjes lokale, një gjilpërë e vogël hyn në arterie. Vetëm një çpim i vogël është bërë në lëkurë. Më pas, mjeku fut një pajisje të hollë që shërben si udhërrëfyes nëpër enët e gjakut, e ndjekur nga kateteri. Pajisja me gjithë kateterin shkon deri në zemër, në vendin ku është kryer bllokimi. Gjatë kësaj procedure, pacienti nuk ndjen dhimbje, por mund të ndjejë një farë presioni në ijë. Por, nëse për ndonjë arsye, pacienti mund të ndjejë dhimbje, atëherë ai duhet t’i tregojë mjekut për këtë.
Në të njëjtën kohë, nëpërmjet kateterit injektohet lënda e kontrastit, i cili i bën të dukshme vendndodhjet e bllokimit gjatë diagnostikimit me rreze X. Ky egzaminim quhet angiogramë.
Pasi kateteri mbërrin në vendin e bllokimit, një balon i vogël, i cili është montuar në kateter fryhet dhe zgjeron arterien e bllokuar. Baloni qëndron për disa minuta i fryrë në vendin e bllokuar. Përpara se baloni të shfryhet dhe të dalë jashtë, mjeku mund ta fryjë dhe shfryjë atë disa herë për të mundësuar çbllokimin sa më të madh të arteries. Për shkak se baloni kur është i fryrë pengon përkohësisht rrjedhjen e gjakut në atë pjesë të zemrës që ajo çon gjak, është normale që pacienti të ndjejë dhimbje gjoksi.
Kjo procedurë përsëritet aq sa është numri i bllokimeve që ka një pacient.
Vendosje e Stentës. Shumica e njerëzve që i nënshtrohen angioplastikës, vendosin gjithashtu një stente gjatë procedurës. Stenti vendoset në arterie kur fryhet baloni dhe përputhet me muret e brendshme të arteries, duke mos e lejuar atë që të ngushtohet dhe bllokohet përsëri.
Ja se si ndodh:
Stenti është mbledhur përreth balonës dhe drejtohet nëpërmjet kateterit në zonën e bllokimit. Kur mbërrin në zonën e bllokuar, balona fryhet dhe bashkë me të edhe stenti, i cili ka një konstrukt elastik. Konstrukti i veçantë nuk e lejon stentin që të ngushtohet përsëri. Ai mbetet përgjithnjë në arterie, duke përmirësuar rrjedhjen e gjakut drejt zemrës. Imazhet e angiogramës tregojnë për rrjedhjen e gjakut në arterien e sapozgjeruar. Pasi stenta është vendosur dhe imazhet tregojnë për çbllokimin e arteries si dhe funksionimin normal të saj, kateteri nxirret jashtë.
Pas vendosjes së stentës, pacienti ka nevojë për një trajtim mjekësor të zgjatur me medikamente për të reduktuar mundësinë e mpiksjes së gjakut dhe formimin e trombeve në rrjetën e stentës.
Pas Procesit. Pacienti mund të rrijë në spital një ditë për të pasur nën kontroll mjekësor aktivitetin e zemrës. Gjatë kësaj kohe, mjeku zakonisht e trajton pacientin me medikamente antikoagulantë për të parandaluar mpiksjen e gjakut dhe medikamente të tjera që qetësojnë arteriet dhe reduktojnë spazmat e mundshme të tyre në rastin e një ataku kardiak.
Pasi të kthehet në shtëpi, pacienti duhet të pijë shumë ujë për të mundësuar daljen jashtë nëpërmjet urinës të lëndës së kontrastit. Gjithashtu, ai duhet të ketë parasysh se duhet të shmangë ngarkesat dhe sforcimet fizike për disa ditë. Sipas karakteristikave individuale dhe historisë mjekësore, mjeku duhet të përcaktojë edhe kufizimet e tjera për pacientin.
Zakonisht, koha e rekuperimit të plotë është një javë pas kryerjes së angioplastikës. Pas kësaj, pacienti është në gjendje që të shkojë në punë dhe kryejë aktivitetet e përditshme.
Këshilla Mjekësore
Pacienti duhet të njoftojë mjekun nëse:
- Vendi ku kateteri është futur ka gjakderdhje, është i enjtur, i skuqur, kullon, ose ka dhimbje.
- Ka temperaturë për shkak të infeksionit.
- Vëren ndryshim në temperaturën ose ngjyrën e këmbës apo krahut që është përdorur për procedurën.
- Ndihet i lodhur dhe i dobët.
- Ka dhimbje gjoksi
- Ka vështirësi në frymëmarrje.
Holluesit e Gjakut. Është mjaft e rëndësishme që pacienti të ndjekë me rigorozitet rekomandimet e mjekut në lidhje me holluesit e gjakut – aspirinë, clopidogrel, ose medikamente të ngjashme.
Shumica e njerëzve që kanë bërë angioplastikë me ose pa vendose të stenteve do të duhet të përdorin aspirinë gjatë gjithë jetës. Ata të cilët kanë vendosur stente, kanë nevojë të përdorin hollues të gjakut të tillë si clopidogrel për një vit dhe në disa raste edhe më shumë. Për rastet kur keni nevojë për ndërhyrje kirurgjikale jo-kardiake, njoftoni paraprakisht mjekun.
Të bësh angioplastikën, nuk do të thotë se çdo e keqe iku dhe pacienti shpëtoi njëherë e mirë prej saj. Jo. Ai duhet të formojë dhe konsolidojë zakone të shëndetshme, madje të jetë në trajtim medikamentoz për të reduktuar maksimalisht mundësitë që problemet të kthehen dhe rishfaqen.
Për të mbajtur një zemër të shëndetshme pas angioplastikës, duhet:
- Të lihet duhani (nëse pacienti ka qenë duhanpirës).
- Të ruhet kolesteroli në nivele të ulëta.
- Të ruhet pesha trupore në nivele të pranueshme. Indeksi i masës trupore të jetë 18 – 22.
- Të kryejë rregullisht aktivitet fizik.
- Të kontrollojë patologjitë tilla si hipertensioni dhe diabeti.
Rezultatet
Angioplastikë e suksesshme do të thotë që pacienti që e ka kryer atë të mos i nënshtrohet një procedure invazive kirurgjikale si by-passi koronar. Gjatë by-passit arteria e dëmtuar zëvendësohet me një arterie tjetër të shëndoshë të marrë nga një pjesë e trupit. Kjo ndërhyrje kërkon prerje në gjoks, ka periudhë rekuperimi më të gjatë dhe është më e mundimshme.
Tek shumica e njerëzve që e kanë bërë angioplastikën, efektet kanë qenë pozitive. Arteria zgjerohet dhe gjaku lëviz normalisht e pa pengesë. Dhembja e gjoksit ulet dhe aktiviteti i përditshëm mund të vazhdojë si më parë.
Referencat
Mayo Clinic; web: www.mayoclinic.com