Diagnostikimi radiologjik i dhëmbëve është egzaminimi nëpërmjet realizimit të imazheve të anatomisë së dhëmbit dhe kurorës së dhëmbëve me qëllim të vendosjes së diagnozës dhe përcaktimit të terapisë mjekësore.
Grafitë dentare identifikojnë patologjitë e dentare, si prishjen e dhëmbëve, infeksionet në rrënjë, kistet, etj., si dhe shkallën e sëmundshmërisë së tyre. Ato realizohen si përpara procedurave dentare, ashtu edhe pas tyre për të identifikuar shkallën e saktësisë së procesit.
Rekomandimet
Diagnostikimi radiologjik rekomandohet si për personat me dhëmbë të shëndoshë, ashtu edhe për personat me patologji dentare. Është e këshillueshme që njerëzit duhet të bëjnë grafi të vogla çdo 6 muaj ose të paktën një herë në vit si masë profilaktike ndaj problemeve me dhëmbët dhe një grafi panoramike çdo dy vjet.
Në lidhje me patologjitë dentare, grafitë rekomandohen në rastet e mëposhtme:
- Nëse një dhëmb i shëndoshë fillon të ndryshojë ngjyrën e vet karakteristike.
- Në rastet e dhimbjeve të dhëmbit. Grafia identifikon shkaqet e kësaj simptome.
- Nëse një apo disa dhëmbë do të vishen me këllëf apo ura porcelani, ata duhet të kontrollohen në rrënjët e tyre për prishje apo infeksione të mundshme.
- Nëse një dhëmb mbushet me heqje nervi. Në këtë rast grafia kryhet para, gjatë dhe pas procesit të mbushjes për të identifikuar mbushjen e dhëmbit gjatë gjithë gjatësisë së rrënjës dhe eleminimin e risqeve për të mos dalë jashtë saj.
- Në rastet e heqjes ose operacioneve të dhëmballës së pjekurisë. Grafia në këtë rast shërben për të parë pozicionin e rrënjëve si dhe lidhjet e tyre me nofullën dhe strukturat nervore.
- Në rastet kur dhëmbët janë të shtrembër dhe në pozicione jonormale dhe nevojitet trajtimi ortodontik për drejtimin e tyre.
- Në rastet e trajtimit të dhëmbëve të qenit, të cilët nuk kanë dalë, por kanë mbetur në nofull.
- Tek fëmijët për të kontrolluar zhvillimin e dhëmbëve të përhershëm, të cilët ndodhen poshtë dhëmbëve të qumështit.
- Në rastet e sëmundjeve të mishrave të dhëmbëve. Nëpërmjet grafisë vlerësohet nëse ka rënie të nivelit të kockës që rrethon dhëmbët, si dhe përcaktohen zonat e sëmura dhe shkallën e avancimit të sëmundjes.
- Në rastet e implanteve për të vlerësuar nivelin e kockës.
- Në rastet e traumave për të përcaktuar thyerjet dhe dëmtimet e mundshme në rrënjët e dhëmbëve dhe nofull.
Për shkak të nivelit të ulët të rrezatimit, grafia nuk ka shkallë të lartë risku. Megjithatë, në rastet e shtatzënisë, egzaminimi kryhet vetëm me lejen e mjekut të saj.