Ortodoncia është një degë e stomatologjisë që diagnostikon, parandalon dhe trajton çrregullimet estetike të dhëmbëve dhe fytyrës. Terapia ortodontike realizon drejtimin dhe spostimin e dhëmbëve dhe nofullave për të siguruar si funksionimin normal të tyre, ashtu edhe profilaksinë ndaj sëmundjeve dentare dhe estetikën e nevojshme.
Që një dhëmb që të jetë plotësisht funksional, ai duhet të jetë i mirëvendosur, duke formuar një kurorë dhëmbësh të drejtë dhe të rregullt. Në të kundërt, një dhëmb i shtrëmbër dhe i papërshtatur në kurorën e dhëmbëve është më shumë i rrezikuar nga kariesi dhe sëmundjet e tjera periodontike pasi ai nuk mund të pastrohet mirë. Në dhëmbë të rregullt, higjena realizohet më lehtë. Gjithashtu, dhëmbët e shtrembër shkaktojnë një mbilodhje të muskujve përtypës, duke dhënë komplikacione të mëtejshme në qafë, supe dhe shpinë.
Por ortodoncia ka një rëndësi të madhe edhe nga pikëpamja estetike, sidomos në kohët e sotme. Dhëmbët e drejtë dhe të bardhë nuk janë vetëm simbole të rinisë dhe shëndetit, por përbëjnë edhe një domosdoshmëri estetike. Komunikimet intesive me njerëz të tjerë e bëjnë të nevojshme estetikën e dhëmbëve. Në të kundërt, njerëzit që kanë dhëmbë të shtrembër, shpesh, nuk ndihen komod dhe të realizuar në komunikim si dhe në shprehjen e lirshme të emocioneve të gëzimit dhe dashurisë nëpërmjet dhënies së një buzëqeshje të bukur dhe të shpenguar.
Procedura më e zakonshme në ortodonci është zbardhimi i dhëmbëve. Zbardhimi i dhëmbëve është një procedurë dentare me efekte të mëdha estetike. Përveç saj, trajtimi ortodontik është një proces që përfshin diagnostikimin, observimin e dhëmbëve, inçizimin e tyre, krijimin e modeleve dhe montimin e telave apo aparateve të lëvizshme. Ai synon të përmirësojë problemet me dhëmbët, mishrat e dhëmbëve kockën ku dhëmbët mbështeten dhe buzët.
Kujdesi Ortodontik përfshin përdorimin e aparateve dentarë për:
- Drejtimin e dhëmbëve
- Korrigjimin e problemeve me kafshimin
- Korrigjimin e boshllëqeve mes dhëmbëve
- Korrigjimin e problemeve me buzët dhe nofullat
Për shkak se çrregullimet estetike dhe lëvizjet e dhëmbëve janë të pranishme si tek fëmijët ashtu edhe tek të rriturit, trajtimi ortodontik nuk mungon tek të dyja moshat. Tek fëmijët, trajtimi ortodontik realizon ndërhyrje që kanë të bëjnë me keqpozicionimet e dhëmbëve në harkun e gojës, si dhe ndërhyrje në nofullën e sipërme dhe atë të poshtme për sa kohë që sistemi i tyre muskulo-skeletal është në zhvillim e sipër. Problemet në këtë moshë zakonisht vijnë nga keqformimet e lindura të nofullave, rëniet e hershme të dhëmbëve të qumështit, vesi i thithjes së gishtit, kafshimi i thonjve, kafshimi i gjërave të forta, etj.
Tek të rriturit, trajtimi ortodontik realizon ndërhyrje që kanë të bëjnë me keqpozicionimet e dhëmbëve në harkun e gojës, kurse problemet me nofullat realizohen nëpërmjet kombinimit të ortodoncisë me kirurgjinë dentare.
Drejtimi i dhëmbëve realizohet nëpërmjet aparateve të lëvizshme dhe fikse. Aparatet e lëvizshme zakonisht aplikohen tek fëmijët, pasi ende procesi i rritjes dhe zhvillimit të dhëmbëve të tyre nuk ka mbaruar plotësisht. Mosha ideale për vendosjen e aparateve të lëvizshme është 7-11 vjeç. Aparatet ortodontike tek fëmijët rregullojnë dhëmbët e shtrembëruar, korrigjojnë problemet e kafshimit, si dhe parandalojnë heqjen e dhëmbëve. Korrigjimet e problemeve ortodontike tek fëmijët parandalojë komplikacionet dentare në moshë të rritur. Aparatet fikse janë efikase në drejtimin e dhëmbëve, por nuk kanë atë shkallë saktësie në krahasim me aparatet fikse. Në disa raste, trajtimi ortodontik fillon me aparate të lëvizshme dhe finalizohet me aparate fikse.
Aparatet fikse aplikohen tek pacientët mbi moshën 12-13 vjeç. Ato garantojnë një shkallë saktësie mjaft të lartë, sidomos kur gërshetohen me përvojën e mjekut stomatolog. Aparatet fikse përbëhen nga pllaka ortodontike metalike, rezine ose qeramike.
Trajtimi ortodontik është një proces që mund të zgjasë nga një deri dy vjet. Gjatë trajtimit, pacienti nuk ka probleme estetike të shtuara nga aparatet, për shkak të finesës dhe tejdukshmërisë së tyre.