Roli i Insulinës në Organizëm

Insulina ka një rol mjaft të rëndësishëm në organizmin e njeriut. Ajo është lënda që kontribuon në shndërrimet metabolike të substancave në energji, si dhe “depozitimin e energjisë” në organizëm.

Si merr Energji Organizmi Ynë?

Trupi ynë, ashtu sikurse të gjitha organizmat e gjalla ka nevojë për energji që të egzistojë. Burimi i vetëm i energjisë, është glukoza. Glukoza është me rëndësi jetësore për organizmin. Pa të, qelizat e indeve, sidomos qelizat e trurit do të vdesin. Çdo formë tjetër e depozitimit të energjisë, siç janë lipidet, proteinat dhe llojet e tjera të karbohidrateve, duhet të shndërrohen në glukozë përpara se ato të japin energji. Nga shpërbërja e glukozës në qelizë formohet një lëndë e quajtur adenozinë-trifosfat (ATP), e cilësuar ndryshe si “monedha energjetike”. Kjo molekulë prodhon energjinë e nevojshme për organizmin. Rregullatorët e brendshëm të organizmit mundësojnë që një sasi e përcaktuar e glukozës të shpërbëhet për të prodhuar energji në bazë të nevojave energjitike të trupit, kurse pjesa tjetër të konvertohet në yndyra, të quajtura trigliceride dhe që depozitohen në qelizat yndyrore për t’u përdorur më vonë.

Nëse ne përfshihemi në aktivitete të gjata fizike dhe mendore, veçanërisht kur jemi të ngarkuar me nivel të lartë stresi, kërkojmë ekstra energji përtej asaj çfarë nevojitet për funksionet normale. Kjo është edhe arsyeja pse  qelizat e depozitojnë energjinë: ato e kanë atë atëherë kur iu nevojitet.

Cili është roli i Insulinës në këtë proces?

Insulina është një hormon që prodhohet nga pankreasi dhe që luan rol thelbësor në proçeset metabolike të glukozës. Ajo e ndihmon qelizën që të thithë glukozën, nëpërmjet të cilës ato zhvillohen dhe sigurojnë energjinë. Insulina luan rol rregullator për sasinë e glukozës në gjak. Nëse sasia e glukozës në gjak rritet, pankreasi, i cili është organi që prodhon insulinën prodhon më shumë insulinë dhe e shkarkon atë në gjak. Sa më shumë ëmbëlsira të hani, aq më shumë insulinë prodhohet nga pankreasi. Ajo krijon forma depozitimi të glukozës nëpërmjet glukogjenit, që nuk është gjë tjetër veçse “energji e depozituar” në formën e indeve dhjamore dhe që përdoret vetëm atëherë kur qeliza ka nevojë për të.

Funksioni tjetër i insulinës është procesi i kundërt: yndyra e depozituar në indet dhjamore të kthehet në glukozë, e cila më pas nga shpërbërja e saj formohet adenozinë-trifosfati (ATP).

Kur insulina nuk prodhohet në sasinë e duhur, ose kur organizmi nuk e përdor dot atë, ky mekanizëm nuk funksionon, duke shkaktuar anomali të rënda. Qeliza nuk e merr dot ushqimin e duhur për energji dhe funksionet e saj reduktohen. Nga ana tjetër, glukoza e marrë nëpërmjet ushqimit për shkak se nuk thithet nga qeliza, apo nuk depozitohet në qelizat dhjamore, një sasi qëndron në gjak, duke prishur përbërjen dhe funksionin e saj, kurse sasia tjetër del jashtë nëpërmjet urinës. Në këtë mënyrë, organizmi ka humbur burimin kryesor të energjisë. Si pasojë, shfaqet diabeti.

Referencat

American Diabetes Association; web: www.diabetes.org
Maxine A. Papadakis; Stephen J. McPhee; “Current Medical Diagnosis & Treatment – Fifty  Second Edition”)
Diana W. Guthrie; Richard A. Guthrie; “The Diabetes Sourcebook”
US National Library of Medicine; web: www.nlm.nih.gov