Si merr Energji Organizmi Ynë?

Trupi ynë, ashtu sikurse të gjitha organizmat e gjalla ka nevojë për energji që të egzistojë. Burimi i vetëm i energjisë, është glukoza. Glukoza është me rëndësi jetësore për organizmin. Pa të, qelizat e indeve, sidomos qelizat e trurit do të vdesin. Çdo formë tjetër e depozitimit të energjisë, siç janë lipidet, proteinat dhe llojet e tjera të karbohidrateve, duhet të shndërrohen në glukozë përpara se ato të japin energji. Nga shpërbërja e glukozës në qelizë formohet një lëndë e quajtur adenozinë-trifosfat (ATP), e cilësuar ndryshe si “monedha energjetike”. Kjo molekulë prodhon energjinë e nevojshme për organizmin. Rregullatorët e brendshëm të organizmit mundësojnë që një sasi e përcaktuar e glukozës të shpërbëhet për të prodhuar energji në bazë të nevojave energjitike të trupit, kurse pjesa tjetër të konvertohet në yndyra, të quajtura trigliceride dhe që depozitohen në qelizat yndyrore për t’u përdorur më vonë.

Nëse ne përfshihemi në aktivitete të gjata fizike dhe mendore, veçanërisht kur jemi të ngarkuar me nivel të lartë stresi, kërkojmë ekstra energji përtej asaj ç’farë nevojitet për funksionet normale. Kjo është edhe arsyeja pse  qelizat e depozitojnë energjinë: ato e kanë atë atëherë kur iu nevojitet.

Referencat

American Diabetes Association; web:www.diabetes.org
Maxine A. Papadakis; Stephen J. McPhee; “Current Medical Diagnosis & Treatment – Fifty  Second Edition”)
US National Library of Medicine; web:www.nlm.nih.gov