Stresi dhe Kanceri

Edhe pse deri më sot nuk është zbuluar një lidhje e drejtpërdrejtë e stresit me kancerin, një pjesë e mirë e shkencëtarëve mendojnë se egziston një lidhje mes stresit dhe kancerit. Krijimi i një lidhje të drejtpërdrejtë midis stresit dhe kancerit është i vështirë edhe sepse studiuesit nuk mund të bëjnë eksperimente të ngjashme me njerëzit ashtu sikurse me sëmundjet e tjera si zemra apo sistemi imunitar, për vetë karakteristikat e kancerit.

Por cila është lidhja midis stresit dhe kancerit? Psikoneuroimunologët kanë krijuar edhe një lidhje të mundshme midis stresit dhe kancerit (Herberman, 2002). Stresi nuk shkakton kancer në mënyrë të drejtpërdrejtë, por ai, siç duket, dëmton sistemin imunitar dhe në këtë mënyrë, qelizat tumorale janë më të afta për t’u vendosur dhe për t’u përhapur në trup. Studimet e tanishme nga eksperimentet në kafshë po përqëndrohen në gjetjen e mekanizmave të sakta qelizore që lidhin stresin me kancerin (Quan, 1999; Herberman, 2002). Disa studime të mëparshme kanë treguar një lidhje të ndërsjelltë midis stresit dhe kancerit (O’Leary, 1990; Mc.Kenna, Zevon, Corn & Rounds, 1999), por studimet e mëvonshme nuk i kanë konfirmuar këto gjetje (Maunsell, Brisson, Mondor, Verreault & Deschenes, 2001). Gjithashtu disa barna kundër kancerit funksionojnë dhe kanë dhënë rezultate duke forcuar sistemin imunitar, por kjo nuk do të thotë se domosdoshmërisht dobësimi i sistemit imunitar i bën njerëzit më të ekspozuar ndaj kancerit (Azar, 1999).

Si konkluzion, ende nuk mund të flitet për një gjykim të plotë dhe të pakundërshtueshëm të lidhjes mes stresit dhe kancerit. Argumentet nuk mungojnë, por ato ende nuk janë të gjithëpranuara. Pavarësisht nga kjo, mjekët më në zë të onkologjisë janë të mendimit se psikoterapia mund të luajë një rol thelbësor në përmirësimin e cilësisë së jetës të sëmurëve me kancer (P.A. Mc. Guire, 1999; Rabasca, 1999; J. E. Smith, Richardson & Hoffman, 2005). Kjo për shkak të një feedback-u negativ, ku sa më shumë rëndohet sëmundja, aq më shumë pacientët stresohen dhe depresionohen duke dobësuar sistemin imunitar; dhe sa më shumë dobësohet sistemi imunitar, aq më shumë forcohet sëmundja e tyre. Shumë mjekë të njohur tani rekomandojnë që pacientët e tyre me kancer, (kryesisht me kancer të gjirit) të ndjekin sesione të psikoterapisë me grupe, të cilat janë efektive në pakësimin e stresit e depresionit, pagjumësisë, armiqësisë, dhe perceptimit të dhimbjes (Spiegel, 1995; Goodwin, 2001; Giese-Davis, 2002; Quesnel, Savard, Ivers & Morin, 2003). Nga hulumtimet e këtyre seancave psikoterapeutike është parë se mjaft prej pacientëve që kanë ndjekur këto seanca, kanë arritur që t’i mbijetojnë sëmundjeve, edhe pse një pjesë e studiuesve me studimet e tyre nuk kanë arritur në një përfundim të tillë (De Angelis, 2002).

Referencat
American Psychiatric Association; web: www.psych.org
Charles G. Morris, Albert A.Maisto; “Understanding Psychology”
National Institutes of Health; web: www.nih.gov

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *