Tri Pasojat shkatërruese të Stresit

Stresi dhe Sëmundjet e Zemrës

Stresi është një nga faktorët kryesorë të riskut për sëmundjet kardiovaskulare. Stresi çliron hormonin kortisol, i cili ndikon në rritjen e tensionit të gjakut duke dëmtuar muret e arterieve, shkakton aritmi dhe shtim të nivelit të kolesterolit. Në një numër të madh studimesh që janë bërë, është vërtetuar se njerëzit që reagojnë ndaj ndodhive të jetës me padurim, armiqësi, inat, hakmarrje, garë, urgjencë dhe me përpjekje të vazhdueshme e të parreshtura kanë një shkallë më të lartë të sëmundjeve kardiovaskulare. Nga studimet e shkencëtarëve (Lynes, 1993; Grifiths & Dancaster, 1995) personat tepër sensibël dhe emocionalë, me karakteristikat e mësipërme të emërtuar gjithashtu edhe si personalitetet e tipit A, është evidentuar se të ekspozuar ndaj ngacmimeve të ndryshme, presioneve, dhe kritikave gjatë situatave të tilla si lojërat video, ritmi i rrahjeve të zemrës dhe tensioni i gjakut ishin shumë më të larta se personat që bënin pjesë në personalitetin e tipit B, të cilët karakterizohen prej qetësisë, durimit dhe vetëpërmbajtjes. Hulumtimet shkencore të dr. J.C. Williams gjatë vitit 2000 vërtetuan se njerëzit me personalitet të tipit A kishin dy herë më shumë atake kardiakë apo vdekje të papritura se bashkëmoshatarët e tyre me personalitet të tipit B.

Rruga e dytë e ndikimit negativ të stresit në shëndetin tonë është qëndrimi ynë negativ ndaj tij. Njerëzit me stres prirjen drejt sjelljeve dhe zakoneve jo të shëndetshme si mbingrënia, konsumi i alkoolit, duhanit, drogave, braktisja e vetvetes, etj. Të gjitha këto janë faktorë risku për shumë sëmundje si dhe aksidente, ku sëmundjet kardiovaskulare janë një nga kërcënimet më të mëdha.

Edhe depresioni duket se e shton rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe vdekjeve të parakohshme (Mc-Cabe, Schneiderman, Field & Welles, 2000; Schwartzman & Glaus 2000; Rugulies, 2002; Habra, Linden & Andersen, 2003; Sher 2004; Denollet, 2005). Të sëmurët me depresion, të identifikuar ndryshe edhe si njerëzit me personalitet të tipit D, ose “Personaliteti i Dëshpëruar”, të cilët karakterizohen nga depresioni, emocionet negative dhe frenimi social, kanë një incidencë të madhe për sëmundjet kardiovaskulare. Ashtu sikurse personat me stres të vazhdueshëm, organizmi i tyre prodhon me shumicë hormonin kortisol, të cilat dëmtojnë zemrën dhe enët e gjakut.

Meqënëse stresi afatgjatë shton mundësinë e zhvillimit të sëmundjeve kardiovaskulare, pakësimi i stresit është bërë pjesë e trajtimit mjekësor të përdorur për të frenuar përparimin e ngurtësimit të arterieve që mund të çojnë në atak kardiak dhe hemorragji cerebrale. Një dietë me yndyrë të pakët dhe teknikat e kontrollit të stresit kanë qenë efektive në këto lloj sëmundje.

Stresi dhe Sistemi Imunitar

Stresi është i lidhur ngushtësisht me sistemin imunitar. Nga pikëpamja e efekteve në sistemin imunitar, nëse stresi ynë bëhet kronik, qelizat imune në organizëm janë të stimuluara vazhdimisht nga shkalla e lartë e prodhimit të hormoneve të stresit. Por, në të vërtetë, ato nuk po përballen me ndonjë rrezik real ose ndonjë patogjen kërcënues, kështu që ato mësohen me shkallën e lartë të hormoneve të stresit në gjak. Kur trupi përballet me një rrezik të vërtetë, qelizat imune nuk stimulohen më dhe humbasin aftësinë për të luftuar agresionin. Në këtë mënyrë, sistemi imunitar shkatërrohet. Kjo bëhet shkak për shumë sëmundje kryesisht infektive deri edhe tumorale. Shtimi i stresit mund të na bëjë më të prekshëm nga gripi (Tseng, Padgett, Dhabhar, Engler & Sheridan, 2005) dhe nga infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, si rrufa e zakonshme (S. Cohen, 1991, 2002). Nga hulumtimet e prof. S. Cohen, me dy grupe vullnetarësh është konstatuar se grupi i vullnetarëve që kishin përjetuar gjatë vitit të kaluar dy apo më shumë ngjarje mjaft stresuese ishin më të ekspozuar ndaj rrufës se grupi i dytë i vullnetarëve të cilët nuk kishin përjetuar ngjarje të tilla, edhe pse të dyja grupet ishin ekspozuar njëlloj ndaj këtyre viruseve. Më e theksuar është kjo tek njerëzit të cilët përjetojnë emocione pozitive si lumturi, gëzim, dashuri, etj. Shkalla e imunitetit të tyre ndaj rrufës është mjaft e lartë (S. Cohen, Doyle, Turner, Alper & Skoner 2003).

Për shkak të lidhjes së fuqishme të stresit me sistemin imunitar, është krijuar një degë e re e mjekësisë, e quajtur psikoneuroimunologji. Psikoneuroimunologjia është një fushë e re që studion bashkëveprimin midis stresit, nga njëra anë, dhe imunitetit, gjendrave endokrine dhe aktivitetit të sistemit nervor nga ana tjetër. Psikoneuroimunologët kanë krijuar edhe një lidhje të mundshme midis stresit dhe kancerit (Herberman, 2002). Stresi nuk shkakton kancer në mënyrë të drejtpërdrejtë, por ai, siç duket, dëmton sistemin imunitar dhe në këtë mënyrë, qelizat tumorale janë më të afta për t’u vendosur dhe për t’u përhapur në trup.

Stresi dhe Kanceri

Edhe pse deri më sot nuk është zbuluar një lidhje e drejtpërdrejtë e stresit me kancerin, një pjesë e mirë e shkencëtarëve mendojnë se egziston një lidhje mes stresit dhe kancerit. Krijimi i një lidhje të drejtpërdrejtë midis stresit dhe kancerit është i vështirë edhe sepse studiuesit nuk mund të bëjnë eksperimente të ngjashme me njerëzit ashtu sikurse me sëmundjet e tjera si zemra apo sistemi imunitar, për vetë karakteristikat e kancerit. Por cila është lidhja midis stresit dhe kancerit? Psikoneuroimunologët kanë krijuar edhe një lidhje të mundshme midis stresit dhe kancerit (Herberman, 2002). Stresi nuk shkakton kancer në mënyrë të drejtpërdrejtë, por ai, siç duket, dëmton sistemin imunitar dhe në këtë mënyrë, qelizat tumorale janë më të afta për t’u vendosur dhe për t’u përhapur në trup. Studimet e tanishme nga eksperimentet në kafshë po përqëndrohen në gjetjen e mekanizmave të sakta qelizore që lidhin stresin me kancerin (Quan, 1999; Herberman, 2002). Disa studime të mëparshme kanë treguar një lidhje të ndërsjelltë midis stresit dhe kancerit (O’Leary, 1990; Mc.Kenna, Zevon, Corn & Rounds, 1999), por studimet e mëvonshme nuk i kanë konfirmuar këto gjetje (Maunsell, Brisson, Mondor, Verreault & Deschenes, 2001). Gjithashtu disa barna kundër kancerit funksionojnë dhe kanë dhënë rezultate duke forcuar sistemin imunitar, por kjo nuk do të thotë se domosdoshmërisht dobësimi i sistemit imunitar i bën njerëzit më të ekspozuar ndaj kancerit (Azar, 1999).

Si konkluzion, ende nuk mund të flitet për një gjykim të plotë dhe të pakundërshtueshëm të lidhjes mes stresit dhe kancerit. Argumentet nuk mungojnë, por ato ende nuk janë të gjithëpranuara. Pavarësisht nga kjo, mjekët më në zë të onkologjisë janë të mendimit se psikoterapia mund të luajë një rol thelbësor në përmirësimin e cilësisë së jetës të sëmurëve me kancer (P.A. Mc. Guire, 1999; Rabasca, 1999; J. E. Smith, Richardson & Hoffman, 2005). Kjo për shkak të një feedback-u negativ, ku sa më shumë rëndohet sëmundja, aq më shumë pacientët stresohen dhe depresionohen duke dobësuar sistemin imunitar; dhe sa më shumë dobësohet sistemi imunitar, aq më shumë forcohet sëmundja e tyre. Shumë mjekë të njohur tani rekomandojnë që pacientët e tyre me kancer, (kryesisht me kancer të gjirit) të ndjekin sesione të psikoterapisë me grupe, të cilat janë efektive në pakësimin e stresit e depresionit, pagjumësisë, armiqësisë, dhe perceptimit të dhimbjes (Spiegel, 1995; Goodwin, 2001; Giese-Davis, 2002; Quesnel, Savard, Ivers & Morin, 2003). Nga hulumtimet e këtyre seancave psikoterapeutike është parë se mjaft prej pacientëve që kanë ndjekur këto seanca, kanë arritur që t’i mbijetojnë sëmundjeve, edhe pse një pjesë e studiuesve me studimet e tyre nuk kanë arritur në një përfundim të tillë (De Angelis, 2002).

Referencat

American Psychiatric Association; web: www.psych.org
Charles G. Morris, Albert A.Maisto; “Understanding Psychology”
National Institutes of Health; web: www.nih.gov