Arsyetimet e gabuara që mbajnë “peng” Mendimin Kritik

Mendimi kritik synon që përmes argumenteve, të japë arsye të shëndosha për të të pranuar një pohim, ose për ta hedhur poshtë atë. Por, shpesh njerëzit e kanë të vështirë që të ndërtojnë argumenta të tilla të shëndosha që të pranojnë ose jo një pohim. Kjo për shkak të pasurimit të mjetëve të pohimeve false që përdorin njerëzit gjatë arritjes së qëllimeve të tyre. Këto argumente, të quajtura falsitete, janë psikologjikisht bindëse por logjikisht të gabuara dhe si rrjedhojë, të  pafuqishme. Njerëzit e kanë për detyrë të aftësohen për t’i dalluar ato dhe të mos bien pre e mashtrimit të tyre. Ja cilat janë falsitetet, të cilat njerëzit ngatërrohen nëpër to:

    1.    Falsiteti Gjenetik. Argumenti se një pretendim është i vërtetë apo i rremë vetëm për shkak të origjinës së tij. Në këtë rast, njerëzit nuk merren me substancën e argumentit, por me atë se kush e tha dhe mbi këtë bazë e vlerësojnë. Ky lloj gjykimi është gjykim mbizotërues në Shqipëri, ku njerëzit marrin si të vërteta të pamohueshme ato që thotë partia që ata pëlqejnë dhe votojnë, si dhe hedhin poshtë “a priori” ato që thonë partitë e tjera kundërshtare. Është vërtetuar se në shumicën e rasteve, idetë e mira mund të vijnë edhe nga burime të pasigurta për vlerësimin tuaj. Po kështu, edhe idetë e këqija mund të vijnë nga burime të vlerësuara si të mira. Përgjithësisht, gjykimi i një pretendimi vetëm për shkak të burimit është garanci për rënien në gabim.

    2.    Falsiteti i Kompozimit. Argumenti se ajo që është e vërtetë për pjesët, duhet të jetë e vërtetë edhe për të tërën.  Gabimi këtu ka të bëjë me gjykimin se cilësitë e pjesëve janë të transferueshme edhe tek e gjitha, gjë që nuk është gjithmonë e vërtetë. Rasti më tipik ka të bëjë me grupin dhe anëtarët e tij. Njerëzit shpesh gjykojnë se ashtu sikurse është një anëtar i grupit është i gjithë grupi. Por kjo nuk është domosdoshmërisht kështu. Në këtë gabim bien shpesh të huajt që gjykojnë për shqiptarët. Nëse ata nëpërmjet mediave informohen për individë apo grupe kriminale nga Shqipëria, në gjykimin e tyre, Shqipëria perceptohet si e tillë: një vend ku të gjithë shqiptarët janë keqbërës dhe të inkriminuar. Natyrisht, e tëra ka disa karakteristika nga pjesët, por falsiteti i kompozimit qëndron në mendimin se në çdo rast ajo që është e vërtetë për pjesët është e vërtetë edhe për të tërën. Rastet tipike të falsitetit të kompozimit shënohen kur në dyqanet e shtrenjta nuk shënohen çmimet në tabelat e çmimeve, por vetëm këstet mujore, që qëllimisht i vendosin të ulëta për të tërhequr klientët.

    3.    Falsiteti i Ndarjes. Falsiteti i ndarjes është ana tjetër e medaljes e falsitetit të kompozimit: argumentimi se ajo që është e vërtetë për të tërën, duhet të jetë e vërtetë edhe për pjesët. Njerëzit shpesh mendojnë se ajo që është e vërtetë për të gjithë grupin, është e vërtetë edhe për çdo anëtar të grupit. Por jo gjithmonë është kështu. Për shembull, nëse mendojmë se meqë ky pallat është i madh, atëherë edhe apartamentet e tij janë të mëdha, ky është një gjykim krejtësisht i gabuar. Shpesh, këto gjykime naive janë mbizotëruese. Kjo ndodh sidomos kur në raste fejesash vlerësohet nusja apo dhëndrri thjesht nga cilësitë e familjes së tij pa vlerësuar cilësitë personale të tyre. Ky lloj gjykimi ka kosto të lartë për të ardhmen e çiftit.

    4.    Gabimi i Personalizimit. Gjykim tërësisht i gabuar, duke hedhur poshtë një thënie vetëm nëpërmjet kritikës dhe sulmit ndaj personit që e parashtron atë. Një mënyrë e tillë gjykimi është e gabuar, sepse përpiqen të zhvlerësojnë një pretendim, thjesht duke u nisur nga gjëra që nuk kanë pothuajse lidhje aspak me pretendimin, por nga karakteristika, motive apo rrethana personale të individit që parashtron pretendimin. Argumentet duhet të ngrihen vetëm mbi bazën e pretendimit. Pretendimet nuk mund të jenë të këqija dhe të mira, thjesht dhe vetëm se dikush e thotë atë. Edhe kur personi është jo i besueshëm, ne nuk mund të justifikohemi për zhvlerësimin e një pretendimi vetëm se e tha ai. Kjo nuk na jep arsye të gjykojmë se pretendimi i tij është mashtrim ose i gabuar “a priori”, pa parë vetë pretendimin. Ashtu sikurse tek fabula e bariut që thërriste në fshat “ujku! ujku!”, por kur erdhi ai në të vërtetë, askush nuk e besoi. Gabimi i personalizimit është kulturë e të menduarit në parlamentin shqiptar, ku palët kundërshtare nuk merren me argumentin, por thjesht me personin, duke i thënë se ai është “radikal”, “fashist”, “komunist”, “i djathtë”, “i majtë”, “sigurims”, “bllokmen”, etj. Pavarësisht ndikimit psikologjik që mund të kenë këto terma abuzivë, logjikisht ato nuk kanë ndonjë peshë. Edhe pse personi nuk është koherent në pretendimet që ai mbron, ose është hipokrit dhe përfaqëson grupime të dyshimta, përsëri këto nuk janë argumente për të hedhur poshtë një pretendim të tij.

    5.    Gabimi i Ekuivokimit. Gabimi i ekuivokimit ndodh atëherë sa herë që një fjalë ka një kuptim të caktuar në një premisë dhe një tjetër kuptim në premisa të tjera, ose tek përfundimi. Kjo bën që të formohen lidhje me bazë ngjashmërie, por që nuk janë të vërteta. Shihni këtë argument:
Krimet janë një pjesë përbërëse e shoqërisë njerëzore.
Shoqëria njerëzore gëzon të drejtën e jetës.
Edhe krimet si pjesë e saj kanë të drejtën e jetës(!)
Në këtë rast, është abuzuar me kuptimin që mbart togfjalëshi “shoqëria njerëzore”. Në kuptimin e parë, përshkruhet struktura e kësaj shoqërie, duke evidentuar krimin si një pjesë të saj. Në kuptimin e dytë, përshkruhet e drejta e shoqërisë për të jetuar. Meqë krimi është pjesë e shoqërisë dhe shoqëria ka të drejtë të jetojë, atëherë edhe krimi ka të drejtë të jetojë. Ky kalim nga një kuptim në një tjetër, nuk e ndërton dot argumentin dhe si pasojë, argumenti nuk qëndron.

    6.    Evokimi i Popullaritetit. Ky është një nga gjykimet e gabuara më të përhapura në shoqërinë e sotme. Sipas evokimit të popullaritetit, një pretendim është i vërtetë thjesht dhe vetëm se atë e besojnë shumica. Nëse diçka e besojnë të gjithë, kjo nuk e bën atë të vërtetë dhe nëse nuk e besojnë, kjo nuk e bën atë të gënjeshtërt. Nga historia e pasur njerëzore është vërtetuar se grupet e mëdha të njerëzve janë po aq të gabueshëm sa edhe një individ i vetëm. Besimi i grupit në një pretendim të caktuar, në vetvete nuk përbën një fakt për të vërtetën. Historia njerëzore njeh shumë raste kur regjime diktatoriale të majta ose të djathta kanë ardhur në pushtet me miratimin e shumicës. Kujtoni Gjermaninë e Hitlerit, Rusinë e Stalinit, Shqipërinë e Enver Hoxhës, etj. Edhe në kohët e sotme, ardhja në pushtet me shumicë votash nuk është domosdoshmërisht tregues dhe argument për vërtetësinë dhe drejtësinë e kauzës së tyre.

    7.    Evokimi i Traditës. Sipas evokimit të traditës, një pretendim është i vërtetë thjesht dhe vetëm se ajo është pjesë e traditës. Ashtu sikurse shumica, edhe tradita mund të jetë e gabuar. Edhe ky lloj sistemi gjykimi, krejtësisht i gabuar, është mjaft i përhapur. Shpesh, njerëzit janë muslimanë, të krishterë, hebrej, adhurues të zjarrit, lopës, etj. vetëm se kështu kanë qenë të parët e tyre, duke mos pasur asnjë argument tjetër në këtë gjykim. Ky lloj të menduari e mbyll dhe e asfikson mendimin kritik. Njerëzit thjesht janë përcjellës të vlerave të vërteta apo të rreme të të parëve të tyre, pa marrë aspak mundimin të gjykojnë mbi to. Të njëjtin gjykim ka edhe hedhja poshtë e traditës vetëm me mendimin se të parët kanë qenë “të paditur”, “anadollakë”, etj. Njerëzit pa kuptuar kompleksohen dhe bëhen të tillë edhe pse në emër të progresit.

    8.    Evokimi i Injorancës. Sipas evokimit të injorancës, mungesa e fakteve provon diçka. Një nga llojet e këtij gabimi është se një pretendim është i vërtetë nëse askush nuk e ka provuar se ai është i gabuar. Për shembull:
Askush nuk e ka vërtetuar këtë teoremë. Kjo do të thotë se kjo teoremë nuk është e vërtetë(!)
Ajo e meriton të jetë gruaja jote, pasi askush nuk e ka parë të shkojë me të tjerë. Kjo do të thotë se ajo është plotësisht e ndershme(!)
Problemi këtu është se mungesa e fakteve merret si provë për diçka, gjë që nuk mund të shërbejë si argument. Vetëm mungesa e fakteve nuk mund të shërbejë si argument rreth një pohimi, apo ta rrëzojë atë.
Gjithashtu, nëse një teori nuk është vërtetuar ende, nuk mund të merret si e vërtetë e kundërta e saj. Realiteti ka karakter objektiv dhe nuk varet nga subjektivizmi i njerëzve në lidhje me të. Mjaft ironike dhe kuptimplotë është anektoda e disa arkeologëve të mbledhur në një konferencë shkencore. Një arkeolog amerikan thotë se “ne jemi krenarë se nga gërmimet e bëra janë gjetur kabllo telefonike. Kjo do të thotë që edhe të parët tanë të lashtë kanë përdorur telefonin”. Kësaj deklarate një arkeolog shqiptar ia kthen: “Edhe ne jemi mjaft krenarë. Kemi kryer gërmime të shumta, por nuk kemi gjetur gjë. Kjo do të thotë që të parët tanë të hershëm kanë përdorur vetëm celularin(!)”…

    9.    Evokimi i Emocioneve. Evokimi i emocioneve është mjeti më i përdorshëm nga politikanët dhe mjaft efikas për arritjen e qëllimeve. Evokimi i emocioneve është përdorimi i tyre si argumente për një pohim. Ky gabim qëndron në përpjekjet për të bindur dikë për diçka, vetëm duke i bërë thirrje ndjenjave dhe emocioneve të tij pa argumente në vetvete. Politikanët u bëjnë thirrje grupeve të caktuara të njerëzve në emër të, sakrificave të tyre, vuajtjeve dhe përndjekjeve që atyre u bëhen ose u janë bërë në të kaluarën për të aprovuar një kauzë, apo votuar për një parti të caktuar. Në këto lloj retorikash provokohen të shpalosen ndjenjat e fajit, zemërimit, hakmarrjes, guximit, frikës etj., por pa argumente reale. Në të vërtetë, të zhveshura nga emocionet e forta që evokojnë, këto retorika nuk evokojnë pothuajse asgjë tjetër. Ato na nxisin të pranojmë diçka, por nuk na japin arsye për këtë. Ne mund të ndihemi të keqardhur, të përdorur, të zemëruar, etj., por kjo nuk është argument. Ja një shembull:
Ju duhet të votoni për mua, sepse sot ne duhet të ndahemi njëherë e përgjithmonë nga e kaluara e errët komuniste. Nuk duhet për asnjë çast që ne të harrojmë vuajtjet e qindra e qindra nënave dhe baballarëve tanë, vëllezërve dhe motrave tona, të cilat regjimi barbar i burgosi, i internoi dhe i zhduku pa asnjë gjurmë. Sot iu bëj thirrje që ai regjim kërkon të kthehet. Bijtë, ashtu sikurse edhe etërit e tyre, ne duhet t’i mposhtim.
Duhet theksuar se përdorimi i një retorike të tillë nuk është i gabuar. E gabuar është kur kemi të bëjmë me një përpjekje për të mbështetur një pohim vetëm nëpërmjet retorikës.

    10.  Ndërrimi i Argumentit. Praktika e këtij falsiteti ka të bëjë me parashtrimin e një argumenti dhe më pas kombinimin e tij me argumente të tjera, të cilat në pamje të parë të krijojnë idenë se mbështesin argumetin e parë, por në fakt kanë qëllim të shpërqëndrojnë bashkëbiseduesin. Ja një shembull:
Të nderuar deputetë! Ligji që duhet të kalojë sot për buxhetin e  vitit të ardhshëm është shumë i rëndësishëm. Janë parashikuar shtesa në disa zëra që në buxhetin e vitit që sapo kaloi, qeveria që tashmë është në opozitë nuk i bëri. Kjo për shkak të politikave të saj dritëshkurtëra…etj. etj.
Në shembullin e mësipërm, argumenti është fals. Kërkohet miratimi i buxhetit, duke sulmuar dhe akuzuar qeverinë e shkuar. Duket se egziston një lidhje, por në të vërtetë, argumenti mungon.

    11.  Dobësimi i Pozitës së Tjetrit. Dobësimi i pozitës së tjetrit është një nga mjetet mjaft të përhapura, ku njerëzit e kanë të vështirë që të mos bien në të. Vetë thashethemet nuk janë gjë tjetër, veçse një mjet për dobësimin e pozitës së tjetrit. Njerëzit shtrembërojnë, thjeshtëzojnë apo banalizojnë thëniet e të tjerëve me qëllim të dobësimin e pozitës së tyre. Nëpërmjet dobësimit të pozitës së tyre, synohet që argumentet e tij të hidhen poshtë më lehtë. Kjo funksionon në këtë mënyrë: Riinterpretohen argumentet e tij, duke i shtrembëruar ato, apo i parë në një optikë të qëllimeve të errëta të tij. Po japim një shembull:
Drejtori thotë se plani i reduktimit të kostove të prodhimit është shumë i rëndësishëm për firmën tonë që të egzistojë në treg. Siç duket, ai mendon se mjaft vende pune duhet të shkurtohen dhe ne duhet të largohemi nga puna. Por a duhet të largohet një punonjës si ju nga firma, ndërkohë që ju i keni dhënë kaq shumë kësaj firme dhe sakrifikoni vazhdimisht për të. Kjo nuk mund të jetë aspak e drejtë dhe njerëz që mendojnë kështu nuk mund të kenë përgjegjësi mbi vete.
Në këtë pohim fillimisht deklarohet se çfarë ka planifikuar drejtori: reduktim të kostove të prodhimit. Deri këtu gjithçka në rregull. Më pas supozohet se si do të bëhet kjo: nëpërmjet shkurtimit të vendeve të punës. Por drejtori nuk e ka thënë atë. Pohimi mbyllet me një evokim të emocioneve nëpërmjet një diversioni mes drejtorit dhe punonjësve të tjerë. Ky pohim është mjaft abuzues dhe nuk përmban argumenta.
   
    12.  Rrethi Vicioz. Falsiteti i rrethit vicioz (apo argumentimi në rreth të mbylluar) është argumentimi se një pohim është i vërtetë sepse mbështetet tek i njëjti pohim, si në shembullin e mëposhtëm në absurditetin e rregjimit të kaluar diktatorial:
Partia del gjithmonë fitimtare sepse ajo është në rrugën e drejtë. Për rrjedhim, ajo është në rrugën e drejtë, sepse del gjithmonë fitimtare.
Ky pohim e merr të mirëqenë atë që përpiqet që në fillim të provojë. Çdo argument që bie në këto pozita, është i gabuar. Për fat të keq, shumica e argumenteve që i vijnë rrotull problemit nuk janë kaq të thjeshtëzuara sa në shembullin e mësipërm. Shpesh, këto skema janë të ndërlikuara dhe të sofistikuara për të fshehur mungesën e argumenteve.

    13.  Dilema False. Gabimi i dilemës false është kufizimi i analizës vetëm në dy alternativa, kur në të vërtetë, egzistojnë më shumë se dy alternativa. Kjo ka qenë një mënyrë e të menduarit në sistemin e vjetër diktatorial dhe rëndom funksionon edhe sot. Parrulla e kësaj mënyre të menduari ishte “o me ne, o me ata”. Kjo i ngushton alternativat dhe do të kishte vlerë vetëm nëse egzistojnë vetëm dy alternativa. Por shpesh, egzistojnë më shumë se dy alternativa, madje edhe kur ne nuk  arrijmë t’i dallojmë ato. Viktimë e një gjykimi të tillë bien shpesh negociatorët, të cilët nuk arrijnë të ndërtojnë më shumë se dy alternativa, ku mohimi i njërës të çon domosdoshmërisht në pohimin e tjetrës. Kjo i vështirëson zgjidhjet dhe i ngurtëson pozicionet e palëve. Njerëzve u paraqiten alternativa të tilla si “ose…,ose”; nëse…atëherë. Në këto raste, ata duhet të ndërtojnë një pyetje: “A egziston një tjetër mundësi?” Kjo pyetje nxit mendimin kritik dhe hap mendjen edhe për zgjidhje të tjera.

    14.  Terreni i Rrëshqitshëm. Sipas këtij lloj të menduari, zhvillohet një marrëdhënie progresive shkak-pasojë, ku një shkak bëhet pasojë për një sërë ngjarjesh të padëshirueshme që vijnë njëra pas tjetrës në mënyrë të pakontrollueshme. Gjatë “luftës së ftohtë” shpesh flitej në Perëndim për një teori të quajtur “teoria e gurëve të dominosë”, sepse pohonte se nëse një vend i Azisë Juglindore do të binte në dorë të komunisteve, të gjitha vendet e tjera do të pësonin të njëjtin fat. Kjo teori thoshte: “Amerikanët në asnjë mënyrë nuk duhet ta humbin luftën në Vietnam. Nëse Vietnami i Jugut bie në dorë të komunistëve, atëherë dhe Tailanda do të bjerë në dorë të tyre. Nëse Tailanda bie në dorë të tyre, edhe Koreja e Jugut do të bjerë në dorë të komunistëve. Dhe sa hap e mbyll sytë, e gjithë Azia Juglindore do të bjerë në dorë të komunistëve”.   
Ky arsyetim nuk qëndronte, sepse nuk kishte prova të mjaftueshme se do të ndodhte kjo. Në fakt, pas rënies së Vietnamit të Jugut, vendet e tjera nuk ranë në komunizëm, ashtu siç parashikohej.

    15.  Përgjithësimet e Nxituara. Gabimet e përgjithësimit të nxituar janë kur ne dalim me një përfundim për të gjithë grupin bazuar në një kampion të papërshtatshëm për këtë grup. Gabimi qëndron në mënyrën e të menduarit pa fakte të mjaftueshme. Kështu, nëse njerëzit kanë mbetur njëherë të pakënaqur nga një restorant, ata gjykojnë se “ai restorant nuk është i mirë”, nëse gjatë një udhëtimi në një vend të panjohur më parë bie vetëm shi, njerëzit mendojnë se aty gjithmonë bie shi, etj.

    16.  Analogjitë e Gabuara. Analogjitë e gabuara janë atëherë kur dy apo më shumë gjëra janë të ngjashme në disa aspekte, ato duhet të jenë të ngjashme edhe në aspekte të tjera. Për shembull:
Njerëzit mendojnë.
Ata bëjnë pjesë në klasën e gjitarëve.
Si rrjedhim, edhe të gjithë gjitarët e tjerë duhet të mendojnë, ashtu sikurse njerëzit.

    Përfundim. Njohja e arsyetimeve të gabuara gjatë parashtrimit dhe servirjes së argumenteve është mjaft e rëndësishme për njerëzit. Ata përditë ndeshen me joshje nga më të ndryshmet, thirrje drejt ideve të tyre dhe mashtrime spektakolare. Sondazhet, kanalet televizive, interneti si dhe marrëdhëniet ndërpersonale janë të tejmbushura me precedentë të tillë. Vetëm mendimi kritik dhe vetëdijësimi për të është rruga e vetme për të zgjidhur këto probleme që në vetvete mbartin kosto mjaft të larta dhe disa herë tragjike për njerëzit dhe shoqëritë.

Referencat

Lewis Vaughnn; Chris McDonald; “The power of critical thought”