Çfarë ne shohim?

Çdo njeri sheh jashtë atë që ka brenda vetes. Në ka brenda dritë, do të shohë dritë, në ka brenda errësirë, do të shohë errësirë, në ka brenda ngjyra, do të shohë lule! Kjo sepse janë mendimet e tua ato që krijojnë përceptimin tënd mbi realitetin dhe mendimet e tua pasqyrojnë vetë veten tënde!

Padyshim, ky është një nga përfundimet më të mrekullueshme! Kjo do të thotë se nëse ndryshojmë mendimet tona, kemi ndryshuar edhe atë çka ne shohim. Nëse orientohemi drejt paqes, harmonisë, arsyes dhe dashurisë, të njëjtat gjëra do të shohim edhe jashtë nesh: paqe, harmoni, arsye dhe dashuri. Ja pra, ato egzistokan! Dhe nëse ato i shohim, vazhdimisht do t’i tërheqim!

Ja se çfarë na thotë shkrimtari i njohur Mark Tuein në fabulën e tij:

Një herë, një piktor kishte bërë një pikturë të vogël, por shumë të bukur dhe e vendosi në një mënyrë të atillë që të shihej nga pasqyra.

Kafshët e pyllit e mësuan këtë nga maçoku i shtëpisë, të cilin e çmonin së tepërmi, meqënëse ishte shumë i ditur e i qytetëruar, me finesë e me kulturë të madhe.

Kurioziteti për pikturën rritej përditë, dhe kafshët e pyllit me mbretin e tyre në krye vendosën të nisnin gomarin për ta parë dhe t’u thoshte se çfarë kishte parë. Gomari u nis dhe kur mbërriti, vëmendjen ia tërhoqi pasqyra. Pas kësaj, gomari u kthye në pyll dhe tha:

  • Maçoku na ka gënjyer. Atje nuk kishte kurrfarë gjëje, përveç një gomari.

Elefanti e pyeti:

  • A e pe mirë me kujdes? A e pe nga afër?

– E pashë dhe fort mirë, bile. Të betohem o mbreti ynë se iu afrova kaq shumë saqë e preka me hundë!

– Qenka shumë e çuditshme, – tha elefanti, – maçokun nuk e kemi njohur si gënjeshtar deri më sot. Le të nisim një dëshmitar tjetër. Shko ti ari, shih se çfarë ka dhe ec e na thuaj!

Ariu u nis. Kur u kthye, tha:

– Edhe maçoku, edhe gomari na kanë gënjyer. Aty kishte vetëm një ari dhe hiçgjë tjetër!

Kafshët shtangën nga habia. Asnjëri nuk dinte si t’i jepnin rrugë kësaj pune. Secili donte me çdo kusht të shihte me sytë e vet të vërtetën. Elefanti dha urdhër të shkonin dhe të shikonin një e nga një.

E para u nis lopa. Ajo nuk zbuloi gjë tjetër veç një lopë.

Tigri zbuloi se aty kishte një tigër.

Luani zbuloi një luan.

Leopardi zbuloi vetëm një leopard.

Deveja pa vetëm një deve, dhe kurrgjë tjetër.

Atëherë elefanti i zemëruar tha se do ta merrte vetë në dorë atë punë që ta sqaronte se si ishte e vërteta.

Kur u kthye, ai i shau të gjithë nënshtetasit e tij, duke i quajtur gënjeshtarë, dhe u tërbua fare për shkak të maçokut që kishte rënë aq poshtë dhe ishte bërë fare trutharë. Sipas tij, duhej të ishe fare hajvan e dritëshkurtër që të mos shikoje që aty nuk kishte gjë tjetër, përpos një elefanti…

Referencat
Wayne W. Dyer, “10 Secrets for Success and Inner Peace”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *