Frika nga Problemet dhe Paradigmat e Zgjidhjes së tyre

“Njerëzit nga frika prej njerëzve, poshtërohen; nga frika prej varfërisë, varfërohen; nga frika prej sprovës, sprovohen; nga frika prej humbjes, humbasin” 

Në shumicën dërrmuese të njerëzve, problemet trajtohen sipas këtyre paradigmave:

Nëse përballë tyre ata shohin ndonjë pengesë, së pari, ata mundohen ta shmangin, e nëse nuk munden, provojnë të kalojnë nën të, e nëse përsëri dështojnë, përpiqen të kalojnë mbi të, e nëse përsëri nuk ia dalin dot ta kapërcejnë, shkojnë drejt e nëpër të.

 

Cila është domethënia e kësaj metafore?

Pasi njerëzit nuk e kanë shmangur dot problemin, ata mundohen ta injorojnë atë; të mos e njohin me qëllimin që ai mund të jetë më i lehtë, i zgjidhshëm dhe i kapërcyeshëm.

I kalojnë nën të, d.m.th. jetojnë duke pasur mbi kokë problemin. Por nëse pesha e tij bëhet e padurueshme, ata përpiqen të kalojnë mbi të, d.m.th. ata akumulojnë energji për ta kapërcyer, kërkojnë forcë dhe kurajo, e cila do t’u mundësojë që ta përballojnë problemin duke bashkëjetuar me të. E nëse përsëri nuk ia dalin dot për shkak të peshës së madhe të problemit, ata vendosin më në fund t’i bien drejt e nëpër të me qëllimin për ta zgjidhur – dhe kjo është paradigma e vetme e drejtë.

 

Shpesh ne tentojmë t’u shmangemi problemeve për shkak të ndjenjës së parehatisë dhe vështirësisë. Kjo vetëm sa e zgjat ose rrit vështirësinë në zgjidhjen e tij. Të frikësuar nga dhimbja e cila shoqëron problemin, në njërën apo tjetrën formë ne mundohemi t’ju largohemi apo t’ju shmangemi atyre. I zvarritim ato me qëllim apo me shpresë se ato mund të largohen vetiu. I injorojmë, i largojmë. Kështu nuk bëjmë gjë tjetër veçse përpiqemi t’i shmangim problemet në vend që të ballafaqohemi me to. Jetojmë me shpresën e gabuar se injorimi i problemit duke mos bërë asgjë mund ta zgjidhë atë dhe ai shpejt do të zhduket. Por kjo është një paradigmë tejet e gabuar. Problemet nuk humbasin. Ato kanë vetinë që tërheqin njëra-tjetrën, ashtu sikurse  sëmundjet, ose si puna e qenit: kur ikën me vrap, qeni të ndjek, madje të mblidhen edhe qentë e tjerë aty rrotull, ndërsa kur i qëndron, qeni zmbrapset. Nëse i shmangesh problemit, do të përballesh për shkak të saj me një problem tjetër akoma më të rëndë. Që ato të zhduken, duhen zgjidhur. Ato patjetër duhen zgjidhur, përndryshe bëhen pengesa të mëdha në rritjen dhe zhvillimin tonë shpirtëror. Kështu ne pajtohemi me dhimbjen duke pritur që të vijë kënaqësia e zgjidhjes.

 

Sipas psikanalistit të njohur amerikan Skott Peck, “prirja për t’iu shmangur problemeve, dhe vuajtja emocionale është baza kryesore e sëmundjeve psikike. Të gjithë ne pak a shumë e kemi këtë tendencë, dhe mbase të gjithë jemi pak a shumë mentalisht të sëmurë. Ndonjëri nga ne mund të shkojë deri në një kufi aq të çuditshëm, sa t’u shmanget krejtësisht të gjitha problemeve dhe vuajtjeve që ato shkaktojnë, duke humbur atë që është më pranë të vërtetës apo së mirës në jetën e tij”.

Për të gjetur rrugëdalje më të lehta këta njerëz gjejnë strehim në botën e ndërlikuar të fantazive dhe të ëndërrave, e cila shpeshherë s’ka asgjë të përbashkët me realitetin. Karl Jung e shpreh këtë kështu: “ky zëvendësim në fund të fundit, është ndonjëherë më i dhimbshëm sesa vetë vuajtja, së cilës ne synojmë t’i shmangemi. Kështu neuroza bëhet vetvetiu problemi kryesor”.

Kur i shmangemi vuajtjes së vërtetë që të çon në ballafaqim me problemet, ne njëkohësisht i shmangemi zhvillimit tonë mendor, i cili çon në zgjidhjen e problemit. Ne duhet të mësojmë veten që të shijojnë vlerën e vuajtjes, si domosdoshmëri për t’u ballafaquar me problemet dhe dhimbjet që ato shkaktojnë.

 

Dr. Scott Peck rrëfen një histori nga eksperienca e tij:

 

Ata të cilët shkojnë rregullisht ne kishë, ndoshta kanë pikasur një grua dyzetvjeçare, e cila çdo të diel, tamam pesë minuta para fillimit të lutjes, ulet pa rënë në sy, gjithnjë në të njëjtin vend, në rreshtin e fundit të sallës së lutjes. Në momentin kur mbaron liturgjia, ajo me shpejtësi, shkon tek dera përpara se të dalin besimtarët e tjerë si dhe prifti, i cili si rregull, qëndron pas derës kryesore dhe i përshëndet në dalje të gjithë.

Nëse do të kishit mundësi ta takonit, gjë që është jo shumë e besueshme dhe e mundur, ajo do t’ju falenderonte duke parë e nervozuar anash, dhe do t’ju thoshte se ka një takim tjetër, e i duhet të ikë. Por nëse do ta ndiqni deri tek vendi i “takimit”, do të vëreni se ajo do të shkojë drejt e në shtëpi në shtëpnë e saj të vogël, në të cilën grilat janë gjithmonë të ulura. Do të hapë derën, do të futet brenda duke e mbyllur atë menjëherë pas vetes, dhe ju nuk do ta shihni më deri të dielën tjetër.

 

Nëse vazhdojmë të ndjekim itinerarin e jetës së saj të përditshme, do të zbulojmë pa shumë mundim, se ajo punon në një zyrë të madhe si daktilografiste e vogël: pranon e heshtur çdo porosi, shtyp krejt pa gabime, dhe e dorëzon punën e kryer pa asnjë fjalë. Ha në tryezën e punës, dhe nuk ka miq. Në shtëpi shkon me këmbë, duke u ndalur vetëm tek një market i vogël për të blerë diçka si ushqim, dhe pastaj mbyll derën pas vetes për ta hapur në mëngjes kur i duhet të shkojë përsëri në punë. Ajo nuk ka telefon. Rrallë pranon letra.

E pyetur se përse jeton kështu e vetme, të përgjigjet se i pëlqen vetmia. Madje refuzon të mbajë të paktën një qen, për shkak se para tetë vjetësh ka pasur një të tillë dhe ka ngordhur. “Asnjë kafshë tjetër nuk mund të zërë vendin e tij” – thotë ajo, duke pasur frikën se mos edhe i dyti do të kishte fatin e gjorë të kafshës së parë.

 

Por, cila është kjo grua?

Ne nuk i dimë të fshehtat e zemrës së saj, por të paktën jemi të sigurtë se e tërë jeta e saj i është përkushtuar ikjes nga risku i problemeve. Pikërisht prej këtij synimi, ajo jo vetëm që nuk është ngritur, por përkundrazi, është vetëshkatërruar me qetësi, duke arritur afër pikës së mosqenies.

 

Duke analizuar këtë rast, dr. Scott Peck thekson se nëse jetoni me shumë kujdes në të vërtetë nuk po jetoni aspak, thjesht nuk po egzistoni. Nëse ne do të jetojmë, sigurisht do të hapemi ndaj një personi tjetër, dhe gjithmonë egziston rreziku që të mbetëmi të zhgënjyer, nëse do të duam njerëz apo kafshë, sigurisht do të vijë koha që ato do të vdesin, nëse mbjellim lule, një ditë ato sigurisht do të thahen dhe çmimi i të gjitha këtyre është dhimbja. Por ne kurrësesi nuk mund të tentojmë të shmangim dhimbjet, duke shmangur të jetuarit. Të gjitha gjërat si martesat, dashuritë, fëmijët, miqësitë, e bëjnë jetën e njeriut të rëndësishme dhe i japin kuptim. Nga cilido drejtim që ne të lëvizim, problemet dhe dhimbjet janë bashkëudhëtare. Madje prova e ikjes nga problemet dhe vuajtjet duke refuzuar jetën, sipas psikanalistit, “është në thelb, gjeneza e krejt sëmundjeve emotive. Ballafaqimi me problemet para se ne të na detyrojnë rrethanat, do të thotë të heqësh dorë nga një kënaqësi e çastit apo nga një diçka më pak e dhimbshme dhe të zgjidhësh një diçka që është me të vërtetë e dhimbshme”.

 

Referencat

Scott Peck; “The Road less travelled”

Stephen R. Covey; “Seven Habits of Higly Effective People”

Norman Vincent Peale; “The Power of Positive Thinking”