Vetëjustifikimi dhe Kultura e Fajësimit

Kudo ku ka një problem, zakonisht aty gjendet edhe treguesi i drejtimit të fajësimit: “faji është  i “atij”! Unë jam i pafajshëm!” Në të vërtetë, në horizont, doli një problem i ri që nuk e lë të zgjidhet problemin e parë: Fajësimi i të tjerëve dhe shmangia nga përgjegjësia. Por, në të vërtetë, ju jeni problemi!

Në fakt, shoqëria e sotme është e dhënë pas luajtjes së rolit të viktimës. Njerëzit e sotëm e kanë një problem për të zgjidhur. Po të shohësh se si i kërkojnë zgjidhjet, mënyra e tyre  është të parit përtej vetes. Nëse ata vënë re se gjërat po ecin mirë, këtë ia atribuojnë vetes, por nëse gjërat nuk po ecin, arsyet i kërkojnë jashtë vetes, tek të tjerët. Kjo nuk është gjë tjetër, veçse kultura e fajësimit. Gruaja në shtëpi është e bindur se problemi qëndron tek burri, dhe e kundërta: burri mendon se gruaja është problemi dhe ajo duhet të “riprojektohet”! Vetëm kaq dhe problemi u zgjidh! Ka edhe më: mjaft prej nxënësve janë të bindur se rezultatet e dobëta të tyre vijnë kryesisht prej mësuesve të tyre, dhe nëse ata ndërrohen, nuk do të mungojnë rezultatet për ta.

Kjo qasje ndaj problemit është edhe në një kuadër më të gjerë. Nëse vendi është kështu siç është, ëshët për shkak të të tjerëve dhe që ai të bëhet më e mirë duhet që pikërisht të ndryshojnë ata! Ata duan që bota të ndryshojë, por ata nuk duan që të ndryshojnë veten.

Pikërisht kjo është arsyeja thelbësore përse një vend që duhet të ndryshojë, nuk ndryshon!

Kultura e fajësimit dëshmon për një fazë foshnjarake të njeriut. Në foshnjëri, nevojat tona plotësohen nga të tjerët. Ne nuk mund të vendosnim për asgjë. Në fëmijëri përsëri vazhdojnë të na i plotësojnë pjesën më të madhe të nevojave. Edhe në adoleshencë ne vazhdojmë të kemi shumë nevojë për të tjerët. Si rezultat, krijojmë një besim të gabuar të drejtash dhe mundësish. Ky besim mund të kthehet në pengesën e madhe drejt lumturisë. Ne vazhdojmë të presim nga të tjerët. Presim të na bëjnë të lumtur dhe të realizuar. Presim që të tregojnë dashuri dhe vlerësim me fjalë edhe vepra. Në çdo marrëdhënie me të tjerët, në mënyrë të pavetëdijshme, krijojmë një listë kërkesash që presim të na plotësohen. Presim nga të tjerët që të veprojnë pozitivisht dhe të tregojnë kujdes ndaj sjelljeve negative. Sa herë që dikush nuk na i plotëson këto dëshira, ose më keq, bën diçka në kundërshtim me to, ne pësojmë zhgënjim dhe lëndohemi. Pa kuptuar kemi krijuar besimin se gjendemi në duart e të tjerëve dhe ata janë përgjegjës për jetët tona!

Kjo mënyrë e të parit të gjërave i bën njerëzit që të kenë një problem për të zgjidhur dhe problemi i dytë më i rëndë është se nëse ata nuk arrijnë të kuptojnë se kanë një problem – ky pikërisht përbën edhe problemin më të madh.

Duke menduar në këtë mënyrë, ne e fuqizojmë atë që është jashtë nesh për të na kontrolluar. Mendojmë se problemet në jetën tonë shkaktohen nga njerëzit e tjerë dhe rrethanat e jashtme.  Ndihemi të pafuqishëm dhe të parëndësishëm si për çështje personale ashtu edhe për çështjet shoqërore dhe për ngjarjet botërore, duke menduar se mirëqenia jonë, thjesht është në mëshirën e veprimeve të të tjerëve. Në çdo kohë ne mendojmë se problemi është jashtë nesh.

Në këtë mënyrë, ne kemi rënë viktimë e qasjes tonë të gabuar. Të konsiderosh veten si një viktimë, në të vërtetë, është e rrezikshme sepse një identifikim i tillë është një kërcënim për vetëpërmirësimin tonë. Fajësimi i të tjerëve na lidh me ta dhe nuk na bën të lirë.

Për këtë arsye, ne ndihmi të rrethuar. Ky lloj sistemi besimi na ushqen ndjesinë se ne nuk e kemi në dorë kontrollin, jemi të pafuqishëm për të bërë një ndryshim në cilindo nivel të rëndësishëm. Pra, paradigma e jonë është: “fajtorë janë të tjerët, rrethanat shoqërore nuk janë në kontrollin tim, prandaj zgjidhja e këtij problemi është punë e atyre njerëzve apo e shoqërisë. E ky nuk është problemi im personal”. Në këtë mënyrë, ne i konsiderojmë të tjerët përgjegjës për gjendjen tonë dhe sjelljet tona!

E kjo, për fat të keq, është qasje krejtësisht e gabuar. Kur i dorëzohemi faktit se jemi viktima të rrethanave ne humbim shpresën, humbim besimin dhe energjinë. Si pasojë, nuk zotërojmë fuqi dhe shkojmë drejt amullisë.

Të qenit viktimë është mashtrim, është vetë-manipulim. Në këtë mënyrë braktisim nevojën për vetëndryshim. Kur mendimi ynë është i përqëndruar në fajësimin e të tjerëve, atëherë ne jemi të dobët. Fajësimi të bën të ndjehesh i pafuqishëm ndaj jetës tënde, sepse lumturia jote është e parashikuar nga veprimet dhe sjelljet e të tjerëve, të cilat nuk mund t’i kontrollosh.Duke thënë se nuk jam përgjegjës, unë e bëj veten një viktimë të pafuqishme; unë bllokohem në një situatë negative. Gjithashtu zvogëloj aftësinë time për të ndikuar tek ajo. Aftësia ime për të ndikuar pozitivisht në këtë situatë fishket dhe vdes.

Në të vërtetë, personat që nuk marrin përgjegjësi janë gjithmonë persona negativë. Ata rendin në çdo kohë në kërkim të fajit. Ata çdo ballafaqim e kthejnë në gjyq. Këta janë persona refuzues, të cilët nuk vlejnë shumë dhe nuk japin ndonjë kontribut të madh. Ata thjesht, janë dështakë.

Të fajësosh të tjerët për problemet e tua, është si të fajësosh mikrobet për sëmundjen që të kanë shkaktuar. Fajësimi i të tjerëve dëshmon se ne nuk jemi tërësisht përgjegjës për veprimet, problemet dhe lumturinë tonë. Në fakt, është shumë e thjeshtë të fajësoni të tjerët, por ky lloj mendimi do t’ju bëjë të varur totalisht sepse po i vendosni limite lirisë suaj. Të fajësosh të tjerët të bën që për një periudhë kohe të ndihesh në rehati. Fajësimi i dikujt dhe çdo gjëje tjetër tjetër mund të jetë një model dhe mund të sigurojë lehtësimin e përkohshëm nga dhimbja, por gjithashtu të gozhdon tek problemet e vërteta. Fajësimi i të tjerëve të fut në një rrugë qorre, sepse po ndjeheni se po lëvizni drejt zgjidhjes, por në fakt, problemi është aty.

Këta individë që fajësojnë të tjerët kurrsesi nuk mund të jenë të lumtur. Ata shokohen dhe inatosen kur ju thuhet se janë arkitektët kryesorë të çdo gjëje që ju ndodh. Ata zotërojnë ndjenja të urrejtjes, përçmimit mërisë dhe zemërimit. Gjithmonë fajësimi i të tjerëve prodhon emocione negative. Përkundrazi, për të gëzuar një lumturi të qëndrueshme është e nevojshme të kesh në duar përherë fatet e tua.

Qasja e duhur është drejtimi nga brenda-jashtë. Drejtimi nga brenda-jashtë është marrja e përgjegjësive. Ky drejtim do të thotë ta shohësh vetveten si pjesë të problemit dhe si pjesë të zgjidhjes, do të thotë të njohësh dhe marrësh përgjegjësi dhe të fillosh nga korrigjimi i vetes tënde duke  përfunduar tek të tjerët. Njerëzit me drejtimin nga brenda-jashtë i shohin pengesat dhe problemet si të kontrollueshme.

Njerëzit me paradigmën nga brenda-jashtë janë njerëz pozitivë. Marrja e përgjegjësive këta njerëz i bën proaktivë, të arsyeshëm, vetëveprues dhe të qetë. Ata nuk fajësojnë të tjerët, pasi nuk mund të marrësh përgjegjësi, dhe njëherazi të fajësosh të tjerët. Ata nuk presin që dikush të vijë e t’i shpëtojë. Ata ndihen përgjegjës për fatet dhe lumturinë e tyre. Dhe nuk ka se si të ndodhë ndryshe. Jeta është jashtëzakonisht më zbavitëse dhe shumë më e lehtë për t’u menaxhuar, kur ne nuk fajësojmë të tjerët.

Norman Vinsent Peale thotë se para ca kohësh për konsultime më erdhi një grua, sepse siç tha, “më nuk mund të jetojë”.

  • Jam e rrethuar me të marrë, të cilët përherë bëjnë rrëmujë, – u ankua ajo, – më duhet të kem qetësi se përndryshe do të çmendem!

Tha se shtëpia e saj është çmendi, dhe përherë në rrëmujë. “Të gjithë në shtëpi janë nervozë dhe familja ishte mjaft e zhurmshme dhe e tensionuar”. Kjo është e tmerrshme, – shkumonte, – Jam aq e tensionuar saqë nuk mundem të fle. Nuk mund ta duroj më këtë situatë! E luta me insistim që të herës tjetër të vinte me bashkëshortin e saj duke menduar se mbase ai është shkaku i kësaj tollovie.

Herës tjetër ajo trokiti së bashku me burrin e saj. Ishte një burrë I shkurtër, dhe në kundërshtim me supozimet e mia, ai dukej qartë se ishte një burrë i butë dhe i qetë. Rrinte i ulur pa thënë asnjë fjalë. Vetëm ajo fliste. Burri shikonte me kujdes atë se çfarë nxirrte nga goja, dhe vetëm kur e pyesja përgjigjej me njëfarë ndrojtje dhe frike. Ishte e qartë se ai kishte një personalitet të thyer.

Pasi studiova me kujdes këtë rast, vendosa t’i bindja anëtarët e familjes që të largoheshin përkohësisht nga shtëpia një e nga një, duke shpresuar se sikur të vendosej qetësia dhe rregulli në mungesën e ndonjërit prej tyre, procedura e eleminimit e përdorur në këtë rast do të evidentonte qartë shkaqet e problemit.

E pranuan këshillën. Së pari, nga shtëpia u larguan fëmijët një e nga një. Familja sërish mbeti e pandryshuar. Tensioni ishte po ai. Pasi fëmijët u kthyen në shtëpi, i erdhi rradha burrit të largohej. Po analizoja me vëmendje maksimale situatën. Asnjë përmirësim. Shtëpia përherë gumëzhinte nga poterja dhe tensioni dallohej qartë tek pjesëtarët e saj.

Më në fund, e luta gruan të shkonte për pushime për ca kohë.

  • Kjo nuk mund të bëhet, – kundërshtoi ajo, – nuk zgjidh asgjë. Nëse shkoj unë, kush do të kujdeset për shtëpinë?
  • Mos u shqetësoni për këtë, – i thashë, – sa kohë keni që jeni e martuar?

Gruaja kishte shumë kohë që ishte martuar. Fëmijët ishin rritur. Këtu gjeta një arsye për ta bindur:

– çdo grua e cila ka kaq kohë e martuar duhet ta bëjë një pushim. Shkoni diku për dy javë!

U bind. U nis për pushime. Pas disa ditësh i bëra një vizitë familjes.

  • Si po kaloni? – e pyeta burrin.
  • Bukur, – pëshpëriti ai duke shikuar përreth, dhe vijoi me mirëbesim – çdo gjë shkon për mrekulli!

Pas dy javëve, gruaja u kthye dhe erdhi me burrin për bisedë. I thashë se kur larguam fëmijët, nuk ndodhi asgjë. Po kështu kur u largua burri, gjendja nuk ndryshoi. Ndërsa, kur u larguat ju, çdo gjë u qetësua.

Gruaja u indinjua dhe menjëherë u mbrojt.

  • Kështu thonë ata, – tha ajo. Pasi u mendua një grimë mu drejtua: – po ju si mendoni?

Kësaj rradhe nuk më la burri i vet të flisja: – Po Mary, ti je shkaktarja! Dukej i vendosur dhe energjik.

Në këtë moment, ajo nuk i mbajti dot nervat. U kthye nga ai dhe i bërtiti: – Ti mos u përzie në këtë punë!

Pas shpërthimit të parë, gradualisht gruaja filloi të qetësohej dhe të reflektonte. Megjithë trazimet që I shkaktonte familjes dukej që ishte e sinqertë dhe dëshironte të ndryshonte. Fillova t’I shpjegoja mekanizmin edhe nxitjet e kësaj sjelljeje, dhe po më kuptonte mrekullisht. Ishte grua posesive për shkak të fëmijërisë së saj, dhe pa vetëdije e kompesonte në mënyrë të tepruar dominimin e vuajtur në fëmijëri.

Tani ishte rradha e saj të lutej. Më kërkoi këshilla për të përmirësuar të metat e personalitetit të saj. Pasi hartova një plan të hollësishëm, ajo i zbatoi me durim dhe këmbëngulje, duke mundësuar që situata në familje të përmirësohej dukshëm.

Referencat
Stephen R. Covey; “Seven Habits of Higly Effective People”
Norman Vincent Peale; “The Power of Positive Thinking”
Scott Peck; “The Road less travelled”