Antibiotikët – Kur “sëmuret” edhe Ilaçi!

Sipas OBSH-së, rritja rezistencës ndaj antibiotikëve është një nga tre kërcënimet më të mëdha për shëndetin e njeriut

Ndërtimi dhe Funksionet e Antibiotikëve
Rregullat për përdorimin e Antibiotikëve
Përdorimi i Antibiotikëve tek Fëmijët

Antibiotikët, barriera më e madhe e ngritur kundër infeksioneve, tashmë rrezikon të shembet! Gjithmonë e më tepër, antibiotikët nuk po e bëjnë efektin si më parë. Janë rreth 25 mijë persona çdo vit në Europë të cilët vdesin për shkak të infeksioneve rezistente ndaj antibiotikut. Shumë më tepër është rasti i vdekjeve në vendet e botës së tretë. Është kjo situatë, e cila sa vjen dhe rëndohet më tepër. Duke vlerësuar situatën, shumë ekspertë të mjekësisë janë të mendimit se pas disa viteve njeriu mund të gjendet i pambrojtur përballë infeksioneve bakteriale dhe kjo do të thotë se mjafton një infeksion banal që të shkaktojë vdekjen. OBSH-ja ka nisur  t’i bjerë sinjalit të alarmit: nëse kjo situatë nuk përmirësohet, shumë shpejt mjekësia nuk do jetë më në gjendje të kryejë trajtime kirurgjikale, transplante të organeve, kimioterapi, kujdes neonatal për foshnjat, etj.
Kryemjekja e OBSH-së Margaret Chan thotë : “Bota po hyn në një krizë  antibiotike, ku operacionet rutinë mund të rezultojnë të pamundura. Për më tepër, thjesht një gërvishtje gjuri mund të jetë fatale!”
Por çfarë ka ndodhur?
Shihet se antibiotiku ka rënë “viktimë” e popullaritetit të vet. Duke e njohur në masë efektet e shkëlqyera vrasëse ndaj baktereve, njerëzit gjithmonë e më shumë po i përdorin antibiotikët pa kriter, saqë ky është kthyer në një problem universal për mjekësinë. Tashmë nuk është dukuri e rrallë që për një shqetësim siç mund të jetë një otit, rrufë, kollë, ftohje, anginë apo infeksione të ndryshme, njerëzit shkojnë drejt farmacive për të marrë antibiotikë. Pra, në këto raste, shmanget mjeku. Kjo ka bërë që gradualisht bakteret të zhvillojnë rezistencën ndaj antibiotikëve si pasojë e ndryshimeve gjenetike që ndodhin tek to. Natyrisht, ky proçes është i pashmangshëm, por vetë përdorimi i tepruar i antibiotikëve e shpejton së tepërmi këtë. Kjo vihet re tek rezistenca që kanë fituar disa baktere ndaj disa antibiotikëve, psh. Stafilokoku i artë është rezistent ndaj Methicilinës, Eshirikia Koli është rezistent ndaj disa antibiotikëve. Gjithësesi, ky është një rast jo i pashpresë, pasi antibiotikë të tjerë i luftojnë ato, por ka raste tek disa lloj infeksionesh që rezultojnë të pakurueshme siç mund të jenë disa pnemumoni, septicemia, etj. Gjithashtu disa forma turbekulozi në Europë janë të pakurueshme. Ato mund të të  rrezikojnë jetën nëpërmjet disa komplikacioneve thjesht banale, siç mund të jenë disa abcese, forunkula, cistite, gastro-enterite, etj.
Përveç kësaj, kjo mund të krijojë një terren ku mjaft sëmundje të cilat janë zhdukur, mund të shfaqen përsëri.
Megjithëse po zhvillohen kërkime për metoda alternative për të luftuar bakteret, siç mund të jenë ato në fushën e fitoterapisë, është e domosdoshme që “të shpëtohen” antibiotikët. Ato duhet të përdoren vetëm sipas kritereve shkencore dhe vetëm me autorizimin e mjekut. Që njerëzit të ndërgjegjësohen për rrezikun e rezistencës mikrobiale ndaj antibiotikëve, ata duhet të kuptojnë diçka se çfarë janë antibiotikët dhe si funksionojnë ato.

Ndërtimi dhe Funksionet e Antibiotikëve

Antibiotikët janë produkte të sintetizuara të metabolizmit të bakterieve, kërpudhave, mykut dhe bimëve të tjera. Ato kanë funksionet e ngadalësimit të zhvillimit të bakteries  nëpërmjet bllokimit të aktivitetit riprodhues së tyre, apo ngordhjes së baktereve nëpërmjet shkatërrimit të membranës mbështjellëse të qelizës. Në rast të ndërprerjes së përshpejtimit të tyre, funksionin e eleminimit të bakteres e merr sistemi imunitar i trupit, i cili arrin të triumfojë mbi to.
Por jo çdo antibiotik është përgjegjës për të gjitha llojet e baktereve. Disa kanë një spektër të gjerë veprimi, kurse disa kanë një veprim specifik. Kjo lind nevojën që antibiotikët të përdoren gjithmonë pasi është bërë antibiograma.
Një keqkuptim themelor është “pushteti” që njerëzit u japin antibiotikëve mbi çdo shkaktar të infeksioneve. Antibiotikët janë përgjegjëse për luftimin e infeksioneve të shkaktuara nga bakteriet dhe jo nga viruset. Ftohja, gripi, kolla, infeksionet e traktit tretës apo infeksionet e tjera virale janë të shkaktuara nga viruset dhe përdorimi i antibiotikëve në këtë rast është i dëmshëm. Njëkohësisht marrja e antibiotikëve rrit rezistencën e baktereve që gjenden në organizëm ndaj tyre.
Antibiotikët gjithashtu kanë edhe efekte anësore. Nuk mund të përdoret një antibiotik vetëm se i ka bërë mirë një tjetri. Ato mund të ngordhin edhe bakterie që kanë funksione të rëndësishme në organizmin e njeriut, duke bërë që njerëzit padashur të kenë shfaqje të tilla, si diarre, të vjella,  myk, etj. Përdorimi i antibiotikëve si dhe mbidozimi i tyre, gjithashtu, mund të jenë shkaktarë për disa lloje alergjish. Ato mund të provokojnë dermatite, urtikarie si dhe puçrra të kuqe në fytyrë të ngjashme me Fruthin, ose pacienti mund të pësojë edhe shok alergjik disa orë pas përdorimit. Rastet me shok alergjik duhet të trajtohen menjëherë me urgjencë nga shërbimi spitalor. Për këtë ato duhet të shoqërohen gjithmonë me fermente laktikë, si Yovita, Prolife, Enterogemina, si dhe të merren sa më shumë vitamina nëpërmjet dietave të pasura me fruta dhe perime.
Përdorimi i antibiotikëve duhet të jetë i kujdesshëm sidomos në gratë shtatzëna. Ato kanë ndikim në fetus, duke bërë që fëmija në barkun e nënës të zhvillojë patologji dhe çrregullime.
Gjithashtu, para marrjes së tyre, duhet të kihet parasysh se antibiotikët ndërvepojnë me barna të tjera. Nëse merrni barna të tjera, duhet të lajmërohet mjeku në lidhje me to.

Rregullat për përdorimin e Antibiotikëve

Në të gjithë botën janë vendosur rregulla të forta për përdorimin e antibiotikët të quajtura “rregullat e arta”. Janë tri “rregulla të arta” që disiplinojnë përdorimin e antibiotikëve:
1. Antibiotikët duhet të përdoren vetëm për infeksionet bakteriale dhe me recetë nga mjeku.
2. Në recetë shënohet dozimi, i cili është i detyrueshëm, pasi terapia bëhet e padobishme.
3. Terapia antibiotike duhet të vazhdojë deri në përfundim të kurës. Ky është edhe problemi më i madh krahas përdorimit pa kriter të antibiotikëve. Njerëzit e kanë bërë zakon që kur simptomat e sëmundjes largohen, ata ndërpresin edhe kurën. Kjo bën që bakteriet pasi janë dobësuar, të rimarrin veten dhe të sulmojnë sërisht duke e kthyer sëmundjen, ndoshta edhe më agresive se më parë. Në këtë rast bakteriet kanë zhvilluar edhe një rezistencë ndaj antibiotikut. çka I bën ato edhe më të rrezikshme.

Përdorimi i Antibiotikëve tek Fëmijët

Nga sondazhet e kryera të kryera nga Agjensia Italiane e Barnave (AIFA) si dhe shumë të dhëna nga vendet e tjera europiane, antibiotikën në mbi 50% të rasteve përdoren nga fëmijët. Duke pasur parasysh se organizmi i fëmijëve është shumë delikat dhe ende i paformuar tërësisht, dhënia e antibiotikëve nga mjeku duhet të bëhen pas një egzaminimi mjaft të kujdesshëm të tij. Mjaft simptoma dhe patologji të fëmijëve si skuqje e grykëve, temperaturë, angina, etj. kanë origjinë virusale dhe përdorimi i antibiotikëve në këtë rast nuk është i efektshëm.
Tek fëmijët, egzaminimi nëpërmjet antibiogramës është mjaft i rëndësishëm. Nëse fëmija ka skuqje të grykëve, duhet të bëhet kultura e grykës, nëse ka djegie të urinës duhet të bëhet kultura e urinës dhe kështu me rradhë. Kjo shmang pasojat negative të marrjes së antibiotikëve jo të efektshëm për atë bakter që ka fëmija, pasi antibiotikët e ndryshëm kanë efekte terapeutike vetëm në grupe të caktuara bakteriesh. Në të kundërt, prindërit e fëmijës do të kultivojnë padashur rezistencën e bakterieve në organizmin e fëmijës, duke e kthyer gradualisht atë antibiotik në të paefektshëm.  Prindërit e dhe mjekët e fëmijëve duhet të zbatojnë rigorozisht tri “rregullat e arta” të përdorimit të antibiotikëve”.

Në vëmendje:

Ky informacion nuk ka për qëllim të anashkalojë apo zëvendësojë vizitat mjekësore dhe këshillat e mjekut, përkundrazi. Informacioni synon të ndërgjegjësojë njerëzit për sëmundjet dhe nevojën për edukim shëndetësor.

Referencat
Polikron Çela; “Mjeku i fëmijëve ju përgjigjet”
US National Library of Medicine; web: www.nlm.nih.gov
National Institutes of Health; web: www.nih.gov