Kapsllëku (Konstipacioni)

Njohuri të Përgjithshme
Kapsllëku nga Faktorë të Jashtëm
Kapsllëku nga Faktorë Anatomo – Fiziologjikë
Kapsllëku nga Faktorë Patogjenë
Komplikacionet
Diagnostika
Trajtimi Klinik
Këshilla Mjekësore
Kapsllëku tek Fëmijët

Kapsllëku (konstipacioni) është një çrregullim digjestiv, që konsiston në dalje jashtë të rralla, të forta dhe me vështirësi që nuk mund të vlerësohen normale. Zakonisht, defekimet që zgjasin më shumë se tri ditë nuk janë normale, duke degjeneruar në një proces të vështirë dhe të dhimbshëm. Këto shpesh shoqërohen me tendosje, fryrje dhe krijojnë ndjesinë e një zorre të mbushur e të pazbrazur plotësisht.

Njohuri të Përgjithshme

Në pikëpamje anatomo-fiziologjike, pasi ushqimet kalojnë në zorrën e trashë, kjo e fundit thith ujin dhe lëndët e tjera ushqimore. Si rezultat i peristaltikës së pamjaftueshme të zorrëve, lëvizja e këtij materiali që gradualisht kthehet në mbetje ushqimore, drejt rektumit është e ngadalshme. Për pasojë, proçesi i thithjes së lëngjeve nga zorra ka vazhduar më gjatë në kohë, duke bërë që mbetjet ushqimore të kthehen në të thata dhe të forta dhe si rrjedhim, të vështira për t’u jashtëqitur. Ky çrregullim shkakton edhe kapsllëkun.

Kapsllëku është një simptomë dhe jo një sëmundje. Ai është quajtur ndryshe edhe si “sëmundja e qytetërimit”. Për shkak të faktorëve të shumtë dhe që kanë lidhje me kulturën shëndetësore, kujdesin personal, mënyrat e të ushqyerit, por edhe me patologjitë e kohës së sotme, kapsllëku është mjaft i përhapur në kohë dhe i shtrirë në të dyja gjinitë dhe në çdo grupmoshë.

Kapsllëku “i rremë”. Ka njerëz që kanë besimin e rremë se vuajnë nga kapsllëku por, në të vërtetë, nuk vuajnë. Nuk është kaps ai që defekon një herë në tri ditë dhe po qe se kjo i ndodh spontanisht; nuk duhet të bëhet merak dhe ta ndiejë veten nën shtypjen e streseve për këtë arsye. Kapsllëk konsiderohet vetëm në ato raste kur feçet ndryshojnë konsistencën, duke u bërë më të forta dhe procesi i jashtëqitjes shoqërohet me vështirësi dhe dhimbje. Nuk ka rëndësi nëse defekimi bëhet çdo ditë apo çdo 2-3 ditë për aq kohësa feçet ruajnë konsistencën e zakonshme. Jashtëqitja është një proçes fiziologjik me karakteristika individuale dhe frekuenca e jashtëqitjes nuk shërben si argument për çrregullime apo patologji. Çdo individ duhet të përcaktojë vetë se çfarë është normale për të dhe çfarë jo.

Përveç kësaj, egziston edhe një kategori personash që kanë  anomali kongjenitale – zorrën më të gjatë (doliko-kolon) dhe më të gjerë se zakonisht (mega-kolon); shpesh të dyja këto anomali gjenden së bashku. Këto anomali kushtëzojnë jashtëqitje me frekuencë më të rrallë, por që nuk mund të konsiderohet si kapsllëk.

Për rastet e mësipërme, një dalje jashtë çdo 2-3 ditë për ta është normale dhe nuk e dëmton organizmin.  Kujdes!  është antifiziologjike dhe joshëndetësore që ta detyrosh veten të defekojë përditë jashtë bioritmit të diktuar nga vetë organizmi.

Kapsllëku nga Faktorë të Jashtëm

Egziston një kapsllëk me origjinë të përgjithshme që vjen nga faktorë të jashtëm që kanë të bëjnë me sjellje dhe zakone të caktuara jo të shëndetshme, dieta ushqimore, çrregullime emocionale, etj. Në këtë rast, zorra si dhe i gjithë organizmi është klinikisht  i shëndoshë, por që nuk funksionon në mënyrën e duhur për shkak të faktorëve të jashtëm që ndikojnë në organizëm. Ky lloj kapsllëku është i zakonshëm dhe kërkon një trajtim simptomatik, d.m.th. trajtim të lidhur drejtpërdrejtë me simptomën për shkak se nuk ka lidhje me asnjë sëmundje patologjike. Në varësi të faktorëve që e shkaktojnë, kapsllëku nga faktorët e jashtëm ndahet në disa kategori.

Kapsllëku nga Dietat Ushqimore. Modifikime të dietës “moderne” me reduktim të madh të të ashtuquajturave “gjëra të tepërta”, janë shkaqe të konstipacionit. Fibrat, për shkak të mostretjes së tyre nga organizmi janë konsideruar për shumë kohë të padobishme, por vetëm kohët e fundit ato janë vlerësuar mjaft si elementë të pazëvendësueshëm në  procesin e tretjes dhe në veçanti të jashtëqitjes. Nga studimet e shumta të kryera për këtë qëllim, është vënë re një lidhje e ngushtë e dietave të varfra me fibra dhe kapsllëkut. Fibrat pavarësisht se nuk përmbajnë lëndë ushqyese, ato kanë funksione të tjera mjaft të rëndësishme për procesin e tretjes. Për arsye se nuk treten dhe përthithen nëpërmjet zorrëve, ato pengojnë një proçes të plotë të tharjes së jashtëqitjes, si dhe krijojnë një masë të gatshme për të dalë jashtë duke vënë në “punë” zorrët, dhe duke e “detyruar” gjithë sistemin e tretjes të angazhohet në procesin e jashtëqitjes.

Incidenca e kapsllëkut është më e vogël tek njerëzit të cilët ushqehen me një dietë të pasur me fibra ushqimore. Mielli i parafinuar, perimet dhe frutat janë to të cilat përmbajnë më shumë fibra ushqimore, kurse  mishi, peshku, nënproduktet e qumështit, veza janë disa nga ushqimet e varfëra në fibra.

Dietat e varfra në fibra janë kryesisht të preferueshme nga mosha e tretë për shkak të vështirësisë për të përtypur dhe gëlltitur këto ushqime. Por, këto “lehtësira” kanë çmim të lartë dhe paguhen shtrenjtë nga këto mosha, sepse në këtë mënyrë ata favorizojnë kapsllëkun, i cili gjithsesi i kërcënon ata edhe nëpërmjet faktorëve të tjerë të riskut, të pranishme në këtë moshë.

Një nga faktorët që favorizojnë kapsllëkun janë dietat ushqimore të varfra me lëngje.Është vërtetuar se pirja e ujit dhe e lëngjeve të frutave në sasi të mjaftueshme përbën një faktor pengues ndaj kapsllëkut. Prania e lëngjeve në zorrë lehtëson punën e tyre për shkak se i bën feçet më të buta dhe të përpunueshme nga ato. Por kujdes! Jo të gjitha lëngjet ndihmojnë proçesin e jashtëqitjes. Pijet që përmbajnë kafeinë (si kafe, coca-cola, pepsi, çaj, etj.) tek personat me kapsllëk mund të shkaktojnë dehidrim duke e rënduar më tej situatën. Gjithashtu, dehidrim shkakton edhe alkooli, duke bërë që  tek personat që vuajnë nga kapsllëku alkooli të jetë një faktor i lartë risku.

Kapsllëku nga Barnat. Shumë barna mund të shkaktojnë kapsllëk. Këto përfshijnë analgjezikët, sidomos narkogjenët, antidepresantët, antiacidet që përmbajnë alumin ose kalcium, antihistaminikët, antispazmodikët, preparatet e hekurit tek anemitë, antikonvulsantët tek epileptikët, bllokatorët e kanaleve të kalciumit tek kardiopatët, diuretikët dhe barnat kundër sëmundjes së Parkinsonit mund të shkaktojnë kapsllëk tek disa njerëz.

Kapsllëku nga jeta Sedentare. Jeta sedentare me mungesë të aktivitetit fizik është një faktor risku për kapsllëkun. Mungesa e lëvizjeve shkakton një “përtaci” të përgjithshme të organizmit dhe të zorrëve gjithashtu. Peristaltika e zorrëve  nuk është e mjaftueshmë për një proces normal defekimi, duke shkaktuar në këtë mënyrë kapsllëkun. Incidenca e këtij lloj kapsllëku është kryesisht tek personat obezë dhe me mungesë të aktivitetit fizik. Obezët kanë vështirësi funksionale.

Kapsllëku nga Çrregullimet Emocionale. Çrregullimet emocionale të çdo lloji mund të shkaktojnë gjendje kapsllëku. Emocione të tilla si: stresi, frika, ankthi, zhgënjimi, inati, etj., si dhe situata të veçanta që stimulojnë emocione të fuqishme janë shkak për shfaqjen e kapsllëkut. Në të gjitha këto raste, trajtimi është psikoterapik kur këto emocione kanë krijuar një çrregullim të qëndrueshëm, dhe vetëm me laksativë kur kjo është një situatë kalimtare.

Kapsllëku nga Zakonet jo të Shëndetshme. Është krijuar një kulturë e përgjithshme e njeriut të sotëm për të kontrolluar ndjenjën për jashtëqitje. Për shkak të impenjimeve dhe axhendave të ngjeshura si dhe vështirësia për të përdorur tualetet jashtë shtëpisë, njerëzit këtë nevojë e injorojnë dhe e shtyjnë më tutje në një rast oportun. Nëse kjo përsëritet shumë shpesh, njerëzit kanë krijuar kushte të përshtatshme për kapsllëk.

Kapsllëku nga ndryshimet në Stilin e Jetesës. Ndryshimet e mënjëhershmenë stilin e jetesës mund të bëhen shkak për kapsllëk.Udhëtimet e gjata që pasohen me një sërë ndryshimesh në stilin e jetesës, si ushqimi, përdorimi i sasisë së ujit të pijshëm, aktiviteti fizik, etj.mund të çojnë në kapsllëk.

Kapsllëku nga faktorëAnatomo-Fiziologjikë

Në rastin e kapsllëkut me origjinë anatomo-fiziologjike, zorra si dhe i gjithë organizmi mund të jenë klinikisht të  shëndosha, por që nuk funksionon në mënyrën e duhur për shkak të ndonjësindromi apo dobësisë së përgjithshme të organizmit me origjinë geriatrike.Nga ky lloj kapsllëku preken veçanërisht fëmijët dhe moshat e treta.

Kapsllëku nga Sindromat. Sindromi i zorrës së irrituar, i cili shfaqet shpesh mbi moshën 35-40 vjeçare kryesisht tek gratë dhe me një incidencë rreth 50% është një nga çrregullimet kryesore që mbart si simptomë kapsllëkun. Dobësia e muskujve të zorrës së trashë mund të ngadalësojë peristaltikën e zorrëve dhe kohëzgjatja e feçeve në zorrë rritet duke krijuar mundësi për kapsllëk. Gjithashtu, edhe sindromat nga mosfunksionimi i muskujve të pjesës së poshtme të pelvisit dhe inercia kolonike janë shkaktare të kapsllëkut.

Kapsllëku Geriatrik. Sipas studimeve, mosha e tretë vuan nga kapsllëku rreth pesë herë më shumë se personat në moshë të re. Ngadalësimi i proçeseve fiziologjike bën që tek kjo moshë aktiviteti muskular të jetë më i dobët. Më e rënduar paraqitet gjendja tek të moshuarit, të cilët qëndrojnë në gjendje palëvizshmërie për periudha të gjatë (psh. invalidët, të sëmurët në shtrat, etj.).

Kapsllëku nga faktorë Patogjenë

Kapsllëku me origjinë patogjene konsiderohet ai kapsllëk, i cili është simptomë e një sëmundje tjetër. Janë mjaft sëmundje, ndonjëherë edhe mjaft serioze si kanceri, të cilat kanë si simptomë këtë çrregullim, por në raste të tilla duhen vlerësuar edhe simptomat e tjera bashkëshoqëruese. Është e rrallë që patologjitë që mund të kenë si simptomë kapsllëkun të shfaqin vetëm këtë shenjë.

Kapsllëku mund të jetë simptomë e diabetit, artritit, anemisë, keqformimeve të organeve, dëmtimeve neuromuskulare të organeve të veçanta, sklerodermës, lupusit si dhe tumoreve.Të gjitha këto sëmundje dhe çrregullime kanë të përbashkët se ngadalësojnë lëvizjen e feçeve në zorrë, duke vështirësuar jashtëqitjen.

Ky lloj kapsllëku “patologjik” kërkon trajtim në kuadër të sëmundjes. Sipas patologjisë që ato përfaqësojnë kapsllëku klasifikohet në disa grupe.

Kapsllëku me origjinë Gastro-Intesinale. Aparati tretës është një i tërë dhe disfunksioni i një segmenti të tij reflektohet menjëherë në funksionin e zorrës së trashë. Dispepsia nga tretja e keqe gastrike, insufiçensa hepato-pankreatike kushtëzojnë një formë kapsllëku herë spastike, herë hipotonike. Për shkak të lëvizjeve të çrregullta dhe të pakordinuara të zorrëve që shprehen në ato forma që gabimisht quhen kolite, por që në të vërtetë janë irritime të zorrës së trashë. Në këto raste, kura nuk bëhet për zorrët, por për atë shqetësim primar prej të cilit vjen çrregullimi i zorrës së trashë.

Shumë forma të kapsllëkut janë rebele ndaj kurave sepse janë të ndërvarura nga sëmundjet e tjera të zorrëve dhe aparatit tretës. Kolitet, hemorroidet, tumoret, polipet janë përgjegjëse për një kapsllëk, që tashmë nuk është i thjeshtë, por rrjedhojë e një sëmundje tjetër.

Patologjitë e anusit, fisurat dhe hemoroidet nxisin spazmatsfinkterit anal dhe si pasojë ngadalësojnë zbrazjen e zorrës. Gjithashtu, dëmtimet e indeve të zorrëve, divertikulozat, sëmundja e Hirschsprungut, ngushtimet kolorektale krijojnë ngushtim të zorrëve dhe rektumit duke shkaktuar kapsllëk.

Ashtu si në rastet e tjera, kur simptoma bashkëshoqërohet me një sëmundje bazike, kapsllëku kurohet dhe shërohet kur sëmundja që e shkakton atë i nënshtrohet terapive intesive. Trajtimi i kapsllëkut në këto raste është thjesht simptomatik.

Kapsllëku me origjinë Endokrine. Funksionimi i keq i disa gjëndrave endokrine është shkak për kapsllëkun.Hipotiroidizimi mund të jetë përgjegjës për çrregullimet intestinale që konsistojnë në “përtacinë” e tyre për t’u zbrazur, ashtu siç shkakton “përtaci” në të gjithë organizmin dhe që shfaqet në forma të ndryshme; insufiçenca surenale (sëmundja Addison), dhe diabeti mund të jenë përgjegjëse për lëshimin e zorrëve siç janë për çrregullimin e të gjithë organizmit; insufiçenca ovarike e grave në menopauzë është jo rrallë një shkak i formave të kapsllëkut që verifikohen pikërisht në këtë fazë të jetës së gruas (që gabimisht i atribuohen qëndrimit pa lëvizur dhe shtimit në peshë) si dhe sëmundje të ndryshme endokrine që shoqërohen me humbje lëngjesh.

Ndryshimet hormonale gjatë shtatzënisë, shpesh çojnë në kapsllëk. Gjatë shtatzënisë gratë mund të kenë kapsllek për shkak të ndryshimeve hormonale ose për shkak të shtypjes që bën uterusi mbi zorrët.

Kapsllëku me origjinë Nervore. Mjaft sëmundje dhe çrregullime nervore mund të japin kapsllëk të tilla si: dëmtimet nervore të shtyllës kurrizore, skleroza e shumëfishtë, sëmundja e Parkinsonit, si dhe hemoragjia cerebrale.Kjo për shkak se nervat komandojnë zorrën e trashë dhe çdo çrregullim i tyre mund të manifestohet në çrregulimet funksionale të zorrës së trashë.

Kapsllëku me origjinë Tumorale. Tumoret të cilat shkaktojnë kapsllëk janë tumoret e shtyllës kurrizore dhe kanceri i zorrës së trashë.Në ndryshim nga tumoret e shtyllës kurrizore, kanceri i zorrës së trashë shkakton ngushtim dhe mbyllje mekanike të zorrëve duke krijuar kapsllëk.

Kapsllëku me origjinë Metabolike. Amiloidoza, hiperkalcemia, uremia në gjak janë sëmundje dhe çrregullime që mund të provokojnë kapsllëkun.

Komplikacionet

Kapsllëku kronik është njëçrregullim që shkakton komplikacione të natyrës obstruktive, d.m.th.dëmtime fizike të zorrës së trashë dhe rektumit për shkak të fortësisë së feçeve dhe sforcimeve gjatë procesit të defekimit. Ajo bëhet shkak për hemorroidet, fisurat anale dhe prolapsin rektal. Këto janë sëmundje që mbartin komplikacionet e tyre, duke formuar kështu një reaksion të gjatë zinxhir të mbarsura me patologji të ndryshme dhe të shumta.

Diagnostika

Fillimisht, një grup pyetjesh të orientuara që mjeku i bën pacientit e ndihmojnë atë që të gjejë shkaqet e kapsllëkut. Pyetjet kanë lidhje me kohëzgjatjen dhe shkallën e çrregullimit, frekuencën e jashtëqitjeve, pranisësë gjakut në feçe, konsistencën e feçeve, humben në peshë, dietat ushqimore, trajtimet medikamentoze, aktivitetin fizik, etj.

Testi Fizik

Është testi  parë diagnostikues për kapsllëkun. Nëpërmjet vizitës me gisht, mjeku vlerëson dëmtimet e mundshme, tonusin e muskulaturës së anusit, ngushtimet ose praninë e gjakut në të.

Testet Imazherike

Testet imazherike janë teste që identifikojnë çrregullimet e mundshme në anatominë dhe fiziologjinë e traktit tretës. Për shkak se kapsllëku mund të jetë simptomë e disa sëmundjeve, ndërmjet të cilave edhe kanceret, testet imazherike shërbejnë për të identifikuar këto sëmundje. Testet imazherike janë: grafia, manometria anorektale, skopia me kontrast, kolonoskopia, sigmoidoskopia, etj.

Egzaminimi Grafik. Ky egzaminim imazherik në rastin e kapsllëkut shërben për të vlerësuar peristaltikën e zorrëve. Nëpërmjet disa tabletave të cilat janë të dukshme në grafi shihet qarkullimi i tyre në traktin tretës për rreth tre deri në shtatë ditë pasi ato janë gëlltitur. Gjatë kësaj kohë, pacienti duhet të marrë një ushqim të pasur me fibra për të siguruar një funksionim sa më të plotë të traktit tretës.

Manometria Anorektale. Ky egzaminim imazherik diagnostikon çrregullimet funksionale të muskujve analë dhe rektalë të cilët mund të jenë përgjegjës për shkaktimin e kapsllëkut nëpërmjet spazmave që ato mund të kenë.

Skopia me Kontrast. Është egzaminim që diagnostikon pjesën e poshtme të zorërve të holla, zorrën e trashë dhe rektumin për patologji të tilla si sëmundjen e Hirschsprungut, bllokime tumorale, etj.

Kolonoskopia dhe Sigmoidoskopia. Janë egzaminime të cilat diagnostikojnë gjithë zorrën e trashë (kolonoskopia) dhe vetëm të pjesës së poshtme të saj (sigmoidoskopi). Këto egzaminime janë të një profili të lartë diagnostikues dhe shërbejnë për identifikimin lezioneve si dhe mjaft patologjive dhe tumoreve që këto dy organe mund të kenë dhe që mund të perfshijnë grupe të tilla të incidencës, si moshat e treta, abuzuesit alkoolin, duhanin dhe faktorë të tjerë të riskut.

Testet Laboratorike

Analizat e përgjithshme të gjakut, urinës dhe feçeve janë teste laboratorike të domosdoshme për të diagnostikuar patologjitë që mund të kenë si simptomë kapsllëkun. Nëse këto teste evidentojnë probleme, kalohet në analiza më specifike dhe komplekse.

Trajtimi Klinik

Trajtimi klinik i kapsllëkut lidhet ngushtë me origjinën e tij. Në rastet e kapsllëkut patologjik, eleminimi i tij bëhet në kuadër të sëmundjes bazë: ajo terapi që mjekon sëmundjen bazë, ajo mjekon edhe simptomat e saj, kurse në rastet e kapsllëkut nga faktorë të jashtëm, trajtimi i kapsllëkut, përveç përdorimit të laksativëve – gjithmonë në mënyrë të kufizuar -suposteve si dhe klizmave me xhel, terapia ushqimore dhe aktiviteti fizik (në mënyrë të veçantë ushtrimet për aktivizimin e muskujve të barkut) janë bazë.Megjithatë trajtimi simptomatik nuk mund të shmanget në të tri faktorët e krijimit të kapsllëkut.

Trajtimi Medikamentoz. Laksativët, klizmat me xhel dhe supostet janë medikamentet që përdoren në këto raste.

Laksativët, të cilët shtojnë madhësinë e feçes dhe krijojnë kësisoj ndjenjën e jashtëqitjes grumbullojnë lëngje në zorrën e trashë.Për këtë arsye, laksativët duhet të shoqërohen me marrjen e lëngjeve në mënyërë të bollshme. Edhe pse kanë efekte të mira, përdorimi i laksativëve nuk duhet të jetë i tepruar. Abuzimi me laksativë është mënyra më e keqe për shërimin e kapsllëkut. Ato janë barna që kanë efekte sekondare (gazra, ngërçe, fryrje e abdomenit), veprimi i të cilëve, shpesh është i natyrës  antifiziologjike, saqë nuk verifikohet rrallë ajo që është quajtur “sëmundja e laksativëve” (diarre e vazhdueshme, dehidrim, enjtje, dobësim, asteni, etj.).

Gjithashtu, përdorimi pa kriter i laksativëve të ndryshëm krijon varësi të zorrës ndaj ndaj tyre dhe si pasojë ato humbasin refleksin për një funksion normal të tyre.Zorrët fillojnë të ngadalësojnë peristaltikën duke humbur funksionin normal.

Terapia ushqimore. Studime të kryera në grupe dhe popullsi të ndryshme kanë zbuluar një lidhje të ngushtë ndërmjet shtimit të incidencës së kapsllëkut dhe llojit të dietës. Në ushqimin e një perëndimori, psh.ka një zvogëlim prej 90% të fibrave vegjetale të papërpunuara, të cilat vijnë nga drithërat e parafinuara dhe që praktikisht janë zhdukur nga dieta “moderne”. Fibrat janë elemente përbërës të qelizave të të gjitha zarzavateve dhe pavarësisht se në vetvete nuk sjellin ushqim në organizëm, gjenden të kombinuara me substanca me vlerë ushqyese të madhe dhe pikërisht për faktin se janë “diçka e tepërt”, “diçka për t’u eleminuar” qëndron vlera e tyre e fshehtë për organizmin tonë, veçanërisht në lidhje me funksionimin e zorrëve. Kur fibrat mungojnë në ushqim (siç ndodh me bukën e bardhë, miellin e rafinuar), me pakicën e ushqimeve me origjinë vegjetale që marrim dhe shumicën e ushqimeve proteinike – mish, peshk, djathëra, vezë – e vetmja zgjidhje e mundshme për të vënë në funksionim fiziologjik zorrët është futja në dietë e fibrave, siç sugjerohet psh.në dietat makrobiotike. Përdorni sa më shumë fibra vegjetale. Fibrat janë përbërësit që ndihmojnë mjaft jashtëqitjen.Frutat dhe zarzavatet janë të pasura me fibra.Gjithashtu korja e bukës së zezë është e pasur me fibra.

Përveç fibrave, lëngjet janë jetike për mirëfunksionimin e zorrëve. Ushqimet e varfra në lëngje thahen dhe forcohen nëpër zorrë për një kohë më të shkurtër sesa intervali kohor i jashtëqitjes, kështu që kur vjen “sahati” që të dalin jashtë, ato janë kthyer në një masë të thatë dhe të fortë që e vështirësojnë daljen derisa e pezullojnë plotësisht. Për të parandaluar këtë çrregullim është e nevojshme të përdoren dieta të pasura me lëngje si dhe të konsumohen çajra.

Gjithashtu, duhet të eleminohen ushqimet që e favorizojnë kapsllëkun. Ushqimet që e vaforizojnë kapsllëkun janë kryesisht ushqimet e përpunuara si: prodhimet e brumit (biskotat, makaronat, etj.), ushqimet e skuqura si dhe ëmbëlsirat.

Këshilla Mjekësore

Në vendet perëndimore kapsllëku iu intereson gati 100% të popullsisë, qoftë edhe përkohësisht. Ky është “kapsllëku aksidental” i një dite apo i një jave, e lidhur me ndryshimin e klimës, të vendbanimit, të zakoneve me të cilat ndeshemi përditë kur udhëtojm ose shkojmë për pushime. Në këto raste, përdorimi i laksativëve është mëse i justifikuar: medikament urgjence dhe kaq. Ndryshe  qëndron puna në rastin e kapsllëkut të vazhdueshëm, qoftë ky i thjeshtë apo i komplikuar, që për shumë njerëz shndërrohet në një vuajtje të vërtetë, një torturë. Kapsllëku është një çrregullim që kërkon ndërtimin e zakoneve të shëndetshme dhe të qëndrueshme të tilla si:

  1. Oraret strikte të jashtëqitjes. Krijoni një orë biologjike që mbështetet në reflekse të kushtëzuara, duke shkuar në banjë në orare të përcaktuara, zakonisht pak kohë pas ushqimit. Eleminoni ndjenjën e ndrojtjes dhe ndjenjën që vjen nga mungesa e komoditetit (apo mungesës së higjenës maksimale) për të shkuar në banjë kudo që të ndodheni.
  2. Adoptoni dieta ushqimore që janë “miqësore” me traktin tuaj tretës. Dietat ushqimore janë shkaku dhe njëkohësisht terapia e shumë çrregullimeve dhe patologjive, ndërmjet të cilave edhe kapsllëku.
  3. Krijoni hapësira kohore në jetën tuaj për t’i mbushur me aktivitete sportive. Një jetë dinamike dhe në lëvizje eleminon shkaqet për këtëçrregullim. Përveç kësaj, masazhet abdominale, ushtrimet aerobike si dhe ushtrimet për tonifikimin e muskujve abdominalë rrisin funksionalitetin e zorrëve.

Në rast se kapsllëku zgjat më shumë se 3-4 javë, rekomandohet të kryhet një vizitë mjekësore dhe në mënyrë të veçantë kur kapsllëku shoqërohet me simptoma të tjera, të tilla si: rënia në peshë, feçe hemorragjike, alternim i kapsllëkut me diarre, lodhje pa shkaqe specifike, si dhe dhimbje gjatë defekimit.

Kapsllëku tek Fëmijët

Kapsllëku është një çrregullim i zakonshëm tek fëmijët. Kjo është një simptomë që në përgjithësi nuk shkakton shqetësime nëse zgjat për një kohë të shkurtër, por nëse kjo zgjat për një kohë të gjatë, shoqërohet edhe me simptoma të tjera si: prishje të humorit, pagjumësi, fryrje dhe dhimbje barku, mungesë oreksi, vështirësi në frymëmarrje dhe ndjenjë rëndimi e vazhdueshme në zonën e jashtëqitjes. Fëmijët mund të vuajnë nga kyçrregullim në momentin ku qëndrojnë për një kohë të gjatë ulur pasi ende nuk mund të ecin.

Kapsllëku “i rremë” tek Fëmijët. Jashtëqitja tek fëmijët e vegjël ka frekuencë të ndryshme në fëmijë të ndryshëm. Ato variojnë nga 2 herë në ditë deri në 1 herë në çdo 3 ditë. Frekuenca e jashtëqitjes nuk është faktor që përcakton se fëmija është kaps apo jo. Nëse gjykoni vetëm prej faktit se fëmija juaj defekon një herë në tre ditë, ky është thjesht një informacion i pamjaftueshëm dhe kapsllëku që ju mund të evidentoni, mund të jetë thjesht një “kapsllëk i rremë”.

Gjithashtu, në javët e para, procesi i jashtëqitjes ende nuk është një proces i konsoliduar. Nga pikëpamja anatomo-fiziologjike, gjatë jashtëqitjes në mënyrë instiktive muskujt e barkut shtrëngohen dhe anusi lirohet. Në javët e para, fëmijët defekojnë pa u shtrënguar sepse funksioni i anusit nuk është i zhvilluar plotësisht dhe si pasojë muskujt nuk kontraktohen.Më pas, kur funksionet e anusit zhvillohen, fëmijët për të defekuar duhet të shtrëngojnë muskujt e barkut dhe të lirojnë anusin, gjë që nuk arrin ta bëjnë. Ata, në mënyrë instiktive, i shtrëngojnë të dyja, si muskujt e barkut edhe të anusit.Ky është një çrregullim që mund të zgjasë edhe disa muaj dhe më pas ikën me kalimin e kohës. Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me kapsllëk, por gabimisht etiketohet si i tillë.Ky është “kapsllëk i rremë” dhe nuk egziston ndonjë terapi për këtë çrregullim.

Kapsllëku nga Faktorë të Jashtëm

Ashtu sikurse edhe tek të rriturit, kapsllëku mund të jetë nga faktorë të jashtëm, anatomo-fiziologjikë dhe patogjenë. Kapsllëku nga faktorë të jashtëm lind nga një sërë faktorësh si dietat ushqimore, zakonet jo të shëndetshme, përdorimi i barnave që e shkaktojnë atë, etj.

Kapsllëku nga Dietat Ushqimore

Kapsllëku me origjinë nga dietat ushqimore është një nga arsyet kryesore për kapsllëk tek fëmijët e vegjël. Kalimi nga ushqimi me qumësht në ushqimet e përgatitura është një nga arsyet që trupi i fëmijës i pamësuar me to të reagojë negativisht dhe për pasojë të krijohet një çrregullim i tillë.Për shkak të veçorive anatomo-fiziologjike të fëmijëve, trajtimi i kapsllëkut është i lidhur ngushtë me moshën e tyre. Sipas këtij kategorizmi, evidentohen tre grupe:

Kapsllëku tek fëmijët që ushqehen vetëm me qumësht. Fëmijët që ushqehen me qumështin e nënës, përgjithësisht nuk zihen kaps.Qumështi i nënës përmban elementët dhe konsistencën e duhur që të parandalojë këtë çrregullim. Kjo është edhe arsyeja që fëmija që ushqehet me qumështin e nënës nuk ka nevojë për ujë.

Megjithatë, nëse fëmija që ushqehet me qumështin e nënës zihet kaps, shkaku fillimisht duhet kërkuar tek dieta e nënës. Dietat ushqimore të nënës të pasura me proteina shtazore dhe yndyra mund të shkaktojnë kapsllëk tek fëmija i gjirit. Zgjidhja e problemit është ndryshimi i regjimit ushqimor e orientuar drejt dietave me fruta, lëngje frutash, perime, etj. Gjithashtu, si masë e menjëhershme është dhënia sa më e shpeshtë e qumështit të gjirit, pasi ajo është tërapia më e mirë.

Tek fëmijët që ushqehen me qumësht artificial dhe ushqime shtesë, shkaqet së pari duhen kërkuar tek ushqimi i fëmijës. Ushqimi i fëmijës duhet të jetë plotësisht i përshtatshëm me moshën e tij. Rekomandohet që qumështi i lopës duhet të jetë i holluar.Gjithashtu duhet kontrolluar edhe sasia e pluhurit, pasi prania e shtuar e tij mund të shkaktojë kapsllëk.

Për të ndihmuar jashtëqitjen tek fëmijëte kësaj moshe, rekomandohen të bëhen disa shtesa në dietën e tyre ushqimore. Së pari, në shishen e biberonit mund të shtoni lëng i koncentruar kumbulle në sasinë prej një filxhani në ditë, ose një lugë çaji vaj ulliri për 100 ml qumësht. Përveç kësaj, mund t’i përgatiten fëmijës pure e holluar më fruta dhe kryesisht pure me kumbulla. Kjo vazhdohet për disa ditë. Nëse kapsllëku vazhdon, duhet që të konsultoheni me mjekun e fëmijës tuaj.

Përveç përgatitjes së dietave të përshtatshme ushqimore, fëmijët duhen kontrolluar për dehidrim. Dehidrimi në këtë moshë nuk është i panjohur, pasi janë disa faktorë që e shkaktojnë atë si temperatura e larta, mbingrohja e ambientit, veshja me shumë rroba të fëmijës, hipertermia, etj. Në këto raste, duhet të shtoni sasinë e ujit që i jepni fëmijës.

Kapsllëku tek fëmijët pas moshës 5-6 muajsh. Pas moshës kësaj moshe, kapsllëku luftohet edhe me disa ushqime shtesë. Tani fillojnë dietat me supa dhe perime, të cilat e ndihmojnë organizmin e foshnjës në eleminimin e kapsllëkut.

Kurave me lëng kumbulle ose vaj ulliri, u shtohet edhe muhalebia me përbërës që ndihmojnë kapsllëkun, siç janë drithërat dhe mielli i orizit.Gjithashtu, të këshillueshme janë edhe puretë me fruta si kumbulla, mollë, pjeshkë dhe banane. Nëse kapsllëku vazhdon, puretë me fiq, dardha, kivi dhe kajsi janë me efekte më të mëdha terapeutike.

Për sa I përket suprave, pas moshës 5-6 muajshe ato duhen dhënë fëmijës dy herë në ditë. Suprat përgatiten me të gjitha perimet të cilat bëjnë pjesë në dietat e të rriturve, veçse ndryshon mënyra e përgatitjes. Ato grihen imët dhe me rritjen e moshës kalohet në copa gjithnjë e më të mëdha.

Përveç suprave, fëmijët e kësaj moshe mund të ushqehen edhe me gjellë me përime. Në rastet e kapsllëkut të këshillueshme janë dietat të pasura me kungull, fibra vegjetale dhe me sa më pak mish.

Sallatat gjithashtu nuk janë të përjashtuara në këtë moshë.Perimet grihen imët dhe jepen në formën e sallatës, gjë që favorizon marrjen të plota të vitaminave dhe mikronutrientëve të tjerë nga fëmija.

Kapsllëku tek moshat 2-3 vjeçare. Kapsllëku tek fëmijët e kësaj moshe është e lidhur kryesisht me preferencat jo të shëndetshme ushqimore. Fëmijët refuzojnë të hanë gjellët me perime, duke preferuar më shumë ushqimet e thata dhe ëmbëlsirat. Këto ushqime si dhe ëmbëlsirat janë faktorë risku për kapsllëkun. Sistemi tretës në këtë moshë ende nuk është i formuar mirë dhe si pasojë, është mjaft I ndjeshëm ndaj pakësimit të sasisë së lëngjeve duke shkaktuar kapsllëk. Tek këta fëmijë është e rëndësishme të krijoni sjellje të shëndetshme ushqimore. Mësojini fëmijës të mos i bëjnë “naze” gjellës dhe shmangini ata nga fast foodet dhe ëmbëlsirat.

Kapsllëku nga Zakonet jo të Shëndetshme

Rreth moshës 2 vjeç, tek fëmija fillojnë të zhvillohen aftësitë e para të vetëdijësimit. Ai fillon që t’i vlerësojë gjërat, shpreh qëndrimet e tij për ato gjëra që i pëlqejnë dhe për ato gjëra që nuk I pëlqejnë. Kjo është pikërisht edhe mosha që fëmijës i hiqet pampersi dhe ai duhet të mësohet me oturakun. Por mjaft fëmijë nuk ndihen “miqësorë” me oturakun. Nëse fëmijës i bëhet presion për të mos defekuar në rroba, ai zgjedh të shtrëngohet dhe ta mbajë feçen, gjë që  rrezikon për kapsllëk. Kjo situatë kërkon një edukim të vazhdueshëm të fëmijës, e cila për shkak se mund të zgjasë për pak kohë, është e nevojshme që prindi të tregojë përkushtim dhe durim.

Së pari, zgjidhni fëmijës një oturak që më shumë se sa i tillë, ai të ngjajë me një lodër. Duke e marrë me të mirë dhe përkëdhelur, mësojeni fëmijën të ulet në oturak në orare të caktuara pas ushqimit. Bëjeni fëmijën tuaj që ai të ndihet i qetë dhe i relaksuar mbi oturak.Pas shumë praktikave të tilla, edhe organizmi krijon reflekse të kushtëzuara dhe si pasojë ndjenja e defekimit dhe proçesi e jashtëqitjes vjen normalisht. Në këtë mënyrë keni marrë një masë shumë të mirë parandaluese për eleminimin e kapsllëkut.

Kujdes! Në rast se fëmija është ulur në oturak, mos e lejoni të rrijë për një kohë të gjatë në të. Kjo për shkak se, kur ai është mbi oturak, për shkak të reflekseve të mësuara, shtërzon, d.m.th. mundohet të shtrëngojë muskujt e abdomenit dhe pjesës së anusit për të defekuar. Por kjo e dëmton fëmijën për një kohë relativisht të gjatë.

Të njëjtat shprehi duhet t’i formohen fëmijës edhe për shkuarjen në banjë.Mosha 2 vjeçare është një kohë e përshtatshme për të bërë një gjë të tillë, pasi tashmë ai ecën vetë dhe ka filluar të kuptojë. Ashtu sikurse edhe në oturak, në fillim sigurohuni që fëmija jua të ndihet i qetë dhe i relaksuar në tualet. Për këtë fëmija ka nevojë për një adaptor të tualetit. Është e nevojshme që kur të ulet mbi adaptor, këmbët duhet të formojnë një kënd të drejtë e kofshët dhe të prekin në një bazament, qoftë kjo edhe një karrige e vogël. Është e rëndësishme që nëse për fëmijën tuaj do të zgjidhni banjën për defekim, duhet ta shoqëroni atë dhe t’i qëndroni gjithmonë pranë atij gjatë defekimit, duke komunikuar me të apo t’i lexoni ndonjë përrallë. Kjo duhet të vazhdojë deri sa tek fëmija të formohen zakone të qëndrueshme.

Nëse ai nuk dëshiron të shkojë, kjo bëhet shkak për kapsllëk, ndaj edukojeni me durim duke e shpërblyer dhe lavdëruar (edhe në sy të të tjerëve ku ai është prezent) për këtë veprim.

Tek fëmijët më të rritur, ashtu sikurse edhe një pjesë e mirë e të rriturve, nga shkaqet kryesore të kapsllëkut për fëmijët e kësaj moshe është e lidhur me kontrollin e ndjenjës për defekim.

Fëmijët e moshës parashkollore e deri në adoleshencë janë të dhënë pas lodrave, aktiviteteve shoqërore dhe anashkalojnë nevojën e organizmit për defekim. Gjithshtu, arsye tjetër është refuzimi i tyre për të përdorur banjat publike, (për shkak të higjenës së mangët, ndjenja e turpit për të kërkuar leje nga ora e mësimit, etj.). Këto faktorë nëse kthehen në zakone të qëndrueshme janë faktorë risku për kapsllëk.

Kapsllëku nga Çrregullimet Emocionale

Edhe çrregullimet emocionale janë një nga shkaqet që nuk duhet të anashkalohen tek fëmijët. Frika, stresi, zemërimi, etj. janë çrregullime emocionale që ndikojnë në traktin tretës.

Tek fëmijët e vegjël (2-3 vjeç) çrregullimet emocionale burojnë kryesisht nga shtrëngesat që prindërit mund t’i bëjnë për të shkuar në banjë. Ky veprim mbart plotësisht efektin e kundërt: fëmijës i ikën ndjenja e për të defekuar (edhe nëse e kishte atë) dhe sa më shumë që feçet të rrinë në zorrë, aq më shumërritet vështirësia që ato të dalin jashtë. Sa e rëndësishme është që fëmija të kryejë aktin e jashtëqitjes, po aq e rëndësishme është që kjo të realizohet nëpërmjet që gjendje emocionale të  ngritur të fëmijës, me humor të mirë, kënaqësi dhe dëshirë.

Nëse fëmija juaj zihet kaps, feçet e forta mund tëshkaktojnë plasaritje të vrimës së jashtëqitjes, të shoqëruara me dhimbje, çka bën që të kenë frikë të ulen për të dalë jashtë. Kjo dukuri përforcon kapsllëkun, duke formuar kështu një rreth vicioz (feedback pozitiv), që nuk është shumë e lehtë të dilet prej tij.

Tek fëmijët e rritur, çrregullimet emocionale shpesh e kanë burimin tek marrëdhëniet e tensionuara me bashkëmoshatarët, stresin në shkollë, ndoshta edhe marrëdhëniet e tensionuara mes prindërve, si dhe burime të tjera, të cilat në ditët e sotme janë të shumta.

Kapsllëku nga Faktorë Anatomo – Fiziologjikë

Një nga arsyet kryesore të këtij lloj kapsllëku është një çrregullim funksional që ka të bëjë me peristaltikën e zvogëluar të zorrëve. Po kështu, në një incidencë të vogël rastesh, kapsllëku mund të jetë si rezultat i problemeve fizike. Fëmijët me defekte të tilla si: mungesa e mbaresave nervore në një pjesë të zorrës, anomalitë e shtyllës kurrizore, hipotireoza, retardimet mentale kanë simptomat e kapsllëkut.

Kapsllëku nga Faktorë Patogjenë

Kapsllëku me origjinë patogjene është i zakonshëm tek fëmijët e vegjël. Disa sëmundje të trashëguara të çrregullimit të metabolizmit kanë simptomat e kapsllëkut, përveç një sërë sëmundjesh të cilat janë shkaqë edhe për të rriturit.

Në këto raste, periudhat e “abandonimit” të jashtëqitjes mund të zgjasin edhe 2 javë. Në këto raste, në organizmin e fëmijëve zhvillohet një obstruksion me fekaloma, një situatë në të cilën mbeturinat e zorrës krijojnë një konsistencë kaq të madhe, saqë lëvizja e zorrëve është e pamjaftueshme për një jashtëqitje normale. Tek fëmijët, dhimbjet e defekimit, çarjet e zorrës së trashë apo fisurat anale e shtyjnë atë të mos defekojë duke e mbajtur nevojën e tij, gjë që e rëndonmë tepër kapsllëkun.

Diagnostika

Është mjaft e rëndësishme që nëna të kuptojë se kur fëmija i saj është kaps. Disa janë kontrollet që e diagnostikojnë fëmijën me kapsllëk në kushtet e shtëpisë.

Së pari, ndryshimi i sjelljes së fëmijës. Fëmija refuzon të ulet mbi oturak apo të shkojë në banjë; qan dhe grindet vazhdimisht. Nëse ai shkon, procesin zbrazjes së zorrëve e shoqëron me britma dhe rënkime.

Së dyti, ndryshimi i ritmikës së jashtëqitjes. Fëmija nuk defekon më me shpeshtësinë e mëparshme, deri sa kjo mund edhe të ndalojë për dy-tre ditë, ai qëndron më gjatë në tualet, paraqet vështirësi në defekim, etj. Për këtë arsye, një nga gjërat  që nëna duhet të dijë për fëmijën e saj është frekuenca e jashtëqitjeve, e cila është e ndryshmë në fëmijë të ndryshëm, në varësi të organizmit.

Së treti, kontrolli i feçeve. Konsistenca e feçeve është treguesi kryesor. Nëse feçet janë të thata dhe të forta, me madhësi jo të zakonshme, fëmija është me kapsllëk. Feçet e thata dhe të forta janë tregues që fëmija ka kapsllëk edhe nëse kryen jashtëqitjen çdo ditë ose disa herë në ditë dhe e kundërta: nëse feçet janë të buta, por ai del jashtë një herë nëçdo 3-4 ditë, ai nuk ka kapsllëk. Përveç konsistencës së feçes, nëse në pelenat e tij, oturak ose banjë vihen re njolla gjaku me ngjyrë të ndezur, fëmija mund të ketë kapsllëk.

Së katërti, kontrolli i fëmijës për dhimbje barku dhe fryrje të pazakontë të tij. Këto të dyja janë simptoma të kapsllëkut. Nëse gjatë shtypjes së barkut fëmija grindet dhe fillon të qajë, kjo është një shenjë se ai ka dhimbje barku. Këto simptoma të shoqëruara jo rrallë edhe me humbje të oreksit tregojnë që fëmija mund të ketë kapsllëk.

Megjithatë, vlerësimin në kompleks të shenjave të fëmijës dhe shkaqet e një kapsllëku të mundshëm mund ta bëjë vetëm mjeku. Kontrolli fizik i rektumit të fëmijës si dhe diagnostikimi imazherik i kolonës janë të nevojshme për të përcaktuar kapsllëkun dhe nëse është e nevojshme nevojiten edhe diagnostikime të tjera për të përcaktuar shkaqet.

Trajtimi Klinik

Trajtimi klinik i kapsllëkut tek fëmijët është i lidhur me moshën e tij. Nëse fëmija vazhdon më shumë se tri ditë me kapsllëk, duhet që t’i drejtoheni mjekut për një trajtim të specializuar klinik.

Trajtimi Klinik në Fëmijët e Gjirit. Nëse fëmija juaj zihet kaps, në fillim mundohuni të lironi rrugët e jashtëqitjes. Për këtë me një tub gome të butë dhe të lyer me vaj ulliri ngacmoni rektumin. Metodë tjetër është futja në anus e një pastruesi veshi me pambuk të lyer me vaj ulliri, ose kremra të lëkurës, duke e lëvizuar atë me lëvizje rrotulluese si dhe lart-poshtë.

Kjo metodë mund të provokojë peristaltikën e zorrëve, si dhe të krijojë një mjedis të rrëshqitshëm për feçet.Nëse kjo metodë nuk jep rezultate, fëmijës duhet t’i bëhen mikroklizma ose të trajtohet me suposte glicerine.

Trajtimi Klinik tek moshat 2-3 vjeçare. Për fëmijët e kësaj moshe, trajtimi klinik si masë e parë përfshin mikroklizmat.Nëse këto nuk japin efektet e plota, duhet që trajtimi të kalohet me klizma me sol fiziologjik të vakët (ujë me kripë), rreth 100 ml. një herë në ditë për 3-4 ditë rresht. Gjithashtu, duhet të egzaminohet gjendja e anusit. Nëse ka çarje duhet mjekuar jo vetëm për qetësimin e dhimbjeve, por edhe si masë parandaluese për ecuri kronike. Pas larjes së kësaj zone, këshillohen pomada me bazë qetësuesish (anestezikë) të kombinuar me kortizonikë.

Trajtimi Klinik tek fëmijët më të rritur. Në këto raste, trajtimi është simptomatik; me klizma për disa ditë. Por nëse kapsllëku vazhdon gjatë, është e nevojshme vizita mjeksore për një diagnozim të shkaqeve të kapsllëkut dhe trajtimi terapeutik sipas diagnozës përkatëse.

Medikamentet: Këshilla e parë për trajtimin medikamentoz është që asnjë medikament nuk mund të përdoret pa rekomandimin e mjekut.  Medikamentet rekomandohen nga mjeku në përputhje me moshën e tij, shkallën e çrregullimit dhe karakteristikat anatomo-fiziologjike të fëmijës. Disa nga medikamentet laksativë për kapsllëkun janë:

Latuloza (Epalfen). Ky medikament gjendet në farmaci në paketime 3 dhe 6 gr. Doza dhe koha gjykohet e lidhur ngushtë me rastin konkret. (mesatarisht jepet 1 deri 3 gr. për peshë në ditë, por pa kaluar 30 gr. në ditë).

Lattitoli (Portolak), është pluhur në paketime 5 dhe 10 gr., ose në ambalazhime 200 gr.

Referencat
Pier Gildo Bianchi; “Il Medico in Casa”
Polikron Çela; “Mjeku i fëmijëve ju përgjigjet”
US National Library of Medicine; web: www.nlm.nih.gov
National Institutes of Health; web: www.nih.gov