Kritika e Suplementëve Antioksidues

Një organizëmi shëndoshë prodhon sasi të mjaftueshme antioksidantësh, të cilat janë të nevojshme për neutralizimin e radikaleve të lira. Por aftësia e qelizave për të krijuar antioksidantë varen nga shumë faktorë, si: gjendja patologjike e organizmit, faktorët gjenetikë, mosha, ushqimi dhe ndikimi i faktorëve të jashtëm. Sëmundshmëria është një faktor i madh risku. Përveç sëmundjes, një burim radikalesh të lira bëhen edhe produktet e reaksioneve që ndodhin nga medikamentet; një organizëm i dobët dhe i plakur e kanë të vështirë për të prodhuar këto lëndë; po kështu edhe organizmi i atyre që konsumojnë ushqim të njëanshëm; rreziku ambiental përbën një potencial të madh për to: gazrat që çlirohen në mjedis, rrezatimet dhe faktorët e tjerë ambientalë i favorizojnë radikalet e lira.

Të gjitha këto janë faktorë risku për shfaqjen e mjaft sëmundjeve si pasojë e aktivitetit të radikaleve të lira. Duke i vlerësuar në tërësi, lufta që bën vetë organizmi, shpesh është e pamjaftueshme dhe nëse nuk mund të merrni antioksidantë në dietat tuaja, shumë ekspertë mendojnë se lind nevoja për marrjen e antioksidantëve shtesë.

Shkencëtarët besojnë se antioksidantët ndikojnë në përmirësimin e shëndetit tonë, madje edhe nëse përdoren vetëm. Megjithatë në bazë të hulumtimeve bashkëkohore, veprimi i tyre zmadhohet mjaft, kur merren të gjitha menjëherë.

Përdorimi i antioksidantëve, për njerëzit e moshuar dhe sidomos për personat që përdorin mjekime mbajtëse për sëmundje kronike dhe sidomos diabetikët, është shumë i nevojshëm, sikurse është i nevojshëm edhe për ata që jetojnë në qytet, si edhe për sportistët, pasi ato ofrojnë mbrojtje të shëndetit nga veprimet e dëmshme të radikaleve të lira.

Edhe pse përkrahet marrja e suplementëve oksidantë në formë multivitaminash, teprimi në to e dëmton organizmin. Ato  depozitohen në organizëm dhe mund të kthehen në substanca toksike. Megjithatë, pavarësisht se gjithmonë e më shumë po shtohen zërat për rrezikun e marrjes me shumicë të suplementeve antioksidantë, konsumimi i tyre është futur thellë në kulturën shëndetësore të njerëzve, sidomos në SHBA dhe Angli. Duke zhvilluar thjesht një ide biznesi, industria farmaceutike  prej disa dhjetëra vjetësh ka sponsorizuar fushata të tëra promovimi për dobinë e kokrrave  shumëngjyrëshe të multivitaminave, saqë shëndeti nuk mund të kuptohet dot pa to. Mesazhi që ato përçojnë është që antioksidantët përmirësojnë shëndetin, ngadalësojnë procesin e plakjes dhe shtojnë jetëgjatësinë. Mjekët në të gjitha stacionet televizive shumë herë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të nënkuptuar promovojnë parimin “më shumë-më mirë”. Kjo fushatë e ethshme publikimi, sidomos për vitaminat A, C dhe E, krijon tek njerëzit sensibilitete të tilla, saqë harresa për mosmarrjen e dozave ditore të multivitaminave e bën njeriun të ndihet sadopak në faj.

E konsideruar nga shumë opinionbërës të shëndetit si “shpikja më e madhe në fushën e shëndetësisë e shekullit të XX”, sot gjithnjë e më tepër shkencëtarët po dyshojnë se a janë vërtet suplementet antioksidantë kaq të efektshëm sa ç’thuhet, apo mund të jetohet fare mirë edhe pa to? Mos ndoshta ato mund të bëjnë edhe efektin e kundërt në organizëm? Nuk janë të pakët zërat që e thonë këtë.

Së fundi, një studim i publikuar në një revistë shkencore i Universitetit të Kalifornisë arriti që të zbulonte fakte shumë të sakta dhe të vërteta se ato në fakt nuk arrijnë aspak që të reduktojnë rrezikun e kancerit siç pretendohej deri më tani. Madje, shkencëtarët në mënyrë më alarmante pas shumë provave në lidhje me efektet reale të antioksidantëve, si dhe të acidit folik, kalciumit dhe vitaminës D, sugjerojnë se doza të mëdha të këtyre elementeve mund të ndihmojnë në promovimin e kancerit dhe aspak në parandalimin e tij. Këto elemente mund të jenë beta karotina (nga vitamina A) dhe vitamina C dhe E.

Në fakt, nuk bëhet fjala vetëm për zbulime të izoluara dhe të pakta. Aktualisht, një grup shkencëtarësh që merren me kërkime në këtë fushë me shumë shqetësim bëjnë të ditur se tabletat antioksidante që merren pikërisht për të mbrojtur shëndetin nga rreziqe të ndryshme në fakt mund të rrisin rrezikun e sëmundjeve dhe madje mund të të çojnë edhe në vdekje të parakohshme. Një studim i hershëm i vitit 1994 zbuloi se marrja në mënyrë të rregullt e beta karotinës pra në formën e një tablete 20 miligramëshe rrit rrezikun e vdekjes nga kanceri i mushkërive në masën 8%. Një studim i vitit 2002 arriti në përfundimin se përdorimi i dozave të mëdha të vitaminës E, thuajse shtojnë rrezikun e vdekjes së parakohshme mes grave që janë në moshën pas menopauzës, ndërsa në vitin 2010, në një studim thuhej se marrja e suplementeve antioksidantë pra vitaminave A, C, E mund të rrisë shumë premisat për një kancer të prostatit në masën 17% dhe sigurisht me doza më të larta rritet edhe rreziku i vdekjes nga sëmundje të tjera kryesisht me natyrë tumorale.

Shkencëtari nobelist dr. James Watson shkon më tej në studimet e tij. Ai është i mendimit se radikalet e lira nuk janë pa funksione në organizëm, përkundrazi. “Pikërisht radikalet e lira,  thotë ai, mund të jenë kyçe për luftën kundër kancerit dhe që shkatërrimi i tyre në organizëm në fakt është kundëproduktiv”. Ushqimet e popullarizuara antikancerogjene, të njohura edhe si “superushqime”, nuk parandalojnë këtë sëmundje, por madje edhe e nxisin.

Dr. Watson konsideron që radikalet e lira jo vetëm që i mbajnë qelizat e sëmura nën kontroll, por i bëjnë efikase edhe terapitë kundër kancerit si rrezatimi dhe kimioterapia. Në raportin e publikuar në “Journal of the Royal Society”, dr. Watson komenton që antioksidantët “nxisin më shumë raste të kancerit, se sa i parandalojnë”. “Qysh kur e studioj kancerin, disa njerëz me qëllim të mirë marrin antioksidantë me ndihmën e shtesave si preventivë. Të dhënat më të reja, megjithatë tregojnë që pamundësia e shërimit të kancerit në fazat e avancuara rrjedh pikërisht nga antioksidantët e tepërt, prandaj është koha që të gjithë të pyetemi seriozisht nëse antioksidantët bëjnë më shumë dëm se sa dobi”, ka shkruar ai.
Dr. Watson ka thënë që shumë studime kanë zbuluar që antioksidantët duke përfshirë edhe vitaminat A, C dhe E, si edhe mineralin selen nuk kanë “asnjë efekt të dukshëm” në parandalimin e kancerit të stomakut, e as për të zgjatjen e jetës së personit të sëmurë. Ai pohon se “ilaçi kundër shumë llojeve të kancerit do të mbetet i pazbulueshëm, gjithnjë derisa shkencëtarët të mos testojnë rolin e antioksidantëve nga ushqimi dhe shtesat”.

“Këta përbërës qysh moti janë popullarizuar si faktorë të rëndësishëm të luftës kundër kancerit sepse shkatërrojnë të ashtuquajtura radikale të lira. Megjithatë, Në fakt, me sa duket ata kanë shkurtuar jetën e atyre që i kanë marrë, dhe në veçanti e rrezikshme ka qenë vitamina E”, vazhdon ai.

Studimi, të cilin e ka kryer dr. James Watson në Cold Spring Harbor Laboratory (New York) është publikuar në revistën shkencore “Open Biology”.

Kritika të shumta dhe mjaft realiste janë edhe për mënyrën se si arrihet prodhimi në rrugë industriale i tyre.  Kjo është një tjetër argument në favor të kritikëve të suplementeve. Dr. Richard Schulze, krijuesi i formulës ” SuperUshqimet”, shprehet:

“Prodhimi i suplementeve është i dyshimtë. Shumë prej të ashtuquajturave vitamina natyrale janë prodhuar nga substanca të rrezikshme. Kështu, e gjithë vitamina B-12, apo cianokobalamina, e pranishme sot në tregun farmaceutik, përmban toksina nga mëlçitë e lopës. Mëlçitë e lopës janë depozita të steroideve, antibiotikëve dhe pesticideve që asimilon lopa gjatë ngrënies. Për këtë arsye, mendoj se ekzistojnë mjaft argumente që këto vitamina në vend që të ndihmojnë për shëndetin, mund të jenë fatale”. Po kështu, probleme mund të ketë edhe me vitaminat e tjera. “Vitamina A, – thotë ai, – prodhohet nga mëlçia e peshkut, që mund të përmbajë mërkur, kurse vitamina B nga katrani i thëngjillit dhe petro-kimikate.” Dr. Timothy O’Shea, autor i disa librave mbi mjekësinë nënvizon se:

“Vitaminat janë lëndë thelbësore që duhet t’i marrë trupi nga ushqimet që konsumojmë. Vitaminat natyrale veprojnë si duhet në organizëm duke kryer punën e tyre sipas kohës dhe funksionit të tyre. Kur vitaminat kthehen në forma artificiale për qëllime komerciale, më pas ato veprojnë si medikamente të dëmshme në trup.” Për vitaminën C ai shprehet se, “acidi askorbik që blini në farmaci apo supermarket, duke menduar se po blini vitaminë C, është vetëm një kopje kimike e acidit askorbik natyral. Vitamina C reale është pjesë e diçkaje të gjallë, që jeton. Acidi askorbik, që mendoni se është vitaminë C “e shëndetshme”, asnjëherë nuk u rrit në tokë, nuk e pa asnjëherë dritën e diellit dhe anjëherë nuk ishte pjesë e diçkaje të gjallë. Është thjesht kimikat. Vitaminat sintetike kanë efekte toksike sidomos nga megadozat dhe faktikisht mund të rrisin numrit e qelizave të bardha të gjakut. Vitaminat në trup nuk duhet të jenë me tepricë e as me pakicë. Vitaminat e marra nëpërmjet ushqimit nuk janë toksike dhe nuk kërkojnë asgjë nga trupi”. As. Dr. Judith DeCava nënvizon në librin “E vërteta mbi vitaminat dhe antioksidantët “, se “kjo është ajo që ndodh me vitaminat sintetike: trupi i trajton ato si toksina, të cilat dalin jashtë nëpërmjet urinimit të shpeshtë, pasi trupi i njeriut i nxjerr këto kimikate të huaja jashtë trupit nëpërmjet traktit urinar.”

Në përfundim, megjithë debatet e shumta për këtë çështje, duhet theksuar atë bien në të njëjtin përfundim të dyja palët: marrja me tepri e suplementeve antioksidantë e prish ekuilibrin natyror të organizmit. Deri më sot nuk ka asnjë praktikë (dhe jo vetëm në mjekësi) që vërteton se prishja e ekuilibrit natyror sjell pasoja pozitive. Ushqimet natyrale si frutat dhe perimet, mishi dhe peshku, drithërat, etj. përmbajnë gjithçka dhe në masën e duhur që i nevojiten organizmit për të qenë i shëndetshëm.

Referencat

US National Library of Medicine; web: www.nlm.nih.gov
National Institutes of Health; web: www.nih.gov