Fytyra e dikujt që konsumon dieta të pasura me fruta dhe perime është dukshëm më e pastër, më ndritshme dhe më shprehëse se e dikujt tjetër që nuk i konsumon ato.
Në ndryshim nga organet e tjera, lëkura është organi që e reflekton profilin e shëndetshëm ose jo të asaj që ju konsumoni. Duke qenë organi më i madh në trupin e njeriut, lëkura është përfituesi më i madh i vlerave të një diete të shëndetshme dhe “viktima” e parë e një diete të pashëndetshme. Sa më shëndetshëm që ju të ushqeheni, aq më lëkurë të bukur do të keni dhe e kundërta: sa më ushqime të pashëndetshme të konsumoni, aq më shumë lëkura juaj do të plaket duke humbur elasticitetin, butësinë dhe ngjyrën. Përveç këtyre, ushqimet e pashëndetshme janë faktorë risku për patologji të tilla si aknet apo ekzemat.
Por cilat janë ushqimet e shëndetshme për një lëkurë të tillë? Frutat dhe perimet janë ushqimet bazë të cilat e tonifikojnë lëkurën, e ushqejnë vazhdimisht, e mbajnë vazhdimisht të re e të rigjeneruar, duke kundërshtuar plakjen e saj.
Ushqimet e Shëndetshme për Lëkurën
Ushqimet e shëndetshme për lëkurën janë ushqimet si pasojë e dietave të shëndetshme dhe të ekuilibruara. Megjithatë, për efektin e tyre në lëkurë, disa ushqime japin më shumë efekte pozitive se disa të tjera. Ushqimet e shëndetshme për lëkurën ndahen si më poshtë:
Ushqimet e pasura me Antioksidantë. Antioksidantët kanë një ndikim të konsiderueshëm në lëkurë. Për shkak se ato luftojnë radikalet e lira, të cilat, ndërmjet dëmeve të tjera, shpejtojnë plakjen e organizmit dhe në këtë aspekt edhe lëkurës, antioksidantët rigjenerojnë lëkurën dhe eleminojnë të ashtuquajturën “plakja e parakohshme e lëkurës”. Antioksidantët kryesorë janë rrushi i kuq, rrushi i thatë, kumbulla e freskët, kumbulla e thatë, manaferrat dhe spinaqi. Frutat dhe perimet e mësipërme janë antioksiduesit më të fortë natyralë. Farat e rrushit të kuq janë të pasura me flavonoide dhe në veçanti përmbajnë një lëndë të quajtur aktivin, e cila ka veti antioksiduese shumë më tepër se vitaminat C, E dhe betakarotinet.
Mjaft të pasura gjithashtu me antioksidantë janë edhe frutat e kuqe si shega, boronicat dhe luleshtrydhet. Shega mbetet si një ndër ushqimet më të këshillueshme për dermatologët. Përveç vetive të fuqishme antioksiduese që ka, konsumimi i një shege në ditë i jep lëkurës një pamje të bukur dhe të shëndetshme ngjyrë rozë, kurse e aplikuar si maskë në fytyrë, shega ndihmon në parandalimin e rrudhave dhe reduktimin e tyre.
Ushqimet e pasura me Vitaminë A. Vitamina A është një vitaminë e rëndësishme për shëndetin e lëkurës. Kjo vitaminë i jep lëkurës veti rezistente, e hidraton atë dhe e parandalon nga formimi i rrudhave.
Burimi më i mirë i vitaminës A janë bulmetrat dhe veçanërisht kosi. Kosi është i këshillueshëm sidomos për personat që kanë një lëkurë të thatë. Nëse kosi merret rregullisht për një kohë të gjatë, lëkura është e hidratuar, e butë dhe e freskët.
Ushqimet e pasura me Zink. Zinku është një mineral mjaft i rëndësishëm për organizmin. Ai është përgjegjës për dyfishimin e qelizave. Gjithashtu, është vërtetuar se ka një lidhje mes mungesës së zinkut dhe njollave në fytyrë. Përgjithësisht zinku gjendet në ushqimet me sasi të lartë proteine, si mishi dhe peshku. Zinku që gjendet në ushqimet me prejardhje bimore tretet me vështirësi. Tek ushqimet bimore zinku gjendet tek fasulet, drithërat, arrat, farat e kungullit, etj., kurse tek ushqimet shtazore gjendet tek miishi i kuq, peshku, shpezët, frutat e detit, qumështi dhe nënproduktet e tij, etj.
Ushqimet e pasura me Selen. Seleni pengon apo ngadalëson plakjen e qelizave. Në mënyrë të ngjashme me antioksidantët e tjerë, edhe ai neutralizon radikalet e lira. Për sa i përket lëkurës, seleni ka efekte të forta kurative, duke shëruar lëkurën e dëmtuar nga dielli, çarjet dhe dëmtimet e ndryshme. Nga një studim i Universitetit të Edinburgut, seleni parandalon kanceret e lëkurës. Ushqimet e pasura me selen janë ushqimet bimore si arrat braziliane, drithërat, brokoli, fasulja, farat e kungullit, etj., kurse ushqimet shtazore të pasura me të janë peshku ton, karkalecat e detit, mishi i viçit, mishi i shpezëve, etj.
Ushqimet e pasura me Omega-3. Grupi i acideve yndyrore Omega-3 përmban antioksidantë që nuk mund të sintetizohen nga trupi dhe duhet të merren përmes ushqimit. Konsumi i këtyre acideve yndyrore të pangopura është i lidhur me uljen e konsiderueshme të faktorit të riskut të shumë sëmundjeve dhe vitalizimin e organeve jetësore. Omega-3 i shërben lëkurës nëpërmjet ansnjanësimit të reaksioneve pezmatuese dhe alergjike, duke shëruar plagët dhe patologjitë e tjera të lëkurës. Gjithashtu, Omega-3 rrit elasticitetin e lëkurës. Ushqimet më të pasura me Omega-3 janë arrat dhe peshku.
Çaji jeshil. Çaji jeshil ka veti të pazëvendësushme kurative për sa i përket lëkurës. Çaji jeshil forcon sistemin imunitar dhe e mbron lëkurën nga inflamacionet e ndryshme dhe sëmundjet tumorale. Si në rastet kur merret nga goja, edhe kur aplikohet direkt në lëkurë, efektet e tij janë të mëdha, sidomos në rigjenerimin e lëkurës pas djegieve nga dielli.
Ushqimet jo të Shëndetshme për Lëkurën
Rregulli bazë është që të gjitha ato dieta të cilat rezultojnë të pashëndetshme për organizmin janë të tilla edhe për lëkurën. Në bazë të efekteve të dëmshme në lëkurë, ushqimet e pashëndetshme për të klasifikohen në pesë grupe të mëdha:
Ushqimet Pikante. Konsumi i dietave pikante japin skuqje në lëkurë, acarim të saj, dhe si pasojë kruajtje. Gjithashtu, konsumi i vazhdueshëm i këtyre lloj dietave shkaktojnë shfaqjen e enëve të gjakut në lëkurë.
Ushqimet e Skuqura. Konsumimi ushqimeve të skuqura i jep lëkurës një pamje të lodhur dhe të plakur. Lëkura humbet shkëlqimin e saj, elasticitetin dhe butësinë. Si shkak për këtë janë prania e radikaleve të lira.
Ushqimet e Yndyrshme. Konsumimi i ushqimeve me shumë yndyrë, sidomos me yndyrë shtazore, rrit depozitimin e indeve dhjamore në lëkurë. Kjo shkakton një pamje të pakëndshme, pasi zmadhohen poret e lëkurës për të bërë të mundur daljen jashtë të këtyre yndyrave të depozituara. Gjithashtu, ushqimet e yndyrshme bëhen shkak për krijimin e akneve dhe pikave dhjamore.
Ushqimet e Kripura. Kripa në organizëm shkakton dehidrim. Kjo mundëson që uji në qelizat e lëkurës të dalë jashtë, duke shkaktuar tharjen e lëkurës dhe vdekjen e qelizave të saj. Për shkak të ushqimeve të kripura, lëkura plaket më shpejt, humbet elasticitetin, ngjyrën, butësinë dhe rrudhet.
Ëmbëlsirat. Sheqeri me tepricë, sidomos sheqeri sintetik është konsideruar si një nga armiqtë e mëdhenj të lëkurës. Konsumimi i shumtë i tij është i dëmshëm, pasi ai shndërrohet në depozita dhjamore. Përveç kësaj, sheqeri sintetik shkakton akne në lëkurë, duke u bërë shkak për inflamacionet e saj.
Referencat
US National Library of Medicine; web: www.nlm.nih.gov
National Institutes of Health; web: www.nih.gov
World Health Organisation; web: www.who.int