Herë pas here, këdo e kap mërzia. Problemet në familje, problemet në punë dhe rutina e jetës së përditshme gjeneron gjithnjë probleme emocionale. Disa ngjarje të tjera mund të kenë një ndikim emocional shumë më të madh: humbja e një njeriu të dashur mund të shkaktojë një gjendje të pashpresë rreth të ardhmes, që ndihet shumë si rënie në depresion. Depresioni është çrregullimi më i zakonshëm i gjendjes shpirtërore, një gjendje në të cilën një person ndihet i mbytur nga trishtimi. Në të gjitha këto raste, njeriu ka një aftësi të mrekullueshme përtëritëse: reagimi emocional është krejtësisht i justifikueshëm dhe më pas, çdo gjë kthehet në normalitet.
Por në cilën pikë këto reagime normale evolojnë nga një depresion”normal” në një depresion klinik? Si e përcaktojnë mjekët e klinikës se një gjendje e pashpresë dhe një dëshpërim i thellë që ka kapur një individ përbëjnë një depresion klinik, apo thjesht një periudhë trishtimi që në fund të fundit do të kalojë?
Së pari, kur depresioni është i zgjatur dhe i tejkalon reagimet tipike ndaj një ndodhie jetësore stresuese, vetëm atëherë ai klasifikohet si çrregullim i gjendjes shpirtërore.
Depresioni klinik karakterizohet nga një gjendje e brengosur shpirtërore ose nga humbja e interesit dhe e kënaqësisë ndaj veprimtarive të zakonshme, apo të dyja së bashku. Mjekët e klinikës shohin edhe për dëmtime, apo shqetësime nga fusha sociale, vendi i punës si dhe aspekte të ndryshme të veprimtarisë të përditshme të individit. Karakteristikë e këtyre njerëzve të prekur nga depresioni është se jo vetëm që ndihen shpirtërisht dhe emocionalisht të pamotivuar, pa energji dhe të boshatisur, por kanë edhe probleme serioze dhe vështirësi për të pasur një përditësi normale.
Sipas Shoqatës Amerikane te Psikiatrisë, në Manualin e Diagnozës dhe të Statistikës së Çrregullimeve Mendore – Botimi 4 (DSM-IV-TR), janë dy forma të depresionit. I pari është çrregullimi i thellë depresiv , që është një gjendje dëshpërimi e thellë dhe mund të zgjasë disa muaj, kurse i dyti është distimia, një gjendje disi më e lehtësuar shpirtërore, por me një shtrirje më të gjatë në kohë që varion nga dy deri disa vjet.
Depresioni është dy deri tri herë më i përhapur tek gratë sesa tek burrat (Kessler, 2003; Inaba, 2005). Por nga depresioni nuk përjashtohen madje as fëmijët dhe adoleshentët. Tek fëmijët shumë të vegjël, depresioni shpesh është i vështirë të diagnostikohet, sepse simptomat janë të ndryshme nga ato të të rriturve. Tek foshnjat dhe parashkollorët depresioni mund të shfaqet si “pamundësi zhvillimi” ose për të shtuar në peshë, ose vonesa në të folur apo në aftësitë motore. Në fëmijët e moshës shkollore, depresioni mund të shfaqet si një sjellje antisociale, shqetësim i tepruar, shqetësime të gjumit, ose si lodhje e papërligjur.
Mjekët dhe specialistët janë në kërkim të origjinës së këtij çrregullimi. Ata i kërkojnë ato si tek faktorë të tillë si abuzimi me drogat, efektet anësore të barnave, disa patologji si hipotiroidizmi, ashtu edhe tek faktorë që shkaktojnë emocione negative, si humbja e vendit të punës, humbja e njerëzve të dashur, paaftësia në zgjidhjen e problemeve, etj.
Bazuar tek DSM-IV-TR, mjekët vendosin një diagnozë depresioni në rastet kur nga pesë simptomat e para, dy duhet të jenë të pranishme, përfshirë në to edhe njërën nga dy të parat.
- Gjendje Shpirtërore Depresive. Personi ndihet i trishtuar, bosh pa entuziazëm si dhe i pamotivuar në pjesën më të madhe të ditës. Këto simptoma janë të dallueshme dhe nuk mund të fshihen edhe tek njerëzit e tjerë.
- Humbja e Interesit ndaj Kënaqësisë. Personi ka humbur afeksionin dhe kënaqësinë ndaj gjërave që bën. Ato i kryen sepse thjesht duhen kryer, por pa kënaqësi dhe entuziazëm. Asgjë nuk e tërheq dhe shkon thjesht pas tyre në një mënyrë të detyruar dhe të shtrënguar nga rrethanat. Një individ me depresion humbet interesin edhe në gjëra kaq bazike dhe njerëzore si ushqimi dhe seksi.
- Humbje ose shtim i theksuar i Peshës. Humbja ose shtimi i theksuar i peshës është një nga simptomat e depresionit. Nëse brenda muajit ai ka humbur ose ka shtuar pa vullnetin e tij më tepër se 5% të peshës trupore, ky person ka një nga simptomat e depresionit. Gjithashtu, këta persona shpesh ankohen se ushqimi ka humbur shijen.
- Çrregullime të Gjumit. Njerëzit depresivë kalojnë në ekstreme në lidhje me gjumin. Ata, ose kanë pagjumësi, ose flenë shumë gjumë.
- Çrregullime të Sjelljes Motore. Gjatë aktivitetit të tij, një i depresuar kryen lëvizje të shpeshta dhe jonormale. Sillet rrotull pa arsye të qenësishme dhe nuk e mban vendi. Këta njerëz e kanë të pamundur të rrinë në një vend dhe të bëjnë në një punë të caktuar.
- Lodhja Fizike. Njerëzit me depresion ankohen shpesh se ndihen të lodhur dhe pa energji. Shpesh, ata ndihen të tillë qysh në fillim të ditës. Ata shkojnë në një nivel të atillë, sa nuk janë në gjendje për të marrë vendimet edhe më të thjeshta.
- Mungesa e Vetëvlerësimit dhe Vetëfajësimi. Individët me depresion kanë një vetëvlerësim mjaft të ulët dhe një ndjenjë të përhershme të vetëfajësimit. Ata ndihen inferior karshi të tjerëve dhe të tepërt në shoqëri. Shpesh, ata shprehen: “më mirë të shpëtoni nga mua”, “unë jam i ligu”, etj. Ndjenjat e forta të të qenit i pavlerë, ose i të qenit fajtor, i bëjnë ata të paaftë për të ndjerë kënaqësi. Tek njerëzit me depresion sundon ideja se ata kanë dështuar përfundimisht dhe për këtë ndihen fajtor dhe vuajnë.
- Mungesa e Përqëndrimit. Paaftësia për t’u përqëndruar është simptomë tipike dhe mjaft e përhapur e një personi me depresion. Ai ka shqetësime dhe paaftësi për të menduar, madje nuk arrin dot edhe të lexojë gazetën. Prej mungesës së përqëndrimit, personat me depresion humbasin edhe kujtesën. Në fakt, vështirësitë për t’u përqëndruar dhe degradimet e qëndrueshme në kujtesën afatshkurtër, hera-herës janë shfaqje të depresionit (J.C. Williams, 2000).
- Mendimi për Vetëvrasje. Njerëzit me depresion mund ta ndiejnë veten aq keq, sa të mos duan më të jetojnë. Të sëmurëve me depresion shpesh mendja u rri tek vdekja dhe kanë dëshirën, madje edhe të shprehur, për të kryer vetëvrasje. Ata nuk kanë më dëshirë për të jetuar dhe e kanë humbur energjinë dhe entuziazmin e domosdoshëm që të mban gjallë dhe në jetë. Nuk janë të pakta rastet kur këta kryejnë tentativë për vetëvrasje. Në Amerikë, më shumë se gjysmë milioni amerikanë trajtohen çdo vit nëpër spitale për tentativë vetëvrasjeje dhe më shumë se 30 000 njerëz kryejnë vetëvrasje, e cila në këtë vend kjo zë vendin e 11-të të shkaqeve të vdekjes (Centre for Disease Control, 2006).
Referencat
American Psychiatric Association; “DSM-IV-TR” web:www.psych.org
Charles G. Morris, Albert A.Maisto; “Understanding Psychology”