Stresi Post – Traumatik

Blleik Mileri u fut në trupat e marinës militare në moshën 18-vjeçare, sepse kishte dëgjuar se ishte një mënyrë e lirë për t’u çertifikuar në riparimin e makinave. Pas pak kohe, ai u dërgua në Irak, i caktuar në vrojtimin e kamionëve që përdornin kryengritësit për të nisur sulmet. Gradualisht, lufta në Irak po ia bënte jetë mjaft të vështirë Bllejkut. Rrugët e minuara, vetëvrasësit me bomba, rrezikun e vazhdueshëm të pritave dhe me fëmijët e përdorur hera-herës si karrema, filloi ta dëmtojë psikologjikisht atë. Për të, nuk kishte vend ku mund ta ndiente veten vërtet të të sigurt. Stresi dhe lodhja psikologjike filluan ta shkatërronin. Simptomat e para nuk vonuan; Bllejku nisi të pinte deri në pesë paketa e gjysmë në ditë.
Gjërat u përkeqësuan akoma më shumë kur njësia e Bllejkut u dërgua për të sulmuar një bastion të kryengritësve në Falluxha. I vendosur në majën e një çatie, ai ishte nën një zjarr të vazhdueshëm ditë-natë. Pas shumë peripecish, më në fund, në agimin e një mëngjesi, mbërritën tanket amerikane, të cilat bombarduar ndërtesën ku ishin strehuar kryengritësit. Buçima shurdhuese e artilerisë tankiste i shkaktoi Blleikut një hemorragji në veshë dhe ia dëmtuan dëgjimin. Përveç kësaj, ai shpëtoi vetëm për një qime breshërisë së plumbave të një prite, duke u vërvitur nëpër një derë të thyer në kohën e duhur.
Gjatë luftës, tmerret që ai përjetoi ishin mjaft të mëdha. Pa skena dhune dhe masakre që i mbetën të pashlyera në ndërgjegje. Kjo përvojë nuk kishte se si të mos linte gjurmë në personalitetin e tij.
Pasi kthehet në shtëpi, ai manifestonte sjellje patologjike. Ndryshe nga më parë, Ai nxehej menjëherë dhe hidhej në sulm me qimet e kokës të ngritura përpjetë nga zemërimi. Vazhdimisht në kokën e tij përjetonte një zhurmë mjaft të fortë si dhe një përleshje, në të cilën një armë i rrinte m’u në rrëzë të veshit gati për t’u shkrehur. Gjatë natës në gjumë, Bllejku vërtiste krahun rreth qafës së gruas së tij dhe e shtrëngonte, gati sa nuk i zinte frymën. Shpesh, shihte ëndërra të frikshme me tmerret e luftës që kishte përjetuar dhe në mëngjes çohej i mbytur në djersë nga sikleti. Një ditë, duke hedhur sytë tej dritares, atij iu shfaq një vegim sikur një iraken dergjej i vdekur përdhe. Gjendja e tij po bëhej gjithmonë më e padurueshme, derisa një ditë sulmoi fizikisht një marinar, i cili vërshëlleu në një mënyrë të atillë që i ngjante nisjes së një predhe.
Pas kësaj, Bllejku iu nënshtrua një vizite mjekësore të specializuar tek një grup mjekësh ushtarakë. Ata, pasi e vizituan, e diagnostikuan me çrregullimet e stresit post-traumatik. Për shkak të nivelit të çrregullimit, marina militare e liroi atë nga detyra dhe Bllejku iu bashkua armatës prej 100 mijë vetëranësh të luftës, të cilët, ashtu sikurse ai, vuajnë ende psikologjikisht si pasojë e përjetimeve në luftërat që kanë marrë pjesë (Guthrie, 2005; Standart, 2006).
Por çfarë është çrregullimi i stresit post-traumatik (ÇSPT)?
ÇSPT është një manifestim i jashtëzakonshëm i stresit – reagimi i trupit ndaj një situate të vështirë të përjetuar më parë, e cila prish gjithë funksionimin normal të organizmit. ÇSPT ka simptomat e vazhdueshme dhe të thella të një gjendje të eksituar, të brengosur dhe tejet vigjilente ndaj situatave. Shpesh, ngjarjet e kaluar që kanë shkaktuar ÇSPT-në, ngatërrohen dhe interferojnë në të ardhmen, duke e kthyer personin në një individ të paaaftë dhe konfuz. ÇSPT është një çrregullim i rëndë, i cili gradualisht e çon personin drejt një degradimi fizik, shpirtëror dhe emocional, ku nuk mungojnë rastet e një fundi tragjik në personat e identifikuar me një çrregullim të tillë. ÇSPT kërkon një trajtim mjekësor profesional, të mbështetur mbi bazën e një psikoterapie, ku personat që vuajnë, gjithashtu duhet të distancohen prej situatave të cilat provokojnë emocione të forta negative dhe streseve të fuqishme, të cilat vonojnë rehabilitimin e tyre dhe mund të lënë gjurmë të pashlyeshme.

Referencat
Charles G. Morris, Albert A.Maisto; “Understanding Psychology”