Faktorët Pengues të Shtatzënisë

Shtatzënia shpesh nuk është një proçes që ndodh vetiu. Ai është një proçes i cili në mjaft raste kërkon aplikimin e një sërë masash dhe rregullash të cilat mundësojnë që ajo të ngjasë. Tek pjesa më e madhe e çifteve egziston miti se shtatzënia është vetëm një çështje kohe; ajo shpejt ose vonë do të ndodhë. Ky mit është pengesa më e madhe për mbetjen shtatzënë, sepse ai në të vërtetë nuk lejon që të përgatitesh dhe të zbatosh një sërë masash që do t’ju mundësojnë shtatzëninë ndërsa ditët dhe muajt kalojnë. Të rritësh mundësitë për të mbetur shtatzënë është e nevojshme të eleminosh apo neutralizosh faktorët pengues, nëpërmjet krijimit të zakoneve të shëndetshme dhe kryerjes së testeve diagnostikuese, të aplikosh faktorët nxitës të saj, si dhe të njohësh periudhën e ovulimit, e cila në vetvete shpreh “miratimin” e aparatit riprodhues femëror për këtë vendimmarrje që është nga vendimmarrjet më të bukura në jetën e njeriut.

Faktorët pengues të shtatzënisë janë ata faktorë që pengojnë  një shtatzëni të shpejtë dhe të shëndetshme. Nga pikëpamja fiziologjike, faktorët pengues ndikojnë në efikasitetin e marrëdhënieve seksuale si dhe shëndetin e organeve riprodhuese. Përsa i përket marrëdhënieve seksuale, faktorët pengues provokojnë impotencë seksuale tek mashkulli, kurse përsa i përket shëndetit të organeve riprodhuese, ata ndikojnë në cilësinë e spermës ose të vezës.  Spermatozoidet mund të jenë të pakët në numër, me cilësi të dobët, ose me të dyja këto karakteristika së bashku. Këto lloj spermatozoidësh e kanë udhëtimin e vështirë për tek veza. Por edhe në rast se ata mbërrijnë tek veza, nëse spermatozoidi është më cilësi të dobëta apo i dëmtuar, ka mundësi shumë të pakta që të bashkohet. Edhe nëse pllenimi ndodh, veza e pllenuar e ka të vështirë të rezistojë duke mbijetuar përtej fazave të para të rritjes.

E njëjta gjë vlen edhe për organin riprodhues femëror.Faktorët pengues mund të krijojnë një proçes degjenerues të vezës.Përveç kësaj, mund të ndodhë që tubat e Fallopit të çahen apo bllokohen, çka pamundëson përparimin e vezës së pjekur drejt spermatozoideve.

Faktorët pengues të shtatzënisë ndahen në faktorë patogjenë dhe faktorë të jashtëm. Faktorët patogjenë janë faktorë nga sëmundjet e ndryshme që kanë si komplikacion dëmtimet në shëndetin riprodhues, kurse faktorët e jashtëm janë sjellje dhe zakone jo të shëndetshme të cilat ngadalësojë apo pengojnë shtatzëninë.

Faktorët Patogjenë

Aparati riprodhues femëror apo mashkullor është delikat dhe i ndjeshëm ndaj mjaft sëmundjeve. Është fakt që nëse mashkulli mund të preket nga një sëmundje e çfarëdoshmë, psh. tonsiliti, shëndeti i tij riprodhues kërcënohet duke bërë që numri i spermatozoideve të ulet, gjë që ul probabilitetin për ngjizje. Janë një sërë infeksionesh të organeve gjenitale që janë faktorë risku për cilësinë e spermës, si orkitisi, infeksioni i epididimusit, etj. Bëni kontrolle tek mjeku për të evidentuar sëmundje të mundshme që ndikojnë në shëndetin riprodhues, si rubeola apo sëmundjet seksualisht të transmetueshme, etj.

Për më tepër, shih temën Testet Diagnostikuese para Shtatzënisë.

Faktorët e Jashtëm

Faktorët e jashtëm janë faktorë pengues që rrjedhin nga zakonet jo të shëndetshme të të jetuarit. Karakteristika e këtyre faktorëve është se me ndryshimin e këtyre zakoneve, shëndeti riprodhues i partnerëve gjenerohet dhe rriten shumë mundësitë për mbetjen shtatzënë. Nëse në faktorët patogjenë shërimi është një proces jo i lehtë dhe i ndërvarur nga shumë rrethana, faktorët e jashtëm kanë karakter kryesisht subjek ku në sprovë është vullneti dhe kurajoja e partnerëve për të ndryshuar. Ndër faktorët e jashtëm që pengojnë shtatzëninë janë:

Duhani. Duhanpirja ka efekte negative në shëndetin riprodhues si të mashkullit ashtu edhe të femrës. Ajo mund të cënojë si cilësinë e spermatozoidit, ashtu edhe të vezës. Gjithashtu, duhani ndikon në mukusin cervikal, dëmtimi i së cilës nuk mundëson që spermatozoidi të mbërrijë tek veza. Gjatë shtatzënisë, pirja e duhanit nga nëna mund të pengojë furnizimin e fetusit me oksigjen dhe lëndë ushqyese, çka rrit rrezikun e një aborti. Ndikimi i duhanit në shëndetin riprodhues të mashkullit është aq i madh, saqë ai ndikon edhe në cilësinë e spermatozoidëve tek një person, nëna e të cilit e ka pirë duhanin gjatë shtatzënisë më të.  Gjatë konferencës në Londër të mbajtur nga Ekspertët e Shoqërisë Europiane për riprodhimin dhe embrionologjinë, dr. Le Moal thotë se “një nënë e cila ka konsumuar duhan në fillim apo gjatë shtatzënisë së saj, do të lindë nëse lind një mashkull, ai nuk mund të ketë në të ardhmen spermatozoidë të fuqishëm”.  Sipas tij, “nëse gametet tona, nuk janë prodhuar në mënyrë të drejtë gjatë shtatzënisë, kjo mund të ndikojë në shëndetin në të ardhmen”. Pra, nëse një çift kërkon një shtatzëni, partnerët që e kanë pirë duhanin, e kanë për detyrë ta lënë atë.

Alkooli. Alkooli është veçanërisht i dëmshëm për shëndetin riprodhues të mashkullit. Alkooli tek mashkulli është faktor pengues i dyfishtë: së pari ndikon në numrin dhe cilësinë e spermatozoidëve dhe së dyti ul performancën seksuale të tij nëpërmjet çrregullimeve në çlirimin e hormoneve androgjene. Përsa i përket femrës, dëmtimet tek ajo shfaqen në zhvillimin e mangët të fetusit dhe keqformimet gjatë shtatzënisë.

Drogat. Drogat ndikojnë ndjeshëm në shëndetin riprodhues, sidomos tek shëndeti riprodhues i mashkullit. Gjatë konferencës në Londër të mbajtur nga Ekspertët e Shoqërisë Europiane për riprodhimin dhe embrionologjinë, dr. Roger Hart theksoi se konsumimi i marijuanës tek meshkujt ndikon mjaft të shëndetin riprodhues. Është vërtetuar se përdorimi i saj e ul ndjeshëm numrin e spermatozoideve në spermë. Sipas tij, nëse një çift planifikon të ketë fëmijë dhe mashkulli është përdorues i marijuanës duhet ta lërë atë. Kjo ndikon pozitivisht në rigjenerimin e spermës dhe shtimin e numrit të spermatozoideve në të.

Kafeina. Hulumtuesit kanë zbuluar se gratë me probleme të pjellorisë duhet të ken kujdes nga konsumimi i tepër i pijeve me kafeinë si kafja apo çajrat. Kështu, nëse ato konsumojnë rreth katër fixhanë kafe në ditë, mund të reduktojnë në 26% mundësitë e tyre për të mbetur shtatzënë. Sasia e lejuar e rekomanduar e kafeinës është 150 mg në ditë.

Mbipesha. Gratë obeze mund të kenë probleme me ovulacionin.Obeziteti dëmton vezët dhe ngadalëson proçeset metabolike të organizmit duke krijuar çrregullime. Hulumtuesit kanë vënë re që edhe në fertilizimin “in vitro” gratë mbipeshë kanë përqindje më të ulët të suksesit se gratë me peshë normale trupore. Gjithashtu, edhe gjatë shtatzënisë obeziteti sjell ndërlikime që mund të jenë diabeti dhe sëmundjet kardiovaskulare. Janë jo të paktat raste me këto ndërlikime tek gratë shtatzëna. Obeziteti gjithashtu ndikon edhe në cilësinë e spermatozoidit tek burrat. Është e rëndësishme rënia në peshë përpara përpjekjeve për një shtatëzani. Është e rëndësishme që para shtatzënisë indeksi i masës trupore duhet të jetë nga 20 deri 25. Por kujdes! Asnjëherë nuk është e këshillueshme dietat të cilat sigurojnë një humbje të menjëhershme të peshës. Kjo metodë nuk siguron efikasitetin në shëndetin riprodhues dhe njëkohësisht mund ta përkeqësojë atë nëpërmjet dobësimit të sistemit imunitar.

Edhe burrat kanë probleme në shëndetin riprodhues nëse janë mbipeshë. Sa më të madh ta kenë ata indeksin e masës trupore, aq më e vogël është mundësia për t’u bërë prind. Cilësitë e spermës së tyre bien duke filluar nga numri i spermatozoidëve që vjen gjithnjë në ulje e deri tek lëvizshmëria e tyre.  Burrat me indeks të masës trupore 30 e lart kanë 20% më pak spermatozoide se burrat me indeks të masës trupore 20 deri 25.

Më problematike paraqitet gjendja në rastin kur të dy partnerët janë obezë. Në këtë rast, mundësitë për të mbetur shtatzënë ulen pothuaj dyfish në krahasim me rastin kur njëri prej tyre është i tillë.

Nënpesha. Edhe nënpesha tek gratë mund të sjellë probleme me ovulacionin.Gratë nënpeshë duhet të përpiqen që të mbërrijnë tek indeksi i masës trupore nga 20 deri 25. Reaksionet metabolike tek këto gra janë të ngadalësuara dhe funksionet riprodhuese mund të jënë çrregulluar.

Stresi dhe Çrregullimet Emocionale. Stresi dhe çrregullimet emocionale kanë ndikimin e tyre negativ në shëndetin riprodhues. Tek mashkulli, stresi mund të dëmtojë prodhimin e spermës. Përveç ndikimit që ka stresi dhe çrregullimet emocionale në shëndetin riprodhues, ndikim tjetër negativ në fertilitet është edhe ndikimi që kanë këata faktorë në uljen e dëshirës seksuale tek të dy partnerët.

Jo rrallë, stresi dhe depresioni janë bashkëshoqëruese në planifikimin e çiftit për një shtatzëni. Ankthi dhe paniku që mund të shoqërojë këtë proces i bën gjërat akoma më të vështira duke krijuar çifti padashur një “feedback” negativ: sa më shumë vonohet shtatzënia, aq mq shumë shtohet stresi dhe sa më shumë shtohet shtohet stresi aq më shumë vonohet shtatzënia. Nga një studim i Universitetit të Oksfordit në një numër të konsiderueshëm grash është vënë re se mundësitë për mbetjen shtatzënë tek ato gra që tek to ishin të pranishme hormoni i stresit kortizol, ishin rreth 12% m ë të pakta.

Gjatë përpjekjeve për shtatzëni, partnerët të cilët kanë prirje drejt stresit dhe çrregullimeve emocionale duhet të zhvillojnë teknika relaksimi dhe seanca këshillimi në ekspertë të kësaj fushe për të mbajtur stresin në nivele të ulëta dhe zhvilluar besimin herët a vonë shtatzënia do të ndodhë, mjaft të kryhen korrektësisht të gjitha shkaqet e lidhura me të.

Barnat. Nëse gjatë kohës që planifikoni shtatzëninë, partnerët që gjenden nën një kurë medikamentoze, duhet të këshillohen me mjekun për këtë fakt. Mjaft barna si antibiotikët, etj., ndikojnë në uljen e ndjeshme të numrit të spermatozoidëve tek mashkulli dhe cilësinë e vezve tek femra. Këshillimi me mjekun është i nevojshëm edhe për barnat që shiten pa recetë.

Dëmtimet Fizike të Organeve Gjenitale. Organet gjenitale femërore dhe mashkullore kërkojnë kushte të përshtatshme për zhvillimin e funksioneve të tyre riprodhuese. Tek femra, veshjet e ngushta si pantallonat mund të ushtrojnë shtypje në uterus, kurse veshjet e ngushta tek meshkujt ushtrojnë shtypje në testikuj. Gjithashtu, të shmangen nga femrat të brendshmet të cilat janë të ashpra si najloni, etj., dhe të përdoren vetëm veshje pambuku.

Organet riprodhuese femërore dhe mashkullore janë të ndjeshme, gjithshtu, edhe ndaj temperaturës. Tek meshkujt, temperatura e testikujve duhet të jetë 2 gradë nën temperaturën e trupit për një veprimtari normale të tyre. Për këtë është e nevojshme që testikujt të lahen disa herë në ditë me ujë të ftohtë.

Në të kundërt, organet riprodhuese femërore kanë nevojë për ngrohtësi për zhvillimin e funksioneve të tyre. Për kërtë femrat duhet të shmangin përdorimin e tangave dhe të mbajë të brendshme të plota dhe të ngrohta, si boksera.

Sforcimet Fizike. Puna e vështirë fizike, palestra e rëndë dhe sforcimet ndikojnë negativisht. Veprimtaria e organeve riprodhuese, sidomos e organit femëror pas një ngjizjeje të mundshme, gjatë aktiviteteve të lodhshme fizike, zhvillohet nën një stres të vazhdueshëm që zvogëlon mundësitë për një zhvillim normal të uterusit. Për këtë arsye, duhet të shmangen sa të jetë e mundur këto lloj aktivitetesh si përpara, ashtu edhe gjatë shtatzënisë.

Shmangia e aktiviteteve të sforcuara fizike nuk i përjashtojnë aktitetet e fizike me norma dhe ngarkesë të reduktuar, si aerobia apo shëtitjet në natyrë.

Dëmtimet nga Faktorët  Ambientalë. Toksikimet nga faktorët ambientalë luajnë një rol mjaft negativ në shëndetin riprodhues. Ndotësit ambientalë nga lëndët kimike, radioterapia dhe kimioterapia kanë ndikime të konsiderueshme në cilësinë e spermës.

Dëmtime, por gjithësesi jo në nivelin e ndotësve kimikë dhe rrezatimet kanë edhe faktorët e tillë mjedisorë si ekspozimi në diell, shi ose erë për një kohë të gjatë. Ashtu sikurse në rastin e sforcimeve fizike, veprimtaria e organeve riprodhuese, sidomos e organit femëror pas një ngjizjeje të mundshme, zhvillohet nën një stres të vazhdueshëm që zvogëlon mundësitë për një zhvillim normal të uterusit.

Lubrifikantët Vaginalë. Mos krijoni varësi nga lubrifikantët vaginalë. Mjaft lubrifikantë të ndryshëm, madje edhe pështyma mund të zvogëlojnë mundësitë e fertilitetit. Ekuilibri i mjedisit acido-bazik të vaginës është mjaft delikat dhe spermatozoidët nuk mund të lëvizin lirisht drejt vezës në një mjedis të ndryshuar. Nëse keni nevojë për lubrifikantë, mund të përdorni vajrat me bazë organike si vaj kanola. Për sugjerime të tjera, këshillohuni me mjekun tuaj.

Marrëdhëniet seksuale për ngjizjen zhvillohen në bazë të cikleve, ku në qendër të ciklit është periudha e ovulimit. Pasi mbaron një cikël, në pritje të testit të shtatzënisë femrat duhet të jenë të kujdesshme që të mos krijojnë aksidente gjatë procesit të formimit të fetusit, i cili në këtë fazë është ende i paformuar dhe jashtëzakonisht delikat. Për këtë, femrat duhet të ndërpresin marrëdhëniet seksuale, të pushojë sa më shumë, të ndërpresë aktivitetet fizike e sportive të hajë shëndetshëm, të pijë sasi të mëdha uji, të jetë e kujdeshme gjatë larjes, duke shmangur larjet në vaskë dhe larjet në brendësi të vaginës, të mos përdorë tampone; nëse sëmuret të marrë këshillat e mjekut për trajtimet medikamentoze; së fundi, të presë me durim edhe qetësi rezultatet e testit të shtatzënisë. Nëse testi rezulton negativisht, po me të njëjtin durim dhe qetësi t’ia fillojë sërish nga e para…

Referencat

Anne Deans; “Your Pregnancy Bible”; web: www.carrollandbrown.co.uk
US National Library of Medicine; web: www.nlm.nih.gov
National Institutes of Health; web: www.nih.gov

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *