Këshilla për Simptomat e Shtatzënisë

Ndryshimet e rëndësishme anatomo-fiziologjike në trupin e gruas shtatzënë çojnë pashmangshmërisht në simptoma që njihen si simptomat e shtatzënisë. Ndryshimet më të rëndësishme janë niveli i shtuar i hormoneve, veçanërisht hormoni i quajtur gonadotropina korionike njerëzore (hCG), progresteroni, dhe estrogjeni, si dhe shtimi i peshës së organizmit për shkak të rritjes së vëllimit të gjakut, fetusit, etj.

Simptomat e hershme të shtatzënisë janë më pak të dukshme  dhe zhduken me kalimin e kohës, kurse simptomat gjatë maturimit të shtatzënisë janë simptoma të dukshme dhe shfaqen zakonisht deri në lindje. Është detyrë e çdo gruaje shtëtzënë që  nëse simptomat shfaqen, ato duhet të përkthehen se çfarë duan të thonë si dhe t’u përgjigjet atyre me një varg masash që mundësojnë një shtatzëni sa më të lehtë.

Ja se cilat janë masat që duhet të merrni për simptomat e shtatzënisë:

Lodhja dhe Dobësia. Lodhja dhe dobësia është një simptomë që prek të gjitha gratë shtatzënë. Për këtë arsye, janë të domosdoshme masat e mëposhtme:

  • Vetëdijësohuni se çfarë gjërash mund të bëni dhe çfarë jo. Distancohuni plotësisht nga ato gjëra që nuk mund t’i kryeni dot dhe delegojuani ato të tjerëve. Rindani rolet dhe përgjegjësitë në punë dhe familje.
  • Bëni ndërprerje të shpeshta dhe të shkurtra për pushime gjatë ditës. Në mbrëmje, shkoni herët në shtrat dhe relaksohuni duke mbajtur këmbët lart nëpërmjet 2-3 jastëkëve. Ky qëndrim është mjaft qetësues për trupin. Këtë lloj relaksi mund ta bëni sa herë që e ndjeni të nevojshme edhe gjatë ditës.
  • Kujdesuni për një dietë të shëndetshme. Shmangni kafeinën dhe ëmbëlsirat, të cilat ju japin energji për momentin, por sapo niveli i sheqerit në gjak fillon të zbresë, ato ju “braktisin” dhe ju lënë më të lodhura se para konsumimit të tyre.
  • Bëni disa ushtrime relaksuese çdo ditë. Ato ju pajisin me energjinë e nevojshme.

“Sëmundja e Mëngjesit”. Për këtë simptomë, rekomandohen një sërë masash që do të zbusin efektet e saj:

  • Gruaja shtatzënë duhet të eleminojë marrjen e sasive të mëdha të ushqimit. Në vend të tyre, ajo duhet të hajë vakte të vogla dhe të shpeshta, në mënyrë që nga stomaku të mos provokohen vjellje, por edhe që ai të mos mbetet asnjëherë bosh.
  • Në shtatzëni, është koha që të mos pyetet shumë për linjat dhe dieta të caktuara. Tashmë rekomandohet që të hani çfarë ju dëshironi.
  • Nëse të përzierat mund të përkeqësohen nga përdorimi i pastës së dhëmbëve, zgjidhni një lloj tjetër që nuk ua shkakton këtë ndjesi.
  • Nëse të përzierat mund të përkeqësohen nga akumulimi i pështymës në gojë, shtrydhni disa pika limoni në të.
  • Përdorni çaj xhenxhefili për të përzierat dhe të vjellat. Në një numër grash shtatzëna, kjo terapi ka dhënë efekt të mirë.
  • Konsumoni tost të thatë, patate dhe karbohidrate, të cilat janë lehtësisht të tretshme. Ushqimet që nuk treten lehtë, si ato të pasura me yndyrë provokojnë përzierje dhe të vjella.
  • Konsumoni biskota sa herë që keni ndjesinë e përzierjes. Për këtë qëllim, mbani biskota në çantë dhe tek koka e krevatit. Në mëngjes kjo ndjesi mund të jetë e zakonshme për ju.

 

Rritja e sasisë së Pështymës. Nëse konstatoni rritje të sasisë së pështymës në gojë, merrni këto masa:

  • Thithni një copë limoni, ose shtrydhni disa pika limoni në gojë.
  • Konsumoni fruta. Frutat ndikojnë në lehtësimin e simptomës.
  • Hani në porcione të vogla dhe sa më shpesh. Ky rregjim ushqimor ndihmon në absorbimin e pështymës.
  • Mundohuni të konsumoni në sasi jo të mëdha ushqimet me përmbajtje niseshteje dhe bulmeti. Ndiqni një dietë të balancuar për këtë qëllim.
  • Lani gojën me produkte të cilat përmbajnë mente. Ato freskojnë gojën dhe largojnë ndjesinë jo të këndshme të sasisë së madhe të pështymës në gojë.

Vështirësi në Frymëmarrje. Vështirësia në frymëmarrje pakësohet nëpërmjet masave të mëposhtme:

  • Eleminoni stresin. Përveç faktorëve të tjerë themelorë, stresi mund të jetë një nga shkaktarët për mbajtjen e frymës dhe vështirësi në frymëmarrje.
  • Qëndroni në këmbë dhe zgjeroni sa më shumë gjoksin që mushkëria të ketë mundësi për më shumë frymëmarrje.
  • Konsultohuni me mjekun sa më shpejt që të jetë e mundur, nëse keni gulçe, dhimbje gjoksi apo nxirje të buzëve dhe gishtave.

Urinimi i Shpeshtë. Për këtë simptomë, është e rëndësishme praktikimi i ushtrimeve të Kegelit. Këto ushtrime forcojnë muskujt e dyshemesë së pelvisit dhe sfinkterin urinar.

Gjithashtu, urinimi i shpeshtë mund të jetë shenjë e infeksionit të traktit urinar. Konsultohuni me mjekun tuaj për këtë qëllim.

Humbja e vazhdueshme e lëngjeve mund të jetë shenjë edhe e çarjes së membranës. Membrana është cipa që vesh lëngun amniotik rreth fëmijës. Informoni mjekun për këtë për të përcaktuar saktësisht problemet e urinimit të shpeshtë.

Dhimbje Barku. Dhimbjet e barkut shtohen veçanërisht kur lëvizni me shpejtësi apo kryeni një aktivitet fizik dhe pakësohet nëse qëndroni shtrirë. Bëni shpesh pushime me intervale të shkurtra gjatë aktivitetit të përditshëm. Ngrini këmbët lart kur jeni shtrirë.

Për këto dhimbje, gjithmonë konsultohuni me mjekun për të shmangur ndonjë komplikacion të rëndësishëm.

Dhimbje Shpine. Dhimbja e shpinës është si rezultat i ndryshimit të qendrës së gravitetit të gruas shtatzënë. Barku që rritet e zhvendos përpara qendrën e gravitetit. Për këtë, rekomandohen masat e mëposhtme:

  • Bëni zakon të ruani pozicionin e rregullt të trupit gjatë aktivitetit të përditshëm. Një gabim që bëjnë shpesh gratë shtatzëna është se e lënë peshën e barkut që të marrë  përpara shtyllën kurrizore. Ky pozicion sjell shumë tension në zonën e ijeve. Për këtë arsye, tkurrni muskujt e barkut dhe pasi të keni gjetur pozicionin e ekuilibrit, i cili është pozicioni më relaksues dhe pa dhimbje, ruajeni atë.
  • Mbani shpatullat drejt dhe mos i lëshoni përpara. Kjo gjë ju mundëson të gjeni pozicionin tuaj të ekuilibrit.
  • Uluni në karrige me shpinë të lartë. Vendosni gjunjët mbi nivelin e ijeve.
  • Ngrihuni me kujdes që të mos dëmtoni shtyllën kurrizore. Gjithmonë gjatë ngritjes hapni këmbët sa gjerësia e shpatullave. Mos u përkulni në mes, por tek gjunjët. Kur të ngriheni shtyni lart me kofshët dhe mbajeni drejt kurrizin.
  • Eleminoni ngritjen e peshave, si çanta të rënda, etj. Nëse keni ndonjë ngarkesë, ekuilibroheni atë nëpërmjet dy çantave dhe mbajini ato në secilën krah. Gjithashtu, gjatë periudhës së shtatzënisë, rekomandohet që çanta të jetë e modelit shpinë.
  • Vishni vetëm këpucë me takat e ulëta. Këpucët me taka të larta janë mjaft të rrezikshme. Përveçse që ndikojnë në shtyllën kurrizore, ato bëhen shkak për rrëzime, pasi qendra e gravitetit tek shtatzënat ka ndryshuar.
  • Kryeni masazh kundër dhimbjeve në zonat që ju dhembin. Studimet kanë evidentuar se masazhi është një nga terapitë kryesore me rezultate të shpejta në rastet e dhimbjeve.
  • Zhvilloni një program ushtrimesh për këtë qëllim. Pilates është mjaft i efektshëm për gjetjen e pozicionit të duhur të trupit dhe ruajtjen e tij.

Kapsllëku. Kapsllëku mund të lehtësohet nga masat e mëposhtme:

  • Përdorni në dietat tuaja ushqime me sa më shumë fibra. Ushqimet me fibra janë drithërat, frutat dhe perimet. Më e mira është që frutat të mos qërohen, por të konsumohen me lëkurë për shkak të pranisë të madhe të fibrave në to.

Mund të ndodhë që dietat me fibra të shtuara mund të krijojnë fryrje të zorrëve. Për këtë arsye, gjeni pikën e ekuilibrit.

  • Shumë gra shtatzëna preferojnë konsumin e kokoshkave. Eleminoni marrjen e fibrave nëpërmjet kokoshkave. Ato kanë yndyra të shtuara dhe kripë, të cilat nuk janë shumë të shëndetshme, sidomos në këtë fazë.
  • Konsumoni me shumicë lëngje. Lëngjet ndihmojnë që të mos krijohen masë e ngurtë dhe e thatë nëpër zorrë.
  • Konsumoni kumbulla të thata, ose pini çdo ditë një gotë me lëng kumbulle. Kumbullat janë mjaft të mira për jashtëqëitjen.
  • Shmangni sa të jetë e mundur përdorimin e laksativëve. Ato paraqesin risk të lartë për ngërçe abdominale dhe në disa raste, edhe kontraktim të mitrës. Këshillohuni me mjekun tuaj për këtë qëllim.
  • Kryeni rregullisht ushtrime gjimnastikore, sidomos ato ushtrime që aktivizojnë muskujt e barkut. Ato lehtësojnë aktivitetin e zorrëve dhe shmangin kapsllëkun.

 

Marramendja. Ndjenja e marramendjes është e zakonshme në shtatzëni. Për këtë simptomë, rekomandohet të zbatoni disa rregulla:

  • Kur jeni ulur ose shtrirë, ngrihuni ngadalë, në mënyrë të tillë që gjaku të ketë kohë të shkojë në tru me fluksin e duhur.
  • Kur jeni shtrirë, gjithmonë qëndroni nga njëri krah ose nga tjetri, duke u alternuar. Shtrirja në kurriz nuk rekomandohet për gratë shtatzëna.
  • Marramendja mund të jetë një shenjë e dehidratimit. Për këtë arsye, pini lëngje mjaftueshëm. Gjithashtu mos e shmangni përdorimin e kripës, por pa e tejkaluar atë.
  • Marramendja mund të shkaktohet edhe nga rënia e nivelit të sheqerit në gjak. Për këtë arsye, merrni në dietat tuaja karbohidrate komplekse – bukë, makarona, oriz, drithëra dhe bishtajore. I hani ato në porcione të vogla dhe të shpeshta për të ruajtur nivelin e sheqerit në gjak. Gjithashtu, gjithmonë mbani me vete dhe në shtëpi fruta të thata ose biskota që shërbejnë për këtë qëllim. Këto ushqime sigurojnë një rritje të shpejtë të sheqerit në gjak.
  • Edhe ngrohtësia e tepërt ndikon në marramendjen. Çlirohuni nga rrobat e tepërta, veçanërisht rreth qafës dhe belit. Merrni pak ajër të pastër në ambiente çlodhëse.

Të Fikëtit. Të fikëtit është një simptomë e rrallë në shtatzëni. Të fikëtit është një simptomë që nuk e dëmton fëmijën, megjithatë, në rastet kur kjo simptomë shfaqet, duhet të vihet menjëherë mjeku në dijeni, për shkak se të fikëtit mund të jetë një shenë e një anemie të rëndë.

Nëse po ndieni se po ju bie të fikët, përpiquni të rrisni qarkullimin e gjakut në tru, duke ulur kokën mes gjunjëve, ose duke u shtrirë me këmbët më lart se koka.

Gazrat në Traktin Tretës. Gazrat në traktin tretës janë një dukuri që ndodh shpesh në shtatzëni dhe për fat të keq, nuk ka shumë masa për të elëminuar atë. Megjithatë një nga gjërat kryesore që duhen pasur parasysh për këtë simptomë, është eleminimi sa të jetë i mundur i kapsllëkut.

Masa të tjera janë:

  • Mos hani me nxitim. Ngrënia me nxitim nxit në mënyrë të paevitueshme gëlltitjen e sasive të ajrit, i cili depozitohet nëpër zorrë duke krijuar xhepa dhe jep ndjenjën e pakëndëshme të fryrjes si dhe dhimbje.
  • Hani lehtë dhe shpesh. Shmangni vaktet e mëdha dhe të rënda. Ato krijojnë fryrje dhe parehati. Zëvendosojini ato me vakte të lehta dhe të shpeshta. Në këtë rast, zorrët ndihen më të lehtësuara dhe më funksionale.
  • Identifikoni ushqimet që krijojnë fryrje dhe gazra. Janë disa ushqime që krijojnë gazra tek të gjithë njerëzit, si psh. fasulet, qepët, lakrat, ushqimet e skuqura dhe salcat e rënda. Megjitahtë, tek pjesa më e madhe e njerëzve, ushqimet që shkaktojnë fryrje dhe gazra janë të ndryshme në njerëz të ndryshëm. Për këtë arsye, duhet të identifikoni ato ushqime që janë problematike në këtë aspekt.

Djegia e Stomakut. Djegia në stomak është rezultat i aciditetit të stomakut, e cila vjen nga poshtë-lart nëpërmjet ezofagut. Për djegien në stomak, rekomandohen masat e meposhtme:

  • Hani lehtë dhe shpesh. Shmangni vaktet e mëdha dhe të rënda.
  • Nëse ndjeni djegie stomaku, fusni në gojë ndonjë biskotë. Ato janë mjaft të efektshme për këtë qëllim.
  • Shmangni ushqimet pikante dhe me shumë yndyrë.
  • Shmangni ngrënien dy orë përpara se të flini. Zakonisht djegia e stomakut ndodh gjatë natës.
  • Që të eleminoni nxjerrjen e ushqimit, vendoseni kokën sa më lart (me dy jastëkë).
  • Konsultohuni me mjekun tuaj për të marrë ilaçe që neutralizojnë aciditetin. Përdorini ato kur të shkoni në shtrat.

Rrjedhja dhe Bllokimi i Hundëve. Rrjedhja dhe bllokimi i hundëve lehtësohet nëpërmjet masave të mëposhtme:

  • Rrisni marrjen e lëngjeve.
  • Rrisni nivelin e lagështirës në ambientin ku jetoni, veçanërisht në dhomën e gjumit gjatë natës.
  • Mbajeni kokën lart kur flini.
  • Thithni avull nga një enë me ujë të ngrohtë.
  • Përdorni sprajt mjekësor për hundët.
  • Shfryjini hundët me butësi për të shmangur gjakderdhjen.
  • Hani ushqime të pasura me vitaminë C.
  • Konsultohuni me mjekun tuaj për të marrë ilaçet për këtë qëllim. Mos përdorni ilaçe pa aprovimin e mjekut.

Pagjumësia. Pagjumësia mund të jetë problem serioz me kalimin e kohës dhe rritjen e masës trupore. Për këto arsye, rekomandohet:

  • Shmangni ngrënien dy orë përpara se të flini. Nëse stomaku është në aktivitet, kjo mund të shkaktojë pagjumësi.
  • Përdorni jastëkë për të ruajtur disa pozicione të rehatshme gjatë fjetjes. Kështu, vendosja e jastëkut poshtë mesit, mes këmbëve dhe nën to mund t’ju sigurojë një pozicion më të rehatshëm gjatë gjumit.
  • Flini nga ana e majtë. Ky pozicion parandalon shtypjen që fëmija mund të ushtrojë në venën e poshtme, të quajtur “kava” dhe që furnizon me gjak zemrën.
  • Eleminoni fjetjen në shpinë. Fjetja në shpinë në javët e fundit të shtatzënisë mund të sjellë të dridhura dhe probleme të tjera.
  • Bëni banjë përpara se të shkoni për të fjetur. Banja me ujë të ngrohtë ka efekt të madh relaksues.
  • Përpara se të flini, pini një gotë me qumësht të ngrohtë. Qumështi  ngrohtë çliron një aminoacid të quajtur triptofat, i cili stimulon një gjendje përgjumjeje.
  • Sigurohuni që dhoma e gjumit të jetë e ajrosur. Një dhomë gjumi me dritare të mbyllura dhe me ajër të rënduar shkakton pagjumësi.
  • Bëni përditë disa ushtrime të thjeshta gjimnastikore.

Fryrja e Trupit. Fryrja e trupit shkaktohet nga akumulimi i lëngjeve në trup. Për këtë simptomë rekomandohen:

  • Mos qëndroni për një kohë të gjatë në këmbë. Bëni pushime të shpeshta dhe të shkurtra gjatë ditës me pozicionin e këmbëve lart.
  • Nëse i keni duar e fryra, i mbani ato lart mbi nivelin e zemrës.
  • Shmangni veshjen e rrobave dhe këpucëve të ngushta.
  • Vishni çorape të trasha. Konsultohuni me mjekun rreth gjendjes suaj dhe mundësive për të përdorur çorape elastike për këtë qëllim.
  • Pini lëngje më shumicë. Ato mundësojnë urinim të shpeshtë dhe largimin bashkë me to edhe të lëngjeve të tjera të depozituara.
  • Mos e ulni marrjen e kripës derisa tensioni i gjakut nuk është i lartë.
  • Kryeni sa më shumë masazh në zonat që kanë risk të lartë nga fryrja. Masazhi përmirëson qarkullimin e gjakut dhe eleminon depozitimin  e lëngjeve të tepërta në inde.

Venat Varikoze. Problemi më i madh i gruas shtatzënë përsa i përket venave varikoze, janë hemorroidet. Për këtë simptomë, rekomandohen këto masa:

  • Shmangni kapsllëkun. Kapsllëku është një nga faktorët që e shton mjaft mundësinë për krijimin e hemorroideve. Kapsllëku kërkon një dietë ushqimore të pasura me fibra, fruta dhe perime.
  • Qëndroni ulur në një banjë të ngrohtë dy-tre herë në ditë për të lehtësuar krijimin e spazmave muskulore.
  • Përdorni lilaçe me qëllim zbutjen e zorrës nga irritimi prej hemorroideve.
  • Shmangni qëndrimin në këmbë për shumë kohë. Qëndrimi shtrirë dhe me këmbët lart është i duhuri për t’u lehtësuar nga hemorroidet dhe venat varikoze në pjesë të tjera të trupit.
  • Nëse qëndroni në gjendje qetësie për një periudhë të gjatë, stimuloni qarkullimin e gjakut nëpërmjet lëvizjeve të këmbëve.
  • Uluni me këmbët lart sa herë që të mundeni.
  • Vishni çorape të ngushta. Konsultohuni me mjekun rreth gjendjes suaj dhe mundësive për të përdorur çorape elastike për këtë qëllim.
  • Shmangni veshjen e çorapeve me qafa të ngushta, ose llastikave që mbajnë çorapet të shtrënguara vetëm në një pjesë të këmbës.
  • Kryeni sa më shumë masazh në zonat që kanë risk të lartë nga venat varikoze. Masazhi përmirëson qarkullimin e gjakut dhe pengon krijimin e tyre.
  • Për këtë simptomë, është e rëndësishme edhe praktikimi i ushtrimeve të Kegelit. Ushtrimet e Kegelit ndihmojnë në qarkullimin e gjakut në atë zonë.

Ngërçet. Ngërçet mund të lehtësohen me masat e mëposhtme:

  • Mundohuni të ecni këmbëzbathur sa herë t’ju jepet mundësia, sidomos në bar dhe terrene pak të thyera. Ecja këmbëzbathur aktivizon nervat e shputës së këmbëve dhe mënjanon ngërçet.
  • Kryeni shtriqje të kofshëve dhe këmbëve. Ato zvogëlojnë dhimbjen.
  • Bëni sa më shumë masazh. Masazhi eleminon ngërçet dhe dhimbjet nga to.

Referencat

Anne Deans; “Your Pregnancy Bible”; web: www.carrollandbrown.co.uk
US National Library of Medicine; web: www.nlm.nih.gov
Mayo Clinic; web: www.mayoclinic.com

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *