Testet e Shtatzënisë

Për shëndetin e nënës dhe fëmijës është mjaft e rëndësishme që një grua të dijë sa më shpejt faktin se ajo tashmë është shtatzënë. Kjo për shkak se organet më të rëndësishme të fëmijës zhvillohen qysh në javët e para të shtatzënisë. Nëse ju e konfirmoni sa më shpejt shtatzëninë, aq më shpejt dhe më mirë do të përgatiteni për të, në funksion të shëndetit tuaj dhe fëmijës tuaj.

Testet e shtatzënisë kryhen në kushtet e shtëpisë dhe në klinikë. Pasi keni bërë testin e shtatzënisë në shtëpi, në çdo rast rekomandohet një vizitë mjekësore për të bërë testimet në rrugë klinike dhe për të planifikuar vizitat tek mjeku, nëse jeni shtatzënë.

Testet e Shtatzënisë në Shtëpi

Shtatzënia mund të diagnostikohet nga një test në kushtet e shtëpisë duke filluar nga dita e parë që ju janë vonuar periodat, e më tej. Nëse ju keni mbetur shtatzënë, një hormon i quajtur gonadotropina korionike njerëzore (human Chorionic gonadotropin – hCG) çlirohet në gjak. Dy javë pas ngjizjes, fëmija që nuk është gjë tjetër, veçse një grusht qelizash të bashkuara sa një kokë gjilpëre, fillon të zhvillohet në mëmbranën uterine. Tashmë placenta fillon të formohet dhe të prodhojë hormonin hCG. Niveli i gonadotropinës rritet mjaft dhe kalon në gjak si dhe del jashtë nëpërmjet urinës qysh në ditën e parë të ndërprerjes së menstruacioneve. Nëse ju bëni një test shtatzënie në kushtet e shtëpisë, i cili evidenton gonatropinën në urinë, do të thotë se ju jeni shtatzënë.

Egzistojnë një shumllojshmëri testesh shtatzënie (kite) në kushtet e shtëpisë, të cilët kanë një saktësi relativisht të madhe. Që analizat të jenë të sakta, rekomandohet të lexohet me kujdes dhe zbatohen me korrektësi udhëzimet e prodhuesit. Shumica e këtyre testeve kryejnë analizën e urinës, nëpërmjet vendosjes së disa pikave urine në shiritin e aparatit të testimit. Në disa teste rekomandohet që testimi të përsëritet sërish edhe pas pak ditësh (3 deri në 5 ditë). Mundësitë për një rezultat jo të vërtetë rriten nëse menstruacionet nuk janë të rregullta.

Testi për urinën rekomandohet të kryhet në mëngjes kur çoheni nga gjumi. Në këtë periudhë, urina është e përqëndruar kështu që sasia e hCG-së në të mund të kapet më lehtë. Gjatë ditës, gjithmonë përqëndrimi i urinës ulet dhe testi i kryer në këtë rast nuk është plotësisht i besueshëm. Përsa i përket përdorimit,  disa teste kërkojnë që të mbani një shkopth të vogël (shirit) në fluksin e urinës, kurse disa të tjera kërkojnë që të urinohet fillimisht në një mbajtëse të pastër dhe më pas, disa pika të vendosen në shkopth (shirit). Aparati iu tregon gjithashtu edhe nëse testi është kryer në rregull, ose jo.

Zakonisht, rezultati merret brenda disa minutave. Nëse testi është negativ, por ju ndjeni se mund të jeni shtatzënë, përsëriteni testin pas pak ditësh (3-5 ditë).

Avantazhet e përdorimit të një testi shtatzënie janë se ata ofrojnë privatësi dhe një rezultat mjaft të shpejtë, kurse dobësitë e tij janë se nëse ai ofron një rezultat jo të vërtetë, kjo do t’ju vonojë në marrjen në një kohë sa më të shpejtë të kujdesit shëndetësor.

Testet e Shtatzënisë në Klinikë

Testet e shtatzënisë në klinikë përfshin ose analizën e urinës, ose atë të gjakut dhe rezultati del vetëm pas disa minutave. Nëse testet e urinës nuk janë bindëse, mjeku mund të përdorë një test gjaku. Testet mund të japin thjesht një rezultat pozitiv apo negativ të shtatzënisë si dhe të masin praninë e shtuar të hCG-së në gjak, në varësi të simptomave që keni apo historisë personale mjekësore. Në klinikë gjithashtu, mund të realizohen teste më të sofistikuara në bazë të analizave të gjakut për praninë e shtuar të hCG-së, që përcaktojnë momentin e ngjizjes. Megjithatë, ekografia mbetet ende mënyra më e mirë për të përcaktuar datën e shtatzënisë dhe ajo kryhet qysh në vizitën e parë. Mjekët mund të përsërisin testet vetëm nëse ata dyshojnë për një dështim të mundshëm, ose shtatzëni ektopike. Në këtë rast, niveli i hCG-së në gjak nuk rritet si zakonisht me ritme aq të shpejta sa shtatzënitë normale, madje edhe mund të bjerë, gjë që tregon se shtatzënia ka dështuar.

Nëse merrni një rezultat pozitiv, duhet të lini një takim me mjekun për hapat që duhet të ndiqni për një shtatzëni të shëndetshme, e cila lidhet me shëndetin e nënës dhe fëmijës.

Referencat

Anne Deans; “Your Pregnancy Bible”; web: www.carrollandbrown.co.uk
US National Library of Medicine; web: www.nlm.nih.gov
Mayo Clinic; web: www.mayoclinic.com