Njohuri të Përgjithshme
Kolla e Thatë
Kolla me Gëlbazë
Kolla Konvulsive
Kolla si lehje
Kolla Emetike
Kolla Hemorragjike (Hemoptizia)
Trajtimi Klinik
Njohuri të Përgjithshme
Kolla përbën një mekanizëm mbrojtës natyral, për lirimin e rrugët e frymëmarrjes nga ngacmime të ndryshme; të thjeshta (tymra, gazra, pluhura etj) ose problematike (infeksione, trupa të huaj etj). Dallojmë atë që quhet “kollë e njomë” dhe “kollë të thatë”.
Kolla është simptoma më e zakonshme e rrugëve të frymëmarrjes dhe karakteristikat e saj shërbejnë si kritere të domosdoshme për diagnostikim. Ajo është një akt respirator violent, i papritur, shpërthyes, në të cilën marrin pjesë jo vetëm muskujt e gjoksit, por edhe të barkut. Megjithatë, jo të gjitha pjesët e sistemit të frymëmarrjes ndikohen nga ky stimulim: kryesisht janë zonat e laringut dhe trakesë, atje ku ajo degëzohet në të djathtë dhe në të majtë. Pastaj vijnë, sipas renditjes, bronket e mëdha, të mesme dhe të vogla. Ndërsa një stimul që vepron në muret e alveolave të mushkërisë nuk është në gjendje të provokojë kollë, kurse një irritim i pleurës, mund të provokojë kollë.
Një stimul që ngacmon nervat të lidhura me sistemin e frymëmarrjes mund të vijë edhe nga organet e tjera të largëta, të cilat nuk kanë lidhje me sistemin e frymëmarrjes, psh: nga stomaku, veshi, gjenitalet e brendshme femërore, zorrët, si dhe disa raste të veçanta histerie. Megjithatë, në shumicën e rasteve, kolla ka origjinë infektive: bakterie dhe viruse provokojnë një inflamacion të rrugëve respiratore dhe nga kjo gjendje lindin sekretime që quhen ekspektorat. Karakteristikat e ekspektoratit janë shumë të rëndësishme për të njohur se me ç’lloj kolle kemi të bëjmë: mund të jetë serike, si e bardha e vezës, ose mykotike, purulente, fibroze me fije dhe grimca që riprodhojnë formën e bronkeve, ose edhe hemorragjike. Çdo kollë ka fizionominë dhe kurën e vet të veçantë, si dhe ka një shkak plotësisht të caktuar.
Kolla e Thatë. Kolla e thatë është “kolla e vogël”, pa ekspektorat, karakteristike e proceseve irritative të laringut, trakesë apo bronkeve që nuk shoqërohen me sekretime. Kjo kollë është tipike për proceset irritative pleurike dhe paraqet simptomën më të zakonshme të irritimeve bronkiale që kanë duhanpirësit kronikë. Më parë, deri kohët e fundit, kolla e thatë kurohej me qetësues të kollës me bazë kodeinën, kurse sot preferohen substanca kimike si morklofoni, të cilat edhe pse kanë formën e shurupit e mbajnë larg kollën pa intoksikime (gjë që ka rëndësi për fëmijët dhe të moshuarit, të cilët janë shumë të ndjeshëm ndaj pasojave negative të opiteve, klasë ku futet dhe kodeina).
Kolla me Gëlbazë. Kolla me gëlbëzë, nga vetë emri i saj, shoqërohet me sekretime. Këto provokojnë fishkëllima, gurgullima, etj. që shoqërojnë frymëmarrjen deri në kollitjen që i eleminon këto dukuri. Kjo lloj kolle vërehet në bronkitet akute dhe kronike, bronkoekstazitë, në fazën përfundimtare të pulmoniteve, në emfizemën pulmonare dhe në edemën pulmonare.
Kura e këtyre formave bëhet me lëngëzues të sekretimeve, me antibiotikë, balsame dhe ekspektorantë. Gëlbaza, mundësisht, duhet pështyrë dhe jo gëlltitur. Disa substanca si tripsina e bëjnë më të lëngshme dhe mikrobet që ajo përmban bëhen më pak rezistente ndaj barnave antiinfektivë.
Kolla Konvulsive. Kolla konvulsive është një formë me shumë kollitje të njëpasnjëshme, të dallueshme, frymënxjerrëse, pas të cilave vjen një frymëmarrje e menjëhershme dhe e zhurmshme. Kjo formë është tipike për kollën e mirë, në rastin e fëmijëve. Por ajo mund të ndodhë, pothuajse njëlloj, në rastet e irritimit intesiv të rrugëve ajrore që shoqërojnë thithjen e trupave të huaj, nganjëherë të natyrës profesionale. Ky është rasti i silikozës, azbestozës, berilozës, etj. sëmundje profesionale të minatorëve, gurëgdhëndësve, qeramistëve, dhe profesioneve të tjera, të cilat krijojnë ambiente të pasura me pluhura silicorë, të azbestit, ose berilit. Në mushkëri, gjatë degëzimit të bronkeve formohet një “fibrozë”, d.m.th. formohen degë indi lidhor të dendur që zvogëlojnë sipërfaqen e frymëmarrjes dhe krijojnë parakushtet për shfaqjen e asaj frymëmarrjeje të keqe dhe të vazhdueshme që quhet “dispne”.
Kolla si lehje. Kolla si lehje është një lloj kolle karakteristike e gjendjes së enjtur të kordave lokale, që ndeshet në rastin e laringitit të thjeshtë, ose atij difterik. Pacienti zakonisht është plotësisht memec, ose ka një zë dhe një kollë “bitonale” d.m.th. një kollë të përbërë nga shkrirja e dy zhurmave me tonalitet të ndryshëm, për shkak të irritimit dhe shtypjes në dy pika, njëra laringale dhe tjetra bronkiale.
Kjo lloj kolle u ndodh fëmijëve të cilët kanë një zmadhim të gjendrave limfatike të mushkërive (e ashtuquajtura adenopati trakeo-bronkiale) që shpesh e ka origjinën post gripale, ose më rrallë, në të rriturit që kanë zmadhim të aortës në pjesën torakale të saj.
Kolla Emetike. Kolla emetike është kolla që ndiqet nga një e vjellë. Kjo u ndodh shpesh fëmijëve dhe të moshuarve shumë të dobësuar kur kanë një paralizë të laringut. Konstatohet kur ushqimi dhe pijet “u shkojnë ters”.
Kolla hemorragjike (Hemoptizia)
Hemoptizia është nxjerrja e gjakut gjatë kollitjes nga rrugët e poshtme të traktit respirator.
Klasifikimi i Hemoptizisë
Hemoptizia është një simptomë që duhet vlerësuar mjaft. Ajo duhet vlerësuar edhe kur sasia e gjakut të nxjerrë është e vogël.
Hemoptizia klasifikohet në tri gradë:
- Grada e parë: nxjerrje e gjakut në sasinë deri 20 ml. në ditë
- Grada e dytë: nxjerrje e gjakut në sasinë 20-200 ml. në ditë
- Grada e tretë: nxjerrje e gjakut në sasinë më shumë se 200 ml. në ditë.
Hemoptizia masive varion nga 100 ml. brenda 24 orëve deri 1000 ml. për disa ditë. Hemoptizia në sasi mbi 600 ml. është e lidhur me mortalitetin me një risk prej 30-50%. Ndonëse më pak se 5% e pacientëve nxjerrin (ekspektorojnë) sasi të madhe gjaku, incidenca e hemoptizisë vdekjeprurëse është 7%-32%.
Rreziku i vdekjes nga hemoptizia është e lidhur me:
- Sasinë e gjakut të ekspektoruar
- Ritmin e hemorragjisë
- Sasinë e gjakut të mbetur në mushkëri
- Rezervën respiratore të mushkërisë.
Shkaqet e Hemoptizisë
Hemoptizia është një shfaqje e shpeshtë dhe jo-specifike e shumë sëmundjeve pulmonare. Përveç sëmundjeve pulmonare, hemoptizia është shenjë edhe për sëmundje të tilla si:
- Sëmundjet kardiake
- Sëmundjet hematologjike
- Sëmundjet infektive
- Sëmundjet tumorale
- Sëmundjet traumatike
- Sëmundjet sistemike
- Sëmundjet vaskulare
Shkaqet kryesore të hemoptizisë janë: bronkiti, bronkoektazia, aspergiloma, tumori, turbekulozi, abcesi pulmonar, embolia, koagolopatitë, çrregullimet autoimune, malformacionet atrio-ventrikulare, hemorragjia alveolare, stenoza mitrale dhe pneumonia.
Diagnostika
Gjatë procesit të diagnostifikimit, është shumë rëndësishme të përcaktohet prejardhja e gjakut – nëse gjaku vjen nga rrugët e poshtme respiratore, apo vjen nga një burim jo-pulmonar siç janë rrugët e sipërme ajrore, gingivat, ose trakti gastrointesinal (ulçerat ose tumoret e stomakut, duodenit, apo ezofagut, që shoqërohen edhe me melenë – me hemorragji të bollshme të gjakut në jashtëqitje, të cilat kanë ngjyrë të zezë)
Hemorragjia me shkumë, pH alkalin, ngjyra e gjakut e ndezur, si dhe gëlbazat hemorragjike janë shenja për hemorragji me burim nga mushkëria.
Vlerësimi i hemoptizisë duhet të fillojë me anamnezën, egzaminimin fizik dhe duke vazhduar me radiografinë e kraharorit.
Veçoritë më të rëndësishme të anamnezës përfshijnë moshën, historinë e duhanpirjes dhe shoqërimin me simptomat e bronkitit akut ose një keqësim akut të bronkitit kronik.
Trajtimi Klinik
Përveç përjashtimeve të rralla, si kolla hemorragjike (hemoptizia), terapia e kollës është familjare. Kolla trajtohet me lëngje të ngrohta, çajra, mjaltë, kataplazma lini, karamele ekualipti, aerosole me substanca që lëngëzojnë sekretimet, ose me preparate moderne që qetësojnë kollën pa vepruar mbi qendrat e frymëmarrjes dhe pa i dëmtuar ato. Megjithatë, kolla nuk duhet të luftohet gjithmonë. Bashkë me kollën e padobishme (kollën e thatë dhe nervoze) egziston edhe kolla e dobishme, e cila është kolla me gëlbazë që eleminon nëpërmjet saj edhe mikrobet në përbërje të saj. Kjo formë e kollës, nxitet për efektet që ajo ka.
Mjekimi i kësaj simptome ndjek disa faza, në varësi të simptomës dhe stadi të cilës gjendet ajo.
Faza e parë: Në fillim, për të kuruar një kollë që lind në mënyrë akute, mund t’i drejtohemi barnave tradicionale në kushtet shtëpiake: qumësht i ngrohtë me mjaltë, shurup poligale ose ekualipti, kataplazma me fara lini. Të gjitha këto shërbejnë për të shkëputur sekretimet dhe për të nxitur daljen e tyre jashtë. Rekomandohet pushim në vende të mbyllura, qetësi dhe larg tymit të duhanit.
Faza e dytë: Në qoftë se pas një jave vazhdon një sekretim i trashë, viskoz dhe ngjitës, përdorni fluidifikues (lëngëzues) të kollës.
Kur kolla është e thatë, pa sekretime, nervoze, e bezdisshme (d.m.th. si kollë që e lodh të sëmurin pa i sjellë përmirësim), atëherë duhen përdorur qetësuesit e kollës. Nganjëherë, bën mirë edhe ndërrimi i klimës.
Mos harroni se pagjumësia, që është e shpeshtë në pacientët që vuajnë nga kriza kolle të bezdisshme që i kap kur flenë me shpinë dhe nuki lë të mbyllin sy, duhet luftuar seriozisht. Në fillim, provojeni me barna të thjeshta si kamomili, dhe pastaj me somniferët (gjumënxitësit).
Në rast se bashkë me kollën me bazë infektive (psh. nga gripi) konstatohet edhe një ulje e ndjeshme e tensionit arterial, merrni medikamente “analeptikë të qarkullimit” për të evituar kolapsin apo bllokimin e zemrës gjatë krizave tepër të ashpra të kollës.
Referencat
Pier Gildo Bianchi; “Il Medico in Casa”
Maxine A. Papadakis; Stephen J. McPhee; “Current Medical Diagnosis & Treatment – Fifty Second Edition”)
US National Library of Medicine; web: www.nlm.nih.gov