Higjena e Gojës  tek Diabetikët

Çdo burim infeksioni tenton të rritë nivelin e sheqerit në gjak. Higjena e përditshme dhe strikte është një nga mënyrat e kontrollit të diabetit për shkak se ajo parandalon infeksionet, të cilat janë shkaktare të ngritjes së sheqerit në gjak. Higjena personale lidhet me kujdesin oral, lëkurën, këmbët, dhe sytë.

Shumë diabetikë kanë dëshmuar se sapo janë shëruar nga një pezmatim i mishit të dhëmbëve, apo kur kanë mbushur një zgavër të dhëmbit, niveli i sheqerit në gjak u është normalizuar menjëherë. Për diabetikët, është e rëndësishme që të mbajnë dhëmbët sa më të pastër, të pastrojnë dhëmbët nga gurëzat, t’u bëjnë masazh mishrave të dhëmbëve, si dhe të kryejnë vizita periodike çdo gjashtë muaj tek dentisti. Nëse personat kanë dhëmbë të vënë, duhet të kontrollojnë mishrat e dhëmbëve për ndonjë skuqje apo acarim të tyre.

Të moshuarit me diabet duhet të shkojnë për vizitë tek dentisti më shpesh se një herë në gjashtë muaj.

Larja e Dhëmbëve. Detyrimisht dhëmbët duhet të lahen me furçë, të paktën dy herë në ditë; në mëngjes dhe përpara se të flini. Është e nevojshme gjithashtu, të shplahet goja me ujë pas çdo ngrënie. Mjaft efikas është përdorimi i fillit dentar. Pastrimin mes dhëmbëve, të cilin furça nuk e kryen dot, e bën filli dentar. Përdorimi së bashku i furçës dhe fillit dentar kryejnë një pastrim të plotë të dhëmbëve nga mbeturinat ushqimore dhe dekompozimi i tyre.

Pastrimi i Mishrave të Dhëmbëve. Kujdes i posaçëm duhet treguar edhe për mishrat e dhëmbëve. Mishrat e dhëmbëve duhen masazhuar shpesh ose nëpërmjet një kunje gome, ose me gisht. Masazhi i mishrave të dhëmbëve stimulon qarkullimin e lirë të gjakut dhe ndihmon në largimin e papastërtive. Njëkohesisht, diabetikët duhet të jenë të kujdesshëm nga pezmatimi i tyre. Nëse keni gjakrrjedhje nga mishrat gjatë larjes së dhëmbëve, duhet të konsultoheni me dentistin tuaj. Gjakrrjedhja mund të jetë pasojë e një pezmatimi të mishrave të dhëmbëve, apo një gingivitisi. Nëse gingivitisi mund të agravojë tepër, ai mund të shkaktojë lirimin e dhëmbëve dhe rënien e tyre, madje mund të pezmatojë dhe kockën e nofullave.

Heqja e Pllakëzave. Nëse keni probleme me pllakëzat e dhëmbëve, rekomandohet një shplarje e dhëmbëve dhe një solucion për largimin e tyre. Për fat të mirë, një pjesë e madhe e pastave të dhëmbëve përmbajnë substanca që i luftojnë pllakëzat e dhëmbëve. Gjithashtu, veprimi mekanik i furçës së dhëmbëve është mjaft efektiv në largimin e tyre. Prania e pllakëzave të dhëmbëve shkakton konsumimin e dhëmbëve dhe pezmatimin e mishrave, duke krijuar kushte të përshtatshme për infeksione të mëtejshme dhe si rrjedhojë, ngritjen e nivelit të sheqerit në gjak.

Kujdes të veçantë diabetikët duhet t’i kushtojnë edhe ndërhyrjeve kirurgjikale. Në rast të ndonjë operacioni në dhëmb, niveli i glukozës në gjak duhet të jetë sa më i stabilizuar për një proçes sa më normal dhe shërim të shpejtë. Kujdes duhet të kushtohet edhe ndaj antibiotikëve, të cilët duhet të merren disa ditë përpara operacionit për të shmangur ndonjë infeksion të mundshëm.

Referencat

American Diabetes Association; web: www.diabetes.org
Maxine A. Papadakis; Stephen J. McPhee; “Current Medical Diagnosis & Treatment – Fifty  Second Edition”)
Diana W. Guthrie; Richard A. Guthrie; “The Diabetes Sourcebook”
US National Library of Medicine; web: www.nlm.nih.gov

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *