Çdo burim infeksioni tenton të rritë nivelin e sheqerit në gjak. Higjena e përditshme dhe strikte është një nga mënyrat e kontrollit të diabetit për shkak se ajo parandalon infeksionet, të cilat janë shkaktare të ngritjes së sheqerit në gjak. Higjena personale lidhet me kujdesin oral, lëkurën, këmbët, dhe sytë.
Lëkura është organi që i manifeston më së shumti problemet e diabetit. Nëse në lëkurë shkaktohen vraga, lunga, puçrra, të fryra, apo infeksione të ndryshme, ka shumë mundësi që këto të shkaktohen nga niveli i lartë i sheqerit në gjak dhe kujdesi jo i mjaftueshëm për lëkurën. Nëse niveli i sheqerit në gjak kontrollohet, atëherë ka më pak mundësi për këto infeksione. Higjena e organeve gjenitale është mjaft e rëndësishme, pasi organet gjenitale janë një nga mjediset më të përshtatshme për infeksionet e ndryshme. Kujdes të posaçëm diabetikët duhet t’i kushtojnë higjenës pas marrëdhënieve seksuale.
Higjena e lëkurës sigurohet përmes banjës së përditshme. Nëse kjo është e vështirë, banja nuk duhet të bëhet më pak se një herë në tre ditë. Sasia e ujit të përdorur nuk duhet të jetë e egzagjeruar, pasi uji i tepërt në larje dëmton indet. Të rrezikuar veçanërisht janë diabetikët gjatë stinës së verës. Ata nuk duhet të ekspozohen në rrezet e diellit gjatë periudhës së nxehtë prej ores 10 deri 16. Gjatë kësaj stine, ata duhet të mbajnë veshje të pambukta dhe të lehta që e thithin djersën dhe sigurojnë një ajrosje të mirë të lëkurës.
Përveç kontrollit të glukozës në gjak dhe higjenës së lëkurës, është e rëndësishme për shëndetin e lëkurës pirja e sasive të mëdha të ujit (vetëm nëse mjeku juaj e ndalon këtë). Uji e hidraton lëkurën, i jep elasticitet dhe i largon papastërtitë.
Dalja jashtë kontrollit e glukozës në gjak mund të shkaktojë patologji të tilla si nekrobioza lipoidike diabetikorum, egzantoma ose kandidoza.
Nekrobioza. Nekrobioza lipoidike diabetikorum është një çrregullim, ku lëkura bëhet me vraga. Zonat me vraga ashpërsohen më shumë kur rritet niveli i sheqerit në gjak.
Egzantoma. Egzantoma është një gjendje e lëkurës, në të cilën dalin disa puçrra të verdha që nuk janë gjë tjetër veçse pika dhjamore. Kur dalin puçrra të tilla, nivele të larta yndyre gjenden në gjak, kurse kur niveli i glukozës në gjak ulet, edhe në lëkurë ulet ndjeshëm prania e pikave dhjamore.
Kandidoza. Një nga infeksionet e lëkurës është edhe kandidoza. Kandidoza mund të shfaqet në gojë, poshtë krahëve si dhe në zonën gjenitale. Ky lloj infeksioni është tipik për nivelet e larta të sheqerit në gjak dhe më rrallë në rastet kur sheqeri në gjak është i stabilizuar.
Referencat
American Diabetes Association; web: www.diabetes.org
Maxine A. Papadakis; Stephen J. McPhee; “Current Medical Diagnosis & Treatment – Fifty Second Edition”)
Diana W. Guthrie; Richard A. Guthrie; “The Diabetes Sourcebook”
US National Library of Medicine; web: www.nlm.nih.gov