Kujdesi për Këmbët tek Diabetikët

Çdo burim infeksioni tenton të rritë nivelin e sheqerit në gjak. Higjena e përditshme dhe strikte është një nga mënyrat e kontrollit të diabetit për shkak se ajo parandalon infeksionet, të cilat janë shkaktare të ngritjes së sheqerit në gjak. Higjena personale lidhet me kujdesin oral, lëkurën, këmbët, dhe sytë.

Këmbët janë një nga pjesët e trupit që rrezikohen mjaft nga diabeti. Ato janë më të ekspozuarat nga infeksionet e ndryshme, për shkak të qarkullimit të dobët të gjakut në ekstremitete, si pasojë e nivelit të lartë të glukozës në gjak. Qarkullimi i dobët i gjakut sjell gjithashtu edhe dëmtimin e nervave. Rreziku është akoma më i madh nëse janë dëmtuar fundet nervore të këmbëve, duke reduktuar ndjeshmërinë e tyre. Nw këto raste, këmbët vazhdimisht mund të dëmtohen nga ecja zbathur apo nga këpucët e këqija, por personi nuk ndien gjë.

Vizitat Mjekësore. Është e nevojshme që diabetikët të kryejnë vizita tek mjeku specialist të paktën katër herë në vit. Gjatë këtyre vizitave, mjeku evidenton pulsin, temperaturën, ngjyrën e këmbëve si dhe ndjeshmërinë nervore të tyre, në mënyrë që të përcaktojë nëse qarkullimi i gjakut është në nivelin e duhur.

Higjena e Këmbëve. Kujdesi i përditshëm për këmbët është mjaft i rëndësishëm për parandalimin e infeksioneve në to. Ato duhet të lahen përditë me ujë të ngrohtë. Duhet shmangur uji i nxehtë, pasi ai irriton lëkurën e këmbëve. Pas larjes, këmbët duhet të thahen plotësisht me një peshqir. Nëse lëkura e këmbëve është e thatë, ajo duhet të hidratohet me kremra, kurse nëse lëkura e këmbëve është e lagësht dhe e djersitur, ajo duhet të trajtohet me pudër, veçanërisht në zonat mes gishtave.

Këmbët vëzhgohen në rastë të shenjave të para të infeksioneve si: zona të skuqura, fryrje, qelbëzime dhe dhimbje. Gjithashtu këmbët duhet të mbahen të pastra nga kallot, të cilat janë të rrezikshme sepse mund të fshehin degradimin e indeve poshtë tyre. Kallot e vogla duhet të hiqen pasi të bëhet banjë, por nëse kallot janë mjaft të zhvilluara, është e nevojshme vizita tek mjeku specialist i këmbëve (podiatristi). Ato duhet të hiqen vetëm duke ndjekur këshillat e tij. Kallot janë si rezultat i këpucëve të papërshtatshme.

Këpucët dhe Çorapet. Diabetikët duhet të kenë mjaft kujdes në zgjedhjen e këpucëve, duke shmangur këpucët e ngushta dhe jocilësore (të deformuara, të forta, që fusin ujë, etj.). Ato duhet të jenë prej lëkure sepse lëkura lejon një ajrosje të mirë të këmbëve. Më e mira do të ishte që të përdoren këpucë për diabetikë. Ato duhet të vishen ngadalë dhe të mos mbahen veshur për një kohë tepër të gjatë të ditës. Nëse shkaktohet ndonjë plagë, siç janë të çarat, gërvishtjet dhe gjakosjet për shkak të këpucëve, trajtimi i tyre me barna me bazë alkooli nuk do të ishte trajtimi i duhur. Ato thjesht do të digjnin indet dhe do të ngadalësonin shërimin e tyre. Më e mira do të ishte pastrimi i plagës me ujë dhe sapun dhe më pas, tharja me kujdes e tyre. Gjithashtu, kujdes diabetikët duhet t’u kushtojnë edhe çorapeve. Është e rëndësishme që këmbet të mbahen ngrohtë. Ngrohtësia duhet të sigurohet vetëm prej çorapeve dhe jo prej jastëkëve me korent apo ujit të ngrohtë. Për këtë, ato duhet të jenë të ngrohta dhe të pastra, duke u ndërruar sa më shpesh.

Gjatë stinës së nxehtë, diabetikët duhet të mbajnë këpucë të lehta ose sandale, mundësisht pa çorape. Këto sigurojnë një ajrosje më të mirë të këmbëve dhe i ruajnë ato nga dëmtimet si plagët apo kallot.

Thonjët e Këmbës. Kujdes duhet t’i kushtohet edhe thonjve të këmbëve; ato nuk duhet të lihen të gjatë, por duhet të shkurtohen. Thonjtë e gishtave të këmbëve mund të jenë bartëse të infeksioneve nga kërpudhat, infeksione të cilat rriten veçanërisht kur niveli i glukozës në gjak është i lartë. Është e rekomandueshme që thoi të pritet drejt, sipas kufirit ndarës të thoit nga mishi. Prerja rrethore e thoit nuk është e rekomandueshme, përveçse kur personi ka probleme me futjen e thoit në mish. Një pjesë që kërkon kujdes të veçantë veç shputave të këmbëve, është edhe zona ndërmjet gishtave. Kjo është një zonë kryesisht e ngrohtë dhe e lagët dhe mjaft e përshtatshme për zhvillimin e florës bakteriale.

Aktiviteti Fizik. Aktiviteti fizik është mjaft i mirë për shëndetin e këmbëve. Ai ndihmon për një qarkullim normal të gjakut. Për këtë arsye, janë të rekomandueshme shëtitjet në natyrë. Edhe kur diabetiku është në rregjim shtrati, nuk rekomandohet braktisja e aktivitetit fizik. Një numër ushtrimesh fizike si: ulje-ngritjet, lëvizjet rrethore, vertikale dhe horizontale të këmbëve, janë mjaft efikase.

Kujdes të veçantë diabetikët gjatë sezonit të plazhit duhet t’i kushtojnë ecjes në rërën e nxehtë. Për shkak të uljes së ndjeshmërisë së nervave, ata mund të digjen pa kuptuar, duke marrë infeksione, prandaj në asnjë rast nuk rekomandohet ecja këmbëzbathur e diabetikëve.

Referencat

American Diabetes Association; web: www.diabetes.org
Maxine A. Papadakis; Stephen J. McPhee; “Current Medical Diagnosis & Treatment – Fifty  Second Edition”)
Diana W. Guthrie; Richard A. Guthrie; “The Diabetes Sourcebook”
US National Library of Medicine; web: >www.nlm.nih.gov