Angiograma Koronare

Angiograma koronare është një test diagnostikues radiologjik për kontrollin e enëve të gjakut të zemrës. Angiograma koronare është pjesë përbërëse e një grupi procedurash, të njohura si kateterizimi kardiak.

Njohuri të Përgjithshme

Kateterizimi kardiak bën njëherësh si diagnostikimin, ashtu edhe trajtimin e zemrës dhe enëve të gjakut. Angiograma koronare është lloji më i zakonshëm diagnostik i kateterizimit kardiak.

Gjatë angiogramës, injektohet në enët e gjakut një lëndë kontrasti, që i bën të dukshme ato nga rrezet X. Aparati i rrezeve X në mënyrë të shpejtë ekspozon në monitor një seri imazhesh nga brenda enëve të gjakut. Nëse është e nevojshme, mjeku mund të fillojë procedurën e angioplastikës koronare, e cila është trajtimi nëpërmjet kateterizimit i arterieve koronare të bllokuara.

Rekomandimet

Mjeku mund të rekomandojë diagnostikimin përmes angiogramës koronare nëse pacienti ka këto simptoma ose çrregullime:

  1. Simptomat e sëmundjes së arterieve koronare, si psh. dhimbje gjoksi (anginë).
  2. Dhimbje në gjoks, nofulla, qafë ose krah që nuk mund të shpjegohen nga teste të tjera diagnostikuese.
  3. Defekte të lindura të zemrës.
  4. Dobësim të zemrës.
  5. Probleme të enëve të gjakut, si arteriosklerozat, trombet, embolat dhe aneurizmat.
  6. Dëmtime të gjoksit.
  7. Probleme të valvulave të zemrës që korrigjohen përmes ndërhyrjeve kirurgjikale.

Gjithashtu, angiograma koronare mund të kryhet në rastin kur pacienti duhet të realizojë një ndërhyrje kirurgjikale të palidhur me zemrën, por ai ka një risk të lartë për probleme kardiake gjatë operacionit.

Për shkak se ka një risk të vogël në procedurën e egzaminimit, angiograma zakonisht realizohet pasi janë kryer testet joinvazive, të tilla si elektrokardiograma ose testi i stresit.

Niveli i Riskut

Natyrisht, si të gjitha procedurat e bëra në zemër, edhe angiograma përmban disa risqe. Megjithatë, komplikimet e rënda janë të rralla. Risqet e mundshme dhe komplikacionet përfshijnë:

  1. Atak Kardiak. Edhe pse i rrallë, janë evidentuar rastet me atak kardiak gjatë procedurës së angiogramës.
  2. Dëmtim i Arterieve Koronare. Gjatë procedurës mund të ndodhë dëmtime të arterieve koronare. Nëse këto dëmtime janë të mëdha, ky komplikim kërkon ndërhyrje emergjente by-passi.
  3. Ritëm jonormal i Zemrës. Gjatë procedurës ndodh që ritmi i punës së zemrës të jetë më i shpejtë ose më i ngadalshëm. Këto probleme shpesh janë për një kohë të shkurtër. Nëse këto probleme vazhdojnë të zgjaten në kohë, rekomandohet vendosja e një pacemakeri për një periudhë të përkohshme kohore.
  4. Reaksione alergjike. Nga  injektimi i lëndës së kontrastit në enët e gjakut, organizmi mund të ketë reaksione alergjike.
  5. Mpiksje Gjaku. Këto mpiksje gjaku janë të rrezikshme, sepse mund të shkaktojnë atak kardiak ose hemorragji cerebrale. Për këtë arsye, gjatë diagnostikimit, pacienti mund të trajtohet me hollues gjaku.
  6. Hemorragji Cerebrale. Gjatë angioplastikës, copat e gjakut të mpiksur mund të shkojnë në tru, duke shkaktuar hemorragji cerebrale.
  7. Ekspozim ndaj Rrezatimit të dëmshëm. Diagnostikimi nëpërmjet rrezeve X e ekspozon pacientin ndaj rrezeve të dëmshme.
  8. Dëmtime të Veshkave. Lënda e kontrastit e përdorur gjatë angioplastikës, si dhe vendosja e stenteve mund të shkaktojë probleme me veshkat, sidomos tek pacientët që vuajnë nga patologjitë e veshkave. Nëse pacienti ka faktorë të lartë risku për veshkat, mjeku do të rekomandojë një trajtim mjekësor për këtë qëllim.
  9. Hemorragji. Në vendin ku është futur kateteri, mund të ketë hemorragji. Normalisht, në këtë vend rezultati është thjesht një mavijosje, por në disa raste të rralla mund të ketë hemorragji, e cila kërkon transfuzion gjaku ose ndërhyrje kirurgjikale.

Përgatitja

Në disa raste, angiograma koronare kryhet në rrethana emergjente. Më shpesh ajo kryhet e planifikuar më parë me qëllim që t’i jepet kohë pacientit që të përgatitet.

Pacienti duhet të ketë parasysh:

  • Një natë përpara egzaminimit nuk duhet të futet asgjë në gojë, ushqime apo pije. Angiograma zakonisht kryhet gjatë orëve të mëngjesit.
  • Pacienti duhet të marrë të gjitha ilaçet që përdor aktualisht me vete në spital për t’ia prezantuar mjekut. Ai duhet të ndjekë udhëzimet e mjekut në lidhje me përdorimin e medikamenteve që  ka në përdorim. Mjeku mund të rekomandojë për të pezulluar marrjen e tyre, veçanërisht të medikamenteve për diabetin. Pyesni mjekun nëse ju mund të merrni insulinë ose medikamentet e tjera përpara angiogramës.

Përpara angiogramës, ekipi i kujdesit mjekësor rishikon historinë mjekësore të pacientit, duke përfshirë sëmundjet alergjike dhe sëmundjet e tjera që ai mund të ketë dhe trajtimet medikamentoze për çdo rast. Më pas, ai kryen një test fizik dhe kontrollon parametrat jetikë të shëndetit si tensioni arterial dhe pulsi.

Përpara procesit, pacienti vishet vetëm me një pelerinë. Ai duhet të ketë të zbrazur fshikëzën e urinës dhe duhet të dorëzojë paraprakisht syzet, lentet e kontaktit, bizhuteritë, kapëset e flokëve dhe çdo send tjetër që mund të ketë bashkangjitur trupit.

Procesi

Angiograma koronare është një proces që zgjat zakonisht një orë. Por nëse angiograma shoqërohet edhe me kryerjen angioplastikës, procesi zgjat më shumë. Përveç kësaj, disa orë zgjasin edhe përgatitja dhe kujdesi mjekësor pas procedurës.

Procesi i diagnostikimit kryhet i shtrirë në shpinë mbi tavolinën e rrezeve X. Nëpërmjet rripave të sigurimit në gjoks dhe këmbë, pacienti fiksohet dhe një kamer lëviz sipër trupit për të marrë imazhe nga kënde të ndryshme. Në gjoks vendoset elektrodat për të monitoruar aktivitetin e zemrës gjatë gjithë procesit, kurse në krahë vendosen matësa të pulsit, tensionit të gjakut dhe nivelit të oksigjenit në gjak.

Në venën e krahut është realizuar një ndërhyrje intravenoze që mundëson injeksionet për qetësim,  hollimin e gjakut, për medikamente dhe lëngje sipas nevojës së pacientit. Gjatë gjithë procesit, pacienti qëndron zgjuar në mënyrë që ai të ndjekë udhëzimet e mjekut, kurse procesi kryhet me anestezi lokale. Mjeku mund të kërkojë gjatë gjithë procesit që pacienti të marrë frymë thellë, të mbajë frymën, të kollitet, apo të zhvendosë krahun në pozicione të ndryshme.

Një prerje e vogël në ijë ose krah realizohet për të futur kateterin në arterie. Pacienti nuk do të ndiejë depërtimin e kateterit nëpër arterie. Në rast të kundërt, nëse ai ka ndonjë dhimbje apo mungese komforti, duhet të sinjalizojë mjekun.

Nëpërmjet kateterit injektohet një lëndë kontrasti, i cili i bën enët e gjakut të dukshme nga rrezet X. Gjatë injektimit, pacienti mund të ketë një ndjesi të shkurtër të skuqjes ose ngrohtësisë. Mos u alarmoni nëse ndjeni që zemra ka rrahje të vrullshme – kjo është një dukuri e shpeshtë e angiografisë. Gjithësesi, në rastet kur pacienti ndjen dhimbje ose siklet, duhet të njoftojë mjekun.

Mjeku analizon imazhet në monitor dhe identifikon bllokimet e mundshme, apo zonat e ngushtuara. Sipas asaj që mjeku identifikon gjatë shfaqjes së imazheve, pacienti në të njëjtën kohë mund të ketë procedura shtesë, si angioplastikë koronare me ose pa vendosje të stenteve.

Pas Procesit. Procesi përfundon kur kateteri hiqet nga vena e dorës apo e ijës ku është futur dhe çarja mbyllet me një garzë ose kapëse. Pacienti mbahet në kushte monitorimi në çdo moment në ambiente të posaçme për këtë qëllim. Kur vërtetohet se gjendja e tij është e qëndrueshme, pacienti transportohet për në dhomën e tij, gjithashtu nën  një vëzhgim të vazhdueshëm. Për disa orë, ai duhet të qëndrojë në një rregjim shtrirje në krevat, duke shmangur sa më shumë të jetë e mundur lëvizjet e tepërta, për të eleminuar mundësinë e gjakderdhjes. Mjetet që mbyllin prerjen nuk mund të hiqen edhe për disa orë të tjera, madje duhet të mbahen edhe gjatë natës, sidomos kur pacienti është trajtuar me antikoagulantë, ose ka bërë angioplastikë. Heqja e tyre para kohe mund të shkaktojë hemorragji të rëndë.

Pacienti mund të shkojë në shtëpi në të njëjtën ditë, ose një ditë më pas. Është e rëndësishme që përpara se të shkojë në shtëpi, pacienti duhet të marrë udhëzime nga mjeku se kur duhet të fillojë të marrë medikamente, të lahet në dush, apo të kthehet në punë dhe të rifillojë aktivitetet normale. Sipas karakteristikave individuale dhe historisë  mjekësore, mjeku duhet të përcaktojë edhe kufizimet e tjera për pacientin.

Pasi të kthehet në shtëpi, pacienti duhet të pijë shumë ujë për të mundësuar daljen jashtë nëpërmjet urinës të lëndës së kontrastit. Nëse ai ndihet normalisht dhe pa ndonjë problem, mund të fillojë ushqimin. Gjithashtu, ai duhet të ketë parasysh se duhet të shmangë ngarkesat dhe sforcimet fizike për disa ditë. Zakonisht, koha e rekuperimit të plotë është disa ditë nëse ka kryer vetëm angiogramë dhe deri në një javë pas kryerjes së angioplastikës. Pas kësaj, pacienti është në gjendje që të shkojë në punë dhe kryejë aktivitetet e përditshme.

Këshilla Mjekësore

Pacienti duhet të njoftojë mjekun nëse:

  • Vendi ku kateteri është futur ka gjakderdhje, është i enjtur, i skuqur, kullon, ose ka dhimbje.
  • Ka temperaturë për shkak të infeksionit.
  • Vëren ndryshim në temperaturën ose ngjyrën e këmbës apo krahut që është përdorur për procedurën.
  • Ndihet i lodhur dhe i dobët.
  • Ka dhimbje gjoksi
  • Ka  vështirësi në frymëmarrje.

Rezultatet

Një angiogramë mund t’i tregojë mjekut çfarë është jonormale në enët e gjakut të pacientit. Angiograma jep rezultate për:

  • Bllokimet dhe ngushtimet nga arterioskleroza.
  • Sasinë e gjakut që është pakësuar për shkak të ngushtimeve apo bllokimit të arterieve.
  • Rezultatet e ndërhyrjeve kirurgjikale by-pass të mëparshme në koronare.
  • Rrjedhjen e gjakut në sistemin e qarkullimit të gjakut dhe në zemër.

Këto informacione e ndihmojnë mjekun të vendosë se çfarë trajtimi është më i nevojshëm për pacientin dhe shkallën e riskut në të cilën gjendet zemra. Në bazë të tyre, ai gjykon se problemet mund të zgjidhen përmes një angioplastike me apo pa vendosjen e stenteve, ose pacienti duhet t’i nënshtrohet një procedure invazive kirurgjikale si by-passi koronar. Gjatë by-passit arteria e dëmtuar zëvendësohet me një arterie tjetër të shëndoshë  të marrë nga një pjesë e trupit. Kjo ndërhyrje kërkon prerje në gjoks, ka periudhë rekuperimi më të gjatë dhe është më e mundimshme.

Referencat

Mayo Clinic; web: www.mayoclinic.com