Kolonoskopia

Kolonoskopia është një egzaminim që përdoret për të zbuluar ndryshimet apo anomalitë në zorrën e trashë si dhe rektum.

Njohuri të Përgjithshme

Gjatë një kolonoskopie, një tub fleksibël me një minikamer në majë futet në rektum dhe filmon muret e brendshme të zorrës së trashë dhe rektumit. Pamjet e filmuara përcillen në të njëjtën kohë në një monitor. Nëse është e nevojshme, polipet ose çrregullimet e tjera të indeve mund të hiqen gjatë egzaminimit. Gjithashtu, kolonoskopia mund të përdoret edhe për biopsi, duke marrë për egzaminim indet e kolonës dhe rektumit.

Rekomandimet

Mjeku mund të rekomandojë për kryerjen e kolonoskopisë në rastet si vijon:

  1. Kontroll i përgjithshëm për simptoma në zorrë. Kryerja e kolonoskopisë e ndihmon mjekun në rastet e simptomave të tilla si: dhimbje barku, gjakderdhje nga zorra e trashë, konstipacion (kapsllëk) kronik, diarre kronike dhe probleme të tjera të traktit tretës.
  2. Kontroll për kancerin e zorrës së trashë. Nëse jeni në moshën 50 vjeç dhe sipër, keni një mundësi të rritur për kancerin e zorrës së trashë. Për këtë arsye, mjeku mund të rekomandojë një kolonoskopi për çdo 10 vjet dhe në disa raste të tjera edhe më shpesh për të parë gjendjen e zorrës së trashë në lidhje me këtë sëmundje. Për këtë arsye, është e nevojshme që të bëni një takim me një mjek specialist.

Niveli i Riskut

Kolonoskopia përmban pak risqe. Rrallë komplikacionet e kolonoskopisë mund të përfshijnë:

  1. Reaksion ndaj qetësuesve të përdorur për kolonoskopi.
  2. Hemorragji për shkak të biopsisë, heqjes së polipeve, apo indeve të sëmura.
  3. Grisje (çarje) në zorrën e trashë, ose muret e rektumit.

Pas  prezantimit të risqeve të kolonoskopisë, mjeku do t’i këkojë pacientit të nënshkruajë një formular miratimi që autorizon kryerjen e procedurës.

Përgatitja

Përpara se të kryhet kolonoskopia, është e domosdoshme që zorra e trashë të jetë plotësisht e boshatisur. Çdo mbetje në zorrën e trashë mund të errësojë pamjen dhe si pasojë, të fshehë një problem të mundshëm. Për të boshatisur zorrën e trashë, mjeku do të kërkojë nga pacienti procedurat e mëposhtme:

  1. Dietë të veçantë përpara egzaminimit. Është e rëndësishme që të

mos konsumohen ushqime të forta dhe të thata një ditë përpara egzaminimit. Pijet duhet të kufizohen vetëm në ujë, çaj ose kafe pa qumësht ose krem dhe supëra të holluara. Duhet të shmangen pijet me ngjyrë të kuqe, pasi ato mund të ngatërrohen me gjakun gjatë egzaminimit. Një natë përpara egzaminimit nuk duhet të futet asgjë në gojë, ushqime apo pije.

  1. Marrja e Laksativëve. Mjeku do t’i rekomandojë pacientit një laksativ në formë pilulash apo lëng një natë përpara egzaminimit si dhe në mëngjes.
  2. Klizma. Në disa raste, klizma është e nevojshme për t’u bërë para së të kryhet kolonoskopia. Klizma siguron një pastrim të plotë të zorrës së trashë.
  3. Trajtimet Medikamentoze. Të paktën një javë përpara egzaminimit, pacienti duhet të njoftojë mjekun për barnat që aktualisht përdor, veçanërisht nëse ai është në trajtim medikamentoz për sëmundje të tilla si diabeti, hipertensioni, sëmundjet e zemrës, etj. Barnave dhe suplementeve që përmbajnë hekur, që përdoren për hollimin e gjakut si aspirina, etj. është e nevojshme që t’u përshtatet dozimi, ose të ndalohen përkohësisht.

Procesi

Egzaminimi kolonoskopik zakonisht zgjat nga 20 minuta deri në një orë. Përpara egzaminimit, pacienti është i veshur vetëm me një mantel. Zakonisht egzaminimi kolonoskopik bëhet me qetësues, që përfshin edhe qetësues të butë në formë pilule ose në raste të tjera qetësuesi kombinohet me një injeksion intravenoz kundër dhimbjeve.

Egzaminimi kryhet duke qenë pacienti i shtrirë në njërin krah dhe me gjunjët e mbledhura afër gjoksit. Mjeku fut kolonoskopinë në rektum, e cila nëpërmjet një minikamere fillon të filmojë muret e brendshme të rektumit dhe zorrës së trashë. Gjatë egzaminimit, nëpërmjet një tubi të hollë që përmban kolonoskopia, mjeku pompon ajër në zorrën e trashë. Ajri mundëson marrjen e pamjeve më të qarta të mureve të zorrës, pasi zorra qëndron e tendosur. Në këtë fazë të egzaminimit, pacienti mund të ketë ngërçe të barkut, ose të ketë ndjesinë e nevojës urgjente për të defekuar. Gjatë kësaj kohe, kamera dërgon imazhe në një monitor, i cili vëzhgohet nga mjeku. Duke vlerësuar gjendjen e zorrës së trashë dhe rektumit, mjeku mund të futë instrumenta përmes tubit të kolonoskopisë, të cilat marrin mostra të indeve (biopsi), ose të heqin polipe, apo inde të tjera të sëmura dhe jonormale.

Pas Egzaminimit. Pas kryerjes së egzaminimit, pacientit i duhet rreth një orë për t’u rehabilituar nga qetësuesit. Pacienti e ka të domosdoshme të shoqërohet nga një person tjetër për në banesë, pasi efektet e qetësuesit mund të zgjasin deri në një ditë. Është e ndaluar që pacienti gjatë kësaj kohe të ngasë makinën, apo të shkojë në punë në pjesën tjetër të ditës.

Nësë mjeku ka hequr një polip, ai mund t’i rekomandojë pacientit një dietë të veçantë për pak kohë.

Për disa orë, pacienti ka ndjesinë e pakëndshme të fryrjes zë zorrëve dhe kjo mund të largohet gradualisht nëpërmjet lëvizjeve dhe shëtitjes. Gjithashtu, në disa raste, pacienti mund të vërejë njolla gjaku në feçe. Normalisht, kjo nuk është gjë për t’u shqetësuar. Është e rekomandueshme konsulta me mjekun nëse njollat e gjakut janë të vazhdueshme, kur pacienti ka dhimbje barku, ose kur temperatura e trupit shkon në 37.8 gradë e më sipër.

Rezultatet

Mjeku do të nxjerrë rezultatet dhe më pas, do t’i komunikojë ato pacientit.

Rezultati Negativ. Një egzaminim kolonoskopik konsiderohet negativ kur mjeku nuk evidenton asnjë lloj çrregullimi në rektum ose në zorrën e trashë. Nëse pacienti nuk ka faktorë risku të kancerit të kolonës së trashë, si mosha apo faktorë të tjerë, mjeku e rekomandon atë që pas jo më shumë se 10 vjet të kryejë një egzaminim të ri kolonoskopik.

Rezultati Pozitiv. Një egzaminim kolonoskopik konsiderohet pozitiv kur mjeku evidenton polipe dhe inde anormale në zorrën e trashë dhe rektum. Shumica e polipeve nuk janë kanceroze, por disa mund të jenë parakanceroze. Polipet e hequra dërgohen në laborator për t’u vlerësuar nëse ato janë jokanceroze, kanceroze ose parakanceroze.

Në varësi të madhësisë dhe numrit të polipeve, pacienti duhet të ndjekë një program egzaminimesh në të ardhmen. Nëse mjeku gjen një ose dy polipe me diametër më të vogla se 1 centimetër, një kolonoskopi tjetër duhet të kryhet brenda pesë ose dhjetë vjetësh, në varësi të faktorëve të riskut. Por nëse mjeku gjen një numër më të madh polipesh, me një masë më të madhe, ose polipe me karakteristika të qarta qelizore, mjeku mund të rekomandojë kolonoskopi jo më shumë se tre deri pesë vjet. Nëse mjeku ka hequr një ose më shumë polipe kanceroze, është e rekomandueshme që egzaminimet ndjekëse (folloë-up) të bëhen çdo tre muaj, gjashtë muaj apo çdo vit. Nëse gjatë egzaminimeve janë evidentuar polipe ose inde jonormale, por që nuk mund të hiqeshin nëpërmjet kolonoskopisë, atëherë mjeku duhet të rekomandojë ndjekje nëpërmjet ndërhyrjeve kirurgjikale.

Nëse mjeku për shkak të pamjes jo të qartë nuk arrin të  nxjerrë rezultatet, është e nevojshme që pacienti ta përsërisë kolonoskopinë brenda një kohe të shkurtër. Në këto raste, është e rekomandueshme që përpara egzaminimit të bëhet një klizmë me barium.

Referencat

Mayo Clinic; web: www.mayoclinic.com