Rezonanca Magnetike

Rezonanca magnetike – MRI (magnetic resonance imaging) është një ekzaminim imazherik joinvaziv dhe pa dhimbje që shërben për diagnostikimin e një spektri të gjerë patologjish, kur egzaminimet e tjera radiologjike janë të pamjaftueshme.

Njohuri të Përgjithshme

Ndryshe nga ekzaminimet konvencionale me rrezet-X  dhe tomografia e kompjuterizuar (CT), rezonanca magnetike nuk përdor rrezatim. Ajo bazohet në emetimin e një fushe të fuqishme elektromagnetike për diagnostikim. Rezonanca magnetike realizon një numër mjaft të madh imazhesh kompjuterike të një cilësie të lartë për të diagnostikuar organet e brendshme, indet e buta, kockat dhe të gjitha elementët strukturorë të trupit të njeriut. Ajo paraqet organet, enët e gjakut, kockat dhe nyjet nëse janë normale në masë, formë , pamje dhe lokalizim, duke evidentuar organet që janë më të mëdha, më të vogla, që janë dëmtuar, ose që mungojnë.

Por MRI jep informacion të detajuar jo vetëm për strukturën e një organi, por edhe për funksionin e tij. Ajo madje gjen problemet në inde dhe organe edhe kur madhësia, forma dhe lokalizimi i tyre është normal.

Imazhet e detajuara të rezonancës magnetike i mundësojnë mjekut të vlerësojë më mirë pjesët e trupit dhe patologji të veçanta që nuk mund të përcaktohen në mënyrë të përshtatshme me metodat e tjera të imazherisë si rreze X, ultratingujt ose tomografinë e kompjuterizuar (CT).

Por si funksionon MRI?

Ndërkohë që pacienti rri shtrirë brenda njësisë së rezonancës, valët elektromagnetike drejtohen tek protonet në zonën e trupit që do të egzaminohet. Nën ndikimin e fushës magnetike, këto protone ndryshojnë pozicionin e tyre duke prodhuar sinjale që kapen nga bobinat. Më pas një kompjuter përpunon sinjalet dhe prodhon një seri imazhesh, secila prej të cilave tregon një shtresë të hollë të trupit që më pas përpunohen në pamje tre-dimensionale shumëplanëshe.

 

Për shkak se protonet janë më të shumtë në molekulat e ujit, imazhet RM tregojnë diferenca në përmbajtjen e ujit në inde të ndryshme të trupit.

Si rrjedhim, MRI është veçanërisht e përshtatshme  për të zbuluar çrregullimet në zonat e sëmura të trupit, për shembull, në zonat e prekura nga tumoret, infeksionet dhe inflamacionet, të cilat ndikojnë në prishjen e ekuilibrit të lëngjeve në qelizë dhe jashtë saj.

Në përgjithësi, diferencimi i indeve anormale (të sëmura) nga indet normale është veçanërisht më i lehtë me MRI sesa me modalitetet e tjera të imazherisë siç janë rrezet-X, CT dhe ultratingujt. Gjithashtu, kjo lloj imazherie jep më shumë informacion se llojet e tjera të imazherisë të përmendura më lart.

Rekomandimet

Rezonanca magnetike është ekzaminim i detajuar i gjithë trupit që realizohet me anë të sistemit modern TUM të MRI dhe përdoret në diagnostikimin dhe përcaktimin e shkallës së shumë patologjive si: tumoret, gjakderdhjet, plagosjet, sëmundjet e enëve të gjakut, infeksionet, etj. Imazhet e MRI të trurit dhe strukturave të tjera kraniale janë më të qarta dhe më të detajuara se me metodat tjera të imazherisë. Ky detaj e bën MRI një mjet diagnostik të pazëvendësueshëm në vlerësimin e shumë patologjive të trurit, përfshirë dhe tumoret. Angiografia MRI jep imazhe të detajuara të enëve të gjakut, kurse MRI e indeve të buta të trupit siç është zemra, mëlçia dhe shumë organe të tjera kanë një ndjeshmëri të madhe për të indentifikuar dhe karakterizuar patologjitë dhe lezionet lokale në krahasim me metodat e tjera të imazherisë. Ky detaj e bën MRI të pazëvendësueshëm në diagnostikimin e hershëm dhe vlerësimin e shume lezioneve fokale dhe tumoreve.

Ashtu sikurse në patologjitë e zemrës, enëve të gjakut, trurit, etj., MRI është provuar si metoda më e vlefshme edhe në diagnostikimin e shumë patologjive të sistemit muskuloskeletal.

Mjeku mund të rekomandojë përdorimin e rezonancës magnetike në rastet e mëposhtme:

  • Dëmtimet traumatike të shtyllës kurrizore.
  • Dëmtimet e meniskut, ligamenteve, kartilagos, tendinave dhe muskujve.
  • Frakturat e kockave kur egzaminimet me rreze X nuk janë plotësisht të qarta.
  • Patologjitë e diskut spinal, si hernia diskale, etj.
  • Traumat sportive apo profesionale, të shkaktuara nga sforcimi i përsëritur ose goditjet e fuqishme.
  • Dëmtimet e indeve të buta.
  • Infeksionet kockore, si osteomieliti.
  • Tumoret e kockave dhe kyçeve.
  • Sëmundjet e artikulacioneve (artritet), në gjunjë, shpatulla, kyçet e duarve dhe këmbëve.
  • Dhembjet, enjtjet ose hemorragjinë në indet brenda dhe përreth kyçeve dhe kockave.
  • Diagnostikimin e problemeve të palcës së kockës.
  • Tumoret e kraharorit, abdomenit ose pelvisit.
  • Patologjitë funksionale  dhe anatomike të zemrës. Diagnostikimi i enëve koronare, valvulave të zemrës, etj.
  • Tumoret dhe anomalitë e tjera të organeve riprodhuese si uterusin, ovaret, testikujt, prostatën, etj.
  • Sëmundjet e mëlçisë, fshikëzës së tëmthit, pankreasit dhe organeve të tjera.
  • Anomali dhe sëmundje vaskulare, arteriale dhe venoze. Procesi diagnostikues përmes MRI i enëve të gjakut është quajtur ndryshe edhe MRA (magnetic resonance angiography) – angiografia e rezonancës magnetike. Nëpërmjet MRA identifikohen problemet e arterieve dhe venave, si aneurizmat, ngushtimet dhe bllokimet e enëve të gjakut, etj.

Për të evidentuar më qartë enët e gjakut, përdoret gjithashtu edhe material kontrasti.

  • Patologjitë e tëmthit dhe të rrugëve hepatobiliare (MRCP) si alternativë e ERCP invazive.
  • Dëmtimet e kokës dhe të trurit. MRI mund të diagnostikojë tumoret e trurit, hemorragjinë në tru, aneurizmat, dëmtimet e nervave dhe probleme të tjera, si dëmtimet e shkaktuara nga goditjet cerebrale, etj.
  • Problemet e sistemit nervor. MRI mund të diagnostikojë sëmundje të tilla si skleroza e shumëfishtë, demencën, Alzhaimerin, po ashtu edhe dëmtimet e nervave nga sëmundje të tilla si diabeti, etj.
  • Tumoret e gjirit. Rezonanca magnetike e gjirit është metoda më e avancuar diagnostikuese e gjirit, e cila ofron informacion të vlefshëm rreth shumë patologjive të gjendrës mamale që nuk mund të merren  përmes modaliteteve të tjera të imazherisë, sic janë mamografia dhe echo duke realizuar një diagnstifikim të një saktësie mjaft të lartë.

Ajo rekomandohet në mënyrë të veçantë, për  pacientët me risk të lartë për zhvillimin kancerit të gjirit, sic janë ata me predominancë gjenetike (BRCA1 dhe 2), histori familjare, kancer të ovareve, pacientët me gji të dendur në mamografi apo të diagnostikuar më parë me lezione prekanceroze.

  • Problemet me sytë dhe dëmtimet e nervit optik.
  • Problemet me veshët dhe dëmtimet e nervit të dëgjimit.
  • Identifikon praninë e kimikateve specifike në inde. MRI spectroscopy është një metodë e veçantë e MRI që identifikon problemet nga prania e disa kimikateve në indet e organizmit.

Niveli i Riskut

Deri më sot nuk njihen efekte të dëmshme nga përdorimi i fushës së fuqishme magnetike të MRI. Ajo një teknikë jo-invazive e imazherisë që nuk përfshin ekspozimin ndaj rrezatimit, prandaj është e përshtatshme për të gjitha moshat. Por, për shkak të fushës mjaft të fortë magnetike që ajo përdor, rezonanca magnetike përmban disa risqe në disa rrethana dhe në kategori të veçanta të pacientëve. Megjithatë, rezonanca magnetike nuk paraqet ndonjë rrezik për pacientin kur ndiqen udhëzimet përkatëse të sigurisë.

Risqet MRI janë si më poshtë:

  • Ndikimi i Fushës Magnetike në Pjesët Metalike në Trupin e Pacientit. Fusha e fortë magnetike mund të ndikojë në pjesët metalike dhe aparate të vendosura në trupin e pacientit, si pacemaker, gjymtyrët artificiale, fragmente metalike në sy dhe aparate të tjera mjekësore që përmbajnë hekur. Fusha magnetike mund të ndalojë funksionimin e këtyre aparateve, apo të shkaktojë keqfunksionimin e tyre.

Gjithashtu, çdo pajisje që nuk është e fiksuar mirë në trup mund të shkaktojë lëndime dhe plagosje për shkak se tërhiqet nga fusha e fortë magnetike. Nëse nëpërmjet një egzaminimi me rreze X zbulohet se pacienti ka fragmente metalike në sy, MRI nuk mund të bëhet, pasi ajo e dëmton retinën.

  • Reaksione alergjike. Ka rrezik shumë të vogël për reaksion alergjik nëse injektohet lëndë kontrasti. Reaksione të tilla janë zakonisht të lehta dhe kontrollohen mirë nga medikamentet. Megjithatë, në kontrastet që përmbajnë një lëndë të quajtur gadolinium, mund të shkaktojë probleme serioze të lëkurës siç është fibroza nefrogjenike.  Fibroza nefrogjenike është aktualisht një komplikacion i rrallë dhe që mund të zhvillohet nga egzaminimet me MRI me këto lloj kontrastesh  në pacientë me funksionim të dobët të veshkave. Nëse pacienti ka sëmundje të rëndë të veshkave ose transplant të tyre, ai duhet të njoftojë mjekun për këtë fakt.

Lënda e kontrastit e përdorur ne ekzaminimet e RM ka më pak mundësi të prodhojë reaksione alergjike sesa kontrastet me bazë jodi të përdorura ne CT.

Reaksione alergjike mund të shkaktohen edhe nga prania e hekurit në pigmentet e tatuazheve ose në rimelin e syve tek gratë. Këto mund të shkaktojnë acarime në lëkurë dhe sy.

  • Ndikimi i Fushës Magnetike në Gratë Shtatzëna. Megjithëse s’ka asnjë argument shkencor për të besuar se MRI dëmton fetusin, efektet e fushës së fortë magnetike s’janë plotësisht të qarta dhe të zbuluara shkencërisht. Për këtë arsye rekomandohet që gratë shtatëzëna të mos kryejnë egzaminimin nëpërmjet MRI. Megjithatë, MRI mund të kryhet edhe në gratë shtatzëna për të marrë më shumë informacion rreth problemeve që nuk mund të shihen qartë me egzaminimet e tjera si CT scan.

Përgatitja

Nëse do të kryeni testin e MRI të abdomenit ose pelvisit, ju nuk duhet të hani ose të pini asgjë disa orë përpara diagnostikimit.

Testi i MRI paraprihet nga nënshkrimi i një formulari miratimi që do të thotë se ju i kuptoni rreziqet e një MRI dhe jini dakord që të kryeni këtë test. Bisedoni me mjekun tuaj për çdo shqetësim që keni në lidhje të, rreziqet e saj, si do të kryhet,  apo çfarë rezultatesh të mundshme do të merren.

Vini në dijeni doktorin dhe teknikun e MRI nëse ju:

  • Jeni alergjik ndaj ndonjë ilaçi të caktuar. Gjithashtu, nëse ju e dini se jeni alergjik ndaj lëndës së kontrastit të përdorur për MRI, lajmëroni mjekun për të kryer teste të tjera diagnostikuese.
  • Jeni apo mund të jeni shtatzënë.
  • Keni ndonjë pajisje të implantuar në trup. Kjo e ndihmon stafin mjekësor të identifikojë shkallën e sigurisë së testit të rezonancës magnetike për ju. Pajisjet që mund të jenë implantuar në trup janë:
  1. Pajisjet për zemrën dhe sistemin e qarkullimit të gjakut, si: pacemaker, stenta koronare, ICD (implantable cardioverter-defibrillator) ose valvula metalike për zemrën.
  2. Kunja metalike, kapëse ose pjesë metalike, si: proteza të gjymtyrëve, ura dentare metalike, etj.
  3. Aparate mjekësore, si pompë infuzioni, ose aparate dëgjimi të implantuara.
  4. Implante metalike kozmetike, si piercing, etj.
  • Keni kryer ndonjë ndërhyrje kirurgjikale në enët e gjakut. Në disa raste të këtyre ndërhyrjeve, testi i MRI nuk është i rekomandueshëm të kryhet.
  • Keni një pajisje intrauterine (intrauterine device – IUD). Një IUD mund t’ju ndalojë nga diagnostikimi me MRI. Kjo pajisje mund të pengojë mjekun që të shohë qartë uterusin dhe të identifikojë pa gabime problemet që ai mund të ketë.
  • Jeni klaustrofobik (keni fobi ndaj hapësirave të ngushta). Në këto raste mjeku mund të vendosë trajtimin me ilaçe për këtë qëllim, ose t’ju diagnostikojë me një pajisje MRI e cila është e hapur (open MRI).
  • Vuani prej patologjive të veshkave ose anemisë. Këto patologji mund të ndalojnë përdorimin e lëdës së kontrastit për diagnostikim.

Përpara se te kryeni testin e MRI, ju duhet të hiqni të gjitha objektet metalike të tilla si: aparate dëgjimi, protezat e lëvizshme, bizhuteritë, orën, kapëset metalike të flokëve, etj. Këto objekte mund të tërhiqen nga fusha e fuqishme magnetike  si dhe mund të krijojnë pamje të paqarta të imazherisë.

Testi i rezonancës kryhet duke i hequr të gjitha veshjet personale, të cilat zëvendësohen me një mantel, pavarësisht se në cilën pjesë të trupit do të kryhet diagnostikimi. Megjithatë, është e lejuar gjithashtu që diagnostikimi mund të realizohet me rrobat personale, por pasi ato të jenë pastruar nga sendet metalike, si dhe të zbrazen xhepat nga monedhat, kartat e kreditit, kartat ATM, etj. Duhet theksuar se fusha magnetike e MRI mund të fshijë informacionet nga këto lloj kartash.

Procesi

Gjatë testit të MRI, ju duhet të shtriheni në shpinë në një tavolinë, e cila është pjesë e aparaturës së MRI. Për të ruajtur një pozicion të palëvizshëm, trupi fiksohet me rripa sigurimi. Një pajisje mund të montohet për të monitoruar rrahjet e zemrës si dhe frymëmarrjen. Më pas, tavolina futen në hapësiën e brendshme të aparatit. Gjatë qëndrimit në të, disa pacientë (klaustrofobikë) ndihen nervozë dhe të shqetësuar. Në këto raste, mjeku mund t’i trajtojë këta pacientë me qetësues për relaksim, ose të përdorë për diagnostikim një aparat tjetër MRI, i cili është i hapur (open MRI). Përveçse nuk gjendet në çdo klinikë, një MRI e hapur nuk e ka asnjëherë atë cilësi të imazhit siç e ka MRI standarte (e mbyllur).

Procesi i diagnostikimit nëpërmjet rezonancës magnetike nuk është i dhimbshëm për shkak të fushës magnetike. Ajo që mund t’ju shkaktojë shqetësim është qëndrimi në një pozicion të palëvizshëm për një kohë të gjatë dhe zhurma e aparatit (e cila mund të reduktohet nga përdorimi i kufjeve). Gjërat e tjera që mund të ndieni janë:

  1. Nëse është përdorur lëndë kontrasti, ju mund të ndjeni freskinë dhe rrjedhjen e lëngut nëpër enët e gjakut.
  2. Në raste të rralla mund të keni ndjesinë e shpimit të gjilpërave në gojë nëse keni mbushje dentare metalike.
  3. Edhe pse nuk është e shpeshtë, ju mund të përjetoni edhe një ndjenjë ngrohtësie në zonën e diagnostikuar. Mos u shqetësoni për këtë dukuri, pasi kjo është normale.
  4. Rrallë mund të paraqiten edhe të përziera në stomak, të vjella, dhimbje koke, dhimbje në pjesë të tjera të trupit, marramendje, djegie apo probleme të frymëmarrjes.

Njoftoni menjëherë teknikun e rezonancës magnetike nëse keni këto probleme.

Procesi  diagnostikimit me MRI mund të zgjasë zakonisht nga 30 minuta deri në një orë. Në raste më të rralla mund të zgjasë deri në dy orë. Gjatë diagnostikimit, pacientit mund t’i kërkohet që të mbajë disa herë frymëmarrjen për periudha të shkurtra kohe.

Është mjaft e rëndësishme që gjatë kësaj kohe, pacienti të ruajë gjendjen e qetësisë. Pozicioni i palëvizshëm garanton një cilësi më të madhe të imazhit. Ai në çdo kohë është i monitoruar nga tekniku i imazherisë dhe mund të komunikojë me të nëpërmjet lidhjes fonike.

Rezultatet

Mjeku imazherist mund të nxjerrë rezultatet e para të MRI menjëherë pas testit. Rezultatet e plota mund të jenë gati për një deri në dy ditë pas procedurës së diagnostikimit.

Referencat

Mayo Clinic; web: www.mayoclinic.com
web: www.webmd.com