Kirurgjia Dentare

Kirurgjia dentare është degë e stomatologjisë që realizon ndërhyrjet kirurgjikale në lidhje me dhëmbët, nofullat dhe indet e buta të gojës. Kirurgjia dentare merr pjesë në shumë çregullime, të cilat nuk arrijnë të zgjidhen me metodat konservative.

 

Problemet që trajtohen nga Kirurgjia Dentare

 

  • Heqja e Dhëmbëve. Heqja e dhëmbëve në rrugë kirurgjikale është procedura më e zakonshme e kirurgjisë dentare. Heqja e dhëmbëve është opsioni i fundit që duhet të merret ne konsideratë, pasi kanë rezultuar të paefektshme opsionet e tjera.

Heqja e dhëmbëve është e nevojshme në këto raste:

 

  1. Dhëmbi është prishur në një gradë të lartë.
  2. Nëse pacienti pëson nëj traumë dhe dhëmbi është dëmtuar ose thyer në mënyrë të pariparueshme.
  3. Dhëmbi ka infeksion të rëndë me abces dhe ciste si dhe në rastet kur ai shkakton infeksione kronike.
  4. Dhëmbi pengon korrigjimin e nofullave apo të fytyrës.
  5. Nëse nevojitet hapësira e nevojshme për drejtimin e dhëmbëve.
  6. Nëse pacienti është prekur nga një formë e rëndë e sëmundjeve periodontale.
  7. Dhëmbi lëviz për shkak të problemeve me gingivat apo shkaqeve të tjera.
  8. Dhëmbi është i keqpozicionuar.
  9. Dhëmbi ka frakturim në rrënjë.
  10. Dhëmbi ka mbetur në nofull.
  11. Nëse ka probleme me dhëmballët e pjekurisë.

 

Heqja e Dhëmballëve të Pjekurisë. Një nga rastet më të zakonshme që hasen në kirurgjinë dentare është heqja e dhëmballëve të pjekurisë. Dhëmballët e pjekurisë janë dhëmballët e treta dhe të fundit të gojës. Ato dalin zakonisht në fund të adoleshencës dhe shumica e njerëzve kanë katër të tilla: dy në nofullën e sipërme dhe dy në të poshtmen.

Për shkak se dhëmballët e pjekurisë janë edhe dhëmballët e fundit që dalin, ato mund të mbartin edhe një sërë problemesh.

Problemi kryesor është se në shumë njerëz dhëmballët e pjekurisë nuk kanë vend të mjaftueshëm për të dalë sidomos dhëmballa e tretë. Në këto raste, nofulla nuk është aq e gjatë sa të sigurojë edhe daljen e plotë të tyre pa probleme, ose ato nuk dalin në vijën e duhur të mishrave të dhëmbëve. Kur ato nisin të dalin, shtyjnë dhëmbët e tjerë afër tyre, duke krijuar infeksione në mishrat e dhëmbëve, kiste, ënjtje si dhe dhimbje akute dhe kronike.

Në rastet më të rënda, dalja e dhëmballëve të pjekurisë mund të shkaktojë dëmtime të përhershme në dhëmballët ngjitur, infeksione të shkallës së lartë që prek kockën dhe nganjëherë mund të bëhet shkas për formimin e tumoreve të nofullës.

Këto çrregullime janë arsye të mjaftueshme për të hequr dhëmballët e pjekurisë. Por nuk janë vetëm dhëmballët e pjekurisë që shfaqin të tilla probleme. Probleme të ngjashme mund të shfaqin edhe dhëmbët e qenit, të cilët duhet të kenë trajtim mjekësor të njëjtë me ta.

 

  • Rritja e pabarabartë e Nofullave. Në disa individë, nofullat e poshtme dhe të sipërme rriten në mënyrë të pabarabartë. Kjo mund të shkaktojë vështirësi në të folur, në të ngrënë, vështirësi në gëlltitje dhe frymëmarrje. Ndërsa disa nga këto probleme, si keqpozicionimet e dhëmbëve, etj. mund të korrigjohen thjesht me anë të procedurave ortodontike – vendosje të telave për drejtimin e dhëmbëve, kurse problemet më serioze kërkojnë kirurgji dentare për të ripozicionuar të gjithë ose një pjesë të nofullës së sipërme, nofullës së poshtme ose të dyja; për t’i balancuar ato dhe në këtë mënyrë, për t’i bërë funksionale dhe të shëndetshme.

 

  • Çrregullimet e Nyjeve Temporomandibulare. Disfunksioni i nyjeve temporomandibulare, (nyje të vogla në zonën e veshit ku lidhen kafka me nofullën e poshtme) është një çrregullim që shkakton dhimbje koke dhe dhimbje në fytyrë. Shumica e pacientëve me këtë çrregullim trajtohen me sukses me një kombinim të barnave, fizioterapisë dhe vendosjes së një mekanizmi për të disiplinuar lëvizjet. Megjithatë, në rastet e avancuara, kur diagnoza tregon një problem specifik në këto nyje, është e nevojshme trajtimi përmes kirurgjisë dentare.

 

  • Traumat Faciale. Kirurgjia dentare është shumë e përdorshme në rastin e riparimeve të dëmtimeve faciale dhe thyerjeve të nofullave për shkak të traumave dhe aksidenteve të pësuara.

 

  • Biopsia dhe heqja e Lezioneve. Nëpërmjet kirurgjisë dentare realizohet marrja e fragmenteve indore nga zgavra e gojës për egzaminime laboratorike me qëllime diagnostifikuese. Gjithashtu, disa lezione mund të trajtohen nëpërmjet kirurgjisë dentare.

 

  • Çarjet e Buzës dhe të Qiellzës. Këto janë anomali kongjenitale të cilat shkaktohen nga mosrritja në mënyrë harmonike e pjesëve të gojës dhe zgavrës së hundës gjatë zhvillimit të fetusit. Rezultati i saj është krijimi i një çarje në buzë dhe/ose i një plasaritje në qiellzë.

Në këto raste, kirurgjia dentare është pjesë e një grupi më të gjerë specialistësh për të korrigjuar këto probleme nëpërmjet një seri trajtimesh dhe procedurash kirurgjikale të shtrira në një kohë relativisht të gjatë.

 

  • Problemet e Gërhitjes dhe Frymëmarrjes në gjumë. Nëse metodat konservative për zgjidhjen e këto dy problemeve gjatë gjumit dështojnë, atëherë është e nevojshme kirurgjia dentare. Ndërhyrja kirurgjikale realizon heqjen e indeve të buta në orofaring (një zonë në pjesën fundore të gojës), ose në nofullën e poshtme.

 

 

Procedurat më të shpeshta të Kirurgjisë Dentare

 

  • Osteotomia. Osteotomia është prerja kirurgjikale e eshtrave. Osteotomia në kirurgjinë dentare realizon heqjen e dhëmbëve që ndodhen të shtrirë në eshtrën e nofullës, ose mbetjeve të rrënjëve të dhëmbit në të, etj. Osteotomia dentare më e zakonshme është heqja e dhëmballëve të pjekurisë, të cilat shpesh çojnë në komplikime të ndryshme dhe serioze.

 

  • Apicektomia. Apicektomia është ndërhyrja kirurgjikale për heqjen e majave të rrënjëve të dhëmbëve të ngulura në kockë. Kjo procedura kirurgjikale përdoret atëherë kur majat rrënjëve janë infektuar dhe pastrimi i tyre nëpërmjet terapisë konservatore nuk është i efektshëm. Në disa raste serioze, infeksioni i rrënjës ka kaluar përreth, duke infektuar edhe kockën e nofullës, në të cilën mund të zhvillohen ciste me qelb. Apicektomia synon të pastrojë vatrën e infeksionit nëpërmjet heqjes së majave të rrënjëve të dhëmbit, por edhe të ruajë dhëmbin. Kjo mundësi realizohet në 70% të ndërhyrjeve kirurgjikale të realizuara.

 

  • Hemiseksioni. Hemiseksioni është ndërhyrja kirurgjikale për heqjen e një rrënje të dhëmbit me qëllim që të garantohet e shëndetshme pjesa tjetër, ose i gjithë dhëmbi. Kjo procedurë kryhet vetëm në disa dhëmbë të veçantë. Arsyeja kryesore e heqjes së rrënjës zakonisht është infeksioni, i cili mund të depërtojë në të çarat e të dyja rrënjëve nën mishrat e dhëmbëve. Kjo procedurë kërkon në mënyrë të posaçme një higjenë mjaft të mirë orale.

 

  • Amputimi. Amputimi është heqja e kurorës dhe rrënjës së dhëmbit. Nëpërmjet amputimit mund të hiqet rrënja e dhëmballëve të rrallë në nofullën e sipërme si dhe në nofullën e poshtme. Procedura kirurgjikale zhvillohet si në rastet tradicionale të heqjes së dhëmbëve, por që prek vetëm rrënjët të cilët nuk mund të rikuperohen. Në këtë rast, mjeku stomatolog duhet që nëpërmjet diagnostikimit radiologjik të përcaktojë saktë nëse rrënjët mund të ruhen ose jo.

 

  • Riplantimi. Riplantimi është rivendosja e dhëmbit të hequr pas një traume apo aksidenti. Kjo lloj procedure mund të kryhet nëse nuk janë dëmtuar dhëmbi, rrënja dhe kocka ku mbështetet dhëmbi. Është e këshillueshme që dhëmbi i nxjerrë si pasojë e traumës ose aksidentit të ruhet në një mbajtëse të mbyllur të mbushur me pështymë ose qumësht. Kjo mënyrë ruajtje i rrit shumë mundësitë për një rimplantim të suksesshëm.

Gjithashtu, rimplantimi  jep shanse të mira për sukses sidomos në pacientët në moshë të re. Sa më i ri të jetë pacienti, aq më e madhe është mundësia për një ndërhyrje të suksesshme.

 

  • Kirurgjia para-protetike. Kirurgjia para-protetike përfshin të gjitha ndërhyrjet kirurgjikale që realizohen me qëllim për vendosjen e protezave dentare. Zakonisht, në këto lloj ndërhyrjesh, mjeku stomatolog bashkëpunon me mjekun kirurg të gojës. Pacientët më të zakonshëm të kirurgjisë para-protetike janë të moshuarit dhe moshat më të reja me mungesa të shumta të dhëmbëve.

Nga ana anatomike, humbja e dhëmbëve bën që kocka e nofullës të ndryshojë strukturën e vet dhe të përkeqësohet me kalimin e kohës. Kjo do të thotë që përgatitja e protezës nuk është vetëm thjesht teknike, por kërkon një ndërhyrje shtesë kirurgjikale për të krijuar një suport të përshtatshëm në të cilën duhet të mbështetet. Kirurgjia para-protetike realizon procese të tilla si zhvendosjen apo heqjen e indeve të buta që rrethojnë kockën mbi të cilën do të vendoset proteza, lëmimin e pjesëve të mprehta të kockës, modelimin e saj,  përputhjen e pjesëve të kockës, modelimin e kockës së nofullës sipas mikrokirurgjisë rikonstruktive (me kocka të pjesëve të tjera të trupit) ose me protezë  për nofulla, etj.

 

  • Terapia kirurgjikale periodontale. Terapia kirurgjikale periodontale është një terapi ndihmëse e periodontopatisë, sëmundjeve inflamative të mishrave të dhëmbëve. Sëmundjet periodontale janë shqetësimet më të shpeshta që i sjellin njerëzit në klinikë. Këto sëmundje janë serioze pasi në faza të avancuara të tyre çojnë në humbjen e dhëmbëve.

Në format e rënda të periodontopatisë, mjeku kirurg stomatolog bën një “open curettage” (procedurë kirurgjikale që realizon gërryerjen e indeve brenda një organi për qëllime diagnostikimi ose trajtimi mjekësor). Kjo procedurë nuk përfshin vetëm trajtimin e çrregullimeve periodontale, por edhe rimodelimin e mishrave të dhëmbëve. Me një anestezi lokale, hapen mishrat e dhëmbëve dhe pastrohen rrënjët e tyre nga infeksioni. Më pas, nëpërmjet qepjes mbyllen mishrat e dhëmbëve.

 

  • Incizioni. Incizioni është prerja kirurgjikale e indeve. Incizionit dentar përdoret në rastin e krijimit të abceseve nëpër mishrat e dhëmbëve dhe infeksioneve në fytyrë. Dhimbjet dhe ënjtjet në fytyrë, mjekër dhe nofulla mund të jenë shenjë e një infeksioni. Infeksionet në këtë pjesë të trupit mund të japin komplikacione të rënda duke kërcënuar jetën e pacientit, nëse nuk trajtohen në kohë dhe në mënyrë efektive.

Prerja lejon që të krijohet  shkarkimi i abcesit dhe eleminimi i tij. Incizioni është mjaft i rëndësishëm, pasi në këto raste, infeksioni mund të shkojë drejt organeve të tjera, duke shkaktuar komplikacione të rënda. Për të eleminuar këtë ndërlikim, incizioni shoqërohet me një trajtim antibiotik.

 

  • Ektomia. Ektomia dentare përfshin prerjen e pjesëve të mukozës dhe indeve vetëm pas heqjes së tumoreve të mëdha. Dentisti me anestezi lokale heq indet e dëmtuara, plagët dhe poliferimet e mukozave.

Ektomia shpesh është ndërhyrja pararendëse e operacioneve plastike në fytyrë.