Mbushjet e Dhëmbëve

Trajtimi i dhëmbëve nëpërmjet mbushjes është i domosdoshëm në rastet kur mjeku stomatolog evidenton një kavitet – i cili është një zgavër, një pjesë e kalbur e dhëmbit dhe do ta mbushë atë me një material tjetër. Mbushjet e dhëmbëve përdoren në rastet e mëposhtme:

 

  • Në trajtimet estetike të dhëmbëve me hapësira midis tyre.
  • Në dhëmbë të krisur dhe të thyer.
  • Në dhëmbë të ngrënë dhe bluar në sipërfaqet e tyre të kontaktit nga keqpërdorimi.
  • Në rastet e dhëmbëve të dëmtuar nga kariesi.
  • Në rastet e dhëmbëve me defekte të lindura të smaltit.
  • Në rastet e zëvendësimit të mbushjeve me materiale të tjera nga ato egzistuese.

 

Procesi i Mbushjes së Dhëmbëve

 

Pasi ka bërë diagnostikimin, mjeku stomatolog përcakton trajtimin e dhëmbit – në këtë rast me mbushje. Në fillim, ai përdor një anestezi lokale rreth zonës së dhëmbit që do të mbushet. Më pas, me një instument të quajtur frezë , e cila përdor ajër ose lazer, dentisti pastron zonën e kalbur. Zgjedhja e frezës nga ana e dentistit është e bazuar në nivelin e tij të investimit të teknologjisë, të trajnimit dhe të vendndodhjes së pjesës së kalbur. Pasi ai e heq pjesën e kalbur dhe e teston dhëmbin nëse heqja është kryer e plotë, dentisti përgatit hapësirën e krijuar në dhëmb për ta mbushur nëpërmjet pastrimit dhe dezifenktimit të saj nga mikrobet dhe mbeturinat. Nëse prishja është afër rrënjës së dhëmbit, dentisti fillimisht përgatit një tampon të përbërë prej hidroksidi kalciumi për të mbrojtur nervin e dhëmbit dhe izolimin e tij nga mbushja dhe më pas kryhet mbushja.

Në rastet e mbushjeve të veçanta me disa materiale speciale (mbushje të ngjyrosura të dhëmbëve), procedura e mbushjes së dhëmbit përmban edhe disa hapa shtesë. Pasi dentisti ka hequr pjesën e kalbur të dhëmbit dhe ka pastruar zgavrën, materiali vendoset në shtresa. Pas vendosjes së një shtrese, ajo trajtohet më një llambë për të strukturuar atë dhe për t’i dhënë vetitë e duhura dhe kështu shtresë pas shtrese deri sa plotësohet mbushja. Në përfundim, dentisti i jep formë materialit me qëllim që ai të fitojë plotësisht anën funksionale dhe estetike.

 

Mbushjet e Dhëmbëve me Heqje Nervi

 

Mbushjet e dhëmbëve me heqje nervi realizohen atëherë kur prishja e dhëmbit ka avancuar deri në nivelin e nervit. Në këtë gjendje, heqja e nervit bëhet e pashmangshme. Trajtimi i mbushjes me heqje nervi realizohet kur prishja ka avancuar deri tek nervi. Pasi kryhet heqja e nervit, mbushen rrënjët e dhëmbit dhe më pas bëhet mbushja e kavitetit.

Mbushjet e dhëmbëve me heqje nervi kërkojnë 2-3 seanca tek dentisti.

 

Rikonstruksioni me Vida i Mbushjeve

 

Në rastet kur kaviteti është i madh dhe mbushjet në ëtë rast janë masive, është e nevojshme forcimi i strukturës së dhëmbit nëpërmjet vendosjes së një vide. Vida mund të jetë prej materiali metalik, të lara me flori ose të prodhuara me fibra qelqi. Këto vida janë të një teknologjie të avancuar – nuk lejojnë krisjen apo thyerjen e rrënjës, kanë rezistencë të lartë në shtypje dhe sigurojn një qëndrueshmëri mjaft të mirë në ngjitje.

 

Cilat Materiale për Mbushje janë më të Përshtatshme?

 

Në ditët e sotme, me zhvillimin e teknologjisë mjekësore, janë në qarkullim disa materiale për mbushje dentare. Dhëmbët mund të mbushen me ar, porcelan, amalgamë argjendi (e cila është një aliazh i përbërë nga përzierja e argjendit me mërkur, kallaj zink dhe bakër), mbushje me ngjyrë, mbushje me material plastik dhe mbushje me materiale qelqi të quajtura mbushje me kompozitë rezine.

Të gjitha këto mbushje kanë vetitë e tyre specifike dhe mbartin avantazhe dhe disavantazhe në raport me njëra-tjetrën. Në varësi të vendndodhjes së mbushjes, kostos financiare të mbushjes si dhe vetive të tjera të tyre, si qëndrueshmëria, jetëgjatësia, pamja estetike, etj. dentisti zgjedh dhe ofron atë që është më e përshtatshme për ju.

 

 

Mbushjet me Ar

 

Avantazhet:

 

  1. 1.    Jetëgjatësia. Mbushjet me ar zgjasin 10-15 vjet dhe jo rrallëherë edhe më tepër. Janë rezistente dhe nuk gërryhen.
  2. 2.    Rezistenca në shtypje. Mbushjet me ar janë mjaft rezistente dhe përballojnë shtypje të mëdha. (Për shkak të strukturës së tyre të fuqishmë muskulo-skeletale, nofullat ushtrojnë një shtypje mjaft të fuqishme që në të njëjtën kohë dhëmbët apo mbushjet e tyre duhet të jenë rezistente ndaj kësaj shtypje).
  3. 3.    Estetika. Disa pacientë i konsiderojnë mbushjet me ar më estetike dhe “high class” në krahasim me mbushjet e llojeve të tjera.

 

Disavantazhet:

 

  1. 1.    Çmimi i Lartë. Mbushjet me ar kanë çmim deri 10 herë më të lartë se mbushjet e tjera.
  2. 2.    Kërkon Procese Shtesë. Mbushjet me ar kërkojnë procese shtesë duke rritur numrin e vizitave në klinikë dhe kohëzgjatjen e tyre.
  3. 3.    Papajtueshmëri me Mbushjet e Llojeve të tjera (Proces Elektrizimi). Nëse një  mbushje me ar realizohet afër një mbushje me argjend apo të llojeve të tjera, mund të ndodhë që ajo të elektrizohet, duke krijuar një shije të veçantë dhe të padëshiruar në gojë. Kjo është një dukuri jo e shpeshtë, por megjithatë mund të ndodhë.
  4. 4.    Estetika. Shumica e pacientëve nuk i preferojnë estetikisht mbushjet me ngjyrë të ndryshme nga ngjyra e dhëmbëve të tyre. Ata preferojnë mbushje që të njëjtësohen nga pikëpamja vizive me dhëmbët e tjera të shëndosha.

 

 

Mbushjet me Amalgamë Argjendi

 

Avantazhet:

 

  1. 1.    Jetëgjatësia. Mbushjet me amalgamë argjendi zgjasin 10-15 vjet madje në shumë raste zgjasin edhe më tepër. 
  2. 2.    Rezistenca në shtypje. Mbushjet me amalgamë argjendi janë rezistente dhe përballojnë shtypje të mëdha. (Për shkak të strukturës së tyre të fuqishmë muskulo-skeletale, nofullat ushtrojnë një shtypje mjaft të fuqishme që në të njëjtën kohë dhëmbët apo mbushjet e tyre duhet të jenë rezistente ndaj kësaj shtypje).
  3. 5.    Çmimi relativisht më i Lirë. Këto mbushje kushtojnë më lirë se mbushjet e llojeve të tjera.

 

Disavantazhet:

 

  1. 1.    Estetika. Mbushjet me amalgamë argjendi nuk përputhen me ngjyrën natyrore të dhëmbëve të shëndetshëm dhe bien në kontrast me to.
  2. 2.    Shkatërrojnë më shumë Strukturën e  Dhëmbit.  Mbushjet me amalgamë argjendi kërkojnë hapësirë më të madhe për t’u vendosur dhe realizuar qëndrueshmërinë e kërkuar. Për këtë arsye, në strukturën e dhëmbit duhet të krijohet një hapësirë më e madhe.
  3. 3.    Çngjyrosja e Strukturës përreth. Amalgama e argjendit mund të krijojë një çngjyrosje të strukturës përreth mbushjes, e cila bie në kontrast me ngjyrën e dhëmbëve të shëndoshë.
  4. 4.    Krisjet dhe Thyerjet. Këto lloj mbushjesh mund të jenë reagente ndaj lëngjeve të ftohta dhe të nxehta. Në prani të tyre, amalgama e argjendit mund të pësojë tkurrje dhe  bymime, duke bërë të mundur që ato të krisen dhe të çahen.
  5. 5.    Reaksionet Alergjike. Një pjesë mjaft e vogël e pacientëve  janë alergjikë ndaj mërkurit, i cili është i pranishëm në amalgamën e argjendit. Sipas ADA (Shoqata Dentare Amerikane) janë raportuar gjithsej më pak se 100 raste të alergjisë nga amalgama me argjend. Mërkuri ose ndonjë nga metalet e tjera përbërëse të aliazhit ka shkaktuar reaksion alergjik. Simptomat e alergjisë nga amalgama janë të ngjashme me simptomat e alergjisë në lëkurë – skuqje dhe kruarje. Pacientët që kanë pasur raste alergjie nga amalgama kanë një histori mjekësore ose familjare prej alergjisë nga metalet. Në rastin të alergjisë nga amalgama, mbushja zëvendësohet me një material tjetër.

 

Kohët e fundit nuk kanë munguar edhe shqetësimet në lidhje me mbushjet me amalgamë. Për shkak se këto mbushje përmbajnë mërkur, i cili njihet si një element toksik, egziston një mendim se mbushjet me amalgamë argjendi mund të jenë shkaktare të sëmundjeve të tilla si autizmi, sëmundja Alzheimer dhe skleroza e shumëfishtë.

Këto pretendime nuk janë mbështetur nga Shoqata Dentare Amerikane (ADA), FDA dhe agjensi të shumta të shëndetit publik. Ato deklarojnë se nuk egziston asnjë provë që mbushjet me amalgamë argjendi u kanë shkaktuar dëm konsumatorëve të tyre. Shkaqet e autizmit, Alzheimerit dhe sklerozës së shumëfishtë mbeten ende të panjohura. Përveç kësaj, nuk egzistojnë dëshmi të pakundërshtueshme shkencore që nëse një përdorues i mbushjeve me amalgamë argjendi i prekur nga këto sëmundje do t’i zëvendësojë këto mbushje, ai do të mund të përmirësohet apo shërohet prej këtyre sëmundjeve.

Edhe pse amalgamat përmbajnë mërkur, ato gjenden të përziera me metale të tjera si argjendi, bakri kallaji dhe zinku duke formuar një aliazh të qëndrueshëm dhe pa efekte të dëmshme në organizëm.

 

Mbushjet me Kompozitë

 

Kompozita është një material special prej plastike e quajtur rezinë, me të cilat mbushen dhëmbët e dëmtuar dhe që siguron tregues të mirë në pikëpamje estetike dhe funksionale.

 

Avantazhet:

 

  1. 1.    Estetika. Kompozita ka një pamje të ngjashme me dhëmbët egzistues dhe identifikohet me ta. Ajo është mjaft e përshtatshme në mbushjet e dhëmbëve të parë (të cilët janë më shumë të dukshëm).
  2. 2.    Lidhje e fortë me Strukturën e Dhëmbëve. Mbushjet me kompozitë sigurojnë një lidhje të fortë dhe mbështetje më të madhe me strukturën e dhëmbit për shkak të vetive të saj fiziko-kimike.
  3. 3.    Procese të imëta Pune. Për shkak të aftësive të saj për t’u lidhur me strukturën e dhëmbit, kompozita përdoret edhe për procese të tilla, si mbushje të vogla, në dhëmbë të krisur dhe të thyer, në dhëmbë të ngrënë dhe bluar në sipërfaqet e tyre të kontaktit nga keqpërdorimi, si dhe në rastet e dhëmbëve me defekte të lindura të smaltit.
  4. 4.    Gërryerje relativisht më e vogël e Strukturës së Dhëmbit. Mbushjet me kompozitë nuk kërkojnë hapësirë më të madhe për t’u vendosur dhe realizuar qëndrueshmërinë e kërkuar, ashtu siç kërkojnë mbushjet me amalgamë. Kjo do të thotë se struktura e dhëmbit ruhet më shumë.

 

Disavantazhet:

 

  1. 1.    Mungesa e Jetëgjatësisë. Mbushjet me kompozitë kanë një jetëgjatësi më të shkurtër se mbushjet me amalgamë – vetëm 5 vjet (nga 10 deri 15 vjet të jetëgjatësisë së mbushjeve me amalgamë). Jetëgjatësia e tyre shkurtohet edhe më tepër nëse dhëmbët që janë mbushur me kompozitë i nënshtrohen një shtypje të madhe, ose nëse kaviteti i tyre është i madh.
  2. 2.    Procedura e zgjatur e Trajtimit Klinik. Për shkak të ndërlikimit të procesit, seancat e mbushjeve me kompozitë mund të zgjasin deri në 20 min më shumë se mbushjet me amalgamë. Gjithashtu, nëse kompozitat janë inlay ose onlay, është e nevojshme më shumë se një seancë shtesë.
  3. 3.    Ciflosja e Dhëmbit. Në varësi të vendndodhjes, kompozita mund të shkaktojë ciflosjen e dhëmbit.
  4. 4.    Çmimi i Lartë. Mbushjet me kompozitë kanë çmim deri dyfish më të lartë se mbushjet me amalgam.

 

Mbushjet me Qeramikë

 

Mbushjet me qeramikë zakonisht përdorin një lloj porcelani që është më rezistent ndaj çngjyrosjes se mbushjet me kompozitë rezine, por gjithashtu janë më abrazive (gërryese). Ky material ka jetëgjatësi më shumë se 15 vjet dhe ka çmim të lartë (kushton sa mbushjet me ar).

 

Mbushjet me Qelq

 

Mbushjet me qelq janë ato mbushje që përdorin një lloj të veçantë materiali plastik të quajtur akrilik dhe një lloj të veçantë qelqi. Këto mbushje përdoren zakonisht në rastet e kaviteteve poshtë nivelit të mishrave të dhëmbëve dhe tek fëmijët e vegjël. Mbushjet me qelq çlirojnë fluorid, i cili parandalon prishjen e mëtejshme të dhëmbit. Kjo lloj mbushje ka më shumë ndjeshmëri të nervit në vendosje dhe është më e dobët se kompozita me rezinë dhe më e ekspozuar nfdaj thyerjeve. Përgjithësisht, mbushjet me qelq zgjasin jo më shumë se 5 vjet dhe kanë çmim të krahasueshëm me mbushjet me kompozitë rezine.

 

Mbushjet jo të Drejtpërdrejta

 

Mbushjet jo të drejtpërdrejta janë të ngjashme me mbushjet me kompozitë, veçse janë realizuar paraprakisht në laborator dentar. Mbushjet jo të drejtpërdrejta realizohen në rastet kur nuk egzistojnë struktura të mjaftueshme të dhëmbit  që realizojnë një mbështetje dhe lidhje solide të saj me të, por njëkohësisht strukturat e dhëmbit nuk janë plotësisht të dëmtuara sa ajo të ketë nevojë për një kurorë.

Gjatë vizitës, dentisti diagnostikon dhëmbin dhe nëse e vlerëson për një mbushje jo të drejtpërdrejtë, rregjistron formën e dhëmbit nëëprmjet dhëmbëve të ndodhur rreth tij. Zakonisht, këta janë dhëmbë të prishur të cilët më pas janë frakturuar, si dhe dhëmbë që mbushja u është hequr. Mjeku realizon një mbushje të përkohshme, kurse në kushte laboratorike përgatitet dhëmbi i ri, i personalizuar sipas formës së marrë paraprakisht nga mjeku. Gjatë vizitës së dytë, hiqet mbushja e përkohshme dhe vendoset dhëmbi i ri i modeluar në laborator, i cili ngjitet në mënyrë përfundimtare.

Janë dy tipe mbushjesh jo të drejtpërdrejta: Inlay dhe Onlay.

 

Inlay dhe Onlay

 

Avantazhet:

 

  1. 1.    Rikuperojnë nivele të larta të Dëmtimeve të Dhëmbit. Inlay dhe onlay kthejnë në gjendje funksionaliteti  dhëmbë me një shkallë të lartë dëmtimi krahasuar me mbushjet direkte.
  2. 2.    Jetëgjatësia. Inlay dhe onlay zgjasin rreth 30 vjet (dyfishin e jetëgjatësisë maksimale të mbushjeve tradicionale).
  3. 3.    Prishje relativisht më e vogël e Strukturës së Dhëmbit.  Ato e dobësojnë strukturën e dhëmbit, por në një masë shumë më të vogël se mbushjet tradicionale.
  4. 4.    Përshtatshmëria. Inlay dhe onlay kanë një përshtatshmëri të lartë. Realizojnë një kontakt të mirë mes dhëmbëve dhe janë me një shkallë të lartë funksionaliteti.

 

Disavantazhet:

 

  1. 1.    Niveli i lartë i Saktësisë. Inlay dhe onlay kërkojnë një shkallë të lartë saktësie. Suksesi i këtij trajtimi është i varur në mënyrë të konsiderueshme nga përvoja dhe aftësia e mjekut dhe laborantëve dentarë.
  2. 2.    Kërkon Procese Shtesë. Inlay dhe onlay kërkojnë procese shtesë duke rritur numrin e vizitave në klinikë dhe kohëzgjatjen e tyre.

 

Dhimbja dhe Ndjeshmëria e Dhëmbëve me Mbushje

 

Ndjeshmëria e dhëmbëve pas mbushjes është një dukuri e zakonshme. Dhëmbi i sapombushur mund të jetë i ndjeshëm dhe shkakton dhimbje ndaj presionit të përtypjes së ushqimit, ajrit, ujit, ushqimeve të sheqerosura ose temperaturës. Ndjeshmëri mund të ketë edhe në rastin kur preken strukturat e ndryshme të mbushjeve, psh. një amalgamë argjendi në një dhëmb të sapombushur me një mbushje ose kurorë floriri. Ndonjëherë pacientët përjetojnë të ashtuquajturën “dhimbje e transmetuar”, e cila është ndjeshmëria që transmetohet nga dhëmbi i sapombushur tek dhëmbët e tjerë të shëndoshë.

Të gjitha këto raste janë normale dhe nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Ndjeshmëria e dhëmbit ulet gradualisht, derisa largohet brenda disa javësh. Gjatë kësaj kohe, pacienti duhet të shmangë ato gjëra që shkaktojnë ndjeshmëri. Gjithashtu, nuk rekomandohet marrja e qetësuesve të dhimbjes.

Nëse ndjeshmëria është e një shkalle të lartë, ose nëse ajo nuk është larguar për rreth 4 javë, është e nevojshme konsulta me mjekun. Ai mund të rekomandojë pasta dhëmbësh për uljen e ndjeshmërisë, mund të aplikojë një procedurë në dhëmbin e mbushur për të ulur ndjeshmërinë, ose të riorganizojë krejt mbushjen.

 

Nëse pacienti përjeton dhimbje të forta, tipike të dhëmbit që zgjat dhe që mund të jetë e shoqëruar me fryrje të faqës, është e rekomandueshme vizita tek mjeku.

Këto mund të jenë raste infeksionesh, dëmtime të indeve, (sidomos në mbushjet kur prishja e dhëmbit ishte shumë e thellë dhe kaviteti i madh, atëherë kjo tregon se indi ndarës mes nervit dhe mbushjes, i cili në këtë rast është holluar mjaft, nuk është i shëndetshëm) dhe probleme të mbushjeve. Në këto raste parashikohen ndërhyrje në kanalet e rrënjës për të hequr nervin, pastrime të infeksionit, rimbushje, etj.

 

Higjena dhe Profilaksia e Dhëmbëve të Mbushur

Ashtu si edhe në rastet e tjera, mbushjet kërkojnë një higjenë orale të mirë dhe sistematike, pastrimin e dhëmbëve me pastë fluoride dhe të paktën një herë në ditë pastrimin e tyre me fill dentar. Pacienti duhet të eleminojë konsumin  e ushqimeve të forta dhe thyerjen me dhëmbë të sendeve të tilla, si dhe të kryejë një kontroll periodik tek mjeku stomatolog. Vizita tek mjeku stomatolog duhen kryer nëse ju vini re çarje në mbushje, një pjesë e mbushjes është hequr, dhimbje të papritura ose vini re që mbeturinat e ushqimeve dhe pështyma depërton në hapësirat mes mbushjeve. Këto faktorë çojnë në degradimin e mbushjes dhe të dhëmbit. Nëpërmjet një grafie dentare, mjeku vlerëson  situatën dhe merr masat e nevojshme.

Vizita periodike çdo 6 muaj siguron një jetëgjatësi dhe qëndrueshmëri të madhe të këtij trajtimi.