Periodontologjia Dentare

Periodontologjia dentare është një degë e stomatologjisë që që diagnostikon, parandalon dhe trajton sëmundjet e mishrave të dhëmbëve dhe strukturave mbështetëse të tyre. Strukturat mbështetëse të dhëmbit, të cilat njihen me emrin periodoncium, janë gingivat, kocka alveolare, cementi dhe ligamenti periodontal.

 

Një gojë e shëndetshme është e tillë kur janë edhe mishrat e shëndetshëm. Mishrat e shëndetshëm janë të fortë dhe me ngjyrë të kuqe; ato nuk gjakosen nga përdorimi i furçës së dhëmbëve. Sëmundja gengivale ose e quajtura ndryshe sëmundja periodontale, është inflamacion i indeve të kavitetit oral. Kjo sëmundje është progresive. Në fazën e parë të saj, ajo evidentohet vetëm me problemet në nivelin e mishrave, kurse fazat e avancuara mund të shkaktojnë dëmtime deri në nivelin kockor të nofullave dhe përcaktohen si paradontoza. Në ditët e sotme, paradontoza është një ndër shkaqet kryesore të humbjes së dhëmbëve. Ajo është një sëmundje mjaft e përhapur dhe sipas ekspertëve, mendohet se rreth 80% e popullsisë të moshës së mesme është e prekur nga kjo sëmundje. Për shkak se paradontoza është sëmundje e heshtur dhe pa dhimbje, ajo bëhet edhe më e rrezikshme.

 

Shkaku kryesor i paradontozës është formimi në sipërfaqet e dhëmbëve të pllakave bakteriale. Pllakat bakteriale janë shtresëzime bakteriale që formohen nga faktorë të ndryshëm, si: mungesa e higjenës orale, shtatzënia, diabeti, epilepsia, sëmundjet kardiovaskulare, trajtimet medikamentoze (veçanërisht kimioterapia dhe antidepresantët), kontraceptivët, duhanpirja, dietat e pashëndetshme, rënia e sistemit imunitar, stresi, etj.

Pllakat nëse nuk eleminohen përditë, gradualisht shtresëzohen njëra mbi tjetrën dhe formojnë masa të forta që quajtura gurëza. Gurëzat janë faktor risku për paradontozat. Fillimisht, ato irritojnë gingivat, duke shkaktuar majisjen dhe gjakderdhje nga to. Më pas sëmundja degradon, duke shkaktuar rënien e nivelit të kockës që shërben si mbajtëse e dhëmbëve dhe njëkohësisht jep komplikacione serioze. Në hapat e parë të saj, rënia e kockës shkakton tërheqjen e mishrave, duke bërë që të zbulohet qafa e dhëmbëve. Përveç problemeve estetike, kjo sjell një ndjeshmëri të dhëmbëve dhe gradualisht dhëmbët fillojnë të lëvizin deri sa të bien.

 

Trajtimet e periodontologjisë dentare fillojnë me pastrimin e pllakave dhe të gurëzave. Pacientët të cilët kanë gurëza duhet të kenë parasysh se gurëzat nuk hiqen në kushte shtëpiake nëpërmjet fërkimit me furçë apo fillit dentar, por vetëm në kushte klinike. Pllakat dhe gurëzat pastrohen çdo gjashtë muaj.

Kurse pacientët me probleme të avancuara me mishrat e dhëmbëve, të cilët u ka nisur lëvizja e dhëmbëve, trajtohen për parandalimin e mëtejshëm të rënies së kockës që mban dhëmbët në nofull nëpërmjet kirurgjisë periodontike. Kirurgjia periodontike është opsion i mundshëm vetëm në rastet kur metodat e tjera joinvazive për trajtimin e sëmundjes nuk kanë dhënë rezultat. Nëpërmjet kirurgjisë periodontike, stomatologu realizon ndërhyrjen në rrënjën e dhëmbëve, duke realizuar pastrimin (lëmimin) e rrënjës së tyre. Në këtë mënyrë, nxitet lidhja e dhëmbit me gingivat. Kirurgjia periodontike është kirurgji rikonstruktive, sepse synon rigjenerimin e indeve të dëmtuara rreth dhëmbit nëpërmjet stimulimit të tyre me membrana artificiale në kombinim me grafte kockore dhe mukoza nga vendet e tjera. Kjo për shkak se sëmundja e mishrave të dhëmbëve trajtohet për të ndaluar avancimin e mëtejshëm të saj, por dëmtimi i pjesëve të dëmtuara është i parikthyeshëm, gjë që kërkon ndërhyrje kirurgjikale rikonstruktive.