Protetika Dentare

Protetika dentare është degë e stomatologjisë që merret me ndërtimin dhe vendosjen e protezave të dhëmbëve të munguar ose të një pjese të tyre, si dhe me protezat e konstruksioneve e buta dhe të forta të nofullës dhe qiellzës.

Mungesa e dhëmbëve dhe dëmtimet në gojë dhe nofulla çojnë pashmangshmërisht në reduktimin e funksioneve themelore dhe mjaft të rëndësishme të përtypjes së ushqimit dhe artikulimit të fjalëve, por gjithashtu serioze dhe të rënda janë edhe problemet estetike të krijuara. Edhe nëse mungesat e dhëmbëve apo elëmentëve të tjerë mund të jenë në thellësi, gjurmët e tyre shfaqen në fizionominë e fytyrës. Nëpërmjet vendosjes së protezave rikthehen të plota këto dy funksione dhe zgjidhen problemet estetike.

 

Në pikëpamje konstruktive, protezat dentare janë fikse dhe të lëvizshme. Protezat fikse janë proteza që ngjiten pas dhëmbëve dhe strukturave të tjera me ngjitës dentarë ose vida, kurse protezat e lëvizshme shfrytëzojnë dhëmbët, muskujt përreth dhe format e strukturave anatomike të hapësirës ku janë vendosur për të qëndruar dhe kryer funksionin e tyre.

 

Llojet e protezave janë:

 

  • Proteza dhëmbësh
  • Proteza të pjesshme
  • Membrana qiellzore
  • Proteza ortodoncie
  • Implante dentare
  • Kurora dentare
  • Ura dentare

 

Materialet që shërbejnë për ndërtimin e protezave janë prej rezine, metali, porcelani, zirkoni, titani, ose prej kombinimeve të tyre, si proteza orokeramike (metale të çmuara me porcelan), porcelan me metal, etj. Me teknologjitë bashkëkohore, protezat janë miqësore me indet e buta dhe të forta (antialergjike), si dhe sigurojnë një funksionalitet të lartë.