Vizita Stomatologjike

Vizita stomatologjike është një procedurë profilaktike mjaft e rëndësishme për shkak se nëpërmjet saj diagnostifikohen patologjitë e mundshme dhe merren këshilla të personalizuara për shëndetin oral. Vizita stomatologjike mundëson që të kapen problemet, të cilat zhvillohen në mënyrë të heshtur dhe progresive. Nëpërmjet saj, bëhet parandalimi i mjaft sëmundjeve të dhëmbëve. Është e njohur aksioma: “të parandalosh është më mirë se të kurosh”.

Përveçse diagnostikimit, vizita stomatologjike merr vlerë të veçantë edhe në aspektin e saj këshillimor. Nëpërmjet vizitës stomatologjike merren rekomandime se si të lahen dhëmbët, përdorimi i furçës në hapësirat mes dhëmbëve, si të përdoret filli dentar, rëndësia e gargarave për shëndetin e gojës, mënyra e pastrimit të urave dhe protezave, etj.

Vizita stomatologjike është e rëndësishme të kryhet çdo gjashtë muaj. Rëndësi të madhe ajo merr për pacientët të cilët kanë në gojë proteza të lëvizshme, ura ose këllëf porcelani. Të gjitha këto janë faktorë risku për acarimin e gingivave, gjakosjen e tyre dhe erën e keqe të gojës. Kjo kategori e pacientëve duhet të vlerësojë gjendjen aktuale të higjenës së gojës tek mjeku dhe të marrë masa për profilaksinë e saj.

Vizita stomatologjike është mjaft e rëndësishme edhe për fëmijët e vegjël. Është e rekomandueshme që pas moshës dy vjeç të bëhet kontroll periodik tek dentisti. Kontrolli periodik duhet kryer çdo gjashtë muaj për të parandaluar problemet e mundshme. Gjithashtu, vizita tek mjeku duhet kryer sa herë që tek fëmija shfaqen majisjet e mishrave të dhëmbëve. Majisjet e mishrave të dhëmbëve janë një tregues i rëndësishëm për problemet e dhëmbëve dhe nevojën e trajtimit klinik të tyre.

Nëse vizitat stomatologjike kryhen rregullisht sipas afateve, pacientit i garantohet një profilaksi e plotë dhe një shëndet i mirë oral, sipas të gjitha standarteve më të larta të aprovuara nga organizmat ndërkombëtare, si OBSH dhe organizata të tjera të njohura për shëndetin publik.

Vizita stomatologjike vlerëson gjendjen e përgjithshme të gojës si:

  • Nivelin e higjenës së gojës.
  • Mungesën e dhëmbëve.
  • Prishjet e dhëmbëve.
  • Shëndetin e mishrave të dhëmbëve dhe indeve të buta.
  • Mënyrën e kafshimit midis arkatave dhe problemet e artikulacionit temporomandibular (artikulacionet përgjegjëse për hapjen dhe mbylljen e gojës).
  • Vlerësimin dhe parandalimin e sëmundjeve tumorale.
  • Vlerësimin dhe parandalimin e sëmundjeve sistemike.

Kontrolli përfshin të gjitha grupmoshat dhe në fund të saj, pacientit i paraqitet një diagnozë e plotë për problemet që mund të ketë, i jepet një konsultë e specializuar dhe i parashtrohet një plan trajtimi të personalizuar, duke përfshirë të gjitha terapitë klinike dhe çmimet përkatëse të tyre.