Zbardhje Dhëmbësh

Zbardhimi i dhëmbëve është një proces që realizon pastrimin dhe zbardhjen e dhëmbëve në ngjyrën natyrale të tyre pa shkaktuar dëmtime të sipërfaqes.

Me kalimin e kohës, dhëmbët e humbasin ngjyrën e tyre natyrale për shkak të shumë faktorëve të njohur ose jo. Ndër faktorët më të rëndësishëm që ndikojnë në humbjen e ngjyrës natyrale të dhëmbëve janë disa lëndëve me veti ngjyruese që gjenden në ushqime, pije dhe cigare, si kafeina, nikotina, karotenet, etj. Ato depozitohen në dhëmbë dhe ia humbasin ngjyrën atyre. Përveç kësaj, këto lëndë shkatërrojnë pigmentin që është përgjegjës për zbardhjen e dhëmbëve nëpërmjet reduktimit të oksigjenit.

Zbardhimi i i dhëmbëve është një teknikë konservative që eleminon këto lëndë ngjyruese. Ky proces zhvillohet në kushte klinike dhe shtëpijake, sipas procedurave të rekomanduara nga mjeku stomatolog. Por ky proces nuk duhet ngatërruar me pastrimin e dhëmbëve me furçë dhe pastë dhëmbësh dhe as me procese të tjera dentare, si heqjen e gurëzave apo eleminimet e pllakave bakteriale mbi ose nën gingivat e dhëmbëve.

Zbardhimi i dhëmbëve realizohet duke përdorur substanca me përbërje të peroksidit të  hidrogjenit (35-38%), ose peroksid karbamid (10-22%). Këto janë substanca aktive që neutralizojnë lëndët e huaja dhe furnizojnë dhëmbët me oksigjen. Pasi mjeku stomatolog vendos një mbrojtëse gome ose xhel për të ruajtur indet e buta nga dëmtimi, dhëmbët trajtohen nëpërmjet një llambe me dritë të ftohtë dhe substancës aktive. Ky trajtim eleminon lëndët ngjyruese dhe vitalizon pigmentin e dhëmbëve nëpërmjet sasisë së shtuar të oksigjenit që depërton në enamelin e dhëmbëve.

Zbardhimi i dhëmbëve është një proces që zgjat 30-40 min dhe mund të zhvillohet në një apo disa seanca, në varësi të gjendjes së dhëmbëve të pacientit.

Ky proces realizohet gjithashtu edhe në dhëmbët nekrotikë (me pulpë të hequr). Këta dhëmbë gradualisht ndryshojnë ngjyrën e tyre natyrale dhe errësohen, duke krijuar probleme estetike, sidomos kur janë dhëmbët e parë. Në rastet kur pacienti ndodhet nën mjekim dhe i është hequr dhëmbi, rekomandohet procesi i zbardhimit të dhëmbëve në disa seanca me afate kohore 3-5 ditore nga njëra-tjetra. Pasi është realizuar plotësisht zbardhja e dhëmbit, pas 12 ditësh nis mbushja e tij. Gjatë kësaj kohe 12-ditore është stabilizuar plotësisht niveli i oksigjenit në dhëmb.

Zbardhimi i dhëmbëve në kushtet e shtëpisë kryhet duke përgatitur këllëf silikoni që mbushen me lëndën aktive (peroksid karbamid 10-22%). Këllëfi mbahet në gojë gjatë ditës ose gjatë natës nga 45 min deri në gjithë natën, në varësi të përqindjes së lëndës aktive të vendosur në të.