Reagimi i Organizmit në një Situatë Stresi

Stresi është shkak i dy sëmundjeve të rënda që së bashku ndajnë mbi 90% të vdekjeve sot në botë

Stresi përbën shkakun madhor të vdekshmërisë sot në botë. “Ne e dimë se 50% e vdekjeve lidhen drejtpërsëdrejti me sjelljen e njeriut, e megjithatë ne harxhojmë pak kohë për të bërë studime dhe për të zbatuar programe që lidhen me të,” – thotë David Satcher, ish kirurgu nr. 1 i SHBA-së. Ky “vrasës” është vërtetuar se përbën shkak për shumë sëmundjeve vdekjeprurëse, ku më të rëndat janë sëmundjet kardiovaskulare dhe sëmundjet kanceroze. Tashmë është e qartë: kontrolli i stresit është një pjesë thelbësore e programeve për të ndaluar sëmundjet  dhe për të forcuar shëndetin. Por si ndikon stresi në sëmundjet e organizmit?

Egzistojnë dy lloj reagimesh që e bëjnë stresin shkaktar të mjaft sëmundjeve vdekjeprurëse, sidomos sëmundjeve kardiovaskulare dhe kanceroze. Reagimet qelizore dhe hormonale të organizmit që kanë të bëjnë me ndryshimet e mëdha që ndodhin në organizmin to në mënyrë të pavullnetshme dhe reagimet konjitive, që kanë të bëjnë me qëndrimet tona psiko-emocionale ndaj stresit.

E para, kur ne përjetojmë një stres, zemra, mushkëritë, sistemi endokrin, sistemi nervor, etj. janë në një gjendje aktiviteti më të madh. Nëse kjo gjendje vazhdon për një kohë të gjatë, ose më keq akoma, është një gjendje e përhershme, organizmi ynë dobësohet dhe në këtë mënyrë shfaqen sëmundjet. Kjo për shkak se organizmi ynë nuk është ndërtuar për t’u ekspozuar në për periudha tepër të gjata sforcimeve dhe shtrëngesave që lindin nga stresi. Ato thjesht janë reagime mbrojtëse që zhvillohen në situata jo të zakonshme. Organizmi ynë funksionon normalisht vetëm në situata qetësie (pa strese). Në të kundërt, reaksionet metabolike të organizmit prodhojnë lëndë që shkatërrojnë ekuilibrin e brendshëm të tij si sheqernat, hormonet e stresit, etj., duke krijuar anomali në funksionet e organeve të ndryshme. Dëmtimet kryesore shfaqen në zemër dhe sistemin imunitar, dëmtimi i të cilit shkakton tumore, etj.
Nga pikëpamja e efekteve në sistemin kardiovaskular, stimulimi i vazhdueshëm i sistemit nervor në rastin e stresit kronik, shkakton një ngritje të përhershme të tensionit të gjakut dhe rrahje të shpeshta në zemër dhe lirim të yndyrave të grumbulluara drejt gjakut. Por kjo situatë nëse vazhdon shumë ndikon në sulmin që tensioni i lartë dhe niveli i lartë i acideve yndyrore bëjnë në muret e arteries, duke i dëmtuar ato. Në këtë mënyrë kemi shfaqjen e arteriosklerozës.

Nga pikëpamja e efekteve në sistemin imunitar, nëse stresi ynë bëhet kronik, qelizat imune në organizëm janë të stimuluara vazhdimisht nga shkalla e lartë e prodhimit të hormoneve të stresit. Por, në të vërtetë, ato nuk po përballen me ndonjë rrezik real ose ndonjë patogjen kërcnues, kështu që ato mësohen me shkallën e lartë të hormoneve të stresit në gjak. Kur trupi përballet me një rrezik të vërtetë, qelizat imune nuk stimulohen më dhe humbasin aftësinë për të luftuar agresionin. Në këtë mënyrë, sistemi imunitar shkatërrohet. Kjo bëhet shkak për shumë sëmundje kryesisht infektive deri edhe tumorale.

Rruga e dytë e ndikimit negativ të stresit në shëndetin tonë është qëndrimi ynë negativ ndaj tij. Njerëzit me stres prirjen drejt sjelljeve dhe zakoneve jo të shëndetshme si mbingrënia, konsumi i alkoolit, duhanit, drogave, braktisja e vetvetes, etj. Të gjitha këto janë faktorë risku për shumë sëmundje si dhe aksidente.

Reagimi i organizmit në një situatë stresi
Sipas psikologut kanadez Hans Sejli (Hans Selye; 1907-1982), organizmi reagon ndaj stresit fizik dhe psikologjik në tri faza, të cilat ai i quajti sindroma e përshtatjes së përgjithshme (GAS). Këto tri faza janë: reagimi me alarm, rezistenca dhe raskapitja.

Reagimi me alarm. Është faza e parë e reagimit ndaj stresit. Por si reagon trupi ynë ndaj një situate stresuese? Hipotalamusi organizon reagimin ndaj stresit duke nxitur organet e brendshme nëpërmjet degës simpatike të sistemit nervor autonom. Pasi marrin impulset nervore, gjëndrat e adrenalinës çlirojnë në gjak hormonet e stresit si adrenalina dhe norepinefrina. Ky proces ka efekte përshpejtuese në organizëm, pasi nxiten një sërë organesh në aktivitetin e tyre.  Menjëherë zemra fillon të shtojë rrahjet e saj, duke i furnizuar më shumë me gjak organet e brendshme. Tensioni i gjakut rritet. Nevojës për më shumë gjak, mushkëritë i përgjigjen duke shtuar aktivitetin nëpërmjet frymëmarrjes së shtuar dhe prodhimit më shumë të oksigjenit. Mëlçia rrit sheqerin në gjak për të shtuar energjinë. Edhe organet e tjera reagojnë. Palca kurrizore shton rruazat e bardha të gjakut për të luftuar infeksionet e mundshme. Gjendrat e djersës në lëkurë shtojnë aktivitetin e tyre; muskujt tendosen. Nga ana tjetër, disa organe lehtësojnë veprimtarinë e tyre për të ekuilibruar aktivitetet e shtuara në organet e tjera. Kështu, stomaku ul nivelin e tretjes së tij. Kjo është arsyeja që njeriu në këto raste ka ndjenjën e përzierjes në stomak. Gjatë kësaj faze, ndodhin edhe ndryshime të thella psikologjike. Që kryesisht kanë të bëjnë me llojet e emocioneve që përjetojmë në këto situata.

Të gjitha këto ndryshime e përgatisin organizmin për qëndresë ndaj një situate të pazakonshme me qëllim që të mobilizojë forcat për përballimin e saj dhe të fitojmë vetëkontrollin. Ky reagim aktivizohet brenda disa sekondave të alarmit të stresit dhe humbet për një kohë të shkurtër pas zhdukjes së stresit. Nëse kjo fazë është e pamjaftueshme për zotërimin e vetëkontrollit dhe mposhtjen e faktorëve të stresit, atëherë ne hyjmë në fazën e dytë të reagimit të organizmit, fazën e rezistencës.

Rezistenca. Është një fazë ku organizmi vazhdon t’i kundërpërgjigjet dhe të luftojë faktorëve të jashtëm që shkaktojnë stres. Karakteristika e kësaj faze është se ne jemi duke luftuar për të ruajtur kontrollin kundër çorganizimit psikologjik. Në mënyrë të pashmangshme, ne aktivizojmë teknika përballuese të drejtpërdrejta dhe teknika mbrojtëse. Teknikat përballuese të drejtpërdrejta janë ato teknika që lidhen me përpjekjet e qëllimshme për të ndryshuar një situatë stresuese. Kjo teknikë orientohet nga problemi dhe zgjidhja e tij. Teknika mbrojtëse janë ato teknika që krijojnë përgjithësisht perceptime të iluzioneve mbi një situatë stresuese, duke ndërgjegjësuar vetveten që rreziku nga kjo situatë nuk është edhe aq i madh sa ishte vlerësuar në fillim nga ne. Në shumë raste, kjo është një gënjeshtër që ne i bëjmë vetvetes.

Në pikëpamje të funksionimit të organizmit, ai është ende vital dhe me rezerva energjie. Ende nuk janë shfaqur simptomat e lodhjes të tij. Nëse shpejt nuk largohet situata stresuese me qëllim që organizmi të kthehet në gjendjen e prehjes, ai kalon në fazën e tretë, e clia është faza e rraskapitjes.

Rraskapitja. Në këtë fazë ne tërhiqemi gjithnjë e më shumë nga mekanizma mbrojtës jo efektivë, në një përpjekje të dëshpëruar për ta vënë stresin nën kontroll. Për shkak të situatës së disfavorshme në raport me stresin, shumë njerëz shfaqin shenja të çrregullimeve emocionale ose sëmundjeve mendore. Të tjerë pësojnë ndryshime të rëndësishme në personalitetin e tyre si shfaqje të cinizmit, humbje të entuziazmit dhe optimizmit, vështirësi në gjetjen e motiveve për të jetuar, humbje të përqëndrimit, humor i  rënë, etj. Kjo fazë gjithashtu, shoqërohet edhe me praninë e një sërë simptomash fizike si infeksione të lëkurës, ulçera në stomak, etj. Nga mospërballimi i stresit, dhe nevojën për mekanizma mbrojtës ndaj tij, njerëzit drejtohen nga droga, alkooli dhe zakone të tjera të këqija për shëndetin. Nëse stresi vazhdon ende, personi mund të pësojë sëmundje më të avancuara, dëmtime fizike dhe psikologjike të pakthyeshme, madje mund të rrezikojë edhe vdekjen.

Referencat
American Psychiatric Association; web:www.psych.org
Charles G. Morris, Albert A.Maisto; “Understanding Psychology”
National Institutes of Health; web: >www.nih.gov

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *