Suplementet – Të Dobishme apo të Dëmshme?

Në përgjithësi, nëse ndiqni një dietë të balancuar dhe të shëndetshme, nuk është e nevojshme të përdoren suplemente të vitaminave dhe mineraleve. Edhe pse disa ekspertë të njohur e vënë në dyshim marrjen në rrugë sintetike të vitaminave dhe mineraleve, në raste të caktuara për shkak të mungesës së tyre apo gjendjeve specifike të organizmit, që kërkojnë një prezencë më të lartë të tyre, është e nevojshme marrja e vitaminave dhe mineraleve në formën e suplementeve. Pyetja që ngrihet në këtë rast është: si mund të vlerësohet nevoja e marrjes ose jo të suplementeve me vitamina dhe minerale?
Kjo është një pyetje që përgjigjen ia jep vetëm mjeku duke u bazuar në një sërë diagnostikime mjekësore. Në asnjë rast nuk mund të merren iniciativa individuale duke përdorur suplemente të mbështetura apo të aprovuara nga kanale të ndryshme të komunikimit. Marrja e suplementeve të tillë jo vetëm që mund të rezultojë e dëmshme, por mund të krijojë një ndjenjë sigurie të rreme, duke besuar se po i përmbushni nevojat e përditshme për këto lëndë.
Edhe nëse mjeku iu rekomandon marrjen e vitaminave dhe mineraleve në formën e suplementeve, kini parasysh se ato asnjëherë nuk mund ta zëvendësojnë një dietë të shëndetshme. Marrja në rrugë natyrore e vitaminave dhe mineraleve është e pazëvendësueshme, pasi ato në gjendje natyrore dhe të shoqëruara me lëndët e tjera ushqyese rrisin mundësinë e përthithjes së tyre nga gjaku dhe hyrjen me sukses në reaksionet metabolike.

Referencat

US National Library of Medicine; web: www.nlm.nih.gov
National Institutes of Health; web: www.nih.gov