Çfarë janë Ushqimet “BIO”?

Ushqimet “BIO” janë ato ushqime që i kanë ruajtur përbërësit e tyre natyralë dhe që nuk kanë përbërës të shtuar artificialisht apo kontaminime gjatë prodhimit, përpunimit dhe tregëtimit të tyre.

Njohuri të Përgjithshme

Sfida më e madhe e njerëzimit si në kohërat e vjetra, ashtu edhe në kohërat e sotme është sigurimi i sasisë ushqimore me cilësinë e duhur, e aftë për të mbuluar nevojat e popullsisë botërore që rritet më një shpejtësi marramendëse. Prodhimi, përpunimi, ruajtja dhe mbërritja deri tek konsumatori përbën një proçes sa sfidues aq edhe delikat edhe për shkak të zhvillimeve teknologjike në fushën e ushqimit.

Nëse më parë kjo sfidë  kishte të bënte vetëm me kapacitetet prodhuese ushqimore të afta për të mbuluar nevojat e njerëzimit, sot shohim se sfida nuk është për sigurimin e kapaciteteve të nevojshme, por në sigurimin e cilësisë së duhur, në mënyrë që ushqimet mos të kthehen realisht në një faktor risku për shëndetin e njeriut. Nga njëra anë kemi zhvillime sasiore, të cilat kanë zgjidhur problemin e sigurimit të kapaciteteve prodhuese, por nga ana tjetër, me të njëjtin shpejtësi është kërcënuar siguria ushqimore, që do të thotë që sasia është garantuar “në kurriz” të cilësisë duke prishur një balancë që rezulton me të vërtetë shumë delikate. Në fakt, ardhja e ushqimit të duhur tek ne, me  cilësinë, çmimin dhe kohën e duhur është bërë një nga faktorët kryesorë  të  një jete të shëndetshme.

Qysh prej periudhës së industrializimit kur nisën hapat e para të superprodhimit, lindi nevoja për konservimin e ushqimit si për shkak të zotërimit të tregjeve gjithmonë e më të mëdha e më të largëta, ashtu edhe nevojës për t’u përdorur sa më pak në kohë. Në kohët e sotme, në kushtet e hiperkonkurrencës, lindi nevoja për manipulimin e ushqimeve në aspektin e shijes duke i bërë ato sa më të mira dhe me një shumllojshmëri sa më të madhe shijesh. Në këtë mënyrë lidën teknologjitë e konservimit dhe manipulimit të shijeve.

Tashmë është provuar shkencërisht dhe praktikisht dëmi që sjellin ushqimet e përpunuara dhe si kundërshtim i kësaj mënyre prodhimi dhe konsumi, lindi koncepti i ushqimeve “BIO”. Ushqimet “BIO” janë ato ushqime që i kanë ruajtur përbërësit e tyre natyralë dhe që nuk kanë përbërës të shtuar artificialisht apo kontaminime gjatë prodhimit, përpunimit dhe tregëtimit të tyre. Ushqimet “BIO” janë një koncept i ri që nuk egzistonte më parë (pasi të gjitha ishin ushqime “BIO”) për të bërë diferencimin nga ushqimet e përpunuara.

Sot është tepër e vështirë të gjenden ushqime të tilla. Konservat si reçeli, frutat e konservuara, nënproduktet e mishit, si sallamrat, proshutat, nënproduktet e drithërave si biskotat, ëmbëlsirat, nënproduktet e qumështit, si kosi, djathërat, përpunohen në rrugë industriale për të krijuar një pamje dhe aromë më të mirë, por ato janë të ngarkuara me aditivë dhe konservantë pët të përmirësuar formën, ngjyrat, aromën dhe shijet e tyre, si dhe për të rritur jetëgjatësinë. Frutat, perimet, drithërat, mishi, peshku, qumështi, etj. i përmbajnë të gjitha elementët për të cilat ne kemi nevojë. Sa më shumë që ato përpunohen duke ua ndryshuar vetitë fiziko-kimike dhe ushqimore të tyre, aq më pak kemi dobi prej tyre.

Por çfarë ndodh me “pseudoushqimet”?

Së pari, ushqimet e mbipërpunuara, (të quajtura ndryshe ushqime sintetike) janë të varfëra me vitamina, minerale dhe fitonutrientë të tjerë. Trupi ynë, i cili është një mekanizëm kompleks, jep shenja për këto mungesa dhe ne jemi të detyruar që në mënyrë sistematike të marrim vitamina  dhe të gjithë komponentët e tjerë ushqimorë, të prodhuara këto në mënyrë industriale, duke  krijuar një rreth vicioz produktesh sintetike.

Së dyti, ushqimet të cilat hyjnë në trupin tonë metabolizohen nëpërmjet reaksionesh të ndërlikuara kimike, të cilat kërkojnë praninë e elementëve të caktuar që shërbejnë si enzima, të tilla si vitaminat, mineralet, kripërat e tyre dhe mjaft përbërës të tjerë që gjenden në ushqimet natyrale. Nëse këto mungojnë, reaksionet zhvillohen duke i marrë këto përbërës nga trupi ynë dhe duke i shpërbërë krijojnë mungesë fitonutrientësh. Në të kundërt, në mungesë të këtyre reaksioneve metabolike, këto ushqime mbeten të patretura duke prodhuar substanca helmuese që dëmtojnë organet jetësore.
Për këto arsye si dhe për të tjera, gjithmonë e më tepër njerëzit duhet t’ju kthehen ushqimeve bio. Megjithëse ushqimet bio kushtojnë mesatarisht 30% më shumë se produktet e zakonshme, konsumimi i tyre është investimi më i mirë për të shëndetin tuaj. Ushqimet bio konsiderohen si një nga faktorët bazikë për ruajtjen e shëndetit dhe parandalimin e sëmundjeve. Një anë tjetër pozitive e ushqimeve bio është se njerëzit jo vetëm që ushqehen shëndetshëm, por edhe ndotin gjithmonë e më pak ambientin nga kimikatet, duke sjellë përfitime të shumëfishta.

Referencat
US National Library of Medicine; web: www.nlm.nih.gov
National Institutes of Health; web: www.nih.gov