Efektet e Masazhit tek Foshnjat

Masazhi Terapeutik është një nga praktikat më të lashta që lidhen me mjekësinë. Studiuesit bashkëkohorë të mjekësisë dhe psikologjisë kanë nisur të ritheksojnë me forcë vlerat e mëdha të kësaj terapie, pas një periudhe skepticizmi. Edhe pse nevojiten studime të tjera që do të çojnë në kuptimin e plotë të përfitimeve që vijnë nga terapia e masazhit dhe nga përdorimi i saj i gjerë nga terapistët, rezultatet e deritanishme janë tejet premtuese.

E aplikuar tek foshnjat, masazhi i ndihmon  të rriten. Sipas një studimi mjaft të famshëm, (Field, 1986) studiuesit krahasuan foshnjat e lindura para kohe që masazhoheshin tri herë në ditë nga 15 minuta, me një grup ku foshnjat u lanë të paprekura në inkubatorët e tyre. Ata vunë re se foshnjat që masazhoheshin reagonin më shumë dhe më shpejt ndaj njerëzve dhe zhurmave dhe ishin përgjithësisht më aktive sesa bebet e tjera. Për shkak të rritjes më të shpejtë, bebet e masazhuara u nxorrën nga spitali mesatarisht 6 ditë më parë sesa foshnjat e pamasazhuara.

Por ajo që është më e rëndësishme, tetë muaj më vonë, foshnjat e masazhuara vazhdonin të ruanin përparësinë në peshë dhe vazhdonin të ishin më përpara në testet motore dhe zhvillimin mendor.

Këto rezultate kanë pasur ndikim shumë të madh në mënyrën e përkujdesit për foshnjat, si nga prindërit, ashtu edhe nga personeli i spitaleve (Dieter, field, Hernandez, Emory & Redzepi, 2003).

Referencat
Charles G. Morris, Albert A.Maisto; “Understanding Psychology”