Kapsllëku tek Fëmijët

Njohuri të Përgjithshme
Kapsllëku nga Faktorë të Jashtëm
Kapsllëku nga Faktorë Anatomo – Fiziologjikë
Kapsllëku nga Faktorë Patogjenë
Komplikacionet
Diagnostika
Trajtimi Klinik

Kapsllëku (konstipacioni) është një çrregullim digjestiv, që konsiston në dalje jashtë të rralla, të forta dhe me vështirësi që nuk mund të vlerësohen normale. Zakonisht, defekimet që zgjasin më shumë se tri ditë nuk janë normale, duke degjeneruar në një proces të vështirë dhe të dhimbshëm. Këto shpesh shoqërohen me tendosje, fryrje dhe krijojnë ndjesinë e një zorre të mbushur e të pazbrazur plotësisht.

Njohuri të Përgjithshme

Në pikëpamje anatomo-fiziologjike pasi ushqimet kalojnë në zorrën e trashë, kjo e fundit thith ujin dhe lëndët e tjera ushqimore. Si rezultat i peristaltikës së pamjaftueshme të zorrëve, lëvizja e këtij materiali, që gradualisht kthehet në mbetje ushqimore, drejt rektumit është e ngadalshme. Për pasojë, proçesi i thithjes së lëngjeve nga zorra ka vazhduar më gjatë në kohë, duke bërë që mbetjet ushqimore të kthehen në të thata dhe të forta dhe si rrjedhim, të vështira për t’u jashtëqitur. Ky çrregullim shkakton edhe kapsllëkun.

Kapsllëku është një çrregullim i zakonshëm tek fëmijët. Kjo është një simptomë që në përgjithësi nuk shkakton shqetësime nëse zgjat për një kohë të shkurtër, por nëse kjo zgjat për një kohë të gjatë, shoqërohet edhe me simptoma të tjera si: prishje të humorit, pagjumësi, fryrje dhe dhimbje barku, mungesë oreksi, vështirësi në frymëmarrje dhe ndjenjë rëndimi e vazhdueshme në zonën e jashtëqitjes. Fëmijët mund të vuajnë nga ky çrregullim në momentin ku qëndrojnë për një kohë të gjatë ulur pasi ende nuk mund të ecin.

Kapsllëku “i rremë” tek Fëmijët. Jashtëqitja tek fëmijët e vegjël ka frekuencë të ndryshme në fëmijë të ndryshëm. Ato variojnë nga 2 herë në ditë deri në 1 herë në çdo 3 ditë. Frekuenca e jashtëqitjes nuk është faktor që përcakton se fëmija është kaps apo jo. Nëse gjykoni vetëm prej faktit se fëmija juaj defekon një herë në tre ditë, ky është thjesht një informacion i pamjaftueshëm dhe kapsllëku që ju mund të evidentoni, mund të jetë thjesht një “kapsllëk i rremë”.

Gjithashtu, në javët e para, procesi i jashtëqitjes ende nuk është një proces i konsoliduar. Nga pikëpamja anatomo-fiziologjike, gjatë jashtëqitjes në mënyrë instiktive muskujt e barkut shtrëngohen dhe anusi lirohet. Në javët e para, fëmijët defekojnë pa u shtrënguar sepse funksioni i anusit nuk është i zhvilluar plotësisht dhe si pasojë muskujt nuk kontraktohen. Më pas, kur funksionet e anusit zhvillohen, fëmijët për të defekuar duhet të shtrëngojnë muskujt e barkut dhe të lirojnë anusin, gjë që nuk arrin ta bëjnë. Ata, në mënyrë instiktive, i shtrëngojnë të dyja, si muskujt e barkut edhe të anusit. Ky është një çrregullim që mund të zgjasë edhe disa muaj dhe më pas ikën me kalimin e kohës. Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me kapsllëk, por gabimisht etiketohet si i tillë. Ky është “kapsllëk I rremë” dhe nuk egziston ndonjë terapi për këtë çrregullim.

Kapsllëku nga Faktorë të Jashtëm

Ashtu sikurse edhe tek të rriturit, kapsllëku mund të jetë nga faktorë të jashtëm, anatomo-fiziologjikë dhe patogjenë. Kapsllëku nga faktorë të jashtëm lind nga një sërë faktorësh si dietat ushqimore, zakonet jo të shëndetshme, përdorimi i barnave që e shkaktojnë atë, etj.

Kapsllëku nga Dietat Ushqimore

Kapsllëku me origjinë nga dietat ushqimore është një nga arsyet kryesore për kapsllëk tek fëmijët e vegjël. Kalimi nga ushqimi me qumësht në ushqimet e përgatitura është një nga arsyet që trupi i fëmijës i pamësuar me to të reagojë negativisht dhe për pasojë të krijohet një çrregullim i tillë. Për shkak të veçorive anatomo-fiziologjike të fëmijëve, trajtimi i kapsllëkut është i lidhur ngushtë me moshën e tyre. Sipas këtij kategorizmi, evidentohen tre grupe:

Kapsllëku tek fëmijët që ushqehen vetëm me qumësht.  Fëmijët që ushqehen me qumështin e nënës, përgjithësisht nuk zihen kaps. Qumështi i nënës përmban elementët dhe konsistencën e duhur që të parandalojë këtë çrregullim. Kjo është edhe arsyeja që fëmija që ushqehet me qumështin e nënës nuk ka nevojë për ujë.

Megjithatë, nëse fëmija që ushqehet me qumështin e nënës zihet kaps, shkaku fillimisht duhet kërkuar tek dieta e nënës. Dietat ushqimore të nënës të pasura me proteina shtazore dhe yndyra mund të shkaktojnë kapsllëk tek fëmija i gjirit. Zgjidhja e problemit është ndryshimi i regjimit ushqimor e orientuar drejt dietave me fruta, lëngje frutash, perime, etj.  Gjithashtu, si masë e menjëhershme është dhënia sa më e shpeshtë e qumështit të gjirit pasi ajo është tërapia më e mirë.

Tek fëmijët që ushqehen me qumësht artificial dhe ushqime shtesë, shkaqet së pari duhen kërkuar tek ushqimi i fëmijës. Ushqimi i fëmijës duhet të jetë plotësisht i përshtatshëm me moshën e tij. Rekomandohet që qumështi i lopës duhet të jetë i holluar.Gjithashtu duhet kontrolluar edhe sasia e pluhurit, pasi prania e shtuar e tij mund të shkaktojë kapsllëk.

Për të ndihmuar jashtëqitjen tek fëmijëte kësaj moshe, rekomandohen të bëhen disa shtesa në dietën e tyre ushqimore. Së pari, në shishen e biberonit mund të shtoni lëng i koncentruar kumbulle në sasinë prej një filxhani në ditë, ose një lugë çaji vaj ulliri për 100 ml qumësht. Përveç kësaj, mund t’i përgatiten fëmijës pure e holluar më fruta dhe kryesisht pure me kumbulla. Kjo vazhdohet për disa ditë. Nëse kapsllëku vazhdon, duhet që të konsultoheni me mjekun e fëmijës tuaj.

Përveç përgatitjes së dietave të përshtatshme ushqimore, fëmijët duhen kontrolluar për dehidrim. Dehidrimi në këtë moshë nuk është i panjohur, pasi janë disa faktorë që e shkaktojnë atë si temperatura e larta, mbingrohja e ambientit, veshja me shumë rroba të fëmijës, hipertermia, etj. Në këto raste, duhet të shtoni sasinë e ujit që i jepni fëmijës.

Kapsllëku tek fëmijët pas moshës 5-6 muajsh.  Pas moshës kësaj moshe, kapsllëku luftohet edhe me disa ushqime shtesë. Tani fillojnë dietat me supa dhe perime, të cilat e ndihmojnë organizmin e foshnjës në eleminimin e kapsllëkut.

Kurave me lëng kumbulle ose vaj ulliri, u shtohet edhe muhalebia me përbërës që ndihmojnë kapsllëkun, siç janë drithërat dhe mielli i orizit. Gjithashtu, të këshillueshme janë edhe puretë me fruta si kumbulla, mollë, pjeshkë dhe banane. Nëse kapsllëku vazhdon, puretë me fik, dardha, kivi dhe kajsi janë me efekte më të mëdha terapeutike.

Për sa I përket suprave, pas moshës 5-6 muajshe ato duhen dhënë fëmijës dy herë në ditë. Suprat përgatiten me të gjitha perimet të cilat bëjnë pjesë në dietat e të rriturve, veçse ndryshon mënyra e përgatitjes. Ato grihen imët dhe me rritjen e moshës kalohet në copa gjithnjë e më të mëdha.

Përveç suprave, fëmijët e kësaj moshe mund të ushqehen edhe me gjellë me përime. Në rastet e kapsllëkut të këshillueshme janë dietat të pasura me kungull, fibra vegjetale dhe me sa më pak mish.

Sallatat gjithashtu nuk janë të përjashtuara në këtë moshë. Perimet grihen imët dhe jepen në formën e sallatës, gjë që favorizon marrjen të plota të vitaminave dhe mikronutrientëve të tjerë nga fëmija.

Kapsllëku tek moshat 2-3 vjeçare. Kapsllëku tek fëmijët e kësaj moshe është e lidhur kryesisht me preferencat jo të shëndetshme ushqimore. Fëmijët refuzojnë të hanë gjellët me perime, duke preferuar më shumë ushqimet e thata dhe ëmbëlsirat. Këto ushqime si dhe ëmbëlsirat janë faktorë risku për kapsllëkun. Sistemi tretës në këtë moshë ende nuk është i formuar mirë dhe si pasojë, është mjaft I ndjeshëm ndaj pakësimit të sasisë së lëngjeve duke shkaktuar kapsllëk. Tek këta fëmijë është e rëndësishme të krijoni sjellje të shëndetshme ushqimore. Mësojini fëmijës të mos i bëjnë “naze” gjellës dhe shmangini ata nga fast foodet dhe ëmbëlsirat.

Kapsllëku nga Zakonet jo të Shëndetshme

Rreth moshës 2 vjeç  tek fëmija fillojnë të zhvillohen aftësitë e para të vetëdijësimit. Ai fillon që t’i vlerësojë gjërat, shpreh qëndrimet e tij për ato gjëra që i pëlqejnë dhe për ato gjëra që nuk i pëlqejnë. Kjo është pikërisht edhe mosha që fëmijës i hiqet pampersi dhe ai duhet të mësohet me oturakun. Por mjaft fëmijë nuk ndihen “miqësorë” me oturakun. Nëse fëmijës i bëhet presion për të mos defekuar në rroba, ai zgjedh të shtrëngohet dhe ta mbajë feçen, gjë që rrezikon për kapsllëk. Kjo situatë kërkon një edukim të vazhdueshëm të fëmijës, e cila për shkak se mund të zgjasë për pak kohë, është e nevojshme që prindi të tregojë përkushtim dhe durim.

Së pari, zgjidhni fëmijës një oturak që më shumë se sa i tillë, ai të ngjajë me një lodër. Duke e marrë me të mirë dhe përkëdhelur, mësojeni fëmijën të ulet në oturak në orare të caktuara pas ushqimit. Bëjeni fëmijën tuaj që ai të ndihet i qetë dhe i relaksuar mbi oturak. Pas shumë praktikave të tilla, edhe organizmi krijon reflekse të kushtëzuara dhe si pasojë ndjenja e defekimit dhe proçesi e jashtëqitjes vjen normalisht. Në këtë mënyrë keni marrë një masë shumë të mirë parandaluese për eleminimin e kapsllëkut.

Kujdes! Në rast se fëmija është ulur në oturak, mos e lejoni të rrijë për një kohë të gjatë në të. Kjo për shkak se, kur ai është mbi oturak, për shkak të reflekseve të mësuara, shtërzon, d.m.th. mundohet të shtrëngojë muskujt e abdomenit dhe pjesës së anusit për të defekuar. Por kjo e dëmton fëmijën për një kohë relativisht të gjatë.

Të njëjtat shprehi duhet t’i formohen fëmijës edhe për shkuarjen në banjë. Mosha 2 vjeçare është një kohë e përshtatshme për të bërë një gjë të tillë, pasi tashmë ai ecën vetë dhe ka filluar të kuptojë. Ashtu sikurse edhe në oturak, në fillim sigurohuni që fëmija jua të ndihet i qetë dhe i relaksuar në tualet. Për këtë fëmija ka nevojë për një adaptor të tualetit. Është e nevojshme që kur të ulet mbi adaptor, këmbët duhet të formojnë një kënd të drejtë e kofshët dhe të prekin në një bazament, qoftë kjo edhe një karrige e vogël. Është e rëndësishme që nëse për fëmijën tuaj do të zgjidhni banjën për defekim, duhet ta shoqëroni atë dhe t’i qëndroni gjithmonë pranë atij gjatë defekimit, duke komunikuar me të apo t’i lexoni ndonjë përrallë. Kjo duhet të vazhdojë deri sa tek fëmija të formohen zakone të qëndrueshme.

Nëse ai nuk dëshiron të shkojë, kjo bëhet shkak për kapsllëk, ndaj edukojeni me durim duke e shpërblyer dhe lavdëruar (edhe në sy të të tjerëve ku ai është prezent) për këtë veprim.

Tek fëmijët më të rritur, ashtu sikurse edhe një pjesë e mirë e të rriturve, nga shkaqet kryesore të kapsllëkut për fëmijët e kësaj moshe është e lidhur me kontrollin e ndjenjës për defekim.

     Fëmijët e moshës parashkollore e deri në adoleshencë janë të dhënë pas lodrave, aktiviteteve shoqërore dhe anashkalojnë nevojën e organizmit për defekim. Gjithshtu, arsye tjetër është refuzimi i tyre për të përdorur banjat publike, (për shkak të higjenës së mangët, ndjenja e turpit për të kërkuar leje nga ora e mësimit, etj.). Këto faktorë nëse kthehen në zakone të qëndrueshme janë faktorë risku për kapsllëk.

Kapsllëku nga Çrregullimet Emocionale

     Edhe çrregullimet emocionale janë një nga shkaqet që nuk duhet të anashkalohen tek fëmijët. Frika, stresi, zemërimi, etj. janë çrregullime emocionale që ndikojnë në traktin tretës.

Tek fëmijët e vegjël (2-3 vjeç) çrregullimet emocionale burojnë kryesisht nga shtrëngesat që prindërit mund t’I bëjnë për të shkuar në banjë. Ky veprim mbart plotësisht efektin e kundërt: fëmijës I ikën ndjenja e për të defekuar (edhe nëse e kishte atë) dhe sa më shumë që feçet të rrinë në zorrë, aq më shumë rritet vështirësia që ato të dalin jashtë. Sa e rëndësishme është që fëmija të kryejë aktin e jashtëqitjes, po aq e rëndësishme është që kjo të realizohet nëpërmjet që gjendje emocionale të  ngritur të fëmijës, me humor të mirë, kënaqësi dhe dëshirë.

Nëse fëmija juaj zihet kaps, feçet e forta mund të shkaktojnë plasaritje të vrimës së jashtëqitjes, të shoqëruara me dhimbje, çka bën që të kenë frikë të ulen për të dalë jashtë. Kjo dukuri përforcon kapsllëkun, duke formuar kështu një rreth vicioz (feedback pozitiv), që nuk është shumë e lehtë të dilet prej tij.

Tek fëmijët e rritur, çrregullimet emocionale shpesh e kanë burimin tek marrëdhëniet e tensionuara me bashkëmoshatarët, stresin në shkollë, ndoshta edhe marrëdhëniet e tensionuara mes prindërve, si dhe burime të tjera, të cilat në ditët e sotme janë të shumta.

Kapsllëku nga Faktorë Anatomo – Fiziologjikë

     Një nga arsyet kryesore të këtij lloj kapsllëku është një çrregullim funksional që ka të bëjë me peristaltikën e zvogëluar të zorrëve. Po kështu, në një incidencë të vogël rastesh, kapsllëku mund të jetë si rezultat i problemeve fizike. Fëmijët me defekte të tilla si: mungesa e mbaresave nervore në një pjesë të zorrës, anomalitë e shtyllës kurrizore, hipotireoza, retardimet mentale kanë simptomat e kapsllëkut.

Kapsllëku nga Faktorë Patogjenë

Kapsllëku me origjinë patogjene është i zakonshëm tek fëmijët e vegjël. Disa sëmundje të trashëguara të çrregullimit të metabolizmit kanë simptomat e kapsllëkut, përveç një sërë sëmundjesh të cilat janë shkaqë edhe për të rriturit.

Në këto raste, periudhat e “abandonimit” të jashtëqitjes mund të zgjasin edhe 2 javë. Në këto raste, në organizmin e fëmijëve zhvillohet një obstruksion me fekaloma, një situatë në të cilën mbeturinat e zorrës krijojnë një konsistencë kaq të madhe, saqë lëvizja e zorrëve është e pamjaftueshme për një jashtëqitje normale.

Tek fëmijët, dhimbjet e defekimit, çarjet e zorrës së trashë apo fisurat anale e shtyjnë atë të mos defekojë duke e mbajtur nevojën e tij, gjë që e rëndon më tepër kapsllëkun.

Diagnostika

Është mjaft e rëndësishme që nëna të kuptojë se kur fëmija i saj është kaps. Disa janë kontrollet që e diagnostikojnë fëmijën me kapsllëk në kushtet e shtëpisë.

Së pari, ndryshimi i sjelljes së fëmijës. Fëmija refuzon të ulet mbi oturak apo të shkojë në banjë; qan dhe grindet vazhdimisht. Nëse ai shkon, procesin zbrazjes së zorrëve e shoqëron me britma dhe rënkime.

Së dyti, ndryshimi i ritmikës së jashtëqitjes. Fëmija nuk defekon më me shpeshtësinë e mëparshme, deri sa kjo mund edhe të ndalojë për dy-tre ditë, ai qëndron më gjatë në tualet, paraqet vështirësi në defekim, etj. Për këtë arsye, një nga gjërat  që nëna duhet të dijë për fëmijën e saj është frekuenca e jashtëqitjeve, e cila është e ndryshmë në fëmijë të ndryshëm, në varësi të organizmit.

Së treti, kontrolli i feçeve. Konsistenca e feçeve është treguesi kryesor. Nëse feçet janë të thata dhe të forta, me madhësi jo të zakonshme, fëmija është me kapsllëk. Feçet e thata dhe të forta janë tregues që fëmija ka kapsllëk edhe nëse kryen jashtëqitjen çdo ditë ose disa herë në ditë dhe e kundërta: nëse feçet janë të buta, por ai del jashtë një herë në çdo 3-4 ditë, ai nuk ka kapsllëk. Përveç konsistencës së feçes, nëse në pelenat e tij, oturak ose banjë vihen re njolla gjaku me ngjyrë të ndezur, fëmija mund të ketë kapsllëk.

Së katërti, kontrolli i fëmijës për dhimbje barku dhe fryrje të pazakontë të tij. Këto të dyja janë simptoma të kapsllëkut. Nëse gjatë shtypjes së barkut fëmija grindet dhe fillon të qajë, kjo është një shenjë se ai ka dhimbje barku. Këto simptoma të shoqëruara jo rrallë edhe me humbje të oreksit tregojnë që fëmija mund të ketë kapsllëk.

Megjithatë, vlerësimin në kompleks të shenjave të fëmijës dhe shkaqet e një kapsllëku të mundshëm mund ta bëjë vetëm mjeku. Kontrolli fizik i rektumit të fëmijës si dhe diagnostikimi imazherik i kolonës janë të nevojshme për të përcaktuar kapsllëkun dhe nëse është e nevojshme nevojiten edhe diagnostikime të tjera për të përcaktuar shkaqet.

Trajtimi Klinik

Trajtimi klinik i kapsllëkut tek fëmijët është i lidhur me moshën e tij. Nëse fëmija vazhdon më shumë se tri ditë me kapsllëk, duhet që t’i drejtoheni mjekut për një trajtim të specializuar klinik.

Trajtimi Klinik në Fëmijët e Gjirit. Nëse fëmija juaj zihet kaps, në fillim mundohuni të lironi rrugët e jashtëqitjes. Për këtë me një tub gome të butë dhe të lyer me vaj ulliri ngacmoni rektumin. Metodë tjetër është futja në anus e një pastruesi veshi me pambuk të lyer me vaj ulliri, ose kremra të lëkurës, duke e lëvizuar atë me lëvizje rrotulluese si dhe lart-poshtë.

Kjo metodë mund të provokojë peristaltikën e zorrëve, si dhe të krijojë një mjedis të rrëshqitshëm për feçet. Nëse kjo metodë nuk jep rezultate, fëmijës duhet t’i bëhen mikroklizma ose të trajtohet me suposte glicerine.

Trajtimi Klinik tek moshat 2-3 vjeçare. Për fëmijët e kësaj moshe, trajtimi klinik si masë e parë përfshin mikroklizmat. Nëse këto nuk japin efektet e plota, duhet që trajtimi të kalohet me klizma me sol fiziologjik të vakët (ujë me kripë), rreth 100 ml. një herë në ditë për 3-4 ditë rresht. Gjithashtu, duhet të egzaminohet gjendja e anusit. Nëse ka çarje duhet mjekuar jo vetëm për qetësimin e dhimbjeve, por edhe si masë parandaluese për ecuri kronike. Pas larjes së kësaj zone, këshillohen pomada me bazë qetësuesish (anestezikë) të kombinuar me kortizonikë.

Trajtimi Klinik tek fëmijët më të rritur.  Në këto raste, trajtimi është simptomatik; me klizma për disa ditë. Por nëse kapsllëku vazhdon gjatë, është e nevojshme vizita mjeksore për një diagnozim të shkaqeve të kapsllëkut dhe trajtimi terapeutik sipas diagnozës përkatëse.

Medikamentet: Këshilla e parë për trajtimin medikamentoz është që asnjë medikament nuk mund të përdoret pa rekomandimin e mjekut.  Medikamentet rekomandohen nga mjeku në përputhje me moshën e tij, shkallën e çrregullimit dhe karakteristikat anatomo-fiziologjike të fëmijës. Disa nga medikamentet laksativë për kapsllëkun janë:

Latuloza (Epalfen). Ky medikament gjendet në farmaci në paketime 3 dhe 6 gr. Doza dhe koha gjykohet e lidhur ngushtë me rastin konkret. (mesatarisht jepet 1 deri 3 gr. për peshë në ditë, por pa kaluar 30 gr. në ditë).

Lattitoli (Portolak), është pluhur në paketime 5 dhe 10 gr., ose në ambalazhime 200 gr.

Në vëmendje:

Ky informacion nuk ka për qëllim të anashkalojë apo zëvendësojë vizitat mjekësore dhe këshillat e mjekut, përkundrazi. Informacioni synon të ndërgjegjësojë njerëzit për sëmundjet dhe nevojën për edukim shëndetësor.

Referencat

Pier Gildo Bianchi; “Il Medico in Casa”
Polikron Çela; “Mjeku i fëmijëve ju përgjigjet”
US National Library of Medicine; web: www.nlm.nih.gov
National Institutes of Health; web: www.nih.gov