Pyetjet që duhet t’i bëni Mjekut tuaj

Pyetjet tuaja drejtuar mjekut tuaj në rastet e sëmundjeve që mund të keni janë mjaft të rëndësishme për informim si dhe për masat që duhet të merrni për të trajtuar sëmundjen. Niveli i informimit varet në mënyrë të konsiderueshme nga cilësia e pyetjeve që ju i drejtoni mjekut tuaj. Pyetjet e mira janë një pjesë e rëndësishme e zgjidhjes së problemit, kurse pyetjet e këqija nuk e ndihmojnë atë, përkundrazi; ato shtojnë konfuzionin tuaj dhe mungesën e një qëndrimi të duhur ndaj sëmundjes. Prandaj, është mjaft e rëndësishme të dini se si të pyesni mjekun. Për këtë qëllim, për të ndihmuar pacientin, kemi përgatitur dhe publikuar tri paketa pyetjesh themelore për tri aspekte të shërbimit mjekësor: diagnozës, trajtimit mjekësor dhe testeve diagnostikuese:

Pyetjet themelore rreth Diagnozës:

  1. Cila është diagnoza ime?
  2. Cilat janë shkaqet (faktorët e riskut) që e kanë shkaktuar këtë sëmundje?
  3. Cilat janë simptomat e sëmundjes dhe më duhet t’ju lajmëroj kur ato të shfaqen?
  4. A do të ndikojë kjo në cilësinë e jetës time dhe në ç’mënyrë?
  5. Cilat janë ndryshimet që duhet të bëj në mënyrën e të jetuarit?

Pyetjet themelore rreth Trajtimit mjekësor:

  1. A mund të kurohet sëmundja ime?
  2. Cilat janë trajtimet mjekësore për diagnozën time? Cilat janë epërsitë dhe dobësitë e secilit prej tyre? Kush prej tyre është më i përshtatshmi për mua?
  3. Sa sukses garanton ky trajtim dhe çfarë problemesh zgjidh?
  4. Kur do të fillojë trajtimi dhe sa do të zgjasë?
  5. Cilat janë rreziqet dhe efektet anësore të lidhura me këtë trajtim?
  6. A ka ushqime, barna ose aktivitete të cilat duhet t’i shmang gjatë këtij trajtimi?
  7. Nëse trajtimi im përfshin marrje të barnave, çfarë duhet të bëj nëse harroj të marr një dozë?

Pyetjet themelore rreth Testeve Diagnostikuese

  1. Çfarë lloje të testeve duhet të bëj?
  2. Çfarë mund të pres dhe të kuptoj nga këto teste?
  3. A duhet të bëj ndonjë gjë të veçantë për t’u përgatitur për këto teste?
  4. A kanë ndonjë efekt anësor ose rrezik këto teste?
  5. A do të kem nevojë për teste të tjera më vonë?

Referencat

National Institutes of Health; web: www.nih.gov

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *