Pedodoncia

Pedodoncia është degë e stomatologjisë që që diagnostikon, parandalon dhe trajton sëmundjet e dhëmbëve tek fëmijët.

Shumë prindër kanë mendimin e gabuar se dhëmbët e qumështit, të cilët janë dhëmbë të përkohshëm, nuk duhet të kurohen sepse “janë dhëmbë të përkohshëm dhe si të tillë, do të bien dhe zëvendësohen me të tjerë”. Ky mendim është mjaft i gabuar, sepse dhëmbët e përkohshëm kanë funksione të rëndësishme dhe janë të tillë deri në zëvendësimin e tyre nga dhëmbët e përhershëm. Funksionet e dhëmbëve të qumështit janë:

 

  • Funksioni përtypës i ushqimeve. Dhëmbët e shëndetshëm mundësojnë përtypje të mirë dhe të shëndetshme. Nëse dhëmbët e përkohshëm prishen, ky funksioni përtypës pëson çrregullime dhe si pasojë, mund të kemi komplikacione edhe në hallka të tjera të sistemit të tretjes, si stomaku. Dhëmbët e prishur dhe të infektuar ndikojnë gjithashtu edhe në gjendjen e përgjithshme shëndetësore të fëmijës.
  • Funksioni fonetik. Dhëmbët kanë një funksion të rëndësishëm në artikulimin e fjalëve, sidomos tek fëmijët, të cilët ndodhen në fazën e zhvillimit të të folurit. Kur dhëmbët e përkohshëm janë të rregullt dhe të shëndetshëm, fëmija flet qartë dhe kuptueshëm dhe e kundërta. Çdo çrregullim që vjen nga mungesa e dhëmbëve apo dëmtimet e tyre, rrezikon keqshqiptimin e fjalëve, të cilat mund të japin pasoja afatgjata.
  • Funksioni udhëzues dhe estetik. Dhëmbët e qumështit janë të rëndësishëm pasi janë “piketa” për daljen e dhëmbëve të përhershëm. Nëse dhëmbët e qumështit do të mungojnë, kjo do të thotë se në të njëjtën kohë mungojnë “piketat” për daljen e dhëmbëve të përhershëm, çka do të ndikonte në daljen e çrregullt dhe keqpozicionimin e tyre. Përveç kësaj, fëmija ndodhet në fazën e rritjes dhe si pasojë, mungesat e dhëmbëve të qumështit mund të ndikojë në deformimet e nofullës dhe çregullime për sa i përket rritjes harmonike të saj.

 

Dhëmbët e qumështit tek një fëmijë me zhvillim normal fillojnë të dalin rreth moshës 4 muajshe. Nuk konsiderohet çrregullim që një fëmijë të lindë me një ose më shumë dhëmbë, ashtu sikurse nuk konsiderohet e tillë që fëmija t’i dalë dhëmbi i parë në moshën 1-vjeçare.

Dhëmbi i parë (inciziv) del në mesin e nofullës së poshtme. Më pas, po në këtë vend del dhe i dyti. Këto dy dhëmbë shoqërohen me daljen e katër dhëmbëve incizivë në nofullën e sipërme. Dalja e dhëmbëve vazhdon me shfaqjen e katër molarëve të parë dhe dy incizivë anësorë të poshtëm dhe të sipërm. Më pas, dalin edhe dhëmbët e qenit (kaninët). Kur fëmija arrin moshën 2-vjeçare, dalin edhe katër molarët e dytë. Kështu, plotësohen 20 dhëmbët e qumështit, të cilët rreth moshës 6-7 vjeç fillojnë të zëvendësohen nga dhëmbët e përhershëm, proces ky që përfundon rreth moshës 14 vjeç.

Është e rekomandueshme që pas moshës dy vjeç të bëhet kontroll periodik tek dentisti. Kontrolli periodik duhet kryer çdo gjashtë muaj për të parandaluar problemet e mundshme. Gjithashtu, vizita tek mjeku duhet kryer sa herë që tek fëmija shfaqen majisjet e mishrave të dhëmbëve. Majisjet e mishrave të dhëmbëve janë një tregues i rëndësishëm për problemet e dhëmbëve dhe nevojën e trajtimit klinik të tyre.

 

Pedodoncia i trajton dhëmbët e qumështit në të njëjtëm mënyrë si dhëmbët e përhershëm. Ajo përfshin mbushjet, heqjen, fluorizimin, drejtimin e dhëmbëve, trajtimin e çrregullimeve të nofullave, etj.