Aftësitë Shqisore të Foshnjës

Të porsalindurit, ndryshe nga ç’mendohej më parë, mund të shohin, dëgjojnë dhe të kuptojnë shumë më tepër. Shqisat e tyre funksionojnë shumë mirë dhe përmirësohen me shpejtësi, pothuaj në nivelin e të rriturve. Ata janë në gjendje të shohin, të dëgjojnë, e kanë perceptimin e prekjes, dallojnë shijen e asaj që provojnë dhe zotërojnë aftësinë e nuhatjes. Neonatët fillojnë të thithin dhe përpunojnë të dhënat e botës së jashtme sapo ata hyjnë në të dhe, në disa raste, edhe më përpara.

Aftësitë e të Parit

Sapo foshnja lind, nëse ndodhet në krahët e nënës, ai e sheh ngultas në fytyrë. Ndryshe nga gjitarët e tjerë, foshnjat njerëzore lindin me sy të hapur, që shikojnë, edhe pse vështrimi ende nuk është i qartë, por i turbullt. Foshnjat qysh pasi lind, arrin të bëjë dallimin mes fytyrave dhe çdo objekti tjetër. Ata shohin më qartë kur objektet apo fytyrat janë 20-25 centimetra larg. Aftësia e tyre e të parit përmirësohet me shpejtësi, duke fokusuar më mirë objektet në largësi të tyre. Në moshën 7-8 muajshe, sipas hulumtimeve, foshnjat mund të shohin aq mirë sa një nxënës shkolle, pavarësisht se shqisa e tyre e të parit kërkon edhe 3-4 vjet të tjera për t’u zhvilluar plotësisht (Maurer & Maurer, 1988).

Aftësitë e të parit u zhvillon atyre ndjenjat estetike pamore. Foshnjave do t’u pëlqente të shihnin gjëra të reja, lodra, etj. më shumë se ato gjëra që kanë parë gjithmonë. Atyre iu pëlqejnë imazhe me kontraste të qarta dhe forma të thjeshta sesa imazhet jo plotësisht të qarta dhe të komplikuara. Nëse atyre do t’u jepej mundësia të zgjidhnin mes dy alternativave, ata do të zgjidhnin pikërisht të parat. Me kalimin e muajve, ata do të parapëlqejnë modele gjithmonë e më komplekse (Slater, 2000).

Në përgjithësi, foshnjave u duket mjaft interesante fytyrat dhe zërat e njerëzve (Flavell, 1999; Turati, 2004). Atyre jo vetëm u pëlqen të shohin fytyrën e një personi tjetër, por ato ndjekin edhe vështrimet e atij personi. Për shembull, kur dikush u shfaqet përpara syve dhe i sheh drejt në sy, edhe foshnja i sheh në sy; nëse vështrimin personi e hedh sa majtas-djathas, foshnjat, (madje është vënë re edhe në foshnjat dy ditëshe), e kapin këtë vështrim dhe e çojnë atë nga ai drejtim (Farroni, Massaccesi, Pividori & Johnson, 2004).

Të porsalindurve u pëlqen më shumë të shohin nënën e tyre sesa të huajt (Bushnell, 2003). Për ta fytyra e nënës është më e dashur se çdo gjë tjetër. Meqënëse e shohin nënën e tyre mjaft shpesh, ata njohin imazhe të ndryshme të saj dhe e ndjekin atë me vështrim. Kjo përveç gjërave të tjera, e bën nënën më të pëlqyer dhe më të preferuar.

Ndodh që ndonjëherë foshnja kryqëzon sytë. Kjo nuk është diçka për t’u shqetësuar, pasi ka të bëjë vetëm me mungesën e kontrollit të plotë të muskujve të syve. Sa më shumë që fëmija mësohet të shohë, aq më pak do t’i kryqëzojë sytë dhe kjo arrihet brenda pak javësh. Nëse kjo ndodh më gjatë, atëherë është e nevojshme një vizitë mjekësore tek mjeku specialist.

Perceptimi i Thellësisë. Perceptimi i thellësisë është aftësia për ta parë botën në tri dimensione, me disa objekte më afër dhe disa të tjera më larg. Edhe pse janë evidentuar fakte nga studiuesit për perceptimin e thellësisë tek foshnjat më të vogla se 4 muajshe (Aslin & Smith), aftësia për ta parë botën në tri dimensione zhvillohet më mirë kur foshnja fillon të tërhiqet zvarrë, që përkon me periudhën mes 6 dhe 12 muajshe të saj.

Aftësitë e të Dëgjuarit

I porsalinduri zotëron mjaft mirë aftësinë e të dëgjuarit. Madje, sipas studimeve dhe hulumtimeve shkencore, të dëgjuarit e foshnjës është e zhvilluar edhe para se ai të lindte (Fernald, 2001; Haihui, Zhenping & Xing, 2005). Fetuset mund të dëgjojnë tinguj dhe tremben nga zhurma e fortë dhe e papritur në mjedisin e uterusit. Madje, pas lindjes, foshnjat japin shenja se iu kujtohen zërat dhe tingujt që kanë dëgjuar kur ishin në barkun e nënës, duke shfaqur preferenca për këto zëra. Për shembull, zërin e nënës së tyre e njohin dhe u pëlqen më shumë se zëri i femrave të tjera të panjohura (Kisilevsky, 2003). Përveç kësaj, të porsalindurit lindin edhe me aftësinë për të dalluar burimin e një tingulli. Ata e shfaqin këtë duke e kthyer kokën nga burimi i tingullit (Morrongiello, Fenwick, Hillier & Chance, 1994).

Foshnjat janë sidomos të orientuar ndaj tingujve të fjalëve të njeriut (T. M. Hernandez, Aldrige & Bower, 2000). Në moshën një muajshe, foshnjat mund të dallojnë tingujt e fjalëve të ngjashme, si “pa-pa-pa” dhe “ba-ba-ba” (Eimas & Tartter 1979).

Të porsalindurit, ashtu si edhe të rriturit, nuk i pëlqejnë zërat apo tingujt shumë të lartë. Këto ata i trembin dhe i bëjnë të qajnë. Nëse foshnjat fillojnë të qajnë për këtë arsye, ai mund të qetësohet ng zërat e ëmbël dhe të butë që janë tashmë të njohura për të. Këta zëra i krijojnë foshnjës një ndjenjë qetësie dhe kënaqësie.

Aftësitë e të Shijuarit

Studiuesit janë të gjithë të një mendimi se i porsalinduri e ka të zhvilluar aftësinë e të shijuarit. Ata shprehin pëlqime dhe refuzime për shije të ndryshme të ushqimit. Madje, shumë prej tyre mendojnë se  shija e të porsalindurve është më e sofistikuar sesa e të rriturve. Disa studime kanë treguar se nje fëmije që i jepen biberonë të ndryshëm me ujë të ëmbël, por që ndryshojnë nga vendburimet e tyre, foshnja do të thithë vetëm atë që ka shije më të ëmbël. Gjithashtu, ashtu sikurse të rriturit, të porsalindurit e shtrembërojnë fytyrën nga pakënaqësia me shijen e lëngut të limonit (Rosenstein & Oster 2005).

Aftësitë e të Nuhaturit

Të porsalindurit shprehin preferenca të dallueshme për një aromë, apo një aromë tjetër. Atyre iu pëlqejnë aromat e këndshme dhe tërhiqen nga ato, si dhe shfaqin mospëlqim ndaj atyre të pakëndshme. Një aromë e njohur dhe familjare për të është shumë më e dashur se një tjetër e panjohur. Kështu, fëmija afrohet dhe pranon gjirin e nënës së vet, ndërkohë që e refuzon atë të një nëne tjetër. Pikërisht aftësia e nuhatjes është edhe arsyeja që ai arrin të dallojë gjirin e nënës së tij nga të tjerat dhe t’i afrohet asaj, duke e thithur me kënaqësi.

Aftësitë e të Prekurit

Të porsalindut kanë të zhvilluar receptorët e të prekurit. Ata dëshirojnë që t’i prekësh dhe t’i mbash afër trupit, sepse kontakti i qetëson dhe iu jep siguri. Disa kërkime kanë zbuluar se, sidomos në të lindurit para kohe, foshnjat kërkojnë kontaktin e lëkurës me nënën. Për këtë arsye, është krijuar metoda e “nënës kangur”, e cila nëpërmjet një mbajtëse e siguron fëmijën ngjitur në kraharorin e saj. Në këtë mënyrë, ata fillimisht shtojnë në peshë dhe zhvillohen më shpejt.

Mjaft të zhvilluara të porsalindurit kanë edhe ndjesinë e dhimbjes. Kohët e fundit është zbuluar se ndjesia e dhimbjes tek të porsalindurit është njëlloj si tek të rriturit, madje edhe më e zhvilluar. Kjo është vënë re edhe para se ai të lindte. Kështu, është vënë re se gjatë vizitave të shtatzënisë, fëmija ka pasur tendencë të largohej nga trysnia e jashtme që ushtrohej drejt tij.

Rëndësia e Lidhjeve me Fëmijën

Qysh në lindje, falë aftësive shqisore, foshnja është jashtëzakonisht sensibël dhe i vëmendshëm ndaj asaj që e rrethon. Duke pasur parasysh këto aftësi, është mjaft e rëndësishme krijimi i një lidhje sa më të ngrohtë dhe të përshtatshme me të. Kjo do të thotë se orët dhe ditët e para që do të kaloni me të, janë mjaft të rëndësishme. Fazat e para të raporteve prindërore me fëmijën janë mjaft të rëndësishme në të ardhmen e fëmijës. Duke pasur parasysh se fëmijët e kanë të lindur aftësinë për të dalluar fytyrat nga çdo objekt tjetër, si dhe preferencën që ka foshnja për nënën, afrojeni fëmijën tuaj afër dhe shikojeni në sy dhe buzëqeshini sa më shpesh. Kjo sjellje do t’i zhvillojë atij aftësitë e njohjes dhe komunikimit. Është e domosdoshme që nëna të përcjellë tek fëmija ndjenjat e saj të forta për të. Këto realizohen nëpërmjet kontaktit të afërt fizik, prekjeve, buzëqeshjeve dhe zërit të butë dhe të ëmbël. Të jeni të sigurta se ky zë për të është i njohur qysh në bark.

Me rritjen e fëmijës dhe zhvillimin e marrëdhënieve të ndërsjellta nënë-fëmijë, fëmija përpiqet të imitojë gjestet e nënës dhe zërin e saj. Për të, nëna është modeli i sjelljes dhe i veprimit.

Të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe babai. Është e domosdoshme që, qysh në fazat e para të jetës, edhe babai duhet të krijojë një lidhje të gjallë komunikimi mes tij dhe fëmijës. Fëmija do ta shquajë dhe do ta veçojë atë mes njerëzve të tjerë, së bashku me nënën.

Referencat

Charles G. Morris, Albert A.Maisto; “Understanding Psychology”
Anne Deans; “Your Pregnancy Bible”; web: www.carrollandbrown.co.uk