Reflekset e të Porsalindurve

Për shkak të nevojës për mbijetesë, të porsalindurit kanë një numër refleksesh të dobishme.
Studimet kanë hedhur poshtë idenë e vjetër se neonatët, apo foshnjat e porsalindura nuk bëjnë asgjë, veçse hanë, flenë dhe qajnë. Vërtet që ata flenë deri 20 orë në ditë, por kur zgjohen, ata janë shumë më të vetëdijshëm sesa duken. Vetë gjendja e tyre, tërësisht e varur nga njerëzit, i bën ato që të gëzojnë disa reflekse bazë që shërbejnë si mjet komunikimi dhe marrëdhëniesh.

Refleksi i Kërkimit. Së pari, foshnja ka një refleks që kthen kokën drejt çdo gjëje që i prek faqen. Kjo quhet refleksi i kërkimit, i cili e ndihmon atë të gjejë thithën e nënës. Për ta nxitur fëmijën të ushqehet, mjafton që t’i cikni pak buzën me thithë apo biberon.

Refleksi i Thithjes. Përveç këtij refleksi, foshnja ka refleksin e thithjes, që është prirja për të thithur çdo gjë që i futet në gojë dhe refleksin e gëlltitjes, i cili e aftëson foshnjën që të gëlltisë qumështin dhe lëngjet e tjera pa u mbytur. Një thithje e fortë është shenjë e një shëndeti të mirë. Ky refleks thelbësor për mbijetesën është kaq i fuqishëm, saqë foshnja shpesh thith gishtat e tij.
Reflekset e mësipërme janë reflekset kryesore që e ndihmojnë foshnjën të egzistojë përmes ushqimit. Përveç tyre, foshnjat kanë edhe reflekse të tjera, por të një rëndësie dytësore në krahasim me reflekset e ushqimit.

Refleksi i Kapjes. Për t’u siguruar, të porsalindurit kanë refleksin e kapjes. Refleksi i kapjes është prirja për t’u kapur fort pas gishtit të një të rrituri, apo te çdo objekt tjetër që mund të shërbejë për mbështetje dhe siguri. Nëse vendosni gishtin në dorën e një të porsalinduri, ai do ta shtrëngojë me aq forcë, sa mund ta ngrini peshë për krahësh. Nëse përpiqeni t’ia largoni gishtin, foshnja bën rezistencë dhe shtrëngimi i tij do të bëhet edhe më i fortë.

Refleksi i Hedhjes së Hapave. Ky refleks shfaqet tek foshnjat deri në dy-tre muaj. Nëse foshnjën e mbajmë drejt dhe këmbët e tyre prekin një sipërfaqje të sheshtë, ajo përpiqet të ecë. Këto dy reflekse zhduken pas 2-3 muajve dhe rishfaqen më vonë si kapje vullnetare (rreth moshës 5 muajshe), dhe ecje e vërtetë (nga fundi i vitit të parë).

Refleksi i Zhytjes. Kurrësesi nuk duhet ta zhysni fëmijën nën ujë. Por nëse e lini për disa sekonda, do të vini re se ai është plotësisht i aftë të notojë nën ujë. Gjatë këtij procesi, mushkëritë e foshnjës mbyllen automatikisht, duke mos lejuar depërtimin e ujit brenda.

Refleksi i Moros. Kur i porsalinduri ndjen një tingull të fortë apo lëvizet papritur, ai hap krahët dhe zgjat gishtërinjtë. Më pas, i çon duart në gjoks me grushtet e shtrënguara, sikur kërkon të mbërthejë diçka. Mundet që pas kësaj, i porsalinduri të shpërthejë në të qara.

Foshnjat janë të afta edhe të imitojnë shprehjet e fytyrës të të rriturve (B. Bower, 2003). Nëse një i rritur hap gojën, ose nxjerr gjuhën jashtë, foshnjat e porsalindura shpesh reagojnë në të njëjtën mënyrë: hapin gojën ose nxjerrin gjuhën jashtë (Meltzoff & Moore 1989; Slater, 2002).
Gati të gjithë të porsalindurit reagojnë ndaj fytyrës njerëzore, zërit të njeriut dhe prekjes nga njeriu. Mjeti i tyre i parë i komunikimit është të qarët. Vetëm pas gjashtë muajsh ato përvetësojnë një mënyrë shtesë komunikimi, me të cilën falenderojnë dhe shprehin gjendjen dhe emocionet e kënaqësisë: ata fillojnë të buzëqeshin.

Referencat
Charles G. Morris, Albert A.Maisto; “Understanding Psychology”
Anne Deans; “Your Pregnancy Bible”; web: www.carrollandbrown.co.uk

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *