5 Gjëra për të cilat Lëkura juaj ka nevojë çdo Ditë

Lëkura është organi që më së shumti manifeston gjendjen e përgjithshme të organizmit. Në një organizëm të shëndetshëm, lëkura është e bukur dhe plot gjallëri. Përveç kësaj, lëkura kërkon një kujdes të vazhdueshëm dhe të përditshëm. Janë pesë gjëra për të cilat ajo ka nevojë të përditshme.

1.    Pirja e bollshme e Ujit

Uji është një element thelbësor për organizmin e njeriut. Lëkura, për vetë ndërtimin e saj ka nevojë të vazhdueshme për këtë element. Uji është përbërës në reaksionet metabolike, nëpërmjet të cilit lëkura merr lëndët ushqyese si vitaminat, proteinat, lipidet dhe kripërat minerale. Përveç kësaj, uji ndihmon për të pastruar lëkurën, duke nxjerrë jashtë nga poret në formën e tretësirave të gjitha toksinat, e bën atë të butë dhe të freskët. Një lëkurë e dehidratuar është një lëkurë e thatë dhe pa jetë, kurse një lëkurë plotësisht e hidratuar është e shëndetshme dhe ju mundëson të dukeni bukur. Pini jo më pak se 10-12 gota me ujë në ditë duke plotësuar kështu të gjitha nevojat e lëkurës për këtë element.

2.    Higjena e Lëkurës

Për një lëkurë të bukur dhe të shëndetshme është e nevojshme një higjenë ditore. Lëkura çdo ditë gjeneron qeliza të vdekura, të cilat nëse nuk largohen bëhen pengesë për zhvillimin e shëndetshëm të qelizave të reja. Përveç larjes “acqua e sapone”, është e nevojshme që lëkura të pastrohet edhe me pastrues të tjerë të posaçëm. Përdorni pastruesa që i përshtatet lëkurës suaj. Nëse lëkura juaj është sensitive, përdorni pastrues pa alkool. Lëkurat e thata kërkojnë pastrues krem, kurse një lëkure të yndyrshme i nevojitet një pastrues acidik.  Pastruesit e lëkurës relaksojnë muskujt dhe ndihmojnë qarkullimin e gjakut. Në këtë mënyrë, lëkura juaj do të duket më e freskët dhe më e bukur.

3.    Dietat e Shëndetshme

Ushqimet e pasura me Antioksidantë. Antioksidantët kanë një ndikim të konsiderueshëm në lëkurë. Për shkak se ato luftojnë radikalet e lira, të cilat, ndërmjet dëmeve të tjera, shpejtojnë plakjen e organizmit dhe në këtë aspekt edhe lëkurës, antioksidantët rigjenerojnë lëkurën dhe eleminojnë të ashtuquajturën “plakja e parakohshme e lëkurës”.  Antioksidantët kryesorë janë rrushi i kuq, rrushi i thatë, kumbulla e freskët, kumbulla e thatë, manaferrat dhe spinaqi. Frutat dhe perimet e mësipërme janë antioksiduesit më të fortë natyralë. Farat e rrushit të kuq janë të pasura me flavonoide dhe në veçanti përmbajnë një lëndë të quajtur aktivin, e cila ka veti antioksiduese shumë më tepër se vitaminat C, E dhe betakarotinet.

Mjaft të pasura gjithashtu me antioksidantë janë edhe frutat e kuqe si shega, boronicat dhe luleshtrydhet. Shega  mbetet si një ndër ushqimet më të këshillueshme për dermatologët. Përveç vetive të fuqishme antioksiduese që ka, konsumimi i një shege në ditë i jep lëkurës një pamje të bukur dhe të shëndetshme ngjyrë rozë, kurse e aplikuar si maskë në fytyrë, shega ndihmon në parandalimin e rrudhave dhe reduktimin e tyre.

Ushqimet e pasura me Vitaminë A. Vitamina A është një vitaminë e rëndësishme për shëndetin e lëkurës. Kjo vitaminë i jep lëkurës veti rezistente, e hidraton atë dhe e parandalon nga formimi i rrudhave.

Burimi më i mirë i vitaminës A janë bulmetrat dhe veçanërisht kosi. Kosi është i këshillueshëm sidomos për personat që kanë një lëkurë të thatë. Nëse kosi merret rregullisht për një kohë të gjatë, lëkura është e hidratuar, e butë dhe e freskët.

Ushqimet e pasura me Zink. Zinku është një mineral mjaft i rëndësishëm për organizmin. Ai është përgjegjës për dyfishimin e qelizave. Gjithashtu, është vërtetuar se ka një lidhje mes mungesës së zinkut dhe njollave në fytyrë. Përgjithësisht zinku gjendet në ushqimet me sasi të lartë proteine, si mishi dhe peshku. Zinku që gjendet në ushqimet me prejardhje bimore tretet me vështirësi. Tek ushqimet bimore zinku gjendet tek fasulet, drithërat, arrat, farat e kungullit, etj., kurse tek ushqimet shtazore gjendet tek miishi i kuq, peshku, shpezët, frutat e detit, qumështi dhe nënproduktet e tij, etj.

Ushqimet e pasura me Selen. Seleni pengon apo ngadalëson plakjen e qelizave. Në mënyrë të ngjashme me antioksidantët e tjerë, edhe ai neutralizon radikalet e lira. Për sa i përket lëkurës, seleni ka efekte të forta kurative, duke shëruar lëkurën e dëmtuar nga dielli, çarjet dhe dëmtimet e ndryshme. Nga një studim i Universitetit të Edinburgut, seleni parandalon kanceret e lëkurës. Ushqimet e pasura me selen janë ushqimet bimore si arrat braziliane, drithërat, brokoli, fasulja, farat e kungullit, etj., kurse ushqimet shtazore të pasura me të janë peshku ton, karkalecat e detit, mishi i viçit, mishi i shpezëve, etj.

Ushqimet e pasura me Omega-3. Grupi i acideve yndyrore Omega-3 përmban antioksidantë që nuk mund të sintetizohen nga trupi dhe duhet të merren përmes ushqimit. Konsumi i këtyre acideve yndyrore të pangopura është i lidhur me uljen e konsiderueshme të faktorit të riskut të shumë sëmundjeve dhe vitalizimin e organeve jetësore. Omega-3 i shërben lëkurës nëpërmjet ansnjanësimit të reaksioneve pezmatuese dhe alergjike, duke shëruar plagët dhe patologjitë e tjera të lëkurës. Gjithashtu, Omega-3 rrit elasticitetin e lëkurës. Ushqimet më të pasura me Omega-3 janë arrat dhe peshku.

Çaji jeshil. Çaji jeshil ka veti të pazëvendësushme kurative për sa i përket lëkurës. Çaji jeshil forcon sistemin imunitar dhe e mbron lëkurën nga inflamacionet e ndryshme dhe sëmundjet tumorale. Si në rastet kur merret nga goja, edhe kur aplikohet direkt në lëkurë, efektet e tij janë të mëdha, sidomos në rigjenerimin e lëkurës pas djegieve nga dielli.

4.    Aktiviteti Fizik

Aktiviteti fizik luan një rol të rëndësishëm në shëndetin e lëkurës. Ato rrisin elasticitetin e lëkurës, ndihmojnë qarkullimin e gjakut dhe largojnë papastërtitë. Nëpërmjet ushtrimeve fizike lëkura bëhet më e shndritshme dhe e pastër.

5.    Gjumi i Qetë dhe i Mjaftueshëm

Gjumi i trazuar dhe i pamjaftueshëm reflektohet menjëherë në shëndetin e lëkurës. Rreth syve formohen rrathë të errët që me kalimin e kohës kthehen në rrudha. E kundërta ndodh me një gjumë të shëndetshëm. Lëkura, ashtu sikurse i gjithë organizmi është i relaksuar dhe plot shëndet.

Referencat

US National Library of Medicine; web: www.nlm.nih.gov